republika e shqipËrisË kuvendi...republika e shqipËrisË kuvendi komisioni për ekonominë dhe...
TRANSCRIPT
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë më, 30.10.2020, ora 12:00
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi– kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së komisionit të datës 23.10.2020
2. Diskutimi në parim i shpenzimeve të projektbuxhetit 2021.
3. Diskutimi në parim i defiçitit buxhetor dhe borxhit publik të projektbuxhetit 2021.
Marrin pjesë:
Milva Ekonomi, Arben Elezi, Antoneta Dhima, Vullnet Sinaj, Roland Xhelilaj, Anastas
Angjeli, Korab Lita, Senida Mesi, Ervin Bushati, Ylli Shehu, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni,
Blerina Gjylameti, Reme Lala, Suzana Topi
Mungojne:
Eljo Hysko, Krenar Ryci, Artur Roshi,
Te ftuar:
Anila Denaj – Ministre e Financave dhe Ekonomise
Mimoza Dhembi – Drejtoreshe e Përgjithshme e Buxhetit
Gentian Opre – Drejtor i Analizës dhe Programimit Buxhetor
2
Milva Ekonomi - Mund të filloni zonja Denaj, pasi lidhja u stabilizua.
Anila Denaj – Po, zonja kryetare. Ta filloj nga fillimi apo të vazhdoj atje ku e lashë?
Milva Ekonomi – Atje ku e latë.
Anila Denaj - Në pjesën e parë fola për fondin e rindërtimit, kështu që besoj se kjo pjesë
është e qartë. Po vijoj me fondin tjetër, po aq i rëndësishëm, atë të investimeve në infrastrukturë
dhe do të doja të ndaja me deputetët e nderuar, një studim të fundit i FMN-së, i cili shprehet se,
sipas studimeve, për 1% investim në infrastrukturë pritshmëria për përkthim në rritje ekonomike
është me gati 2,2%. Sigurisht, ne presim që nëpërmjet investimeve publike të rritura, pasi një nga
buxhetet me përqindjen më të lartë të investimeve publike është ai për vitin që vjen, të cilin po e
diskutojmë, të kemi një mundësi të përkthyer në rritje ekonomike dhe në rritje të punësimit dhe
kjo justifikon deri në një masë të konsiderueshme edhe optimizmin, i cili shpesh është
përmendur edhe në diskutimet e mëparshme nëpër komisione.
Po shkoj konkretisht në shpenzimet zë më zë.
Shpenzimet e personelit për vitin 2021 llogariten në masën 92,1 miliardë lekë ose 5,5% e
produktit të brendshëm bruto. Këto janë shpenzime që mbështesin të gjithë funksionimin e
administratës publike. Njëkohësisht, kam marrë në përllogaritje te ky fond edhe shtesën prej 8
miliardë lekë, që parashikohet të fillojë nga data 1 janar i vitit të ardhshëm, për rritjen e pagës për
funksion me 40% për punonjësit në sistemin shëndetësor dhe me 15% për punonjësit në sistemin
arsimor, që përfshihen te ky fond që sapo ju përmenda.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes janë në nivelin 2,7% të produktit të brendshëm
bruto ose 45,9 miliardë lekë. Sigurisht, këto shpenzime janë parë dhe janë rishikuar edhe gjatë
vitit ushtrimor, për të reduktuar aty ku lind nevoja, pasi jo të gjitha shpenzimet operative mund të
ishin këtë vit dhe vitin që vjen si në atë që ka qenë në një vit normal, ai vitit 2019.
Është miratuar një formë e re e mbështetjes së fermerëve nëpërmjet skemës, ku
mbështetja jepet në mënyrë të drejtpërdrejtë me përjashtimin e karburantit për prodhimin
bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit dhe fondi i përllogaritur, ku në bazë
është fermeri, i cili ka një NIPT të regjistruar fermeri, shkon në vleftën e 1 miliard lekë të reja.
Ky zë është në Autoritetin Kontraktor, që është Ministria e Bujqësisë.
Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin e 43,8 miliardë lekë ose 2,6% e
produktit të brendshëm bruto. Ne, për vitin që vjen kemi parashikuar një rritje me gati 4,5
miliardë lekë të këtij fondi, edhe pse kur të diskutojmë për menaxhimin e borxhit, të deficitit dhe
3
se si ka qenë trendi i interesave do të shohim se ndoshta kjo është një shumë më e madhe sesa do
të mund të materializohet në shpenzim. Pra, ne mendojmë të jemi prudentë, të përllogarisim një
shpenzim interesash për një vit të ardhshëm, ku luhatja e tregjeve ndërkombëtare apo nacionale
mund të na ndihmojë të kemi një rritje të pritshme të tyre, por nëse kjo nuk do të realizohet,
sigurisht do të shkojë në kursim apo për rialokim aty ku është e nevojshme.
Subvencionet parashikohen në masën e 1,55 miliardë lekë, duke pësuar një rritje të lehtë
krahasuar me 1 vit më parë.
Cilat janë subvencionet dhe çfarë mbështesin ato? Ato mbështesin kryesisht sektorin e
ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tyre, si dhe një pjesë të shpenzimeve të
veprimtarisë hekurudhore dhe të veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.
Shpenzimet e fondeve speciale përfshijnë shpenzimet për fondet e sigurimeve shoqërore,
shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, e cila është në një vlerë prej 193,97
miliardë lekë apo afërisht 11,5% e produktit të brendshëm bruto.
Skema e sigurimeve shoqërore për vitin 2021 është 144,6 miliardë lekë. Nga ky fond
është i përfshirë edhe fondi i indeksimit të pensioneve në masën 2,4 miliardë lekë.
Skema e sigurimeve të kujdesit shëndetësor është në masën 43,8 miliardë lekë për vitin
2020 dhe 46,3 miliardë lekë për vitin 2021.
Fondi për kompensim në vlerë të pronarëve është në vlerën 3 miliardë lekë ose 0,2% e
produktit të brendshëm bruto.
Disa shpenzime të tjera sociale, duke filluar nga shpenzimet për pagesën e papunësisë në
vleftën 800 milionë lekë, shpenzimet për pagën e ndihmës ekonomike, aftësisë së kufizuar që
shkon në nivelin 22,2 miliardë lekë ose 1,3% e produktit të brendshëm bruto.
Për ish-të përndjekurit kemi parashikuar një fond me gati 1 miliard lekë dhe për bonusin
e lindjeve një fond prej 2,2 miliardë lekë.
Niveli i fondit rezervë për vitin 2021 parashikohet në një nivel relativisht të lartë, prandaj
do t’ju shpjegoj pse dhe cili është kompozimi i nivelit prej 4 miliardë lekë i parashikuar për vitin
2021.
Nga këto 2 miliardë lekë janë fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, 1 miliard lekë, fond
kontigjence për mbështetjen e procesit zgjedhor dhe 1 miliard lekë është një fond special, i cili
do të mbështesë me projekte të rëndësishme ato investime publike strategjike që lidhen me
planin ekonomik, investime të planifikuara nga BE dhe Ballkanin Perëndimor. Ne nuk mund të
4
themi sot që e gjithë kjo shumë është e domosdoshme, por për sa kohë jemi të involvuar në një
proces MAP REA-s, po flas brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me mbështetjen e
Bashkimit Europian, për projekte të rëndësishme në fushën e ekonomisë. Sigurisht që një
mbështetje buxhetore e kësaj mase mendohet të jetë e nevojshme për ta parashikuar në
projektbuxhetin e vitit 2021.
Po qëndroj te investimet publike. Pak më parë fola për zërat kryesorë të investimeve
publike, ato që lidhen me rindërtimin dhe me pjesën e infrastrukturës, por nëse flasim në shifra,
ne flasim për një mbështetje buxhetore me gati 7,2% të produktit të brendshëm bruto dhe në
vleftën 120,6 miliardë lekë.
Sektorët, siç e thashë pak më parë janë disa, duke filluar nga infrastruktura, e cila zë një
vend të rëndësishëm dhe ku synimi kryesor është kompletimi i Rrugës së Arbrit, avancimi i
punimeve në segmentin Kardhiq-Delvinë, bajpasi Shkodër, bajpasi Tepelenë dhe një pjesë e mirë
e Unazës së Tiranës, kompletimi i segmenteve rrugore gjatë vitit 2021 me mbështetje të
financimeve të huaja të dy akseve ai Qukës-Qafë Plloçë dhe bajpasi i Vlorës, vënia në
funksionim e aeroportit të Kukësit, si dhe inicimi dhe avancimi me aeroportin e Vlorës.
Ndërkohë, do të shohim 4 sektorë të tjerë, se sa u përket pjesa e përqindjes mbi produktin
e brendshëm bruto për secilin nga fushat kryesore të buxhetit të shtetit, duke filluar nga arsimi,
ku ka një zë me gati 3% mbi produktin e brendshëm bruto dhe shëndetësia që është po në të
njëjtat parametra.
Kur bëra prezantimin në parim të të gjithë buxhetit fola për disa elemente, të cilët
kërkonin të garantojë ky buxhet shteti edhe gjatë vitit 2021, konkretisht në arsimin
parauniversitar, dhënia e teksteve shkollore është një fakt, duke u zgjerohet më tej në nga klasa 1
deri në klasën e 7 dhe për klasat nga 8 deri në 9 në masën 100%, duke mbështetur shtresat
vulnerabël dhe minoritetet. Po ashtu, kemi sigurimin e transportit për gati 32 mijë nxënës,
njëkohësisht kemi edhe disa projekte të reja infrastrukturore në rikonstruksionin e gati 150
objekteve arsimore.
Ndërkohë, në arsimin e lartë mbështesim në vijim paktin me universitetin dhe të gjitha
ndryshimeve që janë bërë në kuadër të paktit me universitetin dhe mbështetjes me financim për
çështjet e bonueseve, por njëkohësisht kemi në fokus edhe infrastrukturën. Brenda pakteve të
universitetit janë edhe kampuset universitare me një projekt për të financuar dhe për vlerësuar se
sa do të na kushtojë i gjithë ky koncept në vitet e ardhshme.
5
Në shëndetësi, përtej rritjes së pagave edhe infrastruktura nuk lihet në harresë. Përsëri
kemi nevojën për të trajtuar me rikonstruksione dhe me pajisje të gjitha ato spitale, duke filluar
nga spitalet COVID-19, ashtu qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, por duhet të fokusohemi
edhe te shërbimi, ai, i cili me mbulim universal të popullsisë kërkon që të realizojë një numër
vizitash për periudhën 2021-2023, që kapin shifrën prej gati të 474 mijë qytetarëve, trajtimin me
rimbursim për gati 400 mijë pacientë dhe rritjen e numrit të pacientëve, të cilët trajtohen në
qendrat tona spitalore me një shërbim më të përmirësuar, kjo falë edhe investimeve të këtyre të
fundit.
Sa i takon bujqësisë, më duhet t’ju them se bujqësia ka një përqindje më pak se 1% ndaj
produktit të brendshëm bruto, është në nivelin 0,8%. Sigurisht, ndoshta do të na duhet ta
diskutojmë nëse kjo është e mjaftueshme, megjithatë jemi duke folur për një vit ku fokusi i është
dhënë mjaftueshëm edhe pjesës së investimeve në parandalimin nga fatkeqësitë natyrore, duke
punuar edhe në raport me infrastrukturën e kanaleve vaditëse dhe të atyre që lidhe me ujitjen dhe
kanalet kulluese, por ndoshta kjo nuk është e mjaftueshme, pasi ky është një vit i vështirë për t’i
akomoduar të gjithë nevojat. Jemi të hapur për të parë nëse ka ndonjë nevojë për përmirësim.
Nuk duhen harruar skemat mbështetëse, të cilat, sidomos ato në gërshetim me skemat
nacionale apo të IPARD-it, kanë dinamizuar dhe kanë krijuar mundësinë e investimit në shumë
njësi ekonomike të mesme, të cilat sot ofrojnë produkte edhe cilësore, por edhe të gërshetuara me
agroturizmin njëkohësisht, duke mos lënë mënjanë edhe skemat që ju përmenda pak më parë të
mbështetjes së fermerëve në raport me skemën e karburantit.
Në fushën e zhvillimit ekonomik, më duhet të ndaloj pak këtu, sepse zhvillimi ekonomik
është parë më në fokus këtë vit, pasi mendojmë se kemi ende shumë për të ofruar me politika
ekonomike, për të mbështetur sektorë të caktuar. Vitet e fundit ne kemi treguar një qasje
proaktive ndaj sektorëve të turizmit, të bujqësisë, të teknologjisë së informacionit dhe i kemi
zgjeruar investimet në këta sektorë nëpërmjet politikave dhe nxitjes së paketave fiskale.
Megjithatë, ka një vëmendje të shtuar të politikave ekonomike. Kjo edhe në raport me
mbështetjen në aksesin në financë, ku garancitë sovrane jo vetëm gjatë kohës së pandemisë, por
edhe më tej, mund të zgjerohen për të targetuar sektorë të ndryshëm, mbështetje për ato elemente
që u mungon aksesi i plotë në financë , por mund të ketë edhe forma të tjera, duke filluar nga
promovimi i Shqipërisë si një destinacion investimesh. Unë e thashë pak më parë, ne nuk jemi
vetëm, sepse Shqipëria nuk është një treg, që të mos thithte investitorë, të cilët kanë nevojë për
6
një treg më të gjerë, ne jemi brenda Ballkanit Perëndimor dhe kemi sot, pas pandemisë, një
mundësi të re për afrimin e investimeve nga vendet e largëta, kryesisht aziatike në Ballkanin
Perëndimor, ku puna dhe mbështetja e Bashkimit Europian për të akomoduar edhe në aspektin
ligjor, edhe në disa aspekte ka filluar vitin e kaluar nëpërmjet programit CEFTA.
Kemi nevojë të ndërmarrim një nismë më të madhe, përtej aspektit rajonal, në nivel lokal.
Ne kemi produktin shqiptar Made in Albania, i cili sot, falë iniciativave të bizneseve në të gjithë
Shqipërisë, është bërë një markë, që ne këtë vit, falë turizmit patriotik, e kemi shijuar, por ka
vështirësi për të rritur jo thjesht cilësinë e produktit, por konkurrueshmërinë. Në këtë aspekt, ne
mendojmë që jo vetëm debatet konstruktive mes palëve dhe aktorëve mjaftojnë, por ne duhet të
bëjmë hapa të tjerë cilësorë për të ndërmarrë që produkti shqiptar të rritë jo vetëm cilësinë, por
edhe konkurrueshmërinë. Në këtë mënyrë fondi i konkurrueshmërisë, i granteve, ka një zgjerim
nuk është i mjaftueshëm për atë që i duhet Shqipërisë, por është një shenjë e nevojës për të folur
dhe për të gjetur modelin më të mirë për ta rritur më tej në të ardhmen.
Njëkohësisht, kemi çështjen e teknologjisë së informacionit. Ne ballafaqohemi çdo ditë
me faktin që bizneset janë duke menduar se cila teknologji do të përmirësojë kostot e tyre dhe
do të realizojë kontrata të reja, të ndryshme nga ato tradicionalet. Jo vetëm çështjet e arsimit
profesional, të cilat i kemi adresuar, por duhet akoma më shumë, por edhe rritja e
ndërgjegjësimit që investimet në teknologjinë e informacionit për bizneset janë një
domosdoshmëri dhe mbështetja e fokusuar se si kjo të materializohet në produkt final, e bën që
ne ta kemi në vëmendje dhe të kemi edhe mbështetjen e PNUD-it dhe të organizatave të tjera për
të gjetur modelin më të mirë. Një fond për të nxitur këtë produkt dhe është menduar.
Nxitja e krijimit të bizneseve të reja do të shoqërohet me një ligj të ri, që ne do ta
nxjerrim të hënën për konsultim publik, ai i start up-ve për inovacionin. Ne mendojmë se kemi
shumë hapësira për të bërë ende për ta markuar Shqipërisë si destinacion të investimeve të huaja,
ku teknologjia e informacionit ka avantazh dhe vlerë të shtuar.
Kemi fondin në mbështetje të biznesit kreativ, ku parashikohet të përfitojnë 85 SME,
biznese vendase, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë. Më parë duhet të themi se një pjesë e
kësaj pune ka nisur, nëpërmjet nxitjes dhe regjistrimit të të gjithë zejtarëve, jemi duke punuar për
një produkt të regjistrimit të tyre, në mënyrë që nga Veriu në Jug të kemi mundësi për të
evidentuar dhe për të nxitur më tej biznesin SME në fushën e zejtarisë. E gjitha në mbështetje të
biznesit Made in Albania.
7
Në fushën e mbrojtjes kombëtare kemi menduar që prioriteti kryesor është angazhimi në
NATO, duke iu përmbajtur premtimit për të alokuar një buxhet që në vitin 2024 shkon në 2% të
PPB-së. Si përkthehet kjo? Kjo përkthehet në modernizimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës së
Forcave të Armatosura, duke i zhvilluar këto kapacitete në një plan afatgjatë të zhvillimit, duke
vijuar pajisjen e Forcave të Armatosura me armatim të ri, duke zgjeruar investimet në
infrastrukturë dhe duke përmirësuar sistemet kompjuterike. Njëkohësisht, angazhimi i
strukturave të Forcave të Armatosura në operacionet e Aleancës dhe pjesëmarrja në misione
është dhe gjen mbështetje në këtë fond dhe zhvillimi dhe mbajtja në gatishmëri e kapaciteteve
për operacionet e mbrojtjes kombëtare dhe kolektive.
Po vijoj më çështje e integrimit në BE, ku fillimisht do të përmend financimin e plotë të
reformës në drejtësi, që nga fillimi i saj në vitin 2016, gjithashtu, reforma në administratën
publike, e cila po vazhdon me ritme të kënaqshme, dhe pritet që në vitin 2021 të rishikohet
sistemi i pagave dhe i metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës në administratën
publike. Edhe në fusha të tjera, transport, bujqësi, zhvillime ekonomik do të avancojmë për të
përafruar legjislacionin tonë me atë të BE-së.
Së fundi, do të ndalem te përballimi i situatës në raport me mbështetjen e shëndetësisë
për COVID-19. Në kuadër të kësaj situate, Shqipëria ka alokuar edhe gjatë këtij viti një fond në
raport me emergjencën për të akomoduar infrastrukturën në nivelin 2,4 miliardë lekë në aktin e
parë normativ të bërë gjatë këtij viti, kësaj shume i shtohet edhe një vleftë prej 507 milionë lekë
ndihmë, kryesisht nga organizata ndërkombëtare. Për më shumë se 6 muaj kemi arritur të
menaxhojmë me sukses dhe me vështirësi shumë të mëdha, që vjen edhe falë punës në
Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe të mjekëve, që janë duke përballuar atë me shumë heroizëm.
Ndërkohë, për vitin 2021 mendojmë që vlefta prej 6 miliardë lekësh e akomoduar në këtë
buxhet, kur një pjesë e rëndësishme e saj lidhet edhe me blerjen e vaksinës, është një vleftë e
rëndësishme. Nëse ne do të jemi në një situatë emergjente ne do të mendojmë si ky fond të
ndryshojë, por, sikurse kemi thënë, ne nuk jemi ende duke projektuar një emergjencë, sepse e
kemi të vështirë ta vendosim instrumentin e buxhetit sa kohë kjo emergjencë nuk është
materializuar.
Në këtë moment unë besoj se kam dhënë një pasqyrë të qartë dhe të detajuar të pushtetit
qendror, por do të ndalem pak edhe te pushteti vendor. Ne sot patëm një diskutim në këshillin
konsultativ të pushtetit vendor. Me të gjitha bashkitë trajtuam çështjen e buxhetit të shtetit për
8
pushtetin vendor. Sigurisht, vijmë nga një proces decentralizimi, i cili ka nisur që në vitin 2017,
me objektiv shumë të qartë që financat vendore të kenë autonominë e tyre qoftë në qeverisje, në
vendimmarrje, por edhe në raport me financat. Kjo nuk është një rrugë e lehtë, kemi vetëm 3
vjet, por mendoj se ka qenë e suksesshme, sepse, sigurisht, buxhetet kanë ardhur në rritje nga
2,1% e PPB-së në 3,3% në vitin 2021. Unë mendoj se është një ushtrim i rëndësishëm dhe për t’u
vlerësuar për të gjithë pushtetin vendor.
Por çështja e fondit të pakushtëzuar, që shpërndahet në pushtetin vendor, e cila ndodh
sipas një formule që ne e dimë nga se përbëhet , ka një ndikim të drejtpërdrejtë rritja ose ulja e
PPB-së. Sigurisht, në një vit kur PPB-ja mund të ulet dhe kjo shumë me vleftë absolute në vitin
korrent që flasim ka qenë më e ulët. Këtë vit ne kemi shpërndarë për pushtetin vendor një shumë
prej 400 milionë lekësh, që ishte e përkthyer në 2% të tatimit të të ardhurave personale, dhe
vitin që vjen parashikojmë që kjo do të shkojë në nivelin e 800 milionë lekëve dhe mendojmë
që është një nismë e mirë për të realizuar obligimin ligjor që ka Ministria e Financave në raport
me këtë përqindje të të ardhurave personale. Ndërkohë, kemi akomoduar dhe kemi dhënë për
pushtetin vendor, në raport me emergjencat civile, një fond prej 500 milionë lekësh, dhe kjo
është për herë të parë, është një nismë sigurisht që u takon bashkive si do ta shpërndajnë, por
besoj se është e qartë që kompromisi për të suportuar në mbrojtjen civile është i markuar me këtë
buxhet të këtij viti.
Në raport me arsimin parauniversitar mbështetja që i jepet direkt nga pushteti qendror
qëndron dhe mbetet e konsoliduar edhe për vitin që vjen. Synojmë jo vetëm rritjen me 15% të
pagave edhe për këtë grup, por, njëkohësisht, edhe rritjen e numrit të edukatorëve, me 440
edukatorë, për të ulur numrin e fëmijëve që kujdeset një edukator nga 26 në 15 për të rritur
cilësinë e shërbimit edhe në këto kushte të vështira të pandemisë.
Gjithashtu, për pushtetin vendor kemi nevojë dhe unë adresova sot në mbledhjen me
kryetarët e bashkive të adresojmë çështje e detyrimeve të prapambetura, të cilat vijnë në ulje nga
një vit në tjetrin. Sot në vlerë absolute është 6,8 miliardë lekëve, gati 4,5% më i ulur se një vit më
parë, por është një shumë, e cila nuk duhet të lejohet të kalojë pa u planifikuar nga
projektbuxhetet e afatmesme se si do të paguhet dhe do të shlyhet përfundimisht.
Këto kisha për të ndarë në momentin e parë, por unë jam këtu me kolegët e mi për çdo
pyetje dhe jemi të gatshëm për t’ju përgjigjur.
Faleminderit!
9
Milva Ekonomi - Faleminderit, zonja Denaj!
Zoti Angjeli, fjala për ju, si relator. E dimë që do të sillni eksperiencën tuaj profesionale
dhe dijen akademike për këtë çështje.
Faleminderit!
Anastas Angjeli – Duke qenë se kemi një dokument në dorë, që është projekti i buxhetit,
kemi bërë një diskutim në parim dhe patëm një ekspoze shumë të hollësishme të drejtimeve
kryesore të shpenzimeve nga ana e ministres, në diskutimin tim jo shumë të gjatë do të
fokusohem në një këndvështrim tjetër, për të paraqitur disa karakteristika të shpenzimeve të
buxhetit të këtij viti, dhe në të njëjtën kohë për të dhënë disa sugjerime, të cilat burojnë nga
dokumenti, por, njëkohësisht, edhe nga fjala që ministrja mbajti.
Tani shpenzimet, ashtu siç është buxheti, parashikohen bazuar në realitetin e gjendjes së
shpenzimeve dhe të pritshmin e realizmit të tyre në fund të këtij viti. Ju dhe ministrja e
përmendët që, në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit rezultojnë
me një rritje rreth 9,5 pikë përqindjeje, edhe pse të ardhurat kanë rënë, sepse iu drejtuam
instrumenteve të tjerë dhe borxhit publik. Kishim dy shtylla kryesore, dy drejtime ku do të
përdoreshin, që ishte frenimi i pandemisë dhe përballimi sa qe i mundur i shpenzimeve për
investime dhe, në të njëjtën kohë, projekti ynë i rindërtimit. Këto të gjitha bënë që në fund të vitit
të parashikojmë këtë rezultat, sikurse në të njëjtën kohë kemi edhe parashikimet, që u takojnë
shpenzimeve korrente, të cilat do të jenë rreth 3,8% më të ulëta, por në të njëjtën kohë do të kemi
një rritje të shpenzimeve kapitale, në kuadrin e të gjithë shpenzimeve kapitale, që është rreth 16
pikë përqindje.
E gjithë kjo klimë parashikimi i vitit të ardhshëm, i buxhetit afatmesëm dhe i objektivave
që kemi për të vazhduar projektet në vazhdim për të përballuar pandeminë dhe për të vazhduar
projektin e rindërtimit, kanë bërë shtratin mbi të cilin, ashtu siç e tha ministrja, në disa drejtime
janë parashikuar shpenzimet kryesore.
Pikërisht, duke parë këtë lloj orientimi dhe mbështetjen në shifra, që është dhënë, mund
të themi disa karakteristika.
E para, edhe pse jemi në kushtet e një recensioni ekonomik dhe të një pandemie, fati i së
cilës ende është i papërcaktuar, kemi një ritëm mjaft të lartë të rritjes së shpenzimeve të
përgjithshme në këtë buxhet që na vjen. Kemi një rritje të lartë, siç e shikoni edhe në ligj, në
nenet e para të tij, janë 587,7 miliardë lekë, janë rritur me 49,2 miliardë lekë ose 9,1%.
10
Kemi një ritëm të lartë, të krahasueshëm edhe me vitet e kaluara, është për t’u vënë në
dukje që ritmi i rritjes së shpenzimeve në krahasim me vitin 2020 është 9,5%, ndërkohë që është
shumë herë më i lartë sesa vitet 2017-2019. Pra, 3,2 deri në 6,4% kanë qenë ritmet e rritjes së
shpenzimeve në periudhat 2017-2019. Çfarë do të thotë kjo? Së pari, kjo do të thotë se ky ritëm i
lartë i shpenzimeve bazohet ose synon në objektivin kryesor të rritjes ekonomike, që ne e kemi
vënë 5,1%. Pa një ritëm të tillë shpenzimesh vështirë se do të kapim atë rritje ekonomike.
Së dyti, kjo tregon se ne kemi marrë përsipër 3 shtylla kryesore: tërmetin, infrastrukturën
dhe pandeminë, pa dyshim, sipas të gjitha ndarjeve me zëra, drejtime dhe me institucione, që i
përmendi edhe ministrja. Kjo është një karakteristikë, që konsiderohet karakteristikë pozitive e
buxhetit. Pa dyshim që ka riskun e vet dhe ne e dimë, risk që lidhet me të ardhurat që i kemi
diskutuar pardje, sepse që të arrijmë të gjithë këtë objektiv, duhet që ato probleme, ato
shqetësime, detyra, që janë vënë për fiskalitetin, dixhitalizimin dhe rritjen e të ardhurave, të
mbeten në fokusin kryesor të ministrisë.
Karakteristika e dytë: vazhdimisht kemi ngritur një shqetësim, që ka të bëjë me cilësinë e
shpenzimeve buxhetore. Po të shikoni këtë radhë, në këtë buxhet kemi një rritje të
konsiderueshme që bie në sy të cilësisë së shpenzimeve. Kjo nuk është një fjalë e përgjithshme,
por duket nga raportet që krijohen midis shpenzimeve kapitale dhe atyre korrente. Duke qenë se
shpenzimet kapitale rriten shumë dhe shpenzimet korrente janë sa gjysma e atyre kapitale, nga
pikëpamja e ritmit të rritjes së shpenzimeve, kjo tregon që fokusi është te cilësia e shpenzimeve
për t’i orientuar ato në sferën që japin produktivitet dhe i kthejnë ekonomisë rritjen ekonomike.
Së treti, në qoftë se flasim për shpenzimet e përgjithshme, më e dukshme kjo është te
ritmi i rritjes së shpenzimeve, që kanë të bëjnë me investimet. Duke qenë se në të gjitha
elementet përbërëse shpenzimet për investime, qoftë edhe me financim të brendshëm, qoftë edhe
me të jashtëm, rrite, kjo e dëshmon edhe një herë tjetër edhe fokusin, edhe cilësinë.
Së katërti, kemi një karakteristikë tjetër të këtij buxheti, i cili tregon cilësinë e
vazhdimësisë e karakteristikës së buxhetit të vitit të kaluar, që është buxheti i rindërtimit. Ne e
kemi nisur një angazhim politik, një angazhim human, por edhe ekonomik që në vitin 2020, pas
tërmetit që ndodhi në fund të vitit 2019. Me investimet që bëjmë prej 28 miliardë lekësh, pa
përfshirë këtu shumën që i takon bonusit, e dëshmojmë këtë që do ta vazhdojmë këtë proces për
ta përfunduar me sukses, edhe për të plotësuar nevojat e qytetarëve, që janë të parat, edhe
ekonomisë t’i japim një impuls për ta rigjallëruar atë.
11
Së pesti, edhe pse jemi në kushtet e një recensioni dhe të një situate ekonomike të goditur
nga këto dy rrufe, do të thosha, që i kemi përmendur gjithnjë, qeveria vazhdon të mbajë fokusin e
vet në prioritetet e saj nëpërmjet këtij buxheti. Duke mbajtur fokusin në prioritete, do të thotë se
në sektorët prioritarë të ekonomisë, në rastin konkret, për shkak të situatës, shëndetësia,
infrastruktura, arsimi dhe bujqësia mbeten në fokusin e tyre, pavarësisht se mund të kemi
mungesa apo ndonjë sugjerim për t’u përmirësuar në njërin nga këto prioritete.
Së gjashti, qytetarët, njerëzit në nevojë, veçanërisht ata që kanë qenë në frontin e parë të
luftës kundër pandemisë, për rrjedhojë edhe të krizës së pandemisë, sektori i shëndetësisë dhe i
arsimit mbështetet me një politikë të re pagash, me një rritje 40% për punonjësit e shëndetësisë
me një efekt 4,5 miliardë lekësh, dhe në arsim me 15%, 3,5 miliardë lekësh.
Së shtati, karakteristikë tjetër është se buxheti nuk ka lënë në harresë dhe as jashtë
vëmendjes së vet mbulimin e risqeve nga normat e interesit për shkak se instrumenti i borxhit ka
qenë instrument më i domosdoshëm dhe më i përdorshëm për sigurimin e likuiditetit, por në të
njëjtën kohë mbart me vete edhe peshën, edhe detyrimin që ekonomia ta përballojë atë me
eficiencë. Në këtë kuptim buxheti ka konsideruar me të drejtë dhe ka mbajtur parasysh që në
vitin 2021 këto shpenzime, për interesat e borxhit, rrjedhojë e rritjes së tij, të rriten me 24,9%. Pa
dyshim, kjo është një ndërmarrje serioze që ka qeveria, siç do ta themi edhe në pjesën e dytë të
mbledhjes, për ta kthyer harkun e borxhit përsëri drejt normalitetit nga 82% poshtë këtij treguesi,
që pritet të arrihet sivjet, duke arritur në nivelet drejt stabilizimit të tij në 3-4 vitet e ardhshme.
Së teti, një karakteristikë tjetër, që unë e përmenda pak në fillim, është që kemi një ritëm
më të ulët të shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes në krahasim me vitet e mëparshme.
Natyrisht, kjo është një politikë që vihet re në vitin 2021, por duhet të mbajmë parasysh se kemi
një parashikim të fondit 1 miliard lekë, që e përmendi edhe ministrja, në formën e skemës së
mbështetjes së fermerëve.
Kemi një karakteristikë tjetër, që ka të bëjë me fondet speciale. Edhe këto fonde, për
shkak të situatës dhe që të gjithë udhëtojmë drejt një të papriture, rriten me 7%, dhe ky ritëm
është ndjeshëm më i lartë se 3-vjeçari 2018-2020, sepse ka qenë 3,2 deri 4,4% dhe i kthehet ose
është shumë i përafërt, pak më i madh se viti 2017.
Ka një karakteristikë tjetër, ku ministrja u zgjat dhe unë nuk dua të zgjatem, që është
karakteristika që ka të bëjë me qëndrimin e buxhetit në raport me reformën e autoriteteve lokale,
me mirëfunksionimin, pavarësisht se jemi në hapat e parë të zbatimit të saj të autonomisë
12
financiare, por, në të njëjtën kohë, edhe me kombinimin e mbështetjes buxhetore me
vetëpërdorimin e fondeve të tyre të pushtetit vendor dhe të kujdesit që ka treguar dhe që duhet të
tregojë për uljen e borxhit, pavarësisht se themi është ulur mjaft, po 6,8 miliardë është një shumë
e konsiderueshme dhe kjo duhet të na bëjë t’i nxisim akoma më shumë autoritetet lokale në një
përdorim sa më efikas.
Karakteristika e njëmbëdhjetë është që për shkak jo vetëm të pandemisë, por edhe të
natyrës të programit të qeverisë, të kujdesej ndaj njerëzve dhe ndaj qytetarëve, edhe buxheti i
këtij viti vazhdon të ketë një mbështetje të konsiderueshme humane dhe sociale ndaj shtresave në
nevojë, ku parashikohet që fondi të shtohet me 400 milionë lekë për të gjitha format e
mbështetjes sociale.
Karakteristika e dymbëdhjetë është që buxheti nuk lë në harresë, por i kushton vëmendje
vijimit të survejimit të subvencioneve të skemave jetike të popullsisë. Pra, kemi një rrije të lehtë
të shpenzimeve për subvencione në krahasim me vitin 2020 edhe në sektorin e ujësjellës-
kanalizimeve dhe të veprimtarive të tjera të shërbimeve të qytetarëve, siç është rasti i transportit
hekurudhor apo i nxitjes së programeve të punësimit, duke thënë këto karakteristika të buxhetit,
pa dyshim që dua të jap disa mendime.
Gjatë diskutimit nen për nen, duke marrë edhe mendimet e komisioneve të tjera, të cilat
po e diskutojnë, të marrim në konsideratë ato që do të kemi mundësi.
Nëse do të shikojmë tabelën fiskale të vitit 2021, duhet ta saktësojmë më mirë që të dalë
në pah çështja e paketës së mbështetjes sociale për shkak të pandemisë së COVID 19. Pse?
Paratë janë, por mënyra, forma e reklamimit dhe paraqitjes së tyre lë shkak për të na akuzuar, që
nuk po kujdesemi për këtë, ndërkohë që gjatë këtij viti po tregohet kujdes i jashtëzakonshëm,
dhe, në të njëjtën kohë, ne po e mbulojmë edhe për vitin tjetër.
Së dyti, ritmi i rritjes së shpenzimeve me financim të brendshëm është gati 19 %, siç e
thashë në një prej karakteristikave më sipër, ndërkohë që në vitet 2019-2020 kemi qenë me ritme
negative. Ne e dimë që e gjitha kjo vjen për shkak të rritjes së shpenzimeve dhe borxhit që kemi
marrë. Këtë duhet ta kemi parasysh.
Nga ana tjetër, do të doja të kishim parasysh faktin që, në një tabelë të paraqitur nga ne,
në përcaktimin e shpenzimeve, sipas funksioneve të qeverisë, duhet të shikojmë krahasimet mes
viteve 2019–2020–2021, dhe të bëjmë disa saktësime, sepse mund të jetë bërë lapsus që lë vend
për keqkuptim, por besoj se këtë do ta sqarojmë gjatë zbardhjes me ekspertët.
13
Gjithashtu, dua të përmend 3-4 drejtime. Këtë vit u goditën të gjithë sektorët e
ekonomisë. Kemi thënë se kanë qenë dy sektorë pozitivë: bujqësia dhe really state. Nëse do të
shikoni të dhënat e 3-mujorit të fundit të bujqësisë, çuditërisht eksportet e prodhimeve tona
bujqësore i kanë kaluar kufijtë e rajonit, duke shkuar edhe në Europë. Eksportet bujqësore, gjatë
këtyre kushteve dhe kësaj krize janë 30% më të larta se viti 2019. Këto janë të dhënat e fundit të
nxjerra nga Ministria e Bujqësisë, nga Instituti i Statistikave dhe nga Ministria e Ekonomisë.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se bujqësia me politikat që u ndoqën, të cilat
ndoshta nuk ishin shumë të forta, pasi u fokusuan në drejtime të tjera, ia doli mbanë. Atëherë,
duke qenë se jemi në të njëjtat kushte, duhet të kemi shpresë te bujqësia dhe duhet të jemi më të
kujdesshëm, që të mos na dalë nga duart.
Nga një konstatim i bërë, të paktën, për çështjet që ne kemi qenë të shqetësuar 4 vjetët e
fundit, nga inodakët, fortunat dhe përmbytjet, ka një pakësim prej 430 milionë të shpenzimeve
për digat. Mendoj se kur të diskutojmë, siç e tha edhe ministrja, mund ta rishikojmë këtë pikë,
qoftë me rialokimet, me mbështetje e të tjera, që të mos e lëmë të na ikë nga duart, sepse ky
sektor po na mban.
Çështja tjetër ka të bëjë me disa rajone të vendit. Para pak kohësh ne miratuam një
projektligj për harmonizimin rajonal. Kur të shikojmë buxhetin për disa bashki, të cilat vuajnë
për hapje të vendeve të punës, nga papunësia, do të shikojmë për të pasur një drejtim në
mbështetjen e tyre.
Gjithashtu, mendoj se për Ministrinë e Mbrojtjes janë të justifikueshme shpenzimet për
objektivin që kemi nga anëtarësimi në NATO, që duhen 2% dhe janë 0,9%, por besoj në kushtet
e kësaj krize, të kësaj pandemie, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave do të gjejnë
mirëkuptim me organet e NATO-s.
Po ashtu, ne kemi një detyrim për proceset e integrimit. Të gjithë duhet ta dimë se në
kushtet e kësaj krize, të këtij recensioni ekonomik, ka një trinom të orientimit të shpenzimeve të
të gjithë buxhetit të Bashkimit Europian dhe të të gjitha vendeve të Europës. Cili është trinomi?
Trinomi janë shpenzimet, sipas prioriteteve të vendeve të tyre, duke mbajtur në fokus sigurimin e
një ekonomie të qëndrueshme, me investime në ekonominë e gjelbër, në ekonominë dixhitale
dhe në ekonominë blu. Ministrja e përmendi, ne e kemi pasur parasysh këtë, por duhet ta
nxjerrim më në pah, nuk po them në ligj, sepse nuk mund ta vëmë, por në relacion ose në
deklarimin e tyre, sepse shpenzimet në ekonominë e gjelbër, nuk janë vetëm shpenzime për
14
mjedisin, por edhe shpenzimet që bëhen për turizmin, shpenzimet që bëhen në Ministrinë e
Bujqësisë, ndaj duhet të arrijmë në disa përfundime rreth këtyre treguesve.
Turizmi është një degë e goditur shumë fort dhe ndoshta duhet ta shikojmë në
këndvështrim të dyfishtë, jo thjesht si turizëm, pra që do të vijnë disa pushues për 15 ditë, sepse
kjo është normale, por, në të njëjtën kohë, ta shikojmë si një instrument të zhvillimit të
ekonomisë blu për të thithur investime të huaja në ekonominë tonë turistike dhe më gjerë, në
agrobiznes, në agroturizëm e të tjera.
Një çështje tjetër që duhet ta kemi parasysh në parim, por pasi ta kemi diskutuar në parim
në Kuvend, kur ta shqyrtojmë nen për nen, është se qeveria mori një vendim shumë të
rëndësishëm për të mbështetur fermerët për sa i përket subvencionimit të çmimit të karburantit
për bujqësinë e të tjera, duke përfshirë edhe shifrat në buxhet, por nuk ka përcaktuar modalitetet
e vënies në zbatim të kësaj nisme të rëndësishme. Pra, ne duhet të shtojmë një nen në buxhet, i
cili të përcaktojë ose të delegojë te qeveria të gjitha modalitetet e vënies në funksionim dhe të
mbikëqyrjes së kësaj skeme. Këtë duhet ta vëmë patjetër në ligj, sepse, nëse nuk e vëmë, nuk
kemi bërë asgjë, kemi thënë gjëra që nuk do t’i zbatojmë, ndaj është e domosdoshme.
Diçka tjetër e domosdoshme, të cilën unë e kam të qartë, dhe pjesa kryesore e kolegëve
mund ta ketë, sepse e kanë diskutuar me kryetaren dhe me ministren, është që ne morëm një
vendim shumë të rëndësishëm. Ne morëm një vendim për pagën minimale. Ne çdo vit e kemi
vendosur në një nen të buxhetit, që me vendim të Këshillit të Ministrave përcaktohet paga
nominale për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore e të tjera. Kjo gjë nuk del e qartë në
nenin përkatës, ndaj ta shohim kur ta shqyrtojmë nen për nen, pasi jemi në parim. Këto
konsiderohen çështje shumë të rëndësishme, sepse janë disa politika të reja që po ndërmarrim, i
ka thënë Kryeministri, janë vendosur te shifrat, por nuk i kemi vendosur në ligj, ndaj duhet t’i
vendosim në ligj, për të pasur konsolidimin e tyre si masa shumë të rëndësishme që ka marrë
qeveria në shërbim të bujqësisë apo edhe në shërbim të qytetarëve me paga të ulëta, pra paga
minimale.
Në fund, duke shpresuar që i thashë të gjitha, po çfarë rëndësie ka, sepse ne do të jemi në
diskutim të vazhdueshëm. Unë i kam diskutuar edhe paraprakisht me Ministrinë e Financave,
duke qenë se një nga karakteristikat ishte çështja e ujësjellësve. Kur të bëjmë diskutimin me
Ministrinë e Transporteve, është mirë të kemi një detajim të hollësishëm dhe një ballafaqim, për
të parë ndarjen e shumave të financimit të projektit të ujësjellësve nga 1 deri në 3 apo në 5 vjet,
15
me 2 qëllime: e para, që të sigurojmë përfundimin sa më shpejt, sepse aksesi i qytetarëve në të
gjithë territorin me ujë është një çështje shumë e rëndësishme, është një revolucion që po bëhet,
dhe, e dyta, për të pasur një qëndrueshmëri financiare në fushën e financimit të tyre.
Për sa fola më sipër, unë dua të bëj një vlerësim, që, pavarësisht nga situata ku ndodhemi,
ne kemi një qartësi në politikën buxhetore, në politikën e shpenzimeve dhe tani kërkohet
vendosmëri për realizimin e treguesve. Besoj se do t’ia dalim.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zoti Angjeli!
Do të fillojmë me pyetjet.
Unë dua të shtoj diçka për sa i përket bujqësisë, meqenëse kemi ndjekur konferencën që
bëri Kryeministri me ministrin e Bujqësisë dhe me drejtoreshën e AZHBR-së. Në fakt, procedura
është e qartë, është e lidhur fuqimisht me vendosjen e niptit, ndaj, në fondin prej 1,2 miliardë
lekësh, që i janë dhënë bujqësisë për naftën pa akcizë, janë parashikuar fillimisht 40 mijë fermerë
dhe më pas 70 mijë fermerë.
Ndërkohë, sasia e naftës llogaritet sipas kartave teknologjike për kulturën bujqësore, që
ka hartuar Ministria e Bujqësisë. Ndërkohë, sasia e naftës, që do të shpëtojë nga mospagesa e
akcizës, taksës dhe TVSH-së, do të jepet kompensim në natyrë, sërish në naftë, nëpërmjet një
sistemi monitorimi, që do të bëhet me tabletë ose me GPS. Të gjithë ata që kanë nipt, do të
aplikojnë në sistemin E-Albania. Kam përshtypjen se i gjithë udhëzimi se si do të bëhet aplikimi
është i përgatitur nga Ministria e Bujqësisë.
Anastas Angjeli – Më fal, por e keni keqkuptuar.
Procedura është, por përderisa lekët dalin nga buxheti, nëse nuk vendosen në ligj, ajo
procedurë ngelet në letër. Duhet një nen i veçantë në ligj, që thotë se ato lekë që janë vendosur
për këtë çështje të bëhen ashtu siç keni thënë në Konferencë.
Ky është problemi që po them unë; nuk po them se nuk dihet skema, sepse, përderisa ne e
deklaruam, skema dihet, por si do t’i marrin lekët AZHBR-ja, Ministria e Bujqësisë, në qoftë se
nuk ka një nen në ligjin e buxhetit që ato lekë do të shkojnë për këtë qëllim. Prandaj, duhet një
nen i veçantë dhe ky është problemi. Problemi nuk është se nuk e kanë bërë ata, por duhet të
vihet një nen, ku thuhet që kaq lekë janë dhe modalitetet i ka qeveria dhe janë ato modalitete që
thatë edhe ju.
Milva Ekonomi – Në rregull!
16
Këtë do ta shikojmë kur të diskutojmë nen për nen, edhe pse unë besoj se kjo gjë është
zgjidhur. Megjithatë, kur të vijë radha nen për nen, do t’i hedhim një sy. Në qoftë se zoti ...
Anastas Angjeli –Besoj se nga konsultimi që kemi bërë me Ministrinë e Bujqësisë dhe
me Ministrinë e Financave rezulton kështu siç them unë.
Milva Ekonomi – Ju besoj shumë, zoti Angjeli.
Zonja Denaj, a doni të bëni një reagim, përpara se të fillojmë me pyetjet, apo jeni në
rregull?
Anila Denaj – Unë në parim jam dakord me faktin që ne, kur të diskutojmë nen për nen,
të shikojmë se si disa nga këto prioritete që zoti Angjeli përmendi mund të shkojnë në funksion
të një përmirësimi të mundshëm, pasi ky është edhe objektivi i qeverisë që ekonomia blu, e
gjelbër dhe ajo dixhitale të jenë në fokus. Megjithatë besoj se nen për nen do ta shikojmë.
Turizmi, bujqësia dhe parandalimi i fatkeqësive natyrore janë të rëndësishme. Ne sollëm këtu
një propozim, por jemi të hapur për të parë nëse ka ndonjë element në diskutimin nen për nen.
Milva Ekonomi – Unë e di që zoti Xhevit dhe zonja Hyseni do të bëjnë nga një pyetje.
A ka të tjerë që duan të bëjnë pyetje? A ka dikush nevojë që të bëjë pyetje? Po, patjetër edhe
zonja Suzana.
Zoti Xhevit, fjala është për ju.
Zoti Xhevit, hapeni mikrofonin.
Xhevit Bushaj – Faleminderit, kryetare!
Falënderoj, zonjën Ministre dhe profesor Anastasin për të gjithë ekspozenë që i bënë
kësaj pjese shumë të rëndësishme të projektbuxhetit të vitit 2021!
Nuk ka vend për të bërë komente (nuk dëgjohet) në lidhje me mbështetjen që i duhet
dhënë fermerit (nuk dëgjohet) i është dhënë shumë dorë punës së fermerit, por do të vlerësoja
pak momentin e kulturës së ullirit. Siç e thashë, është bërë sanksionim edhe me ullirin, por sivjet
ne jemi duke u marrë (nuk dëgjohet) dhe, faktikisht, po të shikosh plantacionet, kodrat, luginat në
territorin tonë janë të mbushura me ullishte dhe këto falë politikës zhvillimore që kemi pasur në
bujqësi dhe mbështetjes që i kemi dhënë fermerit që merret me këtë kulturë. Ka filluar të
prodhohet, por hallka e këtij zinxhiri duhet mbyllur, duhet mbështetur bujqësia, pra fermeri që
kultivon ullirin, që të bëhen linjat e përpunimit, standardizimit, etiketimit dhe eksportimit të
kësaj kulture kaq të rëndësishme që, siç e tha profesori, është një nga ato degë të rëndësishme të
ekonomisë shqiptare që për një kohë të shkurtër jep shumë ndikim te frytet e saj. Kështu që do të
17
doja në këtë pikë t’i sugjeroja ministres, si ministri përgjegjëse e buxhetit, që edhe në dikasterin e
Ministrisë së Bujqësisë apo qoftë edhe me AZHBR-në apo në përgjithësi në qeveri duhet të
ndikohet për t’i dhënë subvencionim aktivitetit përpunues të ullirit.
Së dyti, është bërë një punë kolosale në drejtim të rrjetit rrugor, sidomos atij nacional,
bajpaseve, autostradave, por më duket sikur ka mbetur një moment (nuk dëgjohet) rrugët e
unazave bujqësore. Rrugët në këto zona duhen zhvilluar, duhen ndihmuar pushteti vendor, pasi
këta fermerë që të dalin me këto prodhime bujqësore, para se të shkojnë në autostradë, do të
kalojnë nga këto rrugë, pra nga unazat bujqësore. Kështu që ndoshta edhe kjo kërkon një studim
më të hollësishëm për të dhënë impaktin e saj.
Së treti, për sa i përket furnizimit me energji elektrike tashmë në këtë degë të
rëndësishme të ekonomisë është bërë revolucionon i vërtetë. Shqiptarët nuk kanë më pagesa që të
rrinë me orë apo me ditë të tëra pa energji elektrike dhe ky është suksesi që ka arritur qeveria
shqiptare. Janë bërë investime kolosale, sidomos në nënstacione ose në linjat 20 kilovolt. Për
shembull, Fieri në vitin 2013 kishte vetëm dy linja, ndërsa sot po ecet edhe në zonat rurale, por
duhet bërë më shumë për këto zona rurale, sepse ende ka shumë zona, të cilat, vetëm me një
ndryshim shumë të vogël të kushteve atmosferike, mbeten pa drita. Pra, rrjeti shpërndarës i CEZ-
it duhet ta shikojë këtë punë, në mënyrë që të eliminohet ky problem.
Problemi i katërt ka të bëjë me shpronësimet për sa i përket autostradës. I drejtohem
ministres së Financave, pavarësisht që kjo është detyrë e Autoritetit Rrugor apo Ministrisë së
Energjetikës, përsëri ka problematika në drejtim të shpronësimit të fermerëve. Janë rifreskuar
nga 10 herë, siç i kërkon Autoriteti Rrugor, por ende ky problem nuk ka gjetur zgjidhje.
Këto ishin problemet që unë doja të trajtoja bashkë me ju, ndaj faleminderit që më
dëgjuat dhe suksese për këtë projektbuxhet kaq ambicioz!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zoti Bushaj!
Zonja Denaj, unë mendoj që të dëgjojmë edhe pyetjet e zonjës Edlira, më pas të kalojmë
në përgjigje.
Zonaj Edlira, fjala është për ju. Të lutem, mos bëj shumë shpjegime të gjata, por vetëm
bëni pyetjet, sepse shpengimet e projektbuxhetit i dëgjuam edhe nga ministrja, edhe nga
profesori dhe të gjithë e kemi lexuar dokumentin dhe e kemi të qartë.
Edlira Hyseni – Zonja kryetare më dekurajoni që në fillim kur thoni se ka një pyetje
Edlira dhe unë kam përgatitur 7. Pra, kur më thoni ...
18
Milva Ekonomi – T’i bësh të shtata, por, të lutem, mos bëj kontekst, sepse kontekstin e
pyetjes e kuptojmë vetë. Ministrja bëri shpjegime, zoti Angjeli, si relator, bëri shpjegime, ne
kemi gjithë këtë dokument këtu përpara me 300 faqe, kështu që mund t’i bësh të gjitha pyetjet,
por, të lutem....
Edlira Hyseni – Kryetare, më falni, në dijeninë time të paktën për procedurë, ka një
pjesë për pyetjet dhe një pjesë për opinione. Ne nuk i bëjmë më të ndara, por bashkë, kështu që i
konsiderojmë jo vetëm si pyetje, se nuk jemi në intervistë si gazetarë, por kemi edhe opinione.
Prandaj, nëse japim edhe një opinion ndërkohë që bëjmë pyetje, më duket se kjo ka qenë
gjithmonë procedurë normale e çdo komisioni, vetëm se bëhej në fund ku secili kishte të drejtën
të jepte një opinion qoftë maxhoranca, qoftë opozita, por ne e kemi evituar këtë si procedurë...
Milva Ekonomi – Jo nuk e kemi evituar, sepse pas diskutimeve do të kalojmë
projektligjin në parim...
Edlira Hyseni – A do ta marrim fjalën përsëri?
Milva Ekonomi – Kështu që keni të gjithë hapësirën për ta bërë atë që doni.
Edlira Hyseni – Në rregull, unë nuk do ta marr fjalën dy herë, por po i bëj pyetjet dhe do
të përpiqem të shmang komentet.
Milva Ekonomi – E harxhuam kohën me një debat të kotë, kështu që vazhdoni, ju lutem!
Edlira Hyseni – Kryetare, nëse e humbni durimin që në fillim, atëherë po i pakësoj
pyetjet që pa i nisur. Gjithsesi, unë do të përpiqem t’i përmbledh aq sa unë di, pastaj kush i di më
mirë, le të t’i bëjë më mirë.
Zonja Ministre, faleminderit për prezantim dhe për dëshirën e bashkëpunimit që ju të
paktën keni treguar në dhënien e përgjigjeve për aq sa ne ju kemi kërkuar!
Pa dyshim, profesori bëri një përmbledhje të buxhetit në këndvështrimin më të gjerë dhe
analitik, por, gjithsesi, le ta themi është një këndvështrim i palës propozuese të projektbuxhetit,
që është qeveria dhe maxhoranca. Nëse në komision ka edhe një palë ndryshe, mundet të ketë
edhe një këndvështrim alternativ, kështu që unë besoj se dhënia e opinionit në tërësi nuk na bën
dëm.
Unë jam dakord me disa nga pikat që tha profesori, zoti Angjeli, por ajo që bie në sy, në
fakt, në leximin e buxhetit dhe në tabelat shoqëruese është që duket si një buxhet normal i një
viti normal dhe nuk vihet në pah nëse ky buxhet i ri parashikon paketa ose fonde, siç ka qenë i
parashikuar për vitin 2020, që lidhen direkt me situatën e pandemisë dhe të masave që janë
19
marrë. Pra, nuk është e qartë (që ato janë të shpërndara ne e dimë dhe i kemi parë) dhe mund të
lindë dyshimi nëse në këtë buxhet të ri kemi parashikime buxhetore që janë specifikisht të
lidhura me situatën e pandemisë. Ashtu siç duket dhe u tha, është që orientimi i shpenzimeve
buxhetore është drejt investimeve, të cilat janë në vlerën 7,2% të GDP-së. Kjo është një zgjedhje
le të themi, pasi opinioni alternativ mund të ishte: a është kjo zgjedhja e duhur? A është viti i
duhur për të rritur në masë kaq të fortë investimet publike, në një kohë kur, në fakt, ekonomia
është në recension dhe ka nevojë për ndihmë më imediate, më të shpejtë, ku sektori privat ka
nevoja të tjera? Kështu që edhe ky është në këndvështrim, një vizion politik, por lë vend për të
pasur edhe një këndvështrim të ndryshëm.
Nga analiza që unë i bëra tabelës së parë që ju shoqëroni buxhetin, që është shpërndarja e
shpenzimeve sipas institucioneve dhe ministrive të linjës, bie në sy që rritjen më e lartë,
krahasuar me vitin 2020 (kam parë vetëm krahasimin me vitin 2020, akti normativ i fundit, pra i
korrikut), e ka Ministria e Infrastrukturës, pra investimet, pastaj vjen Ministria e Financave. Unë
e përshëndes këtë gjë, sepse, me sa duket, edhe në zëri kryesor që është rritur lidhet me
kontributin e sigurimeve që shkon direkt me rritjen pagave që u bëhet shëndetësisë dhe arsimit.
Ky është një ndër zërat e shpenzimeve buxhetore që unë e përshëndes dhe e mbështes, së bashku
me rritjen e fondit për emergjencat civile. Në fakt, këtu do të thosha, ashtu siç e përmendi pak
edhe profesori, që Ministra e Mbrojtjes ka dy zëra që rriten dhe vazhdojnë të jenë këto forcat e
luftimit, janë dy zëra që janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Mendoj se në këtë vit të
veçantë, nëse është e mundur, do të ishte më e përshtatshme për të rritur fondin për emergjencat
civile, të cilat kanë një rritje, mbase një rialokim i tyre për t’i lënë forcat e luftimit në një kohë
tjetër, sepse besoj në këtë moment më shumë se sa virusi nuk do të na sulmojë njeri. Ajo që më
bie në sy është se në mbështetjen buxhetore më të lartë për vitin 2021, Ministria e Arsimit është e
fundit që ka rritjen më të madhe buxhetore, Ministria Shëndetësisë është e treta, më pas vijnë
Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Arsimit. Unë gjykoj dhe mendoj se
në këtë situatë, shëndetësia dhe arsimi duhet të jenë prioritete. Jemi në kushtet ku sapo ka kaluar
vendimi i ri, që mësimi do të bëhet online. A nuk mendoni se fondet për Ministrinë e
Shëndetësisë dhe të Arsimit, specifikisht, duhet të ishin më të larta se ato për mbrojtjen, që ia
kalojnë arsimit apo institucioneve të tjera?
Ndërkohë, më rezulton se ka ulje të buxhetit për Ministrinë e Turizmit, për Ministrinë e
Kulturës, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë dhe për disa institucione të
20
tjera. A nuk është turizmi një ndër sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, që, në fakt, është
momenti, dhe ka nevojë urgjente për mbështetje, për ndërhyrje dhe për ndihmë konkrete,
ndërkohë që ne ia kemi pakësuar buxhetin për këtë vit?
Për sa i përket Ministrisë së Kulturës, artistët dhe të gjitha aktivitetet që lidhen me këtë
ministri, mendoj se janë ndër sektorët, që, absolutisht preken nga situata e pandemisë. A nuk
është edhe kjo një ministri, që duhet mbështetur me fonde plus, me një paketë të veçantë apo
diçka tjetër? Më bën përshtypje që ulja e buxhetit ka ndodhur në disa ministri, të cilat kanë
nevojë për ndihmë gjatë këtij viti.
A i penalizon proceset integruese që kemi në axhendën e Integrimit Europian ulja e
buxhetit për ministrinë e Punëve të Jashtme, sepse ka ulje edhe për atë ministri?
Unë konstatoj se ka ulje për Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe për qeverisjen online; në
këtë rast, nuk më vjen keq, e përshëndes uljen.
Tjera, ka një rritje për projektin “100 fshatrat” dhe dua të di nëse do të jetë në
vazhdimësi? Shikoj që ka rritje fondi për atë zë.
Për sa i përket elementit të rëndësishëm të investimeve publike me 7,2%, që përmenden
fort se janë një vlerë e konsiderueshme, ju thatë se është e vërtetë që 1% e rritjes së investimeve
publike mund të përkthehen në 2,2% të rritjes ekonomike. Nuk e di nëse kjo rezulton kaq e
thjeshtë, por a nuk është e vërtetë që investimet publike duhet të shoqërohen me rritje të
investimeve private në një masë deri në 25% të GDP-së, për të folur për një rritje ekonomike,
ndërkohë që ne kemi një tkurrje të fortë të investimeve në sektorin privat? Në këtë rast dua t’ju
pyes: krahas rritjes së investimeve publike, që ju parashikoni, a keni menduar apo e keni një plan
konkret se si mund ta ndihmoni sektorin privat, biznesin privat, për të rritur investimet e tij,
sepse pa rritjen e investimeve private nuk sigurohet rritja ekonomike, që duhet të shkojë
bashkërisht me investimet publike?
E dyta, me sa dimë, investimet janë të rëndësishme nëse kryhen në sektorët, që kanë një
kthyeshmëri, që sigurojnë një rritje ekonomike, një produktivitet të shtuar të ekonomisë; për këtë
dihet që është industria dhe prodhimi. Investimet publike do të jenë drejt ndërtimit dhe
infrastrukturës. A keni ju një analizë dhe një vlerësim, që këto investime të shtuara janë të
duhurat për të pasur një kthim në ekonomi, për rritje ekonomike, produktivitet të shtuar e të tjerë,
apo mund të ishin bërë investime më të mira? Unë e pashë tabelën analitike të investimeve
publike që ju parashikoni dhe, ose unë nuk e gjeta, por nuk më rezultojnë projekte të reja
21
investimi gjatë vitit 2021, më rezultojnë që janë të gjitha në vijimësi, janë financim i investimeve
ekzistuese të disa viteve, që vazhdojnë dhe financohen me kredi, me grante apo me mbështetje
buxhetore. A kemi projekte të mirëfillta të reja për investime publike dhe si do të financohen
ato?
Pyetja tjetër i përket fondit të rindërtimit, i cili është 28 miliardë lekë. Ju thatë se i
shtohen edhe 34 miliardë, që kishim vitin e kaluar, dhe në total shkon 500 milionë euro, nëse nuk
gabohem, me një kurs të përafërt, sepse janë 62 miliardë lekë ose 500 milionë euro. A mjafton ky
fond për të përfunduar procesin e shumëpritur dhe të domosdoshëm të rindërtimit? A presim
grante, donacione, kredi, fonde të tjera, përveç këtyre që kemi parashikuar, nga Konferenca e
Donatorëve, që pritshmëria ishte 1,1 miliardë euro? Ne jemi te vlera 500 milionë euro sot për sot.
A mjaftojnë këto për ta përmbyllur procesin dhe a jemi në pritje të donacioneve të tjera? Nëse
po, sa mund të jetë vlera e tyre përafërsisht?
Gjithashtu, dua të them se unë ndjek me vëmendje Italinë për masat që po merr për të
mbështetur ekonominë dhe për të përballuar situatën e emergjencës së pandemisë, me të cilën po
përballet Europa dhe mbarë bota. Në Itali parashikohen paketa mbështetëse të forta si për
biznesin, nëpërmjet ndihmës financiare direkte, fondeve të posaçme, familjeve që kanë fëmijë
deri në 21 vjeç, transportin publik, parashikohet përjashtimi i detyrimit për sigurimet shoqërore
për të punësuarit deri në 35 vjeç. Pra, ato sigurime i mbulon shteti. Kjo jep mundësinë për të ulur
papunësinë dhe për t’i dhënë frymë ekonomisë. A kemi ne ndonjë ide të tillë, një plan masash
konkrete në ndihmë të biznesit, familjeve dhe punësimit të të rinjve, por në forma likuide, më
imediate, më të shpejta se ato me kredi, garanci sovrane, apo të tjera, që janë pak më të largëta?
Pyetja tjetër ka të bëjë me borxhin publik.
Ju sot folët pak për borxhin publik.
(Nuk dëgjohet)
Nuk e kemi borxhin publik?
Milva Ekonomi – E kemi si çështje të dytë në rendin e ditës.
Edlira Hyseni – Dakord, nuk do ta bëj si pyetje.
Kisha një pyetje, që zonja Dhëmbi mund të na thotë: në financimin e brendshëm ka një zë
që është “të tjera”, por është i konsiderueshëm, me rreth 45,2 miliardë lekë. Përveç huamarrjes së
brendshme, që është një fond më vete, çfarë janë “të tjerat”?
22
Tjetra, në tabelën analitike vura re se pagesa për papunësinë dhe ndihmën ekonomike për
vitin 2021 është mbajtur në nivelet e vitit 2020 dhe shumë më e lartë se viti 2019. Ky është një
parashikim pozitiv dhe unë e vlerësoj, por dua t’ju pyes nëse është ky parashikim, sepse
konsiderojmë nivelin e lartë të papunësisë, që është 14 dhe do të shkojë 12, por gjithsesi mbetet i
lartë, apo parashikohet ndonjë formë ndihme sërish, siç u dha ndihma ekonomike, dyfish apo
trefish me paketat sociale? Apo keni ndonjë parashikim ndihme ekstra për kategoritë në nevojë?
Shikoj që fondi ka ngelur i njëjtë me vitin 2020, që duhet të ketë qenë një fond i lartë për shkak
të situatës së krijuar.
Pyetja e fundit, që të mos zgjatem shumë, është: në skenarin eventual të një mbyllje të
shpejtë ekonomike, a kemi një paketë financiare sociale, në një vlerë të përafërt, që mund ta
konsideroni edhe sot si një fond rezervë, i cili, sipas meje, është shumë i vogël në krahasim me
vitin e kaluar, që u rrit në mënyrë të ndjeshme, sepse këtë herë kemi një parashikim shumë të
ulët? A keni një fond imediat, nëse do të mbylleshim brenda pak ditëve, apo një kohe shumë të
shpejtë?
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zonja Hyseni!
Zonja Topi fjala është për ju.
Ju lutem, ndizni mikrofonin, sepse nuk dëgjoheni!
Suzana Topi – Faleminderit, kryetare!
Edlira i ezauroi pyetjet.
Unë dëshiroj të falënderoj ministren për prezantimin, por edhe profesorin, i cili ishte
shterues!
Pyetja ime është shumë koncize: nëse do të kemi një mbyllje për shkak të pandemisë, a
ka planifikuar qeveria një paketë të tretë për bizneset dhe si mendohet ajo?
Tjetra, kam një pyetje kur të jetë ministrja e Shëndetësisë për disa investime në spitalin e
Përrenjasit, për infrastrukturën e tij, që, faktikisht, është në një gjendje të mjerueshme, por këtë
pyetje do t’ia bëj direkt ministres.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Zonja Denaj, a mund ta merrni fjalën?
Anila Denaj – Faleminderit!
23
Për sa u përket shqetësimeve që solli zoti Bushaj dhe tri shqetësimet, si ajo që lidhet me
çështjen e zonave rurale në aspektin e infrastrukturës, shpenzimet për kompensim të fermerëve,
apo çështjet specifike të ullirit, unë besoj se janë shqetësime të drejta, por duhen adresuar te
ministritë e linjës. Pse, konkretisht?
Së pari, në raport me shpenzimin e kompensimit të pronave të shpronësuara për efekt
publik, këtë vit, unë e thashë edhe në fillim të fjalës, kemi dhënë afërsisht 3 miliardë lekë.
Sigurisht, do të presim fundin e vitit për të monitoruar cilat janë arsyet që nuk ka ndodhur për
zonat e përmendura nga zoti Bushaj. Nuk hyjmë dot në detaje në nivel të Ministrisë së
Financave, por ministria e linjës mund të përgjigjet konkretisht.
Së dyti, në raport me zonat rurale, për infrastrukturë, dhe në vijim të asaj që ngriti zonja
Hyseni ose zoti Bushaj, për çështjet e fondit të “100 Fshatrave” kjo është arsyeja. Sigurisht, e
kemi pasur në vëmendje të gjithë zhvillimin e zonave rurale dhe ka një përmirësim të dukshëm.
Qeveria ka investuar edhe më herët në rehabilitimin e qendrave të qyteteve, por nuk mundet që
në një vit si ky, ku rindërtimi dhe përfundimi i punëve publike të nisura kanë fokus, të ketë një
rritje në këtë drejtim, sepse, siç e dini, ky është buxheti dhe duhet të ekonomikojmë në të gjitha
aspektet. E kuptoj dhe e mirëkuptoj që ka nevoja më shumë, por këto nuk ndodhin vetëm në një
vit, por ndodhin në një projektbuxhet afatmesëm. Për ullirin unë e kuptoj, por do të doja që
ministria përgjegjëse të japë përgjigje. Besoj se zoti Bushaj më mirëkupton dhe do ta vendosja
deri në këtë pikë.
Së dyti, në raport me pyetjet e zonjës Hyseni, e cila flet për çështjet e paketave si një
qasje, që lidhet me faktin që pandemia është ende duke krijuar një shqetësim, unë e kam thënë
dhe e përsëris dhe vazhdoj të them ende, që emergjenca nuk është sot si në momentin kur ne
adresuam paketën e parë dhe paketën e dytë. Në momentin që ne u mbyllëm, në momentin që u
vendosën kufizime dhe një pjesë e mirë e disa bizneseve u detyruan të mbylleshin, kjo ishte një
situatë emergjence, që adresimi i paketave 1 dhe 2 u mundësua (pa hyrë në detaje të paketave)
dhe në datën 18 maj ne e hapëm dhe kemi thënë dhe përsëritur që paketat, në gjykimin tonë, i
kemi lidhur me emergjencën.
Ne nuk po e diskutojmë këtë projektbuxhet me emergjencën. Nëse do të jemi, dhe unë
nuk do ta uroja, në një situatë emergjence, ne do t’i kthehemi përsëri një diskutimi pakete me
instrumente të cilat do të jenë të diskutuara në atë moment për të qenë relevant për të adresuar
problematikën siç do të shfaqet.
24
Për sa u takon investimeve në infrastrukturë, më lejoni të theksoj se postulati i përmendur
nga unë, ku 1% investime në infrastrukturë mund të përkthehet në 2,2%, është një postulat që ne
e ndeshëm në takimin vjetor me FMN-në përpara një jave dhe unë i bëra referencë këtij postulati.
Sigurisht, ai është empirik dhe duhet të provohet, se jo çdo vend mund të ketë të njëjtin përkthim,
besoj se janë shumë parametra që ndikojnë, mendova që është një element i rëndësishëm për t’u
ndarë, por jo sepse kjo është e vetmja arsye që ne na bërë të kalkulojmë rritjen ekonomike.
Ju përmendët faktin se infrastruktura publike shkon për projekte në vijim. Në asnjë
moment unë nuk kam thënë që kjo nuk shkon për projekte në vijim, përkundrazi, ne kemi thënë
që duhet të mbyllim Unazën e Tiranës dhe disa rrugë, të cilat sigurisht ndikojnë dhe nxisin
investimet publike.
Si mundet që investitori vendas apo nesër edhe i huaj të investojë në Dibër nëse ajo rrugë
nuk përfundon? Si mundet që në një zonë tjetër të lihet përgjysmë një rrugë dhe të pritet zhvillim
ekonomik?
Pavarësisht kësaj, ne kemi edhe investime të reja, që unë përmenda në prezantimin e
parë, çeljen e tunelit të Llogarasë, i cili në raport me turizmin, mund të sjellë një përmirësim të
shtuar të zonave poshtë Llogarasë, për arsye të lehtësisë dhe aksesit.
Ndërkohë, ju thatë që mund të ketë një tkurrje të investimeve private.
Së pari, nëse ne përfundojmë investimet publike, tkurrja është më e vogël. Nuk mund të
vendosim ne të themi sa do të jetë investimi privat, por kemi një parakusht të mirë.
Së dyti, ne flasim, gjithësesi kemi folur edhe kur diskutuam për të ardhurat, për trajtim
fiskal afatmesëm, që do ta ndihmonte biznesin të projektonte më mirë. Është një parakusht i dytë,
flasim për elemente të rëndësishme të konkurrueshmërisë.
Unë bëra një prezantim se pse Ministria e Ekonomisë duhet të jetë më në fokus për të
ndihmuar me politika ekonomike dhe jo vetëm fiskale rritjen e konkurrueshmërisë, jo vetëm
nëpërmjet granteve, por edhe garanci sovrane. Njëra prej garancive sovrane, e cila nuk mund të
ezaurohet këtë vit, sepse, sikurse ju e dini ajo është e orientuar për aktive fikse dhe për working
capital për disa kohë dhe, absolutisht, do t’i shkojë nevojës për investime publike me akses në
financë për dixhitalizim dhe rritje të kapaciteteve në burime njerëzore.
Pse e dhamë garancinë e parë sovrane? Që të mos iknin njërëzit.
Pse e dhamë garancinë e dytë sovrane? Që të kenë mundësi ose të kalojnë këtë fazë të
dytë ose të ridimensionohen.
25
A do të ketë të tretë? Po, dhe përsëri sugjerimi është që të shkojmë nga paketa universale
në paketa (nuk më pëlqen fjala “paketë”), në politika të targetuara.
Dua që ta ndërlidhim marrëdhënien me një postulat të investimeve publike dhe private,
që pikërisht po punojmë.
Ky buxhet shkon pikërisht për të bërë një rritje të efektivitetit. Nuk e shohim dot me
shifra, sepse nuk i kemi shifrat dhe është një vit i vështirë për biznesin.
Po t’i kthehem fondeve të MEPJ-së, Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në fund
të vitit 2019 rritëm me gati 500 milionë lekë fondin e OSBE-së dhe ky ishte për përfaqësimin që
ne kemi këtë vit në OSBE, por ne nuk e kemi të vazhdueshëm, prandaj duket në rënie një fond i
tillë. Kjo nuk do të thotë që ne për arsye të mungesës së fondeve rrezikojmë ndonjë proces
integrimi.
Nëse do të ndodhë që diku elementi fond, do të jetë çështje nga fondi i rezervës, do të
kalojë dhe është e padiskutueshme që nuk do të ketë problem.
Ju përmendët çështjen e fondit të pagave te dy institucione. Tek tabela 1, që i bëni
referencë, nuk është aty rritja e pagave, është te fiskalja dhe ndoshta krahasimi nuk relevant.
Vijojmë me fondin e rindërtimit. Ky fond është 62 miliardë në dy vjet dhe në
projektbuxhetin afatmesëm kemi thënë se është 65 miliardë lekë.
Ne pretendojmë që në vitin 2022 të jetë diferenca. Mendojmë se është një shumë që mori
mbështetjen e parë këto dy vjet edhe pse në një përqindje më pak të gjestionueshme nga buxheti i
shtetit, sepse janë procedura pa fund që duhet të shkojnë për infrastrukturën, për kompani, të cilat
do të futen në tendera për projekte të ndryshme në të gjithë zonat ku ka dëmtime.
Këtu kemi edhe kompensimet në vlerën gati 8 miliardë lekë, që janë kompensimet vetëm
të këtij viti, kur bëmë aktin normativ dhe shuma që përmendi zonja Ekonomi ishte për këtë vit,
që u shtua në aktin normativ të korrikut, 8 miliardë lekë janë vetëm grantet për DS1, DS2, DS3
dhe këto nuk janë të gjitha fonde që shkojnë për të ndërtuar, por shkojnë për të kompensuar dhe
kalojnë nëpërmjet pushtetit vendor.
Fondet e ndërtimit do të ezurohen në mënyrë të menjëhershme, në kohë dhe me banesa.
Të paktën, në raport me shifrat e banesave janë tri kategori banesash, të cilat sot nuk janë të
gjitha të disbursuara, sepse nuk kanë arritur dot të marrin të gjitha procedurat, por janë 3470
banesa individuale, 4646 banesa kolektive dhe 145 projekte arsimore nga ky buxhet, por fondet e
granteve kanë ardhur nga konferenca e donatorëve jo në kontekstin e likuiditetit, sepse edhe këtu
26
duhet të qëndrojmë. Angazhimi dhe likuiditeti janë dy momente të ndryshme, angazhimi është
dhënë dhe janë vetë donatorët, të cilët koordinohen në mënyrë të vazhdueshme edhe nga ministri
i Shtetit për Rindërtim për të realizuar me projektet e tyre dhe me procedurat e tyre ato objekte
që kanë marrë në angazhim.
Përthithja, nëse flasim për angazhim, është dhe në disbursim, do të jetë graduale, siç
avancon çdo projekt i marrë përsipër.
Së fundi, në raport me të tjerat, kemi një likuiditet shtesë, i cili nuk më rezulton në atë
shumë. Zoti Opre, që kam këtu, më konfirmon ndër të tjera se kjo ka të bëjë më çështjen e
likuiditetit dhe gjendjes së SA-së në një moment të caktuar që është dhe trashëgohet nga viti
2020.
Në raport me zonjën Topi, çështja e paketave për emergjencën do të shikohet kur
emergjenca të ndodhë. Shpresoj që asnjëherë të mos ndodhë. Gjithësesi nevoja është që
instrumentet, të cilat ne i adresuam këtë vit, mund të jenë të ndryshme vitin tjetër. Nuk ka
ndodhur asnjëherë që ne të reagojmë pa parë se çfarë bëjnë edhe vendet e tjera në modalitet, por
ta përshtasim sipas natyrës dhe ekonomisë shqiptare në raport me ekologjinë e bizneseve dhe
mbështetjen e grupeve të personave, të cilët janë më vulnerabël ndaj varfërisë.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zonja Denaj!
Përpara se të kalojmë te çështja tjetër, që ka të bëjë me diskutimin në parim të defiçitit
dhe të borxhit publik në projektbuxhetin e vitit 2021, dua të falenderoj të gjithë ekipin e zonjës
Denaj, që ka komunikuar me sekretarinë e komisionit për t’i kthyer përgjigje pyetjeve të
deputetëve.
Unë kam këtu të ulur me mua në sallë zonjën Antoneta Dhima, e cila ndihet e vlerësuar
që ka marrë përgjigjet. Apo jo?
Faleminderit, zonja Antoneta!
Kështu që, zonja Edlira, të bësh pyetjet që do edhe me gojë, edhe me shkrim, se do të të
vijnë edhe ty përgjigjet e pyetjeve, që nga sot.
27
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë më, 30.10.2020, ora 12:00
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi– Kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
Diskutimi në parim i defiçitit buxhetor dhe borxhit publik të projektbuxhetit 2021.
Marrin pjesë:
28
Milva Ekonomi, Arben Elezi, Antoneta Dhima, Vullnet Sinaj, Roland Xhelilaj, Anastas
Angjeli, Korab Lita, Senida Mesi, Ervin Bushati, Ylli Shehu, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni,
Blerina Gjylameti, Reme Lala, Suzana Topi
Mungojne:
Eljo Hysko, Krenar Ryci, Artur Roshi,
Te ftuar:
Anila Denaj – Ministre e Financave dhe Ekonomise
Mimoza Dhembi – Drejtoreshe e Përgjithshme e Buxhetit
Gentian Opre – Drejtor i Analizës dhe Programimit Buxhetor
Milva Ekonomi – Kalojmë në çështjen e dytë të rendit të ditës. Edhe këtu kemi po të
njëjtën procedurë. Zonja Denaj tregon dhe pastaj relaton zoti Angjeli. Defiçiti buxhetor dhe
borxhi publik për vitin 2020.
Ne, edhe nga relacioni, e dimë se gjatë periudhës 2014-2019 financat publike u
karakterizuan nga qëndrueshmëria dhe thellimi i konsolidimit fiskal.
Defiçiti buxhetor dhe borxhi, në përqindjen e prodhimit të brendshëm bruto erdhi në
rënie. Bilanci primar në vitin 2013 ishte negativ dhe u kthye në pozitiv në vitin 2016-2019.
Për shkak të goditjeve që pësoi ekonomia në fund të vitit 2019 dhe në vitin 2020, ne
patëm defiçit buxhetor që erdhi në 6,8% të PBB-së, ndërsa borxhi shkoi gati në 81% të PBB-së.
Megjithatë, meqenëse që nga viti 2015 ne e kemi kusht që ligji organik i buxhetit duhet të të japë
një parashikim për buxhetin afatmesëm, domethë në vitet 2020, 2021, 2022, 2023, ne vëmë re që
në vitin 2023 kurba e borxhit do të jetë në ulje dhe kjo falë politikave që po bëhen për
konsolidimin fiskal dhe për të pasur një qëndrueshmëri të mirë financiare në Republikën e
Shqipërisë.
29
Thënë këtë shpjegim të parë, që ne na vjen edhe nga relacioni i projektbuxhetit, unë do t’i
jap fjalën zonjës Denaj për të vazhduar me diskutimin e saj se si e kanë parashikuar borxhin dhe
defiçitin në vitin 2021 në këtë projektbuxhet që ministria ka hartuar.
Urdhëroni, zonja Denaj!
Anila Denaj - Faleminderit!
Do të qëndroj te disa shifra dhe pastaj do të flasim edhe për risqet që lidhen me borxhin,
njëkohësisht edhe disa elementë të rëndësishëm se si është i kompozuar ky borxh.
Po vijoj me faktin se si ka evoluar trajektorja rënëse e borxhit në vitet e fundit, 6,4 pikë
përqindje ka qenë ulja në 4 vjetët e fundit dhe kjo qartazi tregon faktin që mirë Ministria e
Financave e ka pasur objektiv primar konsolidimin fiskal, duke ulur edhe deficitin buxhetor në -
1,9% në fund të vitit 2019 dhe borxhin në 66,3%. Sigurisht, ekspansioni në deficitin në borxh
nuk është një fenomen vetëm i ekonomisë shqiptare dhe duhet theksuar, edhe në kuadër të atyre
komenteve që përmendi deputetja Hyseni, vlerat e rindërtimit janë të konsiderueshme, ne jemi
goditur edhe nga pandemia, edhe nga tërmeti, kështu që është e logjikshme që do të zgjerohet ky
borxh.
Tani, është shumë e rëndësishme të shohim se si është menaxhimi i borxhit në vite dhe sa
efektiv kemi qenë, pasi institucionet buxhetore maten edhe me eficiencën në vite të disa
parametrave, duke filluar nga afatgjatësia në kompozim, sa për qind është borxhi në afatshkurtër,
afatmesëm dhe afatgjatë, si janë normat e interesit, si është ekspozimi në monedhë të huaj apo
vendase dhe sa është mbulimi, si një komponent shumë i rëndësishëm i atyre që blejnë bondet
shqiptare, si në treg të brendshëm, ashtu dhe të jashtëm, për të treguar besim në raport me këtë të
fundit.
Do të filloj, së pari, me ekspozimi ndaj risqeve. Në radhë të parë, kemi një fokus drejt
huamarrjes së brendshme në krahasim me huamarrjen e jashtme, me norma njëkohësisht interesi,
të cilat kanë një ndryshim nga variablet te fikset në përqindje më të madhe. Në jemi dëshmitarë
të uljes së normave të interesit vitet e fundit, por duke shoqëruar edhe me ndryshimin e
kompozimit nga variabël në fiks, e ul më tej ekspozimin ndaj një risku të normës së interesit. Ne,
në nivelin e borxhit aktual, në tremujorin e fundit të vitit 2020, jemi të ekspozuar me një borxh, i
cili llogaritet në 79,7% të PBB-së në vlerë absolute, 1260 miliardë lekë, të cilat janë të rritura në
krahasim me fundin e vitit, por në krahasim me fundin e vitit 2020 parashikojmë të shkojmë në
nivelin e 80%, për t’u ulur në 78% në vitin 2021 dhe për të vijuar më tej rënies (sikurse edhe ju
30
e përmendet, që e shikojmë në terma afatmesëm), për të shkuar në 76,3 në vitin 2023 dhe të
shkojmë në 68% në vitin 2025.
Sa i takon kompozimit të borxhit në raport me afatet, dua të theksoj (ne kemi një
prezantim që do t’jua nis me e-mail, sepse ndoshta edhe për çështje teknike është e pamundur ta
paraqes këtu) se, që nga viti 2010 në 2020-n kemi një ndryshim të tillë të ekspozimit në afate.
Borxhi afatgjatë shkon nga 40% në vitin 2010 më 63,5% në vitin 2020, afatshkurtri nga 35% në
17% dhe afatmesmi nga 23% në 19,5%. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që kemi reduktuar
borxhet në nivel afatshkurtër dhe presionin si në raport me normat e interesit, ashtu edhe me
frekuencën për të dalë në bonde, dhe kemi rritur nga viti 2010 në vitin 2020 afatgjatin.
Në raport me kompozimin e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, ne kemi një ekspozim
të borxhit të brendshëm në nivelin e 51,08% dhe 48,92% të borxhit të jashtëm, vjen e ngushtuar,
ndërkohë që në vitin 2010 borxhi i brendshëm ka qenë 56,95% dhe borxhi i jashtëm 43%. Ky
ngushtim është përsëri një element i rëndësishëm i menaxhimit të borxhit në vite, që ul dhe
mitigon risqet nga ekspozime të mundshme, sidomos të kursit të këmbimit.
Sa u takon interesave, që është elementi i tretë, në kemi mbi 50% të peshës me normë
interesi fikse. Unë e thashë pak më parë, është punuar fort në vite, që kalojmë nga ato variabël në
fikse. Nëse 50% e kemi në interesat fikse, e kemi më të lehtë të menaxhojmë koston, sidomos në
vite si këto, ku variablat janë më të rrezikuara drejt ndryshimit se sa interesat fikse.
Njëkohësisht portofoli i borxhit të brendshëm vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60%
në sektorin bankar. Këtu dua të them që ne vërtet kemi një sektor financiar bankar solid, e kemi
të mirëkapitalizuar, e kemi likuid, por fakti që është 60%, sigurisht që mund të jetë një risk, i cili,
në raport me ndryshimet e politikave investuese të bankave apo të aksionerëve, mund të
ndryshojnë, është e pamundur të ndodhë në afatshkurtër apo afatmesëm dhe mendoj që për 2021-
in dhe 2022-in jemi imunë nga ndonjë risk potencial që vjen nga ky ekspozim.
Ndërkohë, kemi zgjeruar mundësinë e investimit për tregun e brendshëm. Ne këtë vit
emetuam bond në euro, i cili ishte i suksesshëm, e kemi emetuar vetëm një herë në tregun e
brendshëm në nivelin e 100 milionë eurove dhe me një normë interesi shumë të favorshme, për
të vijuar pastaj me emetimin në tregun ndërkombëtar me eurobond. Dua të thekson që vlera e
eurobondit prej 650 milionë eurosh ishte shumë më afër planifikimit që kemi bërë në fund të vitit
të kaluar, përpara se të kishim tërmetin dhe pandeminë, dhe ishte diku te 550 milionë euro, pra
31
rritja nuk vjen si rezultat i objektivit për të zgjeruar borxhin, por ka qenë e planifikuar dhe ne nuk
mund të dalim në shumat më shumë se sa duhet në këto tregje.
A do të ketë ekspozim vitin e ardhshëm me tregjet ndërkombëtare? Kjo mbetet për t’u
parë. Ne parashikojmë që ekspozimi në tregun e brendëshëm do të jetë më i lartë, gati 49,9
miliardë lekë do të jetë stoku në tregun e brendshëm. E kemi të pamundur të menaxhojmë më
mirë çështjen e likuiditetit së brendshmi, si në frekuencë, njëkohësisht edhe në normë interesi.
Pjesa e huamarrjes së jashtme është në nivelin e 13,6 miliardë lekë.
Unë do të isha skeptike që do të dalim në tregun e jashtëm, por duhet të presim pjesën e
korrikut të vitit tjetër për të parë se si do të evoluojë.
Ndërkohë, pjesa me mbulim, edhe në rastin në eurobond, kur mbulimi apo oferta që na
erdhi ishte 4 herë më e madhe se sa shuma që deshëm, sikurse në tregun brendshëm, që çdo dalje
në bonde të brendshme në tregun primar ka qenë me mbi 1 herë, tregon një pozitivitet ndaj
situatës së menaxhimit të qeverisë në raport me financat publike.
Dua të ndalem pak në raport me deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale
dhe Bankës Qendrore Europiane, pasi këto janë dy institucione që ndikojnë në mënyrë të
drejtpërdrejtë me deklaratat dhe politikat e tyre, edhe çështjen e normave të interesit në tregjet e
huaja. Këto institucione janë shprehur se do të vijojnë ndjekjen e politikave monetare lehtësuese,
të paktën deri në fund të vitit 2020, duke bërë që të ketë një qëndrueshmëri për normat e interesit
dhe për institucionet financiare edhe përgjatë vitit 2021.
Për sa i përket konsolidimit afatmesëm, unë dhashë disa shifra, megjithatë fola vetëm për
borxhin. Dua të flas edhe për deficitin fiskal, i cili parashikohet në nivel të ulët, në 6,5%, vitin e
ardhshëm, negativ sigurisht, dhe një balancë primare që ne synojmë operacionalisht në nivelin e
Ministrisë së Financave, pozitiv, që në vitin 2022, por në ligjin organik të buxhetit për të qenë të
sigurt vendosëm vitin 2023.
Dua të theksoj edhe një herë në fund të këtij prezantimi, por ne mund të flasim në vijim
për çdo shqetësim, që situata në Shqipëri në raport me të gjithë menaxhimin, jo vetëm të borxhit,
por edhe të të gjithë situatës financiare, ka qenë një punë e mirëkoordinuar me Bankën Qendrore
dhe unë mendoj që koordinimi mes dy institucioneve ka qenë kyç për shumë operacione që ne
menaxhojmë, si në raport me tregun financiar, por edhe me pjesën e institucioneve për të cilat një
falenderim i veçantë i shkon BQ-së, përveç Ministrisë së Finacave në këtë aspekt.
Faleminderit!
32
Milva Ekonomi – Faleminderit, zonja Denaj!
Urdhëroni, zoti Angjeli!
Anastas Angjeli – Ministrja e paraqiti të gjithë situatën, prandaj shkurt po e paraqes
situatën. Viti 2018-2019 ka qenë një vit arriti rezultate të suksesshme në çështjen e
qëndrueshmërisë së financave publike dhe në thellimin e konsolidimit fiskal. Deri në vitin 2019
ne arritëm të menaxhonim me sukses nivelin e borxhit publik, nivelin e deficitit buxhetor dhe në
të njëjtën kohë edhe bilancin primar fiskal duke kaluar pastaj në nivele pozitive të bilancit fiskal.
Viti 2020, e kemi pranuar të gjithë dhe i kemi analizuar faktorët, bëri që të shmangeshim
nga objektivat tona të qëndrueshmërisë fiskale, u shmangëm ne, u shmangën të gjithë shtetet më
të zhvilluara të Europës, si dhe Amerika në të gjithë eurozonën, sepse dolëm nga kriteret e
konvergjencës. U prish më në fond tabuja e borxhit publik deri në nivelin 60% dhe, siç e dimë, i
vetmi instrument, tatime dhe taksa, as mund ta rrisnim, përkundrazi i kemi ulur dhe i kemi
spostuar në kohë pagimin e tyre, inflacionin nuk e lejuam, ishte borxhi.
Këto dy elemente, si dhe kryerja e shpenzimeve për të përballuar situatën, çuan që edhe
ky fundvit i 2020-ës t’i kalojë të gjitha parametrat e deficitit dhe të borxhit. Deficiti parashikohet
të mbyllet me rreth 6,8%, ndërsa borxhi 80,9%.
Çfarë synon buxheti 2021? Ky buxhet, duke parë objektivat makroekonomikë dhe fiskalë
që na kanë paraqitur dhe duke parë edhe buxhetin afatmesëm 2021-2023, shënon vitin 2021 si
një vit të rikthimit përsëri në pozitat e konsolidimit fiskal, pra ne fillojmë rikthimin. Të njëjtën
gjë bëjmë për bilancin primar, duke synuar rikthimin në shifra pozitive në vitin 2023, por duke e
ngadalësuar dhe duke ulur atë nga njëri vit në tjetrin.
Në të njëjtën kohë, me politikat që janë paraqitur në buxhetin e shtetit edhe borxhi publik
sivjet parashikohet ta mbyllë këtë vit me 81%, por, në të njëjtën kohë, vitin e ardhëm
parashikojmë me projektbuxhetin e paraqitur të ulet në 78, 6%. Kjo do të thotë që kurba e
borxhit do të fillojë përsëri të rikthehet drejt uljes së saj. Por keni parasysh një gjë, duke qenë se
është i vetmi instrument, nga një anë duhet të jemi të kujdesshëm që të mos tejkalohet shuma
madhësia e borxhit, por, nga ana tjetër edhe ministrja e tha, sipas situatës që do të paraqitet për
nevoja për likuiditet, do të jemi të detyruar që këtë instrument që po përdorin e gjithë bota dhe e
gjithë Europa, ta përdorim edhe ne. Kjo ka qenë arsyeja që ndërhymë edhe ne në kohën e duhur
gjatë fillimit të pandemisë për rregullin e artë të buxhetit në ligjin organik të buxhetit, të
menaxhimit të financave. Kjo është arsyeja që dhe vendet e Europësm duke prishur këtë tabu,
33
kanë përgatitur tani ndryshimet në librin e rregullave fiskale dhe po e qarkullojnë për ta
miratuar, sepse këto janë rregulla që janë vendosur 50 vjet më parë në Europë edhe për ne si
vend pretendent për t’u integruar në Europë, por, me sa duket, kushtet e reja të zhvillimeve
ekonomike të krizave që janë rrjedhojë e këtyre pandemive, po diktojnë vendosjen e treguesve të
tjerë dhe përdorimin e instrumenteve e të tjera. E rëndësishme është instrumentinta përdorim me
sa më shumë efektivitet. Mendoj se të dyja politikat që po ndjekim për rikthimin në normalitet të
treguesve të deficitit të borxhit në këtë projekt janë paraqitur drejt.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, profesor!
Kush ka pyetje? Nuk ka. Zonja Hyseni fjala është për ju.
Edlira Hyseni – Faleminderit!
Kam dy pyetje të thjeshta. E para lidhet me financimin e deficitit të brendshëm dhe të
huaj. Ashtu siç e tha edhe ministrja, është preferuar dhe vijon të preferohet ai i brendshëm,
financimi nga burimet e brendshme, kundrejt atij të huaj dhe interesat përkatëse reflektojnë
masën e përdorur të njërit financim përkundrejt tjetrit.
Ju, zonja Ministre, thatë se kemi përmirësim të situatës së financimit të brendshëm dhe
tashmë po shkohet drejt interesave fikse më shumë sesa ndaj atyre variabël. Pyetja ime është e
thjeshtë: a janë interesat e financimeve të brendshme më të leverdishme përkundrejt
financimeve të huaja, pavarësisht nëse janë fikse apo variabël? A janë ato më të leverdishme,
përderisa ne i zgjedhim si formë të preferuar financimi? Mua më rezulton se financimi i jashtëm
për vitin 2021 parashikohet të rritet, në krahasim me vitet 2020 dhe 2019, ndërsa financimi i
brendshëm në vitin 2021 më rezulton të jetë ulur, në krahasim me vitin 2020 dhe ka një rritje në
krahasim me vitin 2019. E kam me përqindje, por nuk po jua jap, sepse me siguri ju i dini.
Nëse deficiti buxhetor për vitin 2020, sipas aktit normativ, deri në korrik të vitit 2020, të
paktën kur ka kaluar akti normativ, parashikohej në një vlerë prej 132, 9 miliardë minus,
afërsisht 1,1 miliardë euro, ndërsa për vitin 2021 jemi diku te 877 milionë euro minus, në mos
gaboj, ose minus 108,7 miliardë lekë, pyetja e parë është: në këtë parashikim për vitin 2020, që
është bërë në korrik, deficiti është 8,4 % i PBB-së ose në vlerë minus 1,1 miliardë euro, a ka
mundësi që deri në fund të muajit dhjetor 2020 të ketë një ndryshim, një përkeqësim (shpresoj të
ketë përmirësim), por a keni një vlerësim në lidhje me këtë tremujor të fundit, pra sesi do të
34
vijojë të mbyllet ky vit? Ne e shikojmë nga shifrat që edhe në vitin 2021 do të mbetet vlerë e
lartë e tij. A ju preokupon realisht ky deficit i lartë?
Pyetja tjetër lidhet me borxhin publik që, ashtu siç e thamë, është 81% i PBB-së.
Meqenëse është fort i debatuar ky argument dhe opinioni publik ka një perceptim ndoshta dhe të
paqartë ose të gabuar, a mund të na thoni nëse në këtë borxh publik janë të përfshira detyrimet
për PPP-të, koncesione, detyrime kontraktuale ndaj palëve të treta, të ngjashme? Diku në një
grafik të gazetës “Monitor” flitej për 9% të PBB-së. Mund të jetë totali i tyre, por a është i
saktë, a është i vërtetë informacioni që ekzistojnë detyrime jashtë bilancit ose detyrime të
papërfshira në borxhin publik prej 81% që është aktualisht? A është përfshirë kjo vlerë 9% në
këtë borxh, apo ka një disinformacion apo pasaktësi? Është mirë të jemi të qartë.
Faleminderit!
Milva Ekonomi– Faleminderit shumë, Edlira!
Zonja Ministre, fjala është për ju, sepse nuk shikoj duar të tjera të ngritura për të bërë
pyetje.
Anila Denaj – Faleminderit, zonja kryetare!
Faleminderit, zonja Hyseni!
Unë do të jap një përgjigje për borxhin, duke filluar nga totali, pra sa na kushton sot
borxhi shtetëror dhe sa ka kushtuar në vitin 2010, pa e ndarë në atë të jashtëm dhe atë të
brendshëm, por trajektorja do të na kërkojë të kemi një orientim ndryshe tani. Kemi një ulje nga
6,21% të kostos së borxhit shtetëror, pra interesa, në 2,92% nga viti 2010 në vitin 2020. Në një
dhjetëvjeçar kemi arritur të ulim në mënyrë të konsiderueshme. Çfarë ndodh respektivisht me
secilin? Interesat e borxhi të brendshëm vijnë nga 5,86% në 3,58%, ulja është shumë e madhe
dhe tendenca është që kjo ulje të vijojë të jetë në këto norma. Ndërkohë, borxhi i jashtëm ka
pasur një trajektore deri diku më të qëndrueshme, edhe pse më në rritje në vitet e fundit për
arsyet që edhe ju i përmendët, duke filluar nga 2,25% në vitin 2010, në 2,18%, por kemi pasur
edhe raste që ka qenë 2,5% vitin e kaluar. Brenda nivelit të qëndrueshmërisë kemi luhatje më të
rritur dhe nuk është aq proces i lehtë për të dalë në mënyrë të vazhdueshme sidomos në vite si
këto që po kalojmë. Borxhi i brendshëm është ulur në mënyrë drastike. Kjo është për t’u
vlerësuar, por edhe për t’u komentuar në frymën e risqeve që mbart apo të problemeve që ka. Në
raport me deficitin në fund të vitit, mendoj se do të jetë më mirë. Unë sot nuk kam mundësi ta
35
them sesa është, por flasim për një deficit në fund të vitit diku te 7%. Megjithatë, unë këtu nuk
dua ta konfirmoj, sepse jemi live, por përmirësimi nuk është i mundur, nuk është opsion....
(Nuk dëgjohet.)
Milva Ekonomi – Zonja Ministre, hapni pak mikrofonin, se nuk dëgjoheni! Ju iku
zëri.
Anila Denaj – Ju më bëtë një pyetje nëse jam e preokupuar, ndoshta nuk ishte fjalia që
thatë ju, por e shqetësuar për borxhin.
Po, sigurisht, çdo ministër i Financave është i shqetësuar për rritjen e borxhit, prandaj
konsolidimi fiskal është objektiv primar i të gjithë ministrave të Financave të kujtdo qeverie,
por kjo nuk do të thotë se një ministër i Financave, kur ka për të përballuar një situatë e cila
lidhet me ata objektiva që ne i përmendëm dhe për të akomoduar të gjithë njerëzit në varësi të
fatkeqësive që vijnë, në rastin konkret nga natyra, të vendosë borxhin përpara kësaj situate.
Menaxhim me efektivitet i investimeve publike është i rëndësishëm dhe ky është objektivi i të
gjithë ministrive dhe i qeverive, si dhe është subjekt i auditimit apo kontrollit. Duhet t’i ndajmë
këto të dyja për të thënë a jam e shqetësuar si ministre apo jo. Po, jam e shqetësuar, por nuk
është diçka, e cila nuk mund të menaxhohet dhe nuk mund të kthehet në një trajektore rënëse me
një obligim deri ligjor për balancën primare.
Në raport me PPP-të, jo nuk jam, kjo është një pyetje që e dimë të gjithë, sepse të gjithë
kemi lexuar raportet e KLSH-së. Ne nuk jemi në thyerje të rregullave ligjore, kjo është theksuar
më parë, në mënyrën sesi kontabilizojmë brenda dhe jashtë bilancit është brenda ligjit shqiptar.
Gjithsesi, ju e dini të gjithë se i gjithë procesi i integrimit europian po shoqërohet me një rritje
të cilësisë të të gjitha ligjeve tona, duke përfshirë edhe atë për kontabilitetin. Sot jemi duke folur
për një program të ri të mbështetjes IPSAS që do të na ndihmojë sesi të gjitha llogaritë tona
jashtë bilancit të jenë të llogaritura, por kjo nuk është as papërgjegjshmëri e financave publike, as
mungesë transparence. PPP-të në të gjitha formatet se si ato menaxhohen në raport me zërat e
shpenzimeve buxhetore për një vit janë dhe duhet të mbeten brenda përqindjes së atij tavani, i
cili mbi totalin e të ardhurave për vitin ushtrimor nuk duhet të kalojë 5%. Ne këtë vit e kemi
parashikuar 3,9%; e kemi ulur në vitin korrent që flasim në 1,7% falë nevojës për të akomoduar
disa shpenzime më emergjente, siç ishin paketat, por do të vijojmë ta bëjmë këtë, duke
negociuar me shtyrjen në kohë. Këto janë kontrata për t’u respektuar dhe derisa të shkojmë në
formatet e tjera ligjore, është obligim i qeverisë dhe i Ministrisë së Financave t’i zbatojë ato.
36
Milva Ekonomi – Kolegë, a keni pyetje të tjera për zonjën Denaj për këto dy çështje që
shqyrtuam sot, pra për shpenzimet, deficitin dhe borxhin?
Ju ftoj, ashtu siç bëri zonja Dhima që, nëse keni nevojë për shtesa në shpjegime, t’i
drejtoni pyetje Ministrisë së Financave, pastaj do të merrni një përgjigje të shkruar që të
sqaroheni. Ditën që do të kemi diskutimin final të projektbuxhetit, para se të shkojmë në
votimin në parim, ne mund të mbledhim disa nga këto përgjigje që Ministria e Financave ka
dhënë për të sqaruar çdo paqartësi që mund të lindë edhe gjatë leximit të mëtejshëm të këtij
dokumenti.
Nëse nuk keni pyetje të tjera, ju uroj një pasdite të mbarë!
Për mbledhjen e radhës do të informoheni nga shërbimi i sekretarisë së komisionit.
Mbyllet mbledhja
Sekretar Përgjegjësja e Sektorit të Redaktorëve
Anastas Angjeli Euzheni Pengili
Sekretar i komisionit
Elvi Prifti