republika e shqipËrisË kuvendi...1 republika e shqipËrisË kuvendi komisioni për sigurinë...
TRANSCRIPT
-
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Sigurinë Kombëtare
PROCESVERBAL
Tiranë, më 06.10.2020, ora 12:30
Drejton mbledhjen:
Ermonela Felaj – kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
Diskutimi nen për nen i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.
108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.””.
Marrin pjesë:
Ermonela Felaj, Antoneta Dhima, Elona Gjebrea Hoxha, Artemis Dralo Malo, Sadi
Vorpsi, Xhemal Qefalia, Nimet Musaj, Ylli Shehu, Luan Duzha, Elena Xhina Duka, Edmond
Rrushi, Luan Harusha, Edmond Stojku, Myslim Murrizi, Anduel Xhindi, Alban Zeneli, Lefter
Maliqi dhe Arben Elezi.
Mungon:
Paulin Sterkaj
I ftuar:
Sandër Lleshaj – Ministër i Brendshëm
-
2
HAPET MBLEDHJA
Ermonela Felaj – Faleminderit, kolegë!
Fillojmë mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare. Ndjesë për vonesën e
krijuar, pavarësisht se ne u munduam të rakordoheshim edhe me Komisionin e Ligjeve, i cili
është komision për dhënie mendimi për projektligjin që duhet ta miratojmë sot nen për nen
dhe në tërësi. Na ndodhi kjo përplasje, kështu që ju kërkoj ndjesë për kohën e pritjes.
Sot në rendin e ditës së këtij komisioni, sikurse jeni njoftuar më herët, do të procedojmë
me miratimin nen për nen të ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Në
këtë mënyrë që të jemi sa më koncizë, unë propozoj që të procedojmë në këtë mënyra, pra
zonja Xhina, e cila është edhe relatore e Komisionit të Sigurisë për këtë projektligj, por,
njëkohësisht, e kishte këtë cilësi edhe te Komisioni i Ligjeve, do të jetë ajo që do të na thotë
nen për nen se ku ka propozime ose jo nga Komisioni i Ligjeve. Me këtë rast ne e mbyllin këtë
diskutim.
Të ftuar kemi sërish ministrin e Brendshëm, zotin Lleshaj, të cilin e falënderoj për
prezencën në të gjitha mbledhjet e Komisionit të Sigurisë lidhur me këtë projektligj!
Atëherë, fillojmë me nenin 1 të projektligjit, i cili ndryshon një nga pikat e nenit 6 të
ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Zonaj Xhina, në lidhje me këtë nen?
Elena Xhina – Në lidhje me këtë nen, është bërë vetëm një saktësim, pasi ky nen shton
një pikë 30 të nenit 6 te përkufizimet. Pra, kemi një pikë të re 30 dhe jo pikë15, siç është
referuar nga propozuesi.
Ermonela Felaj – Dakord!
A jeni dakord ju me përmbajtjen e kësaj pike që i shtohet nenit 6 të ligjit “Për Policinë
e Shtetit”.
Elena Xhina – Po, sepse pika 15 ishte një pikë e shfuqizuar dhe nuk munde ta preknim
atë, kështu që, në këto kushte, u detyruam të shtonim pikën 30, që ishte pika e fundit e nenit të
përkufizimeve.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zonja Xhina!
Nga kolegët ka komente për ketë nen, para se ta hedhim në votim? Nuk ka.
Atëherë, kush është dakord me nenin 1 të projektligjit? Kundër? Nuk ka. Abstenim?
Nuk ka.
Miratohet.
-
3
Kalojmë te neni 2 i projektligjit, i cili ndërhyn me një ndryshim në nenin 7 të ligjit “Për
Policinë e Shtetit”. Ky nen bën fjalë për krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për
Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar.
Po, zonja Xhina.
Elena Xhina – Lidhur me këtë nen, nuk ka pasur propozime në Komisionin e Ligjeve,
ndërkohë që kam një propozim të ri për Komisionin tonë të Sigurisë dhe sugjeroj që të kalojë
në formën e amendimit, siç ka ardhur nga Ministria e Brendshme.
Faleminderit!
Ermonela Felaj – Faleminderit, zonja Xhina!
Nga kolegët ka diskutime në lidhje me ketë nen? Edhe gjatë diskutimeve në mbledhjen
e fundit që ne kishim ministri e sqaroi saktësisht që kishte rënë dakord edhe me përfaqësuesin
e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe me përfaqësuesin e SPAK-ut, që ky komitet të vijojë të
mbajë mbledhjet në formatin që është propozuar në draftin e dakordësuar.
Kush është dakord me nenin 2, sipas përmbajtjes së propozuar në draftin e dakordësuar?
Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kalojmë te neni 3, i cili bën fjalë për një ndryshim në nenin 17, pika 1, shkronja “c”,
ku bëhet fjalë për zëvendësimin e shprehjeve “...legjislacionin penal dhe procedural penal” me
togfjalëshin “legjislacionin në fuqi”.
Zonja Xhina.
Elena Xhina – Dakord, pasi nuk pati propozime nga Komisioni i Ligjeve lidhur me
këtë pikë.
Ermonela Felaj – Atëherë, nuk besoj se ka diskutime, pasi ky është një ndryshim i
natyrës së të shkruarit.
Kush është dakord me nenin 3 të projektligjit? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Atëherë, zonja Xhina vijojmë me pjesën tjetër. A ka pasur shtesa të tjera lidhur me këtë
nen, sipas diskutimeve që janë mbajtur në Komisionin e Ligjeve?
Elena Xhina – Zonja kryetare, nga zoti Hyseni është bërë një propozim dhe është shtuar
një amendament në nenin 17, pika 1, ku ai propozon që pas shkronjës “i” të shtohet shkronja
“j” që bën fjalë për detyrat e Policisë së Shtetit, me këtë përmbajtje: “Zbaton detyrat në shërbim
të administrimit të qetë dhe të rregullt të proceseve zgjedhore ose të referendumeve,
bashkëpunon me administratën zgjedhore dhe raporton për veprimtarinë e strukturave të
policisë në zgjedhje ose në referendume, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në
-
4
aktet nënligjore të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.”. Ky ishte një propozim, i
cili, në fakt, ka ardhur në vazhdën e ndryshimeve që janë bërë së fundi në Kodin Zgjedhor, por,
gjithashtu, ishte edhe një rekomandim i OSBE-së, duke kornizuar më mirë detyrën e Policisë
së Shtetit, detyrë që tashmë ai e kryen gjatë fushatës zgjedhore, por edhe pas saj. Edhe nga unë,
si relatore, është me vend ky propozim, që u miratua nga Komisioni i Ligjeve, vetëm me një
rregull të teknikës legjislative që unë e lexova siç është miratuar i rregulluar. Prandaj, u
propozoj kolegëve ta miratojmë në komisionin tonë.
Faleminderit!
Ermonela Felaj – Faleminderit, zonja Xhina!
Zoti Ministër, a keni ndonjë koment për këtë nen? Në fakt, në mbledhjen e fundit të
mbajtur nga Komisioni i Sigurisë ju na parapritë me informacion, sepse na thatë se në kuadër
të reformës zgjedhore do të ishte një ndryshim i tillë edhe në ligjin për “Policinë e Shtetit”, i
cili lidhet me detyrat e Policisë së Shteti në rastin e fushatave zgjedhore. Ne konsideruam se i
takonte Komisionit të Ligjeve që ta rivendoste këtë nen në tekstin e draftit, ndërkohë, më duhet
që t’jua kaloj fjalën juve për një koment të shkurtër.
Fjala është për ju.
Sandër Lleshaj – Zonja kryetare, unë sapo erdha nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve
bashkë me zonjën Xhina dhe atje u diskutua dhe u dakordësua ky formulim i amendamentit
nga zoti Hyseni dhe ne jemi dakord si Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit me këtë
shtesë në katalogun e përgjegjësive dhe detyrave të Policisë së Shtetit, ose më shumë në
precizim, sepse këto detyra i ka pasur policia, por është një precizim dhe një përcaktim më
ekskluziv i përgjegjësisë. Kështu që jemi dakord.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zoti Ministër!
Atëherë, edhe një herë për kolegët, neni 3 i projektligjit, që sapo miratuam, përmban
një shtesë lidhur me atë që unë citova për ndryshimin e frazës “...legjislacionin penal dhe
procedural penal” me togfjalëshin “legjislacion në fuqi” dhe shtesa tjetër që bëhet po në këtë
nen, që bën fjalë për detyrat e Policisë së Shtetit, është ajo e propozuar në mbledhjen e
Komisionit të Ligjeve që zonja Xhina e lexoi. Nëse është nevoja, edhe unë mund t’jua lexoj
sërish, por besoj se teksti i ishte i qartë, sepse në mënyrë të përgjithshme konfirmon edhe një
herë detyrimet që ka Policia e Shtetit në kuadër të fushatave zgjedhore.
A ka diskutime nga ju për këtë pikë? Nuk ka.
Atëherë, edhe një herë kush është dakord me nenin 3 të projektligjit me shtesat e
propozuara nga Komisioni i Ligjeve? Zoti Qefalia, nuk ju kuptova, a e kërkuat fjalën?
-
5
Xhemal Qefalia – Nuk kam ndonjë gjë me substancën e amendamentit, jam dakord,
por aty pashë një mbiemër “e qetë”. Unë mendoj se nuk ka pse të cilësohet i qetë, i egër apo
me buzëqeshje, sepse ajo është detyrë funksionale e policisë, kështu që të hiqet kjo fjalë për
teknikë legjislative.
Ermonela Felaj – Më falni, më duhet ta shikoj edhe një herë përmbajtjen.
Xhemal Qefalia – Duket sikur e kemi policinë agresive dhe po i bëjmë thirrje për
qetësi.
Ermonela Felaj – Faleminderit për ndërhyrjen!
Po e lexoj edhe një herë për të qenë korrekt: “Zbaton detyrat në shërbim te administrimit
të qetë dhe të rregullt të proceseve zgjedhore ose të referendumeve, bashkëpunon me
administratën zgjedhore dhe raporton për veprimtarinë e strukturave të policisë ne zgjedhje ose
ne referendume, sipas rregullave te përcaktuara ne këtë ligj dhe ne aktet nënligjore te miratuara
nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.”. Pra, ideja është që administrimi i zgjedhjeve të jetë i
qetë dhe i rregullt dhe nuk është një cilësim për punën policisë, por është një cilësim për
zgjedhjet dhe besoj se mund ta tolerojmë këtë gjë.
Atëherë, edhe një herë kush është dakord? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kalojmë te neni 4 i projektligjit. Këtu dua të nënvizoj se referencën po e bëjmë me
draftin e dakordësuar që të jemi korrektë. Në nenin 84, pas fjalës “... policore ...” shtohen fjalët
“...dhe jopolicore ...”. Në fakt, bëhet fjalë për bashkëpunimin ndërkombëtar, ku thuhet: “Policia
bashkëpunon me polici të shteteve të tjera ose me organizata ndërkombëtare policore, bazuar
në marrëveshjet ndërkombëtare dy ose shumëpalëshe.”. Ky është neni i cili amendon nenin 84
të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Zonja Xhina, a keni komente për këtë nen?
Elena Xhina – Për këtë nen nuk ka komente, kaloi në formën e ardhur nga qeveria.
Faleminderit!
Ermonela Felaj – A ka komente nga kolegët? Nuk ka.
Kush është dakord me nenin 4 të projektit? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Kalojmë te një nen tjetër i projektit, është ia që lidhet me ...
Antoneta Dhima – Zonja kryetare...
Ermonela Felaj – Ju lutem, e di, por amendimi do të prezantohet në fund dhe më pas
sistemimin, në varësi të votimit që do të kemi në komision, do ta bëjnë këshilltarët e
komisionit.
-
6
Antoneta Dhima – Në rregull!
Ermonela Felaj – Atëherë, jemi te neni, i cili bën fjalë për amendimin e nenit 131 të
ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Në fakt, ky është neni që i ka zgjuar shumë diskutime, për të
cilat ne morëm sqarimet e duhura edhe gjatë mbledhjes së shkuar. Kështu, më duhet ta pyes
relatoren se si ka vijuar ky diskutim lidhur me këtë nen në Komisionin e Ligjeve, më pas do të
dëgjoj edhe komentet e kolegëve për ta kaluar në votim.
Po, zonja Xhina.
Elena Xhina – Faleminderit , zonja kryetare!
Siç ne e thamë edhe në mbledhjen kur e votuam në parim projektligjin në nenin 131
tashmë, i cili ishte objekt i diskutimeve dhe i shqetësimeve të ngritura nga komisioni, tashmë
janë pasqyruar dhe adresuar të gjitha shqetësimet tona. E gjithë gjuha e përdorur, i gjithë synimi
i dispozitës është më se kushtetues, më se i ligjshëm dhe nuk ngre shqetësime për cenimin e të
drejtave dhe lirive të njeriut.
Në këto kushte, duke parë që formati është i dakordësuar edhe me Prokurorinë e
Përgjithshme, por edhe nga ana jonë si komision i propozoj kolegëve që ta miratojnë, pasi edhe
në Komisionin e Ligjeve u dakordësua ky propozim, draft i ri i Ministrisë së Brendshme.
Faleminderit!
Ermonela Felaj – Unë dua të shtoj që ky nen që ka përmbajtje mirëfilli në përgjegjësi
të Komisionit të Ligjeve, sepse përgjimet apo mbikëqyrjet janë të lidhura ngushtësisht me liritë
dhe të drejtat e njeriut, me respektimin e tyre dhe për këtë shkak atributet e kompetencës për të
vendosur pranimin e përmbajtjes ose jo më shumë se komisionit tonë i takojnë Komisionit të
Ligjeve. Prandaj ftoj kolegët që të ruajmë të njëjtin qëndrim.
Kush është dakord me këtë nen që ndryshon nenin 131 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”?
Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet.
Unë nuk e lexova numrin në këtë rast, për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur dhe
renditja e neneve do të ndryshojë.
Kalojmë te neni tjetër i projektligjit që në draft është i numërtuar si neni 5, i cili
ndryshon nenin 19 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Këtu bëhet fjalë për organizimin dhe
strukturën e përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Për kujtesë, në mbledhjen e shkuar zoti ministër na sqaroi se është e nevojshme që
organizimi dhe strukturimi i Policisë së Shtetit të njehsohet, sipas një propozimi, i cili
funksionon në këtë mënyrë: drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bën propozimet dhe
ministri vendos për organizimin dhe strukturën.
-
7
Zonja Xhina, cili ka qenë qëndrimi i Komisionit të Ligjeve për këtë nen?
Elena Xhina – Edhe Komisioni i Ligjeve ka shprehur dakordësinë lidhur me këtë nen.
Është bërë vetëm një rregullim i teknikës legjislative pa prekur fare thelbin e dispozitës.
Ermonela Felaj – Dakord. Nga kolegët a ka pyetje apo diskutime? Nuk ka. Atëherë,
kush është dakord me këtë nen? Faleminderit! Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet neni që ndryshon nenin 19 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Organizimi dhe
struktura e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”.
Kalojmë te neni tjetër, i cili ka të bëjë me një ndryshim në nenin 45 të ligjit “Për Policinë
e Shtetit”, ku propozohet që të shtohet një nen i ri, neni 45/1 me këtë përmbajtje: “Transferimi
i punonjësit të policisë në struktura të tjera shtetërore...”. Edhe kjo pikë, në fakt, u sqarua nga
ministri në mbledhjen e fundit, çka realizon edhe ekzigjencat që ne kemi, pra që Policia e Shtetit
të jetë një polici, e cila me të dhënat fizike, me moshën dhe me të dhënat e tjera të nevojshme
për kryerjen e detyrës, t’u përgjigjet detyrave.
Organizimi dhe përmbajtja e këtij neni i jep mundësinë Ministrisë së Brendshme
përkatësisht dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që t’i orientojë strukturat dhe
t’i adresojë ato siç duhet.
Zonja Xhina, a kishit komente nga Komisioni e Ligjeve për këtë nen?
Elena Xhina – Ky ishte një nga nenet që u diskutua disi më gjatë në Komisionin e
Ligjeve. Edhe unë si relatore i bëra një pyetje zotit ministër, nëse duhej pëlqimi apo kërkesa e
personit që transferohej, pasi në një dispozitë shikojmë që duhet të merret edhe pëlqimi i
institucionit ku ai transferohet. Në këto kushte, diskutimi ishte nëse duhet të përcaktohej në
këtë draft edhe pëlqimi i personit që transferohet. Gjithashtu, nga anëtarët e komisionit u
kërkua garanci për faktin që personi, i cili do të transferohej nuk do të binte në pagë, por do të
ruante të njëjtin nivel page apo nëse ishte në karrierë, do të ruante të njëjtin nivel karriere nëse
do të rikthehej përsëri në strukturat e Policisë së Shtetit, fakte këto që u sqaruan nga ministri. I
vetmi shqetësim që u la të adresohej në komisionin tonë ishte lidhur me pëlqimin e personit që
transferohej. Pra, ne t’i kërkonim qeverisë që me aktet nënligjore që do të nxjerrë apo me
procedurat se si do të bëhej transferimi, të lihej një kujdes i veçantë në lidhje me pëlqimin e
personit që do të transferohej apo duhej adresuar në draft. Pra, vetëm kjo u la për diskutim.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zonja Xhina!
Përpara se t’ua kaloj fjalën kolegëve për pyetje dhe diskutime në lidhje me këtë
propozim, do t’ia kaloj fjalën zotit ministër, i cili në këtë rast mund të sqarojë edhe një herë
përmbajtjen e nenit të propozuar, por edhe nëpërmjet pyetjeve tuaja t’u japë përgjigje edhe
kolegëve të Komisionit të Sigurisë.
-
8
Fjala për ju zoti Ministër!
Sandër Lleshaj – Faleminderit, zonja kryetare!
Ky nen synon t’u mundësojë disa institucioneve shtetërore që të përfitojnë nga
ekspertiza, eksperienca dhe profesionalizmi i punonjësve të policisë.
Arsyeja bazë e hapjes së kësaj mundësie për punonjësit e policisë lidhet me faktin që
Ministria e Brendshme në vetvete ka nevojë për ekspertizë të policisë në strukturën e
administratës së saj.
Për shembull, Drejtoria e Politikave të Rendit dhe Sigurisë Publike në Ministrinë e
Brendshme nuk ka asnjë person që ka formim nga fusha e sigurisë. Pra, ne bëjmë politika për
sigurinë dhe nuk kemi persona që kanë shkollim për këtë fushë, për faktin se ata vijnë me
begraund civil dhe nga administrata civile. Unë kam bërë një anologji, është njëlloj sikur në
Ministrinë e Arsimit të mos kemi asnjë arsimtar, në Ministrinë e Shëndetësisë të mos kemi
asnjë mjek, apo në Ministrinë e Jashtme të mos kemi asnjë diplomat e kështu me radhë në
ministritë e tjera.
Pra Ministria e Brendshme ka nevojë që strukturat e saj të kenë një nivel të caktuar, të
moderuar, me ekspertizë që mund ta marrin nga Policia e Shtetit. Për këtë arsye ne hapim këtë
“kanal” në mënyrë që një punonjës i policisë, një komisar apo një drejtues, të vijë e të shërbejë
në Drejtorinë e Politikës apo në drejtori të tjera të ministrisë dhe të kthehet përsëri në Policinë
e Shtetit, pasi ka kaluar një periudhë të caktuar në Ministrinë e Brendshme, apo dhe në struktura
të tjera ku ka nevojë për ekspertizën e punonjësve të policisë. Për shembull, mund të përmend
strukturat ligjzbatuese si Parandalimi i Pastrimit të Parave, Hetimi Tatimor, Antikontrabanda,
Kontrolli Doganor, Hetimi Doganor dhe struktura të tjera të administratës, që kanë nevojë të
kenë këtë ekspertizë. Pra, punonjësit e policisë mund të shkojnë në kuadër të transferimit në
këto struktura, mund të qëndrojnë për një periudhë të caktuar dhe pastaj mund të kthehen
përsëri në Policinë e Shtetit pa humbur asgjë, duke ruajtur gradën dhe të gjitha trajtimet.
Për sa kohë që do të jetë jashtë Policisë së Shtetit këta punonjës nuk do të marrin me
vete atributet policore dhe të Policisë Gjyqësore, sepse nuk u duhen, ndërkohë që marrin me
vete profesionalizmin dhe ekspertizën e tyre. Ky është qëllimi i parë.
Qëllimi i dytë për hapjen e këtij “kanali” transferimi, lidhet me faktin që qeveria
mendon se një pjese të punonjësve të policisë, që punojnë kryesisht në strukturat e ruajtjes së
objekteve, të cilët kanë arritur edhe një nivel moshe që e vështirëson shumë shërbimin e tyre
në këto struktura, t’u hapet një mundësi për t’u angazhuar në strukturat e sigurisë, kryesisht në
shkolla apo në vende të tjera ku qeveria parashikon të krijojë struktura sigurie.
-
9
Ju jeni dëshmitarë të diskutimeve të shumta që janë bërë për sigurinë në shkolla, të
incidenteve, të ngjarjeve të padëshiruara e të tjera me radhë, prandaj qeveria po punon për të
krijuar një strukturë, e cila do të mundësojë që shkollat të kenë sigurinë e tyre. Pra, kush do ta
bënte më mirë këtë punë se sa punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët do të lirohen nga detyra
e policisë dhe do të kalojnë në shkolla pa humbur asgjë, me përjashtim atributin e Policisë
Gjyqësore. Ky është qëllimi pse bëhet kjo.
Është lënë që me vendim të qeverisë të përcaktohen procedurat se si do të ndodh ky
proces, me qëllim që t’u garantohet punonjësve të policisë të transferohen pa humbur asgjë, në
kuptimin që nëse është drejtues dhe transferohet në një strukturë tjetër shtetërore, të mbajë një
nivel ekuivalent të gradës me atë të administratës publike; të ruajë vjetërsinë, trajtimin dhe të
gjitha aspektet teknike, të cilat ne mendojmë që mund të rregullohen me një vendim të qeverisë.
Kështu është parashikuar në ligj.
Pyetjes nëse duhet bërë e gjitha kjo me kërkesë të individëve apo të një institucioni
tjetër, që ka nevojë për të, ne në fakt kërkojmë që ta lëmë me kërkesë të institucionit tjetër dhe
me dakordësinë e dy institucioneve Për shembull, që të ndodhë transferimi i një punonjësi
policie nga Policia e Shtetit te Ministria e Brendshëm duhet të bien dakord të dyja institucionet
përgjegjëse, ose nëse do të lëvizë nga Policia e Shtetit te Dogana duhet të bien dakord të dyja
institucionet përgjegjëse e kështu me radhë. Pra, më shumë e kemi konsideruar si transferim
dhe nuk e kemi parashikuar pëlqimin e personit në ligj.
Në fazën e diskutimit me qeverinë ndoshta edhe mund ta parashikojmë, por kjo kërkon
diskutim në nivel qeverie. Ne ju kërkojmë që ta lini këtë në përgjegjësinë e qeverisë, e cila ka
përcaktuar detajet e transferimit, kthimit e të tjera. Pra, kaq mund të them për këtë nen.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zoti Ministër për të gjitha sugjerimet tuaja dhe për
përgjigjen e pyetjeve të zonjës relatore!
Ajo që konstatoj, në fakt, nga pika 3 e nenit 45/1 të depozituar të projektligjit, të draftit
të dakordësuar, është që dera lihet e hapur edhe për punonjësin e Policisë së Shtetit që ky ta
bëjë një kërkesë të tillë. Pra, kuptohet që në çdo rast do të duhet një miratim nga ana e organit
përkatës.
Pika 3 e nenit të propozuar thotë: “Punonjësi i policisë mund të transferohet në
funksione të ndryshme në struktura të tjera shtetërore në rast se kjo kërkohet (dhe “kërkohet”
do të thotë që mund ta kërkojë punonjësi ose struktura shtetërore e interesuar), ose miratohet
nga autoritetet zyrtare përgjegjëse, në përputhje me kriteret e parashikuara për çdo funksion”.
Pra, besoj se dera është lënë e hapur si për njërën, edhe për tjetrën gjë. Më bën më shumë sens
që detajet mandej mund të rregullohen me një akt nënligjor, për sa kohë garancitë i ka
-
10
punonjësi. Pra, ai nuk do të gëzojë atributet që lidhen me statusin e Policisë Gjyqësore dhe
punonjësit të Policisë së Shtetit, dhe kjo është logjike, por, në rastet kur emërohet, për shembull,
në administratën publike, ai emërohet në funksione që janë në një nivel ekuivalent me gradën
e tij policore. Po kështu, ai mund të rikthehet në detyrë brenda strukturave të Policisë së Shtetit,
sipas të njëjtave rregulla e procedura që ndiqen edhe në rastin e transferimit të tij jashtë
strukturave të saj, në përputhje me kualifikimin profesional dhe gradën policore.
Transferimi, po ashtu, sipas pikës 7, nuk konsiderohet dalja nga Policia e Shtetit, në
kuptim të nenit 48 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Pra, që do të thotë se disa garanci, që lidhen
me gradën, me vjetërsinë dhe me statusin në kuptimin se cilës forcë i përket, ruhen dhe kjo
besoj se është e rëndësishme. Pastaj, për detajet e punëve që do të bëjë, natyrisht që ligji nuk
mund të shkojë deri në detaje të kësaj natyre. Sidoqoftë, unë jam e hapur që të dëgjojmë nëse
ka komente ose diskutime nga kolegët e komisionit në lidhje me nenin e propozuar.
Ka ndonjë ndërhyrje nga kolegët? Nuk ka.
Atëherë, për stafin e komisionit do të më duhet të propozoj vetëm një ndërhyrje shumë
të vogël në përmbajtjen e pikës 7 të këtij neni, ku në fund të fjalisë thuhet: “në kuptim të nenit
48 të ligjit”, nuk ka nevojë të themi “të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, sepse jemi duke folur
pikërisht për këtë ligj.
Atëherë, kush është dakord me këtë nen të propozuar? Zonja relatore, keni diçka për të
shtuar?
Elena Xhina Duka – Kam një rregullim të teknikës legjislative.
Në pikën 8 vëmë re se është një shkurtim “PSH” për Policinë e Shtetit, sugjeroj të hiqet.
Ermonela Felaj – E drejtë.
Në fakt, pjesën e teknikës legjislative duhet ta shohë edhe stafi i komisionit dhe
redaktorët, sepse janë edhe detaje që jo gjithmonë mund t’i kapim ne saktësisht. Megjithatë,
shumë faleminderit për ndërhyrjen!
Kush është dakord me këtë nen të projektligjit? Faleminderit!
Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet edhe ky nen.
Ndërkohë, kemi nenin 8 të projektligjit, i cili bën fjalë për nxjerrjen e akteve nënligjore.
Në fakt, afati që është propozuar për nxjerrjen e akteve nënligjore, është 3 muaj nga miratimi i
ligjit. Pra, duhet të përdorim termin korrekt “nga hyrja në fuqi”.
Nga këshilltarët u informova se ka pasur një diskutim në Komisionin e Ligjeve ose, më
saktë, një sugjerim nëse ky është afati i duhur ose jo. Por për këtë duhet të marrim përgjigjen e
-
11
zotit ministër nëse i qëndrojnë afatit 3-mujor të propozuar nga ata vetë apo kërkojnë një afat
më të shkurtër.
Do t’jua jap fjalën, zonja Xhina, por më parë zotit ministër.
Sandër Lleshaj – Patjetër që do t’i qëndrojmë afatit 3-mujor për të përgatitur dhe për
të kaluar në qeveri aktet përkatëse nënligjore. Jemi dakord me afatin 3-mujor.
Ermonela Felaj – Faleminderit!
Po, zonja Xhina.
Elena Xhina Duka – E kërkova fjalën, në fakt, se nuk diskutuam për afatin 3-mujor,
për të cilin edhe ne ishim dakord. Por gjatë punës që bëra lidhur me draftin, vura re që në nenin
45, pikat 5 dhe 11 bënin fjalë për aktin nënligjor që duhet të nxirrte Këshilli i Ministrave, pra
disa vendime të Këshillit të Ministrave, që në draft nuk ishin shprehur. Nga Komisioni i Ligjeve
u la pikërisht kjo detyrë për komisionin tonë, pra sa duhej të ishte afati për nxjerrjen e këtyre
akteve nënligjore nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të pikave 5 dhe 11 të nenit 45/1. Pikërisht
për këtë dua t’i kërkoj mendim zotit ministër: sa mendoni se është dendësia e këtyre akteve, a
janë voluminoze ose jo, sa duhet të jetë afati që duhet të vendosim?
Faleminderit!
Ermonela Felaj – Konsideroni që Komisioni i Ligjeve e pati prezantimin e parë me
projektligjin vetëm gjatë ditës së sotme, ndërkohë që ne që herën e fundit që patëm mbledhjen
në këtë komision jemi të qartë se jemi duke diskutuar draftin e dakordësuar, i cili është
reflektuar pas diskutimeve të mbajtura në Komisionin e Sigurisë. Kështu që gjithnjë referenca
është me draftin e dakordësuar, ku, në fakt, është propozuar afati 3 muaj dhe për ministrinë
qëndron ky afat, pra është 3-mujor. Megjithatë, për pyetjen tuaj nëse do të ketë një përgjigje...
Elena Xhina Duka – Ndoshta nuk isha e qartë.
Neni 45/1, të cilin e miratuam sot, në pikat 5 dhe 11 flet për vendim të Këshillit të
Ministrave lidhur me procedurat, rregullat që duhet të nxjerrë. Mendoj që duhet të lëmë një
afat për nxjerrjen e këtyre akteve nënligjore. Pra, nuk ka të bëjë me afatin 3-mujor. Jam dakord,
nuk e prek njeri atë. por në nenin 45/1, pikat 5 dhe 11 flasin për vendimet e Këshillit të
Ministrave që bëjnë të zbatueshëm nenin 45/1 dhe neve, si komision përgjegjës, mendoj që na
takon të lëmë një afat se kur duhet t’i nxjerrë këto vendime Këshilli i Ministrave që ligji të
bëhet i zbatueshëm. Këtu e kisha fjalën.
Ermonela Felaj – Po, faleminderit!
Edhe një herë, zoti Ministër.
Sandër Lleshaj – Nëse afati 3-mujor është një kërkesë e përgjithshme për reagimin e
qeverisë ndaj problemit, ne jemi dakord të ecim me këtë shtrëngesë tremujore. Nëse ju mund
-
12
të lini një dritare më të zgjeruar në kohë për këtë nenin 45, do ta vlerësonim sigurisht. Ne
përpjekjen do ta bëjmë që brenda 3-mujorit ta mbyllim të gjithë kuadrin e këtij dhe besojmë që
do ta arrijmë, për arsye se e gjithë paketa nënligjore nuk është e lidhur me efektet financiare,
por është thjesht krijim mundësish në potencë. Kështu që besoj se do ta arrijmë afatin tremujor,
por, në qoftë se ju mund të jeni pak më bujarë me nenin 45, të jepni një dritare tjetër, do ta
vlerësonim për më shumë, pse jo gjashtë muaj nëse nuk është... Por thjesht si orientim: ne do
të punojmë për objektivin 3 muaj. Edhe sikur të na lini 3 vjet, ne për 3 muaj do të punojmë,
sepse duam ta bëjmë më funksional ligjin.
Ermonela Felaj – Le t’i përmbledhim edhe një herë diskutimet dhe propozimet tuaja.
Unë do të mendoja, dhe është praktikë e përgjithshme se si shprehen nenet që kanë të
bëjnë me nxjerrjen e akteve nënligjore, që të kemi vetëm një nen për nxjerrjen e akteve
nënligjore. Ky nen u referohet të dyja ndryshimeve që sjell projektligji që kanë të bëjnë me
nxjerrjen e akteve nënligjore, qoftë ndryshimit të bërë në nenin 31 për masat e veçanta, sepse
në përmbajtje të nenit që ka drafti i propozuar shprehet detyrimi që do të kenë Ministria e
Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK-u për të proceduar me një akt nënligjor, ku
përcaktohet mënyra se si do të bëhet mbikëqyrja ambientale e të tjera (pra se si do të zbatohen
masat e veçanta) dhe, nga ana tjetër, një detyrim të ngjashëm ngre edhe neni që ka të bëjë me
transferimin e punonjësit të Policisë së Shtetit. Kështu, ne thamë që rregulla të detajuara për
mënyrën se si do të funksionojë ky mekanizëm duhet të përcaktohen me një akt nënligjor, siç
është një vendim i Këshillit të Ministrave.
Kështu që unë do t’ju thosha të ishim sa më të përmbledhur, në mënyrë që të kishim të
njëjtin afat për të dyja këto akte nënligjore, të cilat, natyrisht, do të punohen njëri në Këshillin
e Ministrave dhe tjetri në bashkëpunim me ministrin e Brendshëm dhe dy prokurorëve, atij të
Përgjithshëm dhe të SPAK-ut, që, sigurisht, janë shumë familjarë me procedurat që lidhen me
masat e veçanta. Nuk është që do të bëhet ndonjë shpikje. Ata do t’i qëndrojnë legjislacionit në
përgjithësi.
Kush është dakord që ta miratojmë nenin 8 me afatin 3-mujor për të nxjerrë aktet
nënligjore, sipas shpjegimit që bëmë? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.
Miratohet edhe ky nen.
Neni i fundit është ai që ka të bëjë me hyrjen në fuqi të ligjit dhe që është afati i
zakonshëm: “15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”.
Kush është dakord me këtë nen? Po, faleminderit!
Përpara se të kalojmë në votimin në tërësi të nenit, ftoj kolegët të kemi kuorumin për
këtë votim.
-
13
Në Komisionin e Sigurisë është paraqitur një amendament. Shkresa mban numrin prot.
2528, datë 05.10.2020. Amendamenti ka të bëjë me një ndryshim të nenit 49 të ligjit “Për
Policinë e Shtetit”, pra amendohet teksti i projektligjit të depozituar, duke u shtuar një nen i ri,
i cili në vetvete ndryshon nenin 49 të ligjit, që ka të bëjë me rikthimin në polici. Ky amendament
mban nënshkrimin e zonjës Dhima, të zonjës Malo, të zotit Duzha dhe të zotit Hysko, por ky i
fundit nuk është anëtar i këtij komisioni, të zotit Qefalia, të zotit Xhindi dhe të zotit Rrushi.
Unë do t’ia jap fjalën zonjës Dhima që të bëjë një prezantim të nenit propozues, pastaj
do të ftoj kolegët, natyrisht, më parë ministrin për të mbajtur qëndrim në lidhje me këtë nen.
Zonja Dhima, fjala është për ju.
Antoneta Dhima – Faleminderit, zonja kryetare!
Ermonela Felaj – Jam e detyruar, sipas Rregullores, që amendimin e bërë të
projektligjit ta prezantojmë, pasi është votuar projektligji, pastaj do të ecim me procedurën
normale.
Fjala për ju, zonja Dhima.
Antoneta Dhima - Faleminderit, zonja kryetare!
Në fakt, këtë propozim e kemi paraqitur edhe gjatë diskutimit në parim të këtij
projektligji, por në kushtet kur nuk ishte propozuar në vijimësi. Po ju bëj një prezantim të
shkurtër të arsyeve pse duhet të ndryshohet ky nen i këtij projektligji. Është e drejtë e gjithkujt
ushtrimi i profesionit, e cila sanksionohet edhe në Kushtetutë dhe askujt nuk mund t’i hiqet me
ligj kjo e drejtë, me përjashtim të rasteve kur një shtetas është dënuar për vepra penale të
ndryshme apo është përjashtuar pas procesit të vetingut, me arsyetimin si i papërshtatshëm.
Prandaj edhe gjatë diskutimeve me kolegët kërkojmë që, pas nenit 3 të projektligjit, të shtohet
një nen i ri i riemërtuar si neni 4, që ndryshon nenin 49 të ligjit aktual, rikthim në polici, pika
1, duke hequr përkufizimin e rikthimit në polici vetëm nëse ai ka ndërprerë marrëdhëniet e
punës me struktura e Policës së Shtetit, brenda dy vjetëve të fundit. Duke hequr këtë kufizim
ne krijojmë mundësinë e plotësimi të vendeve vakante me persona të cilët janë të aftë dhe
plotësojnë kriteret për të shërbyer përsëri në strukturat e Policisë së Shtetit. Riformulimi është
paraqitur edhe në draft, mbase nuk është nevoja që unë ta lexoj. Arsyeja është që të hiqet...
Ermonela Felaj – Zonja Dhima, duhet ta lexoni, prandaj jua lashë fjalën juve, që të
bëni një prezantim të plotë.
Antoneta Dhima – Në rregull, dakord.
Pas nenit 3 të projektligjit të shtohet një nen i ri i riemërtuar si neni 4, i cili ndryshon
nenin 49 të ligjit aktual, ku të hiqet kufizimi i viteve për rikthimin në strukturat e policisë, duke
e riformuluar nenin si më poshtë: Neni 4, neni 49 ndryshohet me këtë përmbajte, “Rikthimi në
-
14
polici”, pika 1: “Një person mund të rikthehet në polici, vetëm nëse ai ka ndërprerë
marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit dhe është liruar nga policia për
shkurtim të funksionit, në kuadër të pakësimit të limit të përgjithshëm organik të policisë”. Pika
2: “Personi që trajtohet me pension të parakohshëm, suplementar ose pension të shërbimit,
pavarësisht nga përcaktimi i pikës 1 të këtij neni, nuk rikthehet në polici” dhe te pika 3,
procedurat për rikthim në polici, përcaktohen në rregulloren e policisë.
Shumë faleminderit!
Ermonela Felaj - Faleminderit!
Atëherë, zoti Ministër, besoj se ishte e qartë për ju dhe për kolegët që, propozimi lidhet
me nenin 49, i cili në pikën 1 të tij përmbante një përkufizim të tillë: “Një person mund të
rikthehet në polici, vetëm nëse ai ka ndërprerë marrëdhëniet me strukturat e policisë së shtetit
brenda 2 vjetëve të punës dhe është liruar nga policia për shkurtime të funksionit, në kuadër të
pakësimit të limit të përgjithshëm organik të policisë”. Është kërkuar që të hiqet afati 2-vjeçar
si një afat, i cili në fakt, mund të ketë penalizuar punonjës të ndryshëm të Policisë së Shtetit,
por kam përshtypjen mënyra sesi është propozuar, na nxjerr një fjali që nuk ka shumë kuptim,
sepse i bie të kthehesh në punë nëse ke ndërprerë marrëdhëniet e punës. Gjithsesi, duke qenë
në mirëbesim, në kuptimin që ideja është qartë për të gjithë kolegët se ku konsiston ndryshimi,
ndërsa çështja e të shkruarit pastaj është një çështje tjetër.
Mbi këtë bazë, unë dua t’i jap fjalën zotit ministër, se edhe për të ky diskutim në fakt
nuk është një diskutim rishtazi, por është një diskutim që ne e kemi bërë edhe më herët, sa herë
që kemi pasur rastin të diskutojmë për ndryshime në ligjin Për Policinë e Shtetit”.
Faleminderit, zoti Lleshaj!
Sandër Lleshaj – Faleminderit, zonja kryetare!
Faleminderit, zonja Dhima për këtë propozim!
E pashë që është një propozim i një numri të konsiderueshëm deputetësh, që tregon
edhe sensibilitetin që ka kjo çështje. Në parim kam qenë përherë dakord me këtë mundësi
rikthimi, me kusht që rikthimi të mos sjellë problematika të reja për Policinë e Shtetit, sepse
Policia e Shtetit, dihet që ka pasur shumë dinamikë në hyrje-daljet e stafit të saj. Formulimin
ju bëjeni vetë, unë dua them që rikthimi është një mundësi, duhet konsideruar si një mundësi e
policisë për të tërhequr në radhët e saj dhe jo si një e drejtë, sepse do të konsiderohet si një e
drejtë, do të mund të shkaktonin probleme gjyqësore të mëdha.
Për shembull, nëse nuk ka vende bosh në polici, ti s’mund të rikthehesh. Pra, duhet të
ketë një nevojë policia për ta tërhequr, pra duhet të jetë një mundësi e para, dhe e dyta, që
mundësia e rikthimit të lidhet me kushte e hyrjes. Pra, ai që do të rikthehet duhet të plotësojë
-
15
kushtet për hyrjen në Policinë e Shtetit, në kuptimin që të mos jetë i kompromentuar në
pikëpamje të integritetit, të gjitha ato kushtet që janë për të hyrë. Ato kushte që janë të
domosdoshme për hyrjen në polici, prapë do të rikonsiderohen në momentin kur rikthehesh në
polici. Pra, do të bëhet verifikimi i figurës dhe të gjitha ato kushte që duhet të plotësojë një
njeri që futet në një shërbim, pas një shkëputje mbi dy vjet, ku konsiderohet që shumë
parametra mund të jenë humbur gjatë kësaj shkëputjeje.
Pak a shumë, këtë kam, jo e drejtë për t’u rikthyer kushdo, sepse kjo lidhet me
mundësitë e akomodimit të atyre që mund të...
Pra, do lidhet me një nevojë të policisë dhe me kushtet e domosdoshme që duhet të
plotësojë ai që hyn në Policinë e Shtetit, sepse mund të jetë sëmurë ndërkohë, mund të ketë
dalë jashtë atyre parametrave që janë për të hyrë në polici.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zoti Ministër!
Dua një konsideratë nga relatorja.
Elena Xhina – Atëherë, lidhur me propozimin e kolegëve, normalisht i mbështes për
ndjeshmërinë që kanë për problematikën që ne kemi diskutuar shpesh, por që në këtë rast, nëse
do të votohet në komision, unë jam në mbështetje të tyre, por nuk mund të jap një mendim
specifik lidhur me problematikën, pasi nuk kam informacionin e duhur. Mbështes edhe fjalën
e ministrit lidhur me sa tha, me ato problematikat që eksitojnë në miratimin e nismës.
Kështu që, e lë në vlerësimin tuaj lidhur me këtë propozim.
Faleminderit!
Ermonela Felaj – Faleminderit, zonja Xhina!
Po, zonja Dhima.
Antoneta Dhima - Faleminderit, zonja kryetare!
Faleminderit, zoti Ministër, për shpjegimin!
Unë jam shumë dakord, është përgjegjësi dhe kompetencë juaja rikthimi në Policinë e
Shtetit. Gjithkush që mund të rikthehet në Policinë e Shtetit, patjetër që do të respektojë të
gjitha kriteret e rekrutimit pranë strukturave të Policisë së Shtetit. Nuk kam qenë asnjëherë
kundër, por ne duhet t’u krijojmë mundësinë dhe të heqim thjesht vetëm kufizimin.
Shumë faleminderit!
Ermonela Felaj – Faleminderit, zonja Dhima!
Ka pyetje, diskutime nga kolegët?
Zoti Qefalia.
Xhemal Qefalia – Unë, pavarësisht se e kam firmosur atë shkresë, duke gjykuar më
me qetësi, them që kjo valvulë është hapur dhe u krijon mundësinë punonjësve të policisë, të
-
16
cilët duhet të kalojnë në veting. Di se në ligjin që miratuam për vetingun u është krijuar një
valvulë, që ata mund të vijnë, mund të vetohen dhe mund të kalojnë në polici. Nuk e di, duhet
parë tani, nëse duhet apo s’duhet vënë në ligj kjo pjesë dhe jam disi i dyzuar, pavarësisht se e
kam firmosur atë, pasi një pjesë relativisht e gjatë e shkëputjes nga policia, ndoshta mund t’i
krijojë një shans, por nuk është se do kemi ndonjë rezultat domethënës. Nuk e di.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zoti Qefalia!
Kolegë të tjerë, kanë...
Po, zoti Ministër dhe pastaj zonja Gjebrea.
Sandër Lleshaj – Unë dua të propozoj ose të plotësoj amendamentin duke vendosur
një kusht. Thashë më parë kushtin e integritet, por nëse vendosim kushtin e vetingut, kemi
thënë gjithçka. E themi “të kalojnë në veting, pastaj të futen”.
E dyta është që të qartësohet fakti se rikthimi mund të bëhet vetëm për nevoja të policisë
dhe jo për nevojë të personit. Nevoja mund të ketë shumë, por policia nuk mund t’i akomodojë
të gjithë nevojat individuale të atyre që mund të jenë larguar. Kështu që, të mos shkaktojmë
ndonjë pretendim gjyqësor ose të mos krijojmë mundësinë e një pretendimi gjyqësor për
persona që janë jashtë dhe të thonë “tani më është hapur mundësia, më prano”, ndërkohë që
policia s’ka mundësi ta pranojë, sepse s’ka vend.
Ermonela Felaj - Zonja Gjebrea.
Xhemal Qefalia – Zoti Ministër...
Ermonela Felaj – Ju lutem, zoti Qefalia, ia kam dhënë fjalën zonjës Gjebrea, pastaj
mund t’jua rikaloj sërish fjalën juve, se e kam edhe unë pak të vështirë.
Elona Gjebrea – Unë, në fakt, jam në pozitë të vështirë, në kuptim e asaj se çfarë
kolegët kanë sugjeruar, por bie dakord me atë që thotë ministri, kështu që, nga ana tjetër është
kompetencë e ministrit. Gjithashtu, një periudhë e gjatë largimi nga polica ka konsekuenca,
duhet ta marrim në konsideratë këtë, sepse me sa kuptova, bëhet fjalë edhe për pozicione që
nuk kanë të bëjnë me aftësitë fizike të personave që kanë punuar në polici. Përsëri unë dua që
këtë gjë t’ia lëmë në kompetencë ministrit.
Ndërkohë, nuk e di nëse ka bërë ndonjë vlerësim zonja Dhima dhe grupi i deputetëve
që e kanë firmosur, se sa persona të tillë kemi jashtë dhe mos harrojmë që kemi edhe
Akademinë e Policisë, e cila përgatit çdo vit persona dhe oficerë policie sipas edhe një plani që
ne e kemi të miratuar tashmë dhe kjo do të krijojë pastaj edhe...
Rregullojmë diku dhe ndërkohë do të kemi një grup tjetër personash, të cilët nuk do të
kenë mundësi të akomodohen sipas nevojave që ka Policia e Shtetit. Ndërsa për pjesën e
-
17
pensionit edhe unë nuk jam e qartë dhe nuk e kuptova se çfarë kërkohet në lidhje me atë. Pra,
e gjitha ajo çfarë thashë ka të bëjë me atë pjesë të amendamentit.
Ermonela Felaj – Në fakt, pika 2 dhe pika 3, që u lexua, janë të nenit 49, “Rikthimi në
Polici”, për të cilat nuk është propozuar të ketë ndryshime.
E vetmja pikë që propozohet të ndryshohet është pika 1, por që, siç rezulton edhe nga
diskutimet, mënyra se si ajo është shkruar nuk përkon me qëllimin. Pra, nuk bën sens, sepse në
këtë amendament kemi shkruar “një person mund të rikthehet në polici vetëm nëse ai ka
ndërprerë marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit”. Është e qartë që e thënë
kështu nuk ka sens, sepse i bie që ti ikën dhe kthehesh sa herë të duash, por nuk funksionon
kështu as Policia e Shtetit dhe asnjë institucion tjetër.
Në kohën kur u bë ligji i ri për Policinë e Shtetit, ky ligj për të cilin jemi duke diskutuar
(duke marrë fjalën do të bëj edhe një diskutim tani si anëtare e këtij komisioni), unë kam qenë
anëtare e Komisionit të Ligjeve dhe anëtare e Komisionit të Sigurisë dhe ka pasur një nen për
të cilin ka pasur debate. Kufizimi që vihej ishte që për të gjithë ata punonjës të Policisë së
Shtetit, që kishin më shumë se sa 2 vjet të larguar nga Policia e Shtetit nuk lejohej më rikthimi
i tyre në Policinë e Shtetit, sepse kërkohej që të mos kalohej afati 2-vjeçar. Në atë kohë u dhanë
argumente, të cilat lidheshin me faktin që gjatë kohës së shkëputjes më të shumë se 2 vjet një
punonjës policie ka humbur aftësitë e nevojshme për të qenë në lartësinë e detyrës.
Për këtë arsye, Ministria e Brendshme në atë kohë nuk e gjykonte si të përshtatshme që
t’u hapej rruga edhe këtyre punonjësve të Policisë së Shtetit. Tani jemi në vitin 2020, kur kanë
kaluar pothuajse edhe 6 vjet të tjera, dhe nëse këta nuk kanë hyrë në punë, sepse nuk e kalonin
dot barrierën e 2 vjetëve, sot jemi në rastin që bëhen gati 10 vjet të shkëputura nga Policia e
Shtetit. Këtu lind një pyetje tjetër, përveç dilemave që me të drejtë u ngritën nga ana e ministrit,
që rast pas rasti duhet bërë kujdes: Kur mund të rikthehet? Si do të rikthehet? A kemi ne
pozicione të lira? A na e mundëson këtë gjë politika që jemi duke ndjekur me Policinë e Shtetit,
që vit pas viti po rekrutojmë qindra të rinj?
Tani që po flasim Akademia e Sigurisë është duke testuar 400 kandidatë për patrullë të
përgjithshme. Pra, janë të gjitha momente, të cilat me kalimin e viteve na kanë frenuar në një
farë mënyre në marrjen e një vendimi të tillë. Sot jemi në situatën kur bëjmë fjalë nëse t’ua
hapim derën punonjësve të policisë të shkëputur për gati një dekadë nga Policia e Shtetit për
t’u rikthyer në Policinë e Shtetit? Në fund, kjo është pyetja? Thashë, ne mund t’u sugjerojmë
kolegëve që e kanë bërë këtë amendament që ta rishikojnë, ta rishkruajnë dhe ta paraqesin edhe
në seancë, por, tek e fundit, disa pyetjeve ne nuk mund t’u shmangemi.
-
18
Unë po ju jap mendimin tim, por sigurisht të gjithë jeni të lirë të jepni mendimet tuaja.
Unë nuk gjykoj se punonjës, që kanë mbi një dekadë të shkëputur nga çdo detyrë, për më tepër
nga Policia e Shtetit, duhet të rikthehen në atë detyrë. Pra, është një moment i tejkaluar. Në
qoftë se ne nuk arritëm dot të ndryshonim këtë gjë në kohën kur u bë ligji “Për Policinë e
Shtetit”, besoj se sot ky realitet ka kaluar dhe tani i përgjigjemi një realiteti të ri.
Kështu që, nuk mendoj se do të ishte e dobishme, përkundrazi, do të shkaktonte kaos
ose probleme të natyrave të tjera në Policinë e Shtetit, por qoftë edhe personin e interesuar do
ta çonte përballë gjykatës. Pra, personalisht nuk jam për ta amenduar ligjin në mënyrën se si
është propozuar. Megjithatë, kolegët kanë mendimet e tyre.
Po, zoti Murrizi.
Antoneta Dhima – Zonja kryetare, ...
Ermonela Felaj – Ju lutem, zonja Dhima, ju e propozuat, por unë mendoj se është më
e mira që t’i dëgjoni të gjithë kolegët dhe në fund do të votojmë.
Myslim Murrizi – Faleminderit, zonja kryetare!
Së pari, unë nuk e besoj se propozimi i koleges Dhima ka të bëjë me ata që kanë kaluar.
Ne nuk bëjmë ligj për një kategori të caktuar. Nëse ne e vendosim në ligj, heqim kufizimin që
mund të jetë edhe pas 1 viti dhe pas 2 vjetësh për këta që do të hiqen sot. Pra, unë nuk e shikoj
propozimin e zonjës Dhima të lidhur me ata që janë hequr para 10 vjetëve, 15 vjetëve, 20
vjetëve, sepse ai që është hequr para 20 vjetëve, ndoshta ka dalë në pension.
Të hiqet si kufizim e drejta e rikthimit jo më shumë sesa 2 vjet me idenë që ai që do të
hiqet sot, do të hiqet nesër, mund të iki pasnesër nga policia për një hall tjetër, mund të iki në
vitin 2022. Ne po bëjmë një ligj për ta parë në vazhdimësi se çfarë do të ndodhë me propozimin
që ka kolegia Dhima.
Unë kam një pyetje për ministrin, nëse ka informacion, kuptohet, sepse ndoshta nuk
është në tagrin e zotit Lleshaj, por të Drejtorisë së Financave. A mundet të na thoni sa është
numri i ish-punonjësve të policisë, të cilët me vendime gjyqësore marrin sot pagesë, që nuk
janë rikthyer në detyrë pasi kanë fituar vendimet e gjykatës së formës së prerë dhe sa rëndon
kjo kosto në buxhetin e shtetit? Nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, jo për ministrinë tuaj,
në total janë rreth134 milionë euro që buxheti i shtetit paguan për paga të dyfishta për
punonjësit e administratës që janë larguar në mënyrë arbitrare, por që kanë fituar vendimin
gjyqësor dhe nuk janë rikthyer, por vazhdojnë të paguhet. Pra, për të njëjtin vend pune paguhen
dy individë. Nëse e keni informacionin se sa është shuma e planifikuar, edhe nga ju, që paguhet
për ata ish-punonjës policie dhe numrin e tyre në total për të gjithë Ministrinë e Brendshme?
Ermonela Felaj – Po, zoti Ministër!
-
19
Sandër Lleshaj – Faleminderit, zonja kryetare!
Zoti Murrizi, sigurisht, kjo është një çështje për të cilën nuk mund të përgjigjem tani,
sepse nuk jam i përgatitur, por në ditët e ardhshme unë mund t’ju paraqes një raport të shkruar
për këtë shifër.
Në dijeninë time, nuk është fenomen masiv, për arsye se nuk kam informacion që të
kenë lëvizur punonjës policie jashtë saj për arsye strukturore. Nuk kemi nxjerrë asnjë person
për arsye strukturore. Ata që kanë dalë jashtë policisë kanë dalë për arsye penale ose për shkelje
të rënda të disiplinës, pra kanë dalë në kushte të plota ligjore. Megjithatë, do t’ju dërgoj një
informacion të shkruar...
Myslim Murrizi – Nuk bëhet fjalë për kohën tuaj, zoti Ministër, por bëhet fjalë në
përgjithësi. Unë kam informacion që ka jo pak punonjës policie që kanë vendime gjyqësore
dhe paguhen. Unë e thashë, ndoshta kjo nuk është detyrë juaja, por e drejtorisë së financave.
Kur ta keni informacionin duhet ta dimë.
Sandër Lleshaj – Do t’jua paraqes të shkruar me numrat dhe me vlerat përkatëse
financiare të detyrimeve.
Faleminderit!
Ermonela Felaj – Dua të sjell në vëmendje të kolegëve faktin që ligji për Policinë e
Shtetit, sikundër çdo ligj tjetër, e ka të përshkruar momentin kur ndërpriten marrëdhëniet e
punës së punonjësit të Policisë së Shtetit dhe pasojat që lidhen me këtë moment: “Punonjësi i
policisë i ndërpret marrëdhëniet e punës kur lirohet ose përjashtohet nga policia. Rastet e lirimit
janë: kur mbush moshën për pension pleqërie; kur deklarohet i paaftë për punë nga komisioni
kompetent mjekësor, sipas ligjit; kur kërkon të vetëlirohet; kur shkurtohet funksioni në kuadër
të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë”.
Në fakt, po ta lexojmë tani (meqenëse ju keni marrë mundimin për të bërë një
amendament, kam përshtypjen se duhet ta kishit parë më mirë ligjin, për të na sjellë një
amendament të plotë, sepse ne nuk mund të votojmë një amendament që e bëjmë tani) nenin
46, të lidhur me nenin 49, që propozohet të ndryshohet, është pikërisht ky momenti i
punonjësve të liruar, për shkak të shkurtimit të funksionit organik, por që qëndrojnë më shumë
se 2 vjet jashtë Policisë së Shtetit. Këta nuk rikthehen në Policinë e Shtetit, se rastet e tjera janë
të qarta.
Në rast se ti je larguar për arsyen se del në pension, kjo është çështje faktike dhe nuk
ka diskutim. Në qoftë se je liruar, sepse nuk je i aftë nga ana fizike, edhe kjo është çështje
faktike, që nuk ka nevojë për diskutim. Në qoftë se je larguar nga Policia e Shtetit se ke kryer
një vepër penale, edhe kjo është një çështje që verifikohet nga gjykata dhe, në rast se ka një
-
20
vendim gjykate që të rikthen, sigurisht që ti rikthehesh në Policinë e Shtetit. Neni 46 është i
lidhur ngushtësisht me nenin 49.
Prandaj, unë do t'i ftoja kolegët, edhe për faktin që mënyra se si është propozuar duket
qartë që nuk ka qenë e kujdesshme, të rimerrnin kohë dhe ta propozonin këtë amendament në
seancë plenare, sepse nga të gjitha gjërat që u thanë gjykoj se ka nevojë për një shikim të
kujdesshëm. Të mos bëjmë tani këtu amendime për amendime, që pastaj na vijnë në përplasje
edhe me nene të tjera të ligjit.
Jo më kot ne gjithmonë kemi kërkuar që në këtë amendim të përfshiheshin punonjës të
kodifikimit, që janë brenda Ministrisë së Brendshme apo Ministrisë së Drejtësisë, sepse duke
qenë më të njohur me situatën dhe më praktikë në përmbajtjen e ligjit, do të ofronin një
përmbajtje më të duhur.
Pra, do të gjykoja se kjo do të ishte rruga më e përshtatshme. Kemi edhe pak kohë, deri
sa të shkojë në seancë plenare, që ju ta ndërtoni këtë gjë, sepse 24 orë para mbajtjes së seancës
ju lejohet ta bëni këtë riformulim të këtij neni, meqenëse, po themi, nuk ka qëndrime drastike,
që jemi kundër kësaj gjëje apo jo, edhe nga ana e ministrit të Brendshëm.
A jeni dakord që të operojmë në këtë mënyrë, zoti Qefalia?
Xhemal Qefalia – Zonja kryetare, të falënderoj shumë për gjithë komentin...(nuk
dëgjohet) se kemi bërë amendament, se amendamentin na e njeh të drejtën Rregullorja për t’ia
paraqitur secilit deputet, por unë kisha për të saktësuar diçka, ndoshta edhe për ju, që e
kundërshtoni, edhe për ministrin! Ndërkohë që ne i ftojmë të vetohen punonjësit e policisë, të
cilëve u është suprimuar vendi i punës dhe kanë dalë, domethënë kalojnë në veting dhe ka pasur
një numër relativisht jo të vogël që kanë shkuar për t’u vetuar, jo ata që janë përjashtuar për
shkelje, pra atyre që u është suprimuar vendi i punës, ligji organik e pengon këtë 2-vjetëshin.
Këtë po themi ne, që të gjendet një klauzolë, se ka një handikap: këtej i lejojmë që të vetohen,
këtej i ndalojmë, se u thuhet që keni kaluar më shumë se 2 vjet. Të gjendet një artificitë e tillë,
që të mos jetë kjo pengesë 2-vjeçare. Kjo është ideja.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zoti Qefalia!
A ka komente të tjera nga kolegët?
Më pas dua të pyes zonjën Dhima, në emër të propozuesve, nëse është dakord që ta
rishikojë, ose mund të na ofrojë një riformulim edhe tani. Nuk e di, por do të gjykoja se do të
ishte më e kujdesshme që kjo të merrte kohë. Megjithatë, ju e dini. Unë jam e detyruar ta hedh
në votim.
Zonja Dhima?
-
21
Antoneta Dhima – Unë mendoj se, meqenëse edhe ministri parimisht ra dakord, mund
ta bëjmë formulimin tani dhe të mos ia lëmë seancës plenare, sepse është thjesht heqje kufizimi.
Në qoftë se ka vendime penale ose në qoftë se nuk ka kaluar vetingun, patjetër që nuk
mund të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit. E kam shkruar edhe në relacion.
Në qoftë se duhet të ketë një formulim tjetër të pikës 1, patjetër që mund ta bëjmë, ose
si ta vendosni ju, mund ta kalojmë edhe në seancë plenare, por mendoj se...
Ermonela Felaj - Nëse kolegët që e kanë nënshkruar e kanë riformulimin, na e thoni
tani dhe ta hedhim në votim. Ky amendim, siç është paraqitur, ka një pakujdesi te fjalia. E
thamë, nuk dua ta përsëris. Pra, nuk mund të themi: “Një person mund të rikthehet në polici
vetëm nëse ka ndërprerë marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit”. Nuk bën
sens.
A ka një riformulim për këtë? Duhet ta hedhim në votim.
Myslim Murrizi – Kryetare, unë besoj se në propozimin e zonjës Dhima është e qartë
se kornizat e tjera ligjore nuk preken, vetëm kufizimin heqim. Ajo nuk thotë që të kthehen në
punë duke pasur precedentë penalë.
Ermonela Felaj – Po, por shprehja “brenda 2 vjetëve të fundit”, e cila hiqet nga fjalia
e pikës 1 të nenit 49, kalon në një fjali pa kuptim. Pra, mund të kthehesh nëse ke ndërprerë
marrëdhëniet e punës në strukturat e policisë.
Myslim Murrizi – Po, por nëse i plotëson të gjitha kriteret e tjera, të cilat janë kritere
bazë për ata që rekrutohen në polici.
Ajo ka propozuar vetëm heqjen e kufizimit.
Ermonela Felaj – Zoti Murrizi, pasi ju jeni edhe koleg më i vjetër në parlament, unë
duhet të hedh në votim draftin që kam të shkruar ose një draft që më paraqitet gjatë diskutimit,
nuk mund të hedh në votim diskutime.
Kështu që, do ta ndryshoni tani draftin, apo do t’ia lini seancës amendimin dhe le të
vendosë seanca, sepse, gjithsesi, seanca do të vendosë.
Myslim Murrizi – E mbështes...
Ermonela Felaj - Ndërhyra për të qenë më praktike. Nuk mund të bëjmë një amendim
aty për aty, që më pas të mos rezultojë ai i duhuri. Këtë isha duke thënë.
Megjithatë, ju jeni propozuesit. Thjesht duhet ta ndani. Keni një propozim tani për
momentin?
Myslim Murrizi – Heqjen legjislative le ta punojnë këshilltarët e komisionit.
-
22
Ermonela Felaj – Nuk është çështje teknike, por është çështje kuptimi, sepse nëse do
të ishte çështje teknike dhe gramatike, do të ishte shumë e thjeshtë. Është çështje kuptimi. Edhe
nëse dikush nga kolegët e tjerë, që janë dakord me idenë, mund të ofrojnë një riformulim.
Myslim Murrizi – Për mendimin tim, ka nevojë për një shtesë: “Të gjithë ata, që
plotësojnë kriteret ligjore, për të cilat rekrutohen...”. Pjesa tjetër “...në Policinë e Shtetit”.
Antoneta ka kërkuar vetëm heqjen e kufizimit 2-vjeçar.
Thelbi i kërkesës së propozimit që bën kolegia Dhima, siç e shikoj unë, është vetëm
heqja e kufizimit 2-vjeçar. Pjesa tjetër do të shtohet “...sipas kritereve, të cilat janë përcaktuar
në ligjin bazë të Policisë së Shtetit për rekrutimin në polici”.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zoti Murrizi!
Ka komente nga kolegë të tjerë?
Zoti Xhindi.
Anduel Xhindi – Zonja kryetare, duke qenë se edhe unë jam firmëtar i atij
amendamenti, nëse problemi qëndron te riformulimi i kësaj pike, pa cenuar qëllimin e tij, unë
jam dakord të bëhet një riformulim tjetër dhe t’ia kalojmë seancës plenare.
Ermonela Felaj – Po e nis nga propozimi më i largët.
Kush është dakord që kolegët, të cilët janë për heqjen e afatit 2-vjeçar, që të mos e
përsërisim edhe një herë kuptimin e afatit 2-vjeçar, ta rishikojnë propozimin e tyre, për t’ia
paraqitur më pas seancës?
Besoj se shumica janë dakord për t’u riparë.
Ne do ta mbyllim këtu diskutimin nen për nen, duke premtuar që ne do të vihemi në
ndihmë të kolegëve që duan ta bëjnë këtë ndryshim, por duke u kujdesur ta shprehim në
mënyrën e duhur, pa krijuar përplasje me përmbajtjen e ligjit në tërësi.
Po, zoti Ministër.
Sandër Lleshaj – Meqenëse jam shumë dakord që u ndoq kjo linjë, të riformulohet pa
e prekur qëllimin, unë do të ofroja që, në grupin, i cili do të merret me riformulimin, të ftohet
edhe një jurist nga oficerët e Policisë së Shtetit, vetëm për arsye të konsistencës së gjithë kësaj,
në rolin e një këshilltari ose një mbështetje për procesin, nëse doni.
Ermonela Felaj – Faleminderit, zoti Ministër!
Besoj se një nga këshilltarët e Komisionit të Sigurisë, zonja Dhima, zoti Qefalia dhe
një përfaqësues juaji mund të marrë kohë që nesër për t’u ulur, për të bërë një riformulim të
kësaj pjese dhe besoj se më pas, të gjithë kolegët e Komisionit të Sigurisë do të jenë në
mbështetje.
-
23
Kalojmë në votimin në tërësi të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 108/2014
“Për Policinë e Shtetit”.
Kuorumi është i plotë.
Ftoj kolegët të votojnë.
Kush është dakord në tërësi me miratimin e projektligjit, i cili sjell disa amendime në
ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Kundër? Nuk ka. Abstenime? Nuk ka.
Miratohen në tërësi këto ndryshime.
Mbyllet diskutimi për ndryshimet e propozuara në Policinë e Shtetit.
Faleminderit, të gjithë kolegëve, për durimin dhe për kohën që i kanë kushtuar
diskutimit të këtij projektligji!
Faleminderit, zoti Ministër, që u kujdesët të ishit personalisht dhe, natyrisht, t’i jepnit
përgjigje çdo pyetjeje që patën anëtarët e Komisionit të Sigurisë!
Në rendin e ditës së nesërme do të kemi ligjin “Për azilin”. Sikundër mendoj se jeni
njoftuar pak më parë nga ana e këshilltares, do të kalojmë në dëgjesën e grupeve të interesit
për këtë projektligj. Do të kemi të ftuar përfaqësuesit e UNCR-së dhe delegacionit të Bashkimit
Europian. Aktualisht, kemi edhe përfaqësuesen e Ministrisë së Brendshme, që ...
Myslim Murrizi – Kryetare, nesër kemi seancë plenare.
Ermonela Felaj – Seanca plenare është në orën 16:00, ndërkohë që gjatë paradites ne
do të zhvillojmë një mbledhje në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, në sallën e grupit, sepse
gjykojmë se është më e përshtatshme për të gjithë pjesëmarrësit, që këtë mbledhje ta zhvillojmë
në këtë mënyrë, dhe të avancojmë me punën për ligjin “Për azilin”. Kemi thënë se, pasi të
dëgjojmë propozimet e UNCR-së dhe delegacionit të Bashkimit Europian, grupi i punës, i
përbërë nga dy relatorët, të cilët, në fakt, janë shumë të domosdoshëm për të qenë në mbledhjen
e nesërme, dhe një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, do të ulen për të gjetur dakordësinë
për propozimet. Më tej, ne do të vijojmë punën për dakordësimet e tyre. Besoj se kjo është
rruga më optimale për të gjithë.
Faleminderit!
Ditë të mbarë, kolegë!
Mirë u dëgjofshim gjatë ditës së nesërme!
Mirë u pafshim, zoti Ministër!
MBYLLET MBLEDHJA