poezi - shqipe · autorja shqipe palloshi gatuan me mjeshtri lirikat e jetës shoqërore, duke i...
TRANSCRIPT
- 1 -
Shqipe PALLOSHI
FLUTURIME POETIKE
ASOCIACIONI PËR AFIRMIMIN E GRUAS
- 2 -
Botimin e këtij libri e sponsorizoi KOMUNA ÇAIR
- 3 -
Autor: Shqipe PALLOSHI
Recensent:
Puntorie ZIBA
Redaktor: Arsim JONUZI
Përgatitja kompjuterike:
Jusuf SALIU
Botues:
ASOCIACIONI PËR AFIRMIMIN E GRUAS
Shtypi: Furkan Print – Shkup
Brigada II Maqedonase lok. 22, 1000 Shkup Tel./Fax: (02) 26 22 360
e-mail:[email protected]
- 4 -
- 5 -
Parathënie
Hoje lirike të një muze rinore
Në përmbledhjen me poezi “Fluturime Poetike”,
autorja Shqipe Palloshi gatuan me mjeshtri lirikat e jetës
shoqërore, duke i kurorëzuar me metafora dhe figura
tjera të cilat dëshmojnë se kjo poete e re, ecën me hapa
gjigande drejt lirikës së pastër për t’u futur në fushën e
letërsisë shqipe.
Poetja sqimatare në këtë libër përdor fjalë të
zgjedhura dhe motivin e dhembjes si dhe dashurisë ndaj
jetës dhe të bëmave të saj. Në këtë përmbledhje
vjershash poetja i përkushtohet edhe të Gjithëfuqishmit,
Zotit të cilit duhet t’i përulemi për shenjtërinë dhe jetën
që na ka dhuruar. Në vargje nënkuptohet fati tragjik i
njerëzimit kudo që jetojnë në tërë rruzullin. Në libër
hasim lirikat sublime dhe një kolorit motivesh përmes
të cilave përjetojmë bindshëm realitetin i cili percepto-
het lehtë nga vargu në varg, të radhitura me freskinë
mëngjesore dhe me bukurinë hyjnore. Në qendër të
ndjeshmërisë së shpirtit të poetes është njeriu, është zëri
i së kaluarës së hidhur dhe zëri shpresëdhënës i
ardhmërisë.
- 6 -
Poezitë e kësaj autoreje janë plot shpirt. Nivelet e
larta të mendimit dëshmojnë se bëhet fjalë për një poete
që premton. Në poezinë me titullin ”Në çka u
shndërruam”, poetja na përcjell mesazhin e respektit
dhe mungesën e dashurisë njerëzore. Ajo na përkujton
virtytin njerëzor kur mungon. Ajo thotë:
“ Përse për njëri - tjetrin në bisha jemi shndërruar
ku e lamë dashurinë me të cilën jemi krijuar !?
Si u bë që njeriu - njeriun të dojë ta lëndojë
dhe kundër vetes të mendojë…
Ne erdhëm të gjithë së bashku
në një shtëpi më të bukur bashkë për t'u kthyer…
Përse s’ia lëshuam dorën njëri - tjetrit
jemi një, përse s'e ruajmë këtë…”
Poetja Shqipe Palloshi, kultivon vargun lirik
mbushur me plot ndjenja njerëzore. Ajo derdh lot për
njeriun, për kombin e saj që e ka zvetënuar uragani i
shekujve të fundit, jeton me dhembjen e madhe në
shpirt për të fisnikëruar njeriun. Shpirti i saj kozmo-
polit, nuk njeh kufi letrar, ajo këtë e dëshmon në
poezinë “Lutu për ne, Siri”:
- 7 -
“Me lotët që t’vërshojnë fytyrës
në t’freskëtat plagët që t’djegin
bëhu e fortë Siri, qëndro,
………………………………..
vdekja t’ngjitet sysh si rriqër,
lutu Siri,
për të gjithë të vdekurit që jetojnë në këtë botë!
për zemrat tona lutu që na janë përzier me gurë
për gjuhët që urat shembin e ndërtojnë mur!"
Ky dorëshkrim i veçantë është një vlerë letrare ku
mund të hasim reflekse filozofike të cilat me siguri do të
joshin artdashësin për ta lexuar e për t’i mësuar përmen-
dësh këto lirika të pastra me mesazhe moralizuese dhe
fisnikëruese.
Puntorie Ziba
Shkup, 2013
- 8 -
PROLOG
“Arti nuk është studimi i një realiteti pozitiv, është kërkimi i së vërtetës ideale.” - Xhon Raskin
- 9 -
O JETË
O jetë,
Ç’mister më je!
Ç’e bukur për t’u jetuar,
Sa e vështirë për t’u kuptuar!
O jetë!
Gojë po të kishe pasur,
Sa grumbuj misteresh do të kishe plasur!
Zemër po të kishe pasur, për të ndier çfarë shkakton ti,
Do të mërziteshe a do të gëzoheshe
Për të lumin njeri?!
2011
- 10 -
ENDACAKE
Endem rrugëve pa skaj të kësaj bote që e kemi
shndërruar në vaj
Një lule me të gjitha gjethet për ta gjetur
Një zemër njeriu nga smira të paprekur
Endem, një shteg kërkoj drejt paqes të më çojë
...
Një fëmijë më buzëqesh,
një lypës ma zgjat dorën, i fal një varg të gjatë ...
Të gjithë flasin për ditë,
E këtu është akoma natë!
Endem dhe e gjitha që dua është një copë buzëqeshje,
Nga kushdo! Sido!
S’di ku ta gjej. Nga kush ta kërkoj!?
Shpresoj aq shumë kur është aq vështirë të shpresoj.
Kur dielli nuk ngroh, ‘diell me dhëmbë’ nëna ime i thotë,
Duhet ta pyes s’i ta quajmë këtë botë që me dashuri
është krijuar e nuk dashuron!
2012
- 11 -
PËR TY
Në mijëra male do të ngjitesha,
Do t’i lundroja oqeanet,
Të gjithë...
Çdo shkretëtirë do ta kapërceja
Për të arritur tek Ti.
Për dritën Tënde..
Për Ty!
Ty për të Të parë!
Do të harroja çdo bukuri që më kanë parë sytë në këtë tokë,
Gjithçka do të lija prapa,
Çdo dashuri, çdo dëshirë që zemra e ka pritur me
përmallim,
Do ta fshija çdo ëndërr të vizatuar, do të shkulja nga
kujtesa çdo vegim!
Veç me dashurinë për Ty do të frymoja përjetë,
Se dashuria Jote është jeta ime vetë!
2013
- 12 -
DASHURI E AMSHUAR
“Një ditë e luta unin tim që sëbashku të shkojmë te Krijuesi. Nuk më dëgjoi, prandaj u nisa pa të.” –
Ebu Jezid Bistami
- 13 -
MË FAL!
Më fal!
Unë aq shumë gaboj,
As të kërkoj falje nuk e meritoj.
Por, përveç Teje,
Te kush tjetër të shkoj!
Më fal!
Unë shumë herë rrëshqas,
Shumë herë gaboj,
Më fal!
Zemrën time nga Ti s’mund ta largoj.
Pas çdo hapi të gabuar,
Unë kthehem te Ti,
Në çdo pikëllim,
Ti je qetësimi im.
Të dua.
E, që t’më thuash se Mëshirën Tënde e meritoj,
Unë çdo gjë mund të flijoj!
2011
- 14 -
PËRPJETË
Një gjë ma siguro:
Kënaqësinë Tënde!
Pastaj çdo sprovë mbi mua lësho.
Veç me një shpresë në zemër,
Se do të më buzëqeshësh me atë buzëqeshje që e pres si
asgjë tjetër
Dhe pranë asgjëje s’do të ndaloj.
Do të harroj gjithçka që më ngjitet këmbësh mbi dhe,
Se dua të shkëputem nga këtu,
Nga çdo nyjë, qoftë litar a pe.
Dua të shkëputem nga çdo nyjë e këtij dheu,
Të ngjitem përpjetë
Drejt Teje!
2013
- 15 -
SI TË DUA
Të dua ashtu siç as unë nuk di ta shpjegoj.
Të dua aq sa as unë s’arrij ta kuptoj!
Të dua me çdo pjesë të qenies sime
Dhe kjo s’mjafton!
Të dua me çdo pjesë të shpirtit tim
Dhe kjo s’është asgjë nga çfarë Ti meriton!
Por unë të dua
Dhe kjo më mjafton!
2013
- 16 -
KUSH TJETËR?
Kush tjetër pos Teje
Do t’i dëgjonte
Hallet e mia
Pesë herë në ditë!?
Pos Teje, kush tjetër
Do t’i mblidhte lotët e mi kur si breshër vërshojnë
Dhe çdo pikë loti në buzëqeshje ta shndërrojë!
Askush! Askush pos Teje s’ka fuqi ta bëjë zemrën Time
të qeshë
Edhe kur thikat e kësaj bote gjer në palcë i shkojnë!
Askush pos Teje, s’më bën të harroj gjithçka që më
sillet mbi kokë
Dhe të largohem aq larg nga kjo botë
Në zemrën time, te Ti.
2013
- 17 -
SUBHANALLAH!
Pa Ty,
Në më të thellat humnera do të kisha rënë.
Po të mos e dëgjoja thirrjen Tënde,
Një fjalë të hajrit s'do ta kisha thënë.
Fjalët e mia asnjëherë s'mund të jenë të denja për Ty.
Asnjë poezi
S'thotë dot çfarë meriton kjo dashuri.
Për Ty, dashuria ime rritet nga dita në ditë më shumë,
Se Ti më shfaq çdo mrekulli,
Se je Dritë mbi dritë
...
Dhe sa shumë të dua.
2013
- 18 -
PA TITULL “Unë jam ashtu siç më parafytyron robi Im. Jam me të kur më përkujton... dhe nëse më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi."
I
Sa herë që të kujtoj,
Ngjethem dhe lotët s’mund t’i ndaloj.
Sa herë mendoj për Ty,
Më mbushet zemra plot dashuri.
Shqiptoj Tëndin emër,
Sa qetësi ndiej në zemër,
I mbyll sytë dhe shoh dritë,
E ndiej madhështinë Tënde thellë në shpirt.
II
E çdo lot, si shi pranvere bie mbi zemrën time të
përmalluar,
Çdo shkëndijë e dashurisë Sate shtrihet si melhem në
zemrën time nga bota tunduar,
Veç të menduarit për Ty, më shëron,
Takimi me Ty, zemrën, shpirtin, mendjen, çdo qelizë e
atom në mua e emocionon.
2010
- 19 -
TI MË MJAFTON
Kur ashpërsia e kësaj bote më bën të lotoj,
Veç dashurinë Tënde e kujtoj.
Kur ndiej se nuk kam më fuqi,
Gjithçka që më duhet je Ti.
Dhe veç një Fjalë Jotja e trimëron zemrën time në pakufi
Dhe e di,
Asnjë furtunë e kësaj bote s’më ndal dot,
Kur pranë meje je Ti.
Kur pranë meje je Ti,
Unë prapoj male frikërash dhe guximshëm ec drejt cakut,
Shterr oqeane të tërë errësirash për t’ia dhënë hakun hakut,
Kur Ti je afër, gjithësia e tërë është nën këmbët e mia,
Në zemër s’ka vend për frikë, se Ti je këtu,
E Ti je Dritë.
2011
- 20 -
MOS MË LËR!
Pa Dashurinë Tënde,
Pa Dritën Tënde mbi mua!
Mos më lër,
Unë vetëm Ty të dua.
Edhe një mijë jetë po t’i jetoja,
Ti do më mjaftoje, në çdo vend, në çdo kohë, në çdo
dimension,
Ti dhe vetëm Ti më mjafton!
E, edhe sikur t’i mblidhja fjalët e të gjitha gjuhëve,
Një formë dashurisë sime për t’ia dhënë, s’do të bëhej!
Por, Ti atë më mirë se unë e kupton, më mirë se kjo
zemër që as vetë se di sa shumë dashuron!
2010
- 21 -
NË TAKIMIN ME TY
Marr frymë thellë, valë-valë më lëviz diçka në shpirt,
Vë dorën mbi zemër, ritmi i saj është Yti emër!
Ti lëshon mbi mua dritë,
Çdo rreze e saj më bie drejt mbi shpirt.
Të përkulem më bën Jotja madhështi, lot të kthjellët
pikojnë.
...
Çfarë mund të jetë më e bukur, unë flas me Ty!
Mrekulli!
E, tërë këtë bukuri s’kam fuqi ta përballoj,
Në këmbë s’mund të qëndroj,
Nga lumturia dridhem, ballin mbi tokë lëshoj.
...
Një ditë, jeta ime kështu të përfundojë.
2010
- 22 -
DASHURI E AMSHUAR “Unë Ty nuk munda të të lavdëroj ashtu siç e meriton Ti. Ti si e lavdëron veten, tamam ashtu Je.” – Profeti
Muhammed (paqa qoftë me të)
Bukuri, Dashuri e amshueshme,
Dritë, Mëshirë, Ndjenjë paqeje e pashueshme,
Qetësi e shpirtit tim të trazuar,
Dashuri e amshuar!
Çdo fjalë e imja për Ty,
Është një përpjekje e dështuar,
Një grimcë e pavlerë,
Nga pamundësia për të të lavdëruar Ty, e turpëruar!
2010
- 23 -
DREJT TEJE
Çdo hap, çdo mendim, çdo ndjenjë, çdo shikim, çdo
ëndërr, çdo lot
Vetëm për Ty!
Është tërë kjo dashuri.
Drejt Teje është drejtuar çdo shikim i syve të mi,
Se dashuria për Ty ka mbushur çdo cep të zemrës sime.
Se fillimi i çdo dashurie është te Ti
Dhe çdo ëndërr imja fundin e ka te Ti.
2010
- 24 -
BUZËQESHJEN TËNDE
Kur në kënaqësinë Tënde shpresoj,
Gjej fuqi çdo gjë të përballoj,
Çdo thumbim,
Çdo të pakëndshëm shikim,
Asgjë s’depërton në mua
Buzëqeshjen,
Kënaqësinë Tënde dua!
Se me dashurinë Tënde në zemër asgjë nuk dhemb,
Se ëndrra për Ty çdo kullë dhimbjeje e shemb.
Mëshira Jote është mburoja më e mirë që mund ta vesh
Për të më mbrojtur nga shtrëngatat e këtij deti të trazuar.
E, buzëqeshja Jote
Është ëndrra ime e amshuar!
2011
- 25 -
TY DHE VETËM TY
Çdo dëshirë, çdo shpresë, çdo ëndërr, syhapur e symbyllur,
Me Ty është e lidhur!
Me Ty është lidhur shpirti im, andaj vendi vend këtu
s’i zihet,
Do të ngritet te Ti, andaj prej çdo gjëje këtu lukthi më
përzihet.
Se gjithçka që jam, jam për shkak Teje
Për Ty, me Ty, prej Teje,
Ty dhe vetëm Ty
Ëndërrojnë të të shohin këta sy!
2010
- 26 -
ME SYTË E ZEMRËS
“Gjërat më të bukura në botë nuk mund të shihen, as të preken, ato i ndien veç zemra.” – Hellen Keller
- 27 -
ME SYTË E ZEMRËS TË SHOH
Edhe unë hënën e vështroj, çdo natë,
Por kur ul sytë, fytyrën tënde nuk e shoh,
E, kam aq shumë mall!
Shpesh i mahnitem lindjes së diellit në agim,
Por edhe kjo s’është gjë, unë dua të të shoh ty!
Ilaç tjetër s’ka për këtë dashuri!
Dritë e syve të mi!
Kjo botë s’do të më lejojë të të takoj,
Dhe s’dua takimi ynë të jetë në këtë botë, që afati moti
ka filluar t’i skadojë.
E, sa do të vonohem nuk e di, por një ditë, do të vij te ti!
E këtu,
sidoqoftë, sytë e zemrës sime çdo çast i kam në ty.
2013
- 28 -
EJA
I
Eja,
Të lutem, eja!
Sa kam nevojë për ty,
Të më shpëtosh nga terri i kësaj bote,
Eja se dua ta shoh diellin si lind.
Eja, se po të vish ti, kësaj bote do t’i ndalen gjakrat,
Do t’i qetësohet mllefi, do t’i shuhen flakët.
Zemrat do të qetësohen, shpirtrat do t’zgjohen nga gjumi,
Veç me të parët tënd, çdo brengë timen do ta marrë lumi!
II
O Zot! Po të vije ti, unë s’e di ç’do të bëja,
Nga hutia do të shtangesha, nga lumturia do të fluturoja!
Ashtu e si e shastisur do të ndalesha para teje, e tëra e
qullur në lot,
Dhe përsëri s’do të dija ç’të bëj,
Veç sytë e mi nga ti s’do të mundesha t’i shqep dot.
2013
- 29 -
PA TY
Kjo botë është tërbuar, ashtu me sy të zgurdulluar, s’di
çfarë bën,
i dhemb çdo cep i saj, çdo qelizë e trupit i lëngon,
malli për ty aq fort e ka shtrënguar dhe ajo s’e kupton!
Kjo botë, me miliarda sytë e saj, loton
loton gjer në gjak, ndien dhimbje gjer në vdekje,
nga ky mall që nuk mbaron, por që gërryen zemra, se
në zemra jeton.
2013
- 30 -
NË DITËLINDJEN TËNDE
Aq e freskët është pamja plot borë,
Por më i freskët tingëllon emri yt,
Zëri që përshëndetje të dërgon.
Për ty, një botë e tërë ëndërron,
Edhe në mes të acarit, këndon për ty,
Se e jotja është një dashuri që akullin e çdo zemre e shkrin,
Dhe po e mori brenda, ajo zemër më kurrë s’mërdhin.
E sot është ditëlindja jote, dita kur iu hapën sytë kësaj bote!
E unë, veç emrin tënd kur e kujtoj, ashtu e buzëqeshur
shtangem.
Ti patjetër duhet ta dish sa shumë të dua! Deri tani
patjetër ta kishe kuptuar!
E në ditëlindjen tënde, për ç’gjë tjetër mund të mendoj!
Një herë të më vish në ëndërr dhe në tejjetë pranë teje
të qëndroj!
2012
- 31 -
ES-SIRAXH EL-MUNIR
Si të marr pak nga shpirti yt,
E të vë brenda çdo njeriu?!
Se ndonjëherë thjesht s'mund të duroj,
Dhe s'më dilet nga librat.
Si ta lë gjithë atë bukuri që e gjej në ty,
E të hyj në mes të kësaj bote!
Si të marr pak nga buzëqeshja jote,
Veç për një çast ta kem para syve të mi;
Pak nga drita e fytyrës sate që ndjell aq shumë mall e
dashuri.
Dritë e syve të mi.
Ardhsha te ti!
2012
- 32 -
NË ZEMRËN TËNDE
Sa dua të largohem nga kjo botë e vrazhdë,
Në zemrën tënde të strehohem.
Aty ku dashuria gëlon.
Të pushoj në freskinë e mirësisë sate,
Të gjej paqe në besimin tënd të pastër.
2010
- 33 -
MALL
Çdo ditë e më tepër më mungon!
Kjo ndjenjë malli në çdo cep të zemrës më shtrëngon,
Dhe s’mbaron. Pa të parë, asnjë grimë e tij s’shteron!
Çdo ditë e më shumë më mungon! Mungesa jote më
mundon,
Mungesa jote e lë të verbër një botë të tërë!
Ti më mungon kur qaj,
Se po të ishte ti këtu, çdo vaj do t’më shndërrohej në
buzëqeshje pastaj.
Dhe çdo buzëqeshje e imja është e gjymtë, pa
buzëqeshjen tënden përkrah saj.
Po të ishe ti këtu, buzëqeshjet e mia s’do të kishin skaj.
2011
- 34 -
SHEKUJ MË PARË
Sikur të kisha jetuar shekuj më parë,
Të kisha shkelur mbi gjurmët e tua të freskëta,
Ta kisha thithur të njëjtin ajër që thithën mushkëritë e tua..
Një frymëmarrje do t’më mjaftonte për një jetë!
2011
- 35 -
ËNDËRR JETE
Ti je pranë meje,
Unë nga lumturia nuk shoh gjë tjetër.
Këtë çast e kam pritur një jetë të tërë!
Ti më buzëqesh,
O Zot! Buzëqeshja jote shndrit si diell!
E hap burimin,
Unë etjen për ta shuar,
E unë s’dua të shoh gjë tjetër, veç fytyrën tënde të bekuar.
Ti më buzëqesh, unë nga gëzimi lotoj
Tani e tutje s’do të ndahem nga ti...
... ëndërroj!
2010
- 36 -
DHIMBJE
“Problemet e botës nuk mund të zgjidhen nga njerëz skeptikë apo cinikë, horizontet e të cilëve janë të
kufizuar nga realiteti i dukshëm. Neve na duhen njerëz që mund të ëndërrojnë për gjëra që s’kanë qenë më
parë.” – Xhon F. Kenedi
- 37 -
SHTEGTARË
Jemi shtegtarë me një mision,
Që në çdo gjeth e gur përreth tingëllon.
Kemi një cak ku duhet të mblidhet shikimi ynë,
Një tokë, që veç djersët tona e gjallërojnë.
Por ne derdhim mbi të lumenj lotësh,
Që çdo damar ia helmojnë!
Dheu është plot gjurmë udhën për t’na e rrëfyer,
Por ne hedhim orteqe pluhuri mbi to
Dhe vazhdojmë veten duke e gënjyer!
Kemi humbur shpirtin në këtë vorbull dritash, zërash e
asfaltesh pa skaj.
Na kanë vdekur zemrat, na janë zënë veshët, prandaj
s’e dëgjojmë tërë këtë vaj!
Veç kalimtarë jemi në këtë botë që sillet,
E sa shumë lot i derdhim mbi kokë
Çfarë fjalësh do t’gjejmë kur ta lëmë këtë botë!
2013
- 38 -
KU GABUAM?
Ec e mendohem
Ç’po ndodh në këtë botë?
Ku gabuam, vallë, që e mbushëm me lot?
Ku e humbëm fillin, që gjithçka na u përzie?
Përse edhe në kremte vishemi me petka zie?
Ku rrëshqitëm?
Ku u ndamë nga e vërteta?
Ku gabuam, vallë,
Që kaq e vështirë na është bërë jeta?
2010
- 39 -
FJALË
Fjalë.
Sa shumë fjalë flasim, sa zemra vrasim!
Fjalë.
Sa fjalë mund të themi, dhimbjeve fund t’u vemi!
2010
- 40 -
NË ÇKA U SHNDËRRUAM
“Lansimi i fuqisë atomike ka ndryshuar gjithçka, përveç mënyrës sonë të të menduarit. Zgjidhja e këtij problemi gjendet në zemrën e njerëzimit. Sikur ta kisha ditur, do të isha bërë orëndreqës.” –
Albert Ajnshtajn
Pse për njëri-tjetrin,
Në bisha jemi shndërruar
Ku e lamë dashurinë me të cilën jemi krijuar?
Si u bë që njeriu-njeriun të dojë ta lëndojë?
Si u bë që njeriu kundër vetes të mendojë!?
Ne erdhëm të gjithë së bashku,
Në një shtëpi më të bukur bashkë për t'u kthyer.
Pse ia lëshuam dorën njëri-tjetrit?
Jemi një.
Pse s'e ruajmë këtë?!
2012
- 41 -
VËSHTIRË
Është vështirë të buzëqeshësh, vështirë të mbetesh i mirë,
Në një botë me shpirtra të humbur ku secili për veten
me dhëmbë lufton.
Kope ujqërish!
Çdokush veç veten e mendon.
Është vështirë të durosh,
Në një botë me shpirtra të humbur, është vështirë
veten të mos e lëshosh.
Është vështirë kur njeriu për njeriun nuk mendon.
Vështirë kur njeriu njeriun e lëndon.
2011
- 42 -
NË DUART TONA
Në dorë e kemi,
Të keqes lamtumirë t’i themi.
T’i hapim zemrat,
Më shumë të ndiejmë,
Më thellë të mendojmë.
Në dorë e kemi,
Njëri-tjetrin të mos e lëndojmë,
Rritën urrejtjes t’ia ndalojmë.
E kemi në dorë,
Ta duam për tjetrin
Atë që e duam për vete.
Pse ia shëmtojmë vetes
Bukuritë e kësaj jete!
2012
- 43 -
QIRI DIOGJENI
Sa të drejtë ka pasur Diogjeni
Të njëjtën më vjen ta bëj edhe unë,
Por kam frikë kërkimin ta filloj.
Kam frikë kërkimi si do të përfundojë.
Frikë kam!
Mos mbetem udhëve të kësaj bote
Pa gjetur një buzëqeshje që nën të nuk fsheh lot,
Lot për të fshirë, një dorë të shtrirë, pa gjetur.
Kam frikë mos më digjet qiriu, kërkimit fund pa i dhënë,
E t’më mbeten pastaj veç shpresat dritë për t’më bërë!
Frikë kam!
Mos më shkrihen edhe shpresat si qiri,
e të mbetem këtu ku jam!
2011
- 44 -
NJË
Jemi një,
Por këtë njësh aq shumë e kemi copëtuar.
Erdhëm për të dashur,
Por dashurinë e kemi harruar.
Një shpirt na bashkon të gjithëve,
Por ne kemi vënë mijëra mure në mes.
Të gjithë do të kthehemi në shtëpi së bashku,
Këtë e kemi hedhur në harresë.
2012
- 45 -
Ç’NA KUSHTON?
Ç’na kushton një buzëqeshje e sinqertë,
Një zgjatje dore për pajtim,
Një fshirje loti,
Ç’na kushton një përqafim?
Por, sa vështirë na lëvizin duart një lot për ta fshirë.
Kur duhet të themi ‘më fal’, duket se buzët na janë ngrirë!
Lotët na shteren kur duhet për sy të tjerë të lotojmë!
Njerëz jemi, këtë sa shpesh e harrojmë!
2010
- 46 -
KU I DHEMB ATDHEUT?
Atje, te drita e syrit, se s’ka kush e ndriçon!
Veshi i buçet nga fjalët e shumta!
Mu te zemra, ther dhimbje e vjetër
Se veprat e mëdha kanë mbetur në letër,
Se emrat e pavdekshëm nuk rilindin më.
E vrasin gojët tona,
Duart që kryq rrinë!
Gjumi ynë ngadalë e përpin!
2010
- 47 -
TURP
Fjala turp është shumë e lehtë
Për mosveprat tona,
Për atë se si rrimë anash,
E bëjmë sehir.
Ndonjëherë lëshojmë ndonjë fjalë,
Si me pahir.
Por zemrat akoma nuk na janë zgjuar,
S’na rrahin akoma me një ritëm të bashkuar.
...
Presim të na zbresë ndryshimi nga qielli,
E ndryshimin e kemi në duar!
2012
- 48 -
LUTU PËR NE SIRI
Me lotët që të vërshojnë fytyrës,
në të freskëtat plagë që t’djegin,
bëhu e fortë Siri,
qëndro!
të lutesh për ne mos harro!
përderisa kacafytesh me tmerr,
gjak, e lotë,
vdekja t’ngjitet sysh si rriqër
lutu Siri
për të gjithë të vdekurit që jetojnë në këtë botë!
për zemrat tona lutu
që na janë përzier me gurë
për gjuhët që urat shembin
e ndërtojnë mur!
E mblidhi lotët që ke derdhur, fytyrës na i hidh, na zgjo!
Ne të kemi harruar, por ti e harruar s’je!
Ne kemi harruar, ti na përkujto!
2013
- 49 -
ÇIFTELIA E HARRUAR
E ngurtësuar si një ish-gjallesë në muze natyrorë-
shkencor,
Një çifteli rri varur në murin e plakur,
Asnjë sy shikimi s’ia takon,
Asnjë vesh s’ia dëgjon zërin në brendi si lëngon!
Se zhurma nga poshtë saj gjithçka përreth mbulon!
Një klithmë akull e ftohtë çdo atom ajri rreth e përqark
e kaplon,
E, përpiqet çiftelia tinguj të lëshojë, ngrohtësi të krijojë,
Të ftohtët që ngrihet si mjegull mbi fytyra në zemra të
mos depërtojë!
Askush s’e dëgjon! Askush ballin e djersitur s’ia lëmon!
2013
- 50 -
MIDIS NJË GRUMBULLI
Një mori njerëzish,
Ç’nuk mban kjo botë mbi shpinë!
Garë e çmendur,
Ç’nuk duam, ç’nuk bëjmë,
Se gjithçka duam.
Sa njerëz mban kjo botë!
Ne të gjithë,
Nga një brum gatuar,
Në mijëra furra pjekur
Dhe pastaj në vëllain nga brumi ngremë duar,
Ne të gjithë, e ne veç vetë,
Si s’mësuam t’i gjejmë bukuritë,
Në këtë jetë.
2012
- 51 -
UDHËVE TË JETËS “Të jetuarit është një nga gjërat më të rralla në botë. Shumica e njerëzve vetëm ekzistojnë.” - Oskër Uajlld
- 52 -
NJERI
Qesh njeriu, qesh.
Edhe pas dhimbjes që shpirtin ia dërrmon,
Që ia tund e shkund zemrën,
Çdo bukuri tokësore ia gjymton.
Harron i shkreti njeri.
Harron edhe shtrëngatat më të llahtarshme,
Edhe lotët e valë që biejnë prush mbi zemër.
I than koha.
Ecën jeta tutje.
Gëzime tjera, trishtime të tjera.
2012
- 53 -
I DOBËT
Dhe pa pikë turpi,
Pa një kokërr mend,
Të thonë se je i dobët,
Se ti e mbyll gojën,
Edhe kur nervat të çohen thik përpjetë,
Se e gëlltit fëlliqësirën që atyre aq lehtë nga goja u fluturon,
Se edhe pse flet me maskarenj, maskara të bëhesh nuk lejon.
2011
- 54 -
ABETARE
Sa dua të besoj se është mirësi!
Jo, si rrufe më vjen e vërteta.
Smira djeg çdo gjë,
Edhe ato fjalë lajkatare,
Ende mashtrohem,
Dhe shoh,
Me mësimet e jetës
Jam akoma në abetare!
2011
- 55 -
NJËSOJ
Kur mësohesh, një jetë të tërë ta ushqesh botën me
meritat e tua,
Dalëngadalë,
Të bëhet njësoj,
Ta përmendin emrin apo jo,
Sidoqoftë, ka dikush që kurrë s’gabon në kalkulime.
2012
- 56 -
TË RRISËSH FËMIJË
Të rrisësh fëmijë, ç’përgjegjësi!
Vallë, ka dikush që e bën si duhet?
Të kundërtën e dëshmon kjo shoqëri.
T’ia ruash gojën të mos i fëlliqet, ta mësosh ç’është
bardhë e ç’është zi,
Ta mësosh jetën ta dojë, pa u harruar në të,
Ta mësosh të luftojë për veten, pa hedhur pluhur mbi
të vërtetën.
Ta bësh ta shohë jetën si përjetim që të mashtron, pa
hequr dorë nga ajo,
Se përjetësinë ta dhuron.
Ç’përgjegjësi!
Të rrisësh fëmijë.
Bukuri që të djersit,
Detyrë që me sukses kurrë s’mund t’i vësh fund,
Nëse ata që të kanë rritur se kanë bërë të njëjtin mund.
2012
- 57 -
NYJE
Sa vështirë
E kemi ta pranojmë
Se ca njerëz thjesht duhet larguar nga jeta jonë.
Dhimbja na i mbyll sytë,
Zemra kapet fuqishëm në pezhishkën e kujtimeve të
bukura,
Qëllimisht e pa menduar,
Lidh veten me t’pakëputshmit penj të saj.
Dhe shpjegoja ti gjërat sa të duash pastaj.
2012
- 58 -
UDHËVE TË JETËS
Me një trastë në krah, për buzëqeshje dal në gjah!
Vetë. Thurr ëndrra për çdo gurë e gjeth mbi dhe,
Dhimbjet i vargëzoj si gjerdan perlash mbi qafë,
Kimenë secilës ia di, pa to, s’do isha çfarë jam tani!
Me një thes brengash, nis miliona kërkime në xhunglat
e botës sime,
Një guralec bukurie për ta gjetur, një grimë rërë
mirësie që zemrën ma mban të etur!
Rrugëve të jetës. Vizëbardhat nuk shihen çdoherë
qartë mbi dheun e turbullt,
As semaforët nuk shndrisin saherë që rrugën e humbim,
Thasët e stërmbushur po s’i flakëm mënjanë, hapat s’na
lehtësohen kurrë,
Veç zemrës sonë do t’i vemi mur, po vazhduam të
bëhemi urë.
Urë dhimbjesh që kalojnë nga vitet e pluhurosura në
ditët e kthjellëta që vijnë,
Urë frikërash që ngriten nga varret e shpresat e
posalindura na i përpijnë!
2013
- 59 -
ËNDËRR
“Beso se mundesh dhe veçmë ke bërë gjysmën e rrugës.” – Thiodor Rusvelt
- 60 -
DËSHIRA
Të mund të paktën të zgjohem,
Në një botë pa urrejtje, ku vuajtja nuk më ndjek,
T’i hap sytë, e dielli t’më buzëqeshë pa drojë,
Krejt e lirë, lirshëm të fluturoj,
Qiellin, diellin, çdo gjë që më kap syri pa frikë ta synoj.
Të mund të zgjohem në një botë të lirë, në një botë të
mirë,
Me plot sy të kthjellët, me shpirta nga ligësia të panxirë,
Të dua, të ëndërroj, lirshëm të endem gjithandej,
Pa frikë nga vdekja që varret tytave, pa trishtimin që
gjaqet më bëjnë të ndiej.
Të mund të zgjohem në një botë të dashurisë,
Që jeton në emër të së mirës, në emër të miqësisë,
Në një botë ku nuk do të ketë zemra të thyera, ku s’do
të ketë zemra të përlyera.
Sikur të zgjohesha në një botë me erë trëndafili,
Po, kaq fëmijërore dhe e pastër të jetë,
E çdo psherëtimë e saj të mos ndjellë vaj, por çdo lot ta
thajë,
Që një ditë të mund të zgjohemi në një botë pa lot,
Të jetojmë si njerëz, jo si jetojmë sot!
2011
- 61 -
DËSHIRË E PËRMOTSHME
Dëshirë e djeshme...
Unë kam dashur të lind,
Në një botë pak më të drejtë se kjo.
Unë kam dashur që njerëzit
Të buzëqeshin pakëz më shumë.
S’e kam imagjinuar dot,
Që ka më shumë gjemba se lule,
Se çdo trëndafil i bukur trupin gjemb e ka.
Dëshirë e sotme...
Unë ëndërroj të jetoj
Në një botë pak më të drejtë se kjo.
Unë dua që njerëzit
Të buzëqeshin pakëz më shumë.
Unë dua dhe ndryshimi është në duart e mia!
Unë dua dhe me përkushtim po të punoj,
Të gjithë gjembat
Në trëndafilë do t’i shndërroj!
2011
- 62 -
KUR
O Zot,
Kur do të vijë dita,
Të çlirohem nga vargonjtë e dhimbjes së kësaj bote,
Të buzëqesh në pafundësi,
Të më ndriçojë Drita Jote.
Kur do të vijë dita,
T’i thaj të gjithë lotët që më kanë rrjedhë në këtë botë,
Ta shkund gjithë pluhurin që është ngjitur mbi lotë!
Të harroj çdo nxëthua në shkëmbinjtë e kësaj jete,
Veç zemrën ta marr me vete!
Para Teje të qëndroj
Me një zemër dashuri,
Nga Ti një fjalë ta dëgjoj,
Se e meritoj
Ta shoh Tënden Bukuri!
2013
- 63 -
PASQYRË
“Qëllimi i jetës nuk është ta gjesh veten, por ta ndërtosh veten.” – Xhorxh Bernard Sho
- 64 -
UJQËR TË PANGOPSHËM
Sa vlejnë dy pëllëmbë fytyrë?
Sa gjëra na mban zemra
Të sakrifikojmë
Dy pëllëmbë fytyrë për të mos i nxirë?
Sa herë mund t’i themi vetes jo,
Vetes fytyrën për t’ia zbardhur.
Sa mund shpinën t’ia kthejmë një mundësie,
Që këmbësh na ka ardhë?
Për dy pëllëmbë fytyrë.
Të mos shndërrohesh në ujk që s’ka të ngopur
Nga kotësitë e kësaj dynjaje.
A mund vetes t’i thuash ndal,
Apo mund të kapërdish gjithçka?
Me rëndësi është
Të jesh
Në majë!
2012
- 65 -
DËGJO ZËRIN E ZEMRËS!
Dëgjoje zërin e zemrës,
Gjithçka do të kuptosh.
Ndiqe rrugën që ajo ta tregon,
Legjendën tënde ta krijosh!
Qëndro aty ku ajo ndihet e lumtur!
Qëndroi besnik zemrës
Dhe s’do kesh gjë për t’u tutur!
2010
- 66 -
KUR TË GËNJESH
Kur të gënjesh,
Ashtu duhet ta ndreqësh rrenën,
Sa që edhe vetë ta besosh,
Se vetë po s’e besove,
Të tjerët s’mund t’i mashtrosh!
2012
- 67 -
KUR DO T’IA KTHESH VETEN VETES? “Mos ec andej nga të çon rruga. Ec andej nga nuk ka rrugë dhe lëri gjurmët e tua.” – Ralf Ualdo Emerson
Kur do të ndalosh së qeni ai që nuk je?
T’i japësh fund dëshirës së sëmurë për famë e mirënjohje!
Kur do t’i përvishesh punës me djersë e me mund?
Imitimit të verbër kur do t’i japësh fund?!
Mbylli sytë, veten nga brenda shihe!
Hiq dorë nga çmenduritë që bën bota! Shpirtin tënd njihe!
Flake çdo kufizim që gojët përreth mbi shpinë ta kanë vënë
Dhe me krahë do të bëhesh!
Bëhu vetja! Veç ashtu s’do të lëndohesh!
Kjo botë flet shumë, por dorën s’ta mban asnjëherë,
Ndaj bëj paqe me veten dhe çdo fletë e kalendarit do të
të bëhet verë!
Hapi sytë, dhe shihe botën me guxim!
Bëhu vetja! Veç ashtu s’do të shohësh zhgënjim!
2011
- 68 -
PO DESHE
Po i deshe mrekullitë,
Në to duhet të besosh!
Po e deshe paqen,
Të falësh duhet të mësosh!
Po deshe të ngrihesh çdo herë kur rrëzohesh,
Nga të rrëzuarit nuk duhet të frikësohesh!
2011
- 69 -
LABIRINTH
Kur të mundon
Një gjë e paqenë,
Të vërtetës më të kthjellët
Kur i thua rrenë!
Më tutje si mendon të vazhdosh?
Së pari duhet të ndalesh,
Veten ta rinjoftosh!
2011
- 70 -
PSE JAM?
Ç'është jeta për mua?
Çfarë dua?
Këtu pse jam?
Cila është detyra që unë kam?
Cila është rruga që duhet ta ndjek?
Ku është thesari që më pret?!
Cilave shenja t’u besoj?
Cili është qëllimi që unë jetoj?
Pyet veten pa ndalur, të vërtetën për ta gjetur,
Të jetosh syhapur, jo me zemër të fjetur!
2010
- 71 -
NJIHE VETEN!
Që ta njohësh botën si duhet,
Nga vetja fillo!
Njihe veten!
Pastaj më tutje vazhdo.
Se po s’e njohe veten,
S’e gjen dot të vërtetën.
2010
- 72 -
PËR TË QENË
Për të qenë
Ai që duhet të jesh,
Qëllimin e jetës sate duhet ta gjesh.
Për të qenë
Ai që ëndërron,
Duhet të kesh vullnet që nuk shteron!
2011
- 73 -
BËHU NJERI!
Jeto jetën tënde,
Puno për njerëzinë.
Kënaqu në qetësi,
Ji i gatshëm për stuhinë.
Duaje jetën, të bukurën, të drejtën,
Mbi të gjitha, çmoje dhe mbroje të vërtetën.
Bëhu njeri!
Ditë e natë puno,
Pak kërko, shumë dhuro,
Ndërto ardhmërinë, puno për njerëzinë,
Të vërtetën mos e harro!
Bëhu njeri!
Shtrije dorën, buzëqeshje fal, fshij lot,
Këngën mos e ndal…
Dhe buzëqeshje fal!
2010
- 74 -
QETËSI
Ndonjëherë qetësinë e kërkon
Më shumë se çdo gjë,
Ndonjëherë ajo të vret si asgjë
Tjetër.
Por,
Veç tjetër nuk mund të jesh,
Tjetër mund të bëhesh,
Por qetësinë kurrë nuk do ta gjesh.
2012
- 75 -
MËNYRA IME
“Ka dy mënyra për ta jetuar jetën. Njëra është të jetosh sikur asgjë në botë nuk është mrekulli, tjetra është të
jetosh sikur gjithçka është mrekulli.”- Albert Ajnshtajn
- 76 -
PËR NJË ËNDËRR
Mijëra kilometra do të kaloja, këmbadoras! Shpresat
rrugës kurrë s’do t’i lëshoja!
Përtej detesh e oqeanesh, në anije letre do lundroja!
Gjer në skaj të botës me hapa foshnjeje do t’shkoja!
Për një ëndërr!
Do të ngjitesha maleve, Himalajeve, një ëndërr për ta
kapur!
Do të qëndroja vetëm në ishull të shkretë, nën qiell të
hapur!
Mbi akull të ftohtë do t’bëja gjumë,
Midis Saharasë, do të laja duart në lumë!
Një ëndërr duke ndjekur!
Vdekjen do ta dëboja nga çdo buzëqeshje,
Lotët do t’i thaja në diell,
Kripën e tyre detit për t’ia hedhur...
Me anijen e letrës, drejt ëndrrës sime!
2010
- 77 -
MËNYRA IME
Mënyra ime është
Buzëqeshja!
E këtë pakkush e kupton!
Mënyra ime
Është buzëqeshja!
Zemra e verbër atë s’e do!
Mënyra ime nuk lëndon. Buzëqeshja buzëqeshjen shëron.
2011
- 78 -
KUR SHKRUAJ
Dua ta them
Vetëm atë që nga shpirti më del,
T’i këndoj asaj që nga zemra më rrjedh.
T’i fal poezisë
Fjalë që nga zemra burojnë,
Se vetëm ato flasin zëshëm,
Fuqishëm jehojnë.
2010
- 79 -
TË FAL
Si mund të të them jo!
Kur Zoti fal,
Ç’më mbetet mua!
Ah, jetë njerëzore,
Çdo ditë e më shumë më befason!
Ç’nuk kishe fshehur në brendi!
A ka njeri që s’është mashtruar nga ti?!
Ah, njeri i gjallë,
Ç’nuk të pret në këtë jetë!
Po gjete dashurinë,
Faljen,
Besimin,
Ke gjetur shtegun e vërtetë.
2010
- 80 -
GJEJ FUQI NË ËNDRRËN PËR TY
Kur ndihem se jam përplasur me fytyrë
Në fundin e fundit,
Se gjithçka mbi mua qëndron,
Kur ndihem se çdo hap që e bëj, dështoj,
Pa dritën Tënde s’do të mundja të qëndroj.
Pa dritën Tënde do të ndieja se s’kam vend në këtë botë,
Pa premtimin Tënd
Çdo përpjekje do të ishte e kotë!
Ëndrra që për Ty kam më bën të vazhdoj
Dhe të premtoj se s’do të ndaloj
Derisa nën Hijen Tënde të përfundoj!
2011
- 81 -
IA VLEN
Që një ditë
E qetë nën hijen Tënde t’më rreh zemra për t’mos u
ndalur kurrë,
Ta lag këtë etje që matet me vite e shekuj,
Që një ditë e buzëqeshur pranë Teje të qëndroj,
Ia vlen!
Edhe nëse gjithçka nga këtu flijoj!
Edhe nëse gjurmët e çdo hapi mbi këtë tokë,
I laj me lotë!
Për të të parë,
Fytyrbardhë!
Për t’u shtangur pranë buzëqeshjes së më të lavdëruarit
në këtë botë
Ia vlen.
Çdo mund, çdo lot!
2013
- 82 -
MË MJAFTON
Një laps,
Një copë letër,
S’më duhet tjetër!
Një diell që më ngroh, dy sy që i njoh, një fjalë që më
udhëzon, një mësues që më këshillon,
Dhe një Dritë që jetën ma ndriçon.
Më mjafton.
2010
- 83 -
FUNDI I DHIMBJES SIME
Në fund të çdo dite
Çdo gjë tjetër harroj.
Çdo brengë, çdo hidhërim,
Të gjitha i lëshoj!
Gjej paqe në dashurinë Tënde,
Gjej fundin e dhimbjes sime.
2011
- 84 -
FRYMËZIM
“Ta shohësh një botë të tërë në një grimcë rëre, dhe një parajsë në një lule të egër, ta mbash pafundësinë në
shuplakë dore, dhe përjetësinë brenda një ore.” – Uilliam Blejk
- 85 -
Ç’ËSHTË HËNA?
I
Blerta çuditet ç’është hëna
Dhe do ta kapë me dorë, ta fusë brenda në dhomë.
Mbase edhe unë ndonjëherë kështu kam menduar,
Ç’nuk kam ëndërruar unë!
Me sy fëmije kur e kam shikuar
Faqet e saj për t’i shkelur kam ëndërruar
Dhe çdo ëndërr timen,
Asaj ia kam besuar
Se burim ëndrrash e kam menduar.
Blerta çuditet ç’është hëna
Edhe unë!
2012
II
Ç’bukuri ke ti!
E bukura e kësaj bote
Ashtu lart rri, se si ti,
Bukuri, s’kanë parë sytë e mi.
Si fëmijë, burim ëndrrash të kam menduar
Dhe te ti kam dashur të ik
Çdoherë kur zemra më është trishtuar.
Bukuri!
Zanë qielli je,
Orë!
- 86 -
Njëherë si s’tu dhimbsa!
Sa herë kam dashur të të prek me dorë.
Ç’krijesë je ti. Bukuri.
I lavdëruar! Më i Bukuri! I bukuri!
Është Krijuesi yt.
2013
- 87 -
SHPIRT I DOBËT
Shpirt i dobët!
Pse s’mund të ngrihesh mbi ferrat e kësaj bote?!
Të lësh gjithçka pas, rrugës për te Dashuria jote!
Shpirt i dobët!
Pse lëshon pe!
Kur e di ku është lumturia jote!
Zemër!
Pse mbyll veshët
Para më të Dashurit për ty?
Lejon botën t’i fusë hundët mes jush,
Dhe e quan më i Dashuri!
Turp të të vijë!
Turp të të vijë,
Kur druan të mos i thyesh zemrat e botës
E, e harron fjalën e Tij.
2012
- 88 -
FRYMËZIM
Kur fryn në brendi,
Veç atëherë më zgjohet shpirti
Dhe mbledh nga përreth çdo atom, sheh çdo qelizë,
Preket nga çdo puhizë! Dhe struket në vete, galaksi
larg nga zërat e kësaj bote...
Lëshon lotët krua, lehtë-lehtë, mbi çdo pikë të gjallë në
mua,
Lan çdo njollë të vënë nga bredhjet mbi baltën e kësaj
toke,
Mbledh pastaj çdo pikë uji mbi zemër,
E rrjedhin vargjet lumë,
Rimat njëra pas tjetrës rreshtohen,
Më lind drita e syrit,
Lumturohem!
2012
- 89 -
ZI E MË ZI
Kur nuk di çfarë do,
A kur nuk do çfarë di
Cila është më zi?!
Kur rendit fjalë,
A kur thua diçka që nga zemra ka dalë
Cila është poezi?
2012
- 90 -
MË SHUMË SE SHQETËSIM
Valë ndjenjash
Të çuara peshë!
Vetëdije në protestë!
Zemra thërret fuqishëm
Qetësinë kërkon,
Kërkon petkun e lirisë.
Pa të rreh, por nuk jeton!
Breshër sytë lotojnë,
Logjikshëm çdo fjalë arsyetojnë,
Por mohimi akoma vazhdon të djegë prush.
Dhembja mblidhet si myk në zemër,
Lotët vargëzohen rrush!
Mbytem në pafundësi...
Brenda këtij qarku pa shteg
Mungesa e saj,
Lumturinë gjer në hi ma djeg.
2010
- 91 -
MBRETËRESHË E FJALËS
Po të mos ishe ti,
Shpirti im do ngushtohej e s’do gjente qetësi.
Brenda teje fshihet
Një botë e univers i tërë.
Ti i di të gjitha
Ç’kam e ç’duhet bërë.
Je mike besnike në çdo rrugëtim,
Ti, o mbretëreshë e fjalës
Për mua je bekim!
2012
- 92 -
AJO
Hijeshisë së saj as një fjalë s’ia jep dot hakun,
Ajo ndrit si hëna në qiell plot yje,
E saj çdo gjë është e dashur për mua, çdo pjesëz, çdo nyje!
2009
- 93 -
FRYMËZIM MESNATE
Asgjë s’është terri i natës, kur në zemër nuk ke dritë.
S’të vlen fare trofeu,
Që s’e merr me meritë.
Asnjë ditë s’do të jetosh,
Po s’dite të duash.
Asgjë nga jeta s’do mësosh, po s’munde të vuash.
2012
- 94 -
FRYMËZIM AGIMI
Ditën kur qielli e toka përqafohen me përmallim,
Më bëj nga ata që s'do të kenë trishtim.
Gjithçka që dua është të qetësohem nën hijen e fronit
Tënd.
Madhështi.
Dhe dashuria për Ty
Të bëhet më e gjallë se kurrë,
Të shkrihem në Mëshirën Tënde,
Të shndërrohem në dashuri
Duke parë Tëndin Nur.
2012
- 95 -
ZEMËRIMI I POEZISË
Nuk vjen poezia kur bën mëkat,
Se ajo është e çiltër, zbret nga lart,
Dhe kur shpirti lëshohet
Në llucën e mëkatit,
Ajo s’e arrin dot
Dhe ashtu e lë ta vuajë të merituarin ndëshkim.
Një pjesë e strukur diku thellë lutet që Ai ta falë.
Dhe mban shpresë
Se një ditë një nefs do të arrijë
Të ngrihet mbi hendeqet që hap bota.
2012
- 96 -
Ç’TË DUHET
Ç’të duhet një bukuri që s’ekziston?
Një mik që nuk i beson?
Ç’të duhet një ëndërr që s’guxon ta ëndërrosh?
Ç’i bën realitetit kur ke frikë ta jetosh?
Ç’të duhet buzëqeshja që nga zemra s’del?
Sa i beson një të vërtete të veshur me mister?
Kur gënjen, vetes sa i beson?
Ç’i thua një poeti që vetëm rimon?
2011
- 97 -
HESHTJE
Sa të gjata janë disa rrugëtime!
Zgjasin përgjithmonë, a të duken si ëndërr.
Një mori njerëzish
Që s’e ndiejnë buzëqeshjen tënde.
Një grumbull sebepesh që buzëqeshjet t’i ngrijnë.
Ti nis në udhë miliona fjalë, asnjëra nuk arrin.
Dhe të vjen era Kosovë,
Midis Adriatikut.
E asnjë guacë s’ta hap dot
Fshehtësinë e detit.
2012
- 98 -
FLUTURIME POETIKE
Lehtas lapsin preka, filloi të pëshpërisë,
Më këndonte këngën e jetës dhe atë të dashurisë.
E puthita me letrën, u shkrinë, u bënë një.
M’u zhdukën nga sytë, më rrëmbyen dhe mua me ta.
Dhe ndër brigje detesh papritmas u zgjova,
E më fali deti pak kaltërsi, dhe dielli një grimë drite
Dhe lehtësinë erës ia kërkova,
E në petalet e trëndafilit të gjitha i bashkova.
Dhe zemrës i kërkova rrugën të ma tregojë
Se vetëm ajo di t’më çojë atje ku dua të shkoj!
E u ngjita reve, vargjet t’i kërkoja
Me ngjyrat e ylberit ato t’i bashkoja
Dhe rimën e thirra, bashkë me strofën më erdhi
Një yll frymëzimin mbi mua derdhi.
Dhe në më të lartin kat arrita
Të mbretërisë së krijimtarisë
...
Ndriste plot madhështi froni i mbretëreshës,
Froni i poezisë.
2010
- 99 -
SHSHSH!
Mos e thuaj fare,
Nuk dua ta dëgjoj,
Se kur nuk del nga zemra, në sy e lexoj.
Hesht një mijë herë,
As zë, as psherëtimë!
Më mirë një heshtje e sinqertë,
Se një gënjeshtër që shpirtin nxin.
2011
- 100 -
GJITHÇKA QË KËRKOJ
Dritën e shpëtimit, shpëtimin e njerëzimit, njerëzinë e
njeriut
Kërkoj!
Të shpirtit fisnikërimin, të mendjes ndriçimin, të
njeriut lartësimin
Kërkoj!
Kërkoj pa ndalur, shoh gjithandej...
Të gjitha që kërkoj,
Në dije i gjej!
Në dijen që frymon brenda një zemre plot mirësi
Se jashtë kësaj kështjelle, edhe ajo sjell zi!
2010
- 101 -
NATA E FUQISË
Është nata e fuqisë
Më jep forcë
T’i buzëqesh kësaj bote.
Edhe atëherë kur përpiqet,
Të më ndajë nga buzëqeshja Jote.
Është nata e ndarjes,
Së gënjeshtrës nga e vërteta
Ma trego udhën,
Të mos bie në lajkat që bën jeta.
Është nata e faljes
Më fal
Më fal
Ja Gafur,
Në çastin kur hapen dyert e qiellit,
Zemra ime ka veç një lutje.
Dua ta shoh Tëndin Nur.
2012
- 102 -
DREJTËZ
Çdo gjë në këtë botë rrotullohet,
Edhe bota vetë.
Por, ndonjëherë ti ngec në vend.
Në mes të një grumbulli pa fije,
Dhe të duket sikur edhe zemra të është ndalur.
Por, zemrat s’u ndalkan nga zia!
Nga dhimbja veç buzëqeshjet ngrihen.
Zihen dritat e syve që të mund të merr frymë mërzia.
Dhe pikat sado që të mbijnë si kërpudha pas shiut,
Fundin s’e sjellin dot,
Veç vazhdojnë të rrotullohen,
Se gjithçka rrotullohet në këtë botë.
2013
- 103 -
MOS
I
Mos i fol
Një poeti kur shkruan
Po s’deshe të mëkatosh!
II
Mos e sforco veten,
Nëse poeti brenda teje s’ndihet i gjallë
Mos shkruaj,
Ja, edhe unë po e lë..
2012
- 104 -
PRITJE
Borë.
Natë.
Më qetë ndihem nëse nuk shkruaj,
Por diçka nga brenda më shtrëngon.
Vështroj lulet e qilimit,
Hallin tim asnjëra s’e kupton.
Është terr.
Dritën s’guxoj ta ndez se prish gjumë.
Akoma pres.
Ndonjëherë më duket se pres aq shumë.
2012
- 105 -
EPILOG
“Ja një test për të parë nëse misioni yt në tokë ka përfunduar: Nëse je i gjallë, s’ka përfunduar akoma. “ -
Riçard Bah
- 106 -
MË FAL
Më fal.
Po s’më fale Ti, unë nuk mund frymë të marr.
Zoti im.
Më fal.
Më fal pse rrëzohem në të njëjtën gropë me mijëra herë.
Më fal.
Po s’më fale Ti, unë nga kjo errësirë nuk mund të dal.
Më fal, se më digjet zemra në paskaj,
Kur mendoj se je i hidhëruar me mua,
Dua të tretem në vaj.
Më fal.
Se kur larg Teje jam, çdo sekondë është një mallkim sa
një shekull,
Çdo frymëmarrje është trishtim.
Larg Teje.. mos qofsha kurrë!
Mos më lër, të lutem! Mes nesh të ndërtoj mur.
Unë aq shpesh humbem në labirinthet e kësaj bote!
Mos më lër, të lutem,
Të largohem nga Drita Jote!
Larg Teje,
Gjithçka është e akullt, e zhytur në mjerim,
Terr është çdo e hapur e syve,
Zhgënjim është çdo synim.
Larg Teje kur jam,
Ngrin gjithçka në mua
Nuk e di kush jam, nuk e di çfarë dua
- 107 -
Pa dritën Tënde përreth
Sytë shtangen në errësirën e kësaj bote.
Larg Teje,
Çdo hap që bëj është plot frikë e drithërimë
Larg Teje, çdo fjalë e imja është veç psherëtimë!
Gjithçka në mua qan...
Larg Teje çdo gjë është e flliqur,
Se Ti je i Pastri!
Larg Teje veten s’e dua,
Asgjë në mua!
Larg Teje unë zhytem në më të thellat moçale,
Humbem në shtigje pa dalje!
Unë e di se do t’më falësh,
Se mëshira Jote s’ka kufi
Por ç’të bëj se kam veç një fytyrë
E si do të t’dal me të karshi!
2013
- 108 -
TE TI
Dua të vij te Ti,
Të flas me Ty,
Se gjuhën e kësaj bote s’e di. S’dua ta di!
Te Ti dua të vij,
Të flas me Ty,
Se kjo botë s’më kupton. Ti e di.
Allahu im, sa dua të vij te Ti. Tani. Tani. Tani.
Para Teje dua të qëndroj, me turp për gjithçka që kam
bërë
Dhe me një mal dashuri, një oqean, një univers të tërë.
Sidoqoftë! Veç të jem pranë Teje!
Te Ti dua të vij!
E po t’ua vija kodrave këtë dëshirë, ashtu e stërmadhe
sa është, pluhur do t’ishin bërë!
Mbi supet e maleve po ta lija, do të shndërroheshin në
rërë!
E kjo dëshirë është çfarë më mban në këmbë kur më
duket se toka poshtë meje do të më lëshojë..
Se ndihem e humbur, sa herë që larg Teje qëndroj,
Ndaj te Ti dua të vij, sytë e mi nga Ti kurrë t’mos i largoj,
Ashtu e mahnitur, plot dashuri, pranë Teje të qëndroj.
2013
- 109 -
Artisti asnjëherë nuk e përfundon veprën e tij, thjesht e braktisë atë. - Paul Valeri
- 110 -
Përmbajtja:
PARATHËNIE ......................................................................... 5 PROLOG .................................................................................... 8
O JETË ................................................................................... 9 ENDACAKE .......................................................................... 10 PËR TY................................................................................. 11
DASHURI E AMSHUAR ........................................................... 12 MË FAL! .............................................................................. 13 PËRPJETË ............................................................................ 14 SI TË DUA ............................................................................ 15 KUSH TJETËR? ..................................................................... 16 SUBHANALLAH! .................................................................. 17 PA TITULL ........................................................................... 18 TI MË MJAFTON ................................................................. 19 MOS MË LËR! ..................................................................... 20 NË TAKIMIN ME TY ............................................................. 21 DASHURI E AMSHUAR ........................................................ 22 DREJT TEJE .......................................................................... 23 BUZËQESHJEN TËNDE ........................................................ 24 TY DHE VETËM TY ............................................................... 25
ME SYTË E ZEMRËS ................................................................ 26 ME SYTË E ZEMRËS TË SHOH.............................................. 27 EJA ...................................................................................... 28 PA TY .................................................................................. 29 NË DITËLINDJEN TËNDE ..................................................... 30 ES-SIRAXH EL-MUNIR ......................................................... 31 NË ZEMRËN TËNDE ............................................................ 32 MALL .................................................................................. 33 SHEKUJ MË PARË ................................................................ 34 ËNDËRR JETE ...................................................................... 35
DHIMBJE ................................................................................. 36 SHTEGTARË ........................................................................ 37 KU GABUAM? ..................................................................... 38
- 111 -
FJALË .................................................................................. 39 NË ÇKA U SHNDËRRUAM ................................................... 40 VËSHTIRË ............................................................................ 41 NË DUART TONA ................................................................ 42 QIRI DIOGJENI .................................................................... 43 NJË ...................................................................................... 44 Ç’NA KUSHTON? ................................................................. 45 KU I DHEMB ATDHEUT? ..................................................... 46 TURP ................................................................................... 47 LUTU PËR NE SIRI ............................................................... 48 ÇIFTELIA E HARRUAR .......................................................... 49 MIDIS NJË GRUMBULLI ...................................................... 50
UDHËVE TË JETËS ................................................................... 51 NJERI................................................................................... 52 I DOBËT .............................................................................. 53 ABETARE ............................................................................. 54 NJËSOJ ................................................................................ 55 TË RRISËSH FËMIJË ............................................................. 56 NYJE .................................................................................... 57 UDHËVE TË JETËS ............................................................... 58
ËNDËRR .................................................................................. 59 DËSHIRA ............................................................................. 60 DËSHIRË E PËRMOTSHME .................................................. 61 KUR ..................................................................................... 62
PASQYRË ................................................................................ 63 UJQËR TË PANGOPSHËM ................................................... 64 DËGJO ZËRIN E ZEMRËS! .................................................... 65 KUR TË GËNJESH ................................................................ 66 KUR DO T’IA KTHESH VETEN VETES? .................................. 67 PO DESHE ........................................................................... 68 LABIRINTH .......................................................................... 69 PSE JAM? ............................................................................ 70 NJIHE VETEN! ..................................................................... 71 PËR TË QENË ...................................................................... 72
- 112 -
BËHU NJERI! ....................................................................... 73 QETËSI ................................................................................ 74
MËNYRA IME .......................................................................... 75 PËR NJË ËNDËRR ................................................................ 76 MËNYRA IME ...................................................................... 77 KUR SHKRUAJ ..................................................................... 78 TË FAL ................................................................................. 79 GJEJ FUQI NË ËNDRRËN PËR TY ......................................... 80 IA VLEN ............................................................................... 81 MË MJAFTON ..................................................................... 82 FUNDI I DHIMBJES SIME ..................................................... 83
FRYMËZIM .............................................................................. 84 Ç’ËSHTË HËNA? .................................................................. 85 SHPIRT I DOBËT .................................................................. 87 FRYMËZIM .......................................................................... 88 ZI E MË ZI ............................................................................ 89 MË SHUMË SE SHQETËSIM ................................................ 90 MBRETËRESHË E FJALËS ..................................................... 91 AJO ..................................................................................... 92 FRYMËZIM MESNATE ......................................................... 93 FRYMËZIM AGIMI ............................................................... 94 ZEMËRIMI I POEZISË ........................................................... 95 Ç’TË DUHET ........................................................................ 96 HESHTJE .............................................................................. 97 FLUTURIME POETIKE .......................................................... 98 SHSHSH! ............................................................................. 99 GJITHÇKA QË KËRKOJ ....................................................... 100 NATA E FUQISË ................................................................. 101 DREJTËZ ............................................................................ 102 MOS .................................................................................. 103 PRITJE ............................................................................... 104
EPILOG .................................................................................. 105 MË FAL ............................................................................. 106 TE TI .................................................................................. 108
- 113 -