kuvendi5 lidhje me moshapjen e negociatave me vendin tonë. kësisoj, ndaj tyre duhet të jemi...
TRANSCRIPT
-
1
KUVENDI
KUVENDI
Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian
PROCESVERBAL
Tiranë, më datë 24.01.2020, ora 12:00
Drejton mbledhjen:
Rudina Hajdari – Kryetare e Këshillit
Rendi i ditës:
1. Raportim vjetor i veprimtarisë së Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian për
vitin 2019.
2. Informacion mbi zbatimin e Strategjisë së Migracionit me fokus mbi masat e marra
nga qeveria për kufizimin e migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të
Bashkimit Europian, duke përfshirë politikat e punësimit, mbrojtjen sociale për personat e
rikthyer, politikat arsimore të ndjekura për personat e rikthyer e të tjera.
3. Impakti i largimit të punëtorëve të kualifikuar
4. Projekte në fushën e migracionit dhe propozime për parandalimin e largimit të
punëtorëve të kualifikuar dhe profesionistëve si dhe integrimin e personave të rikthyer.
5. Diskutime.
Marrin pjesë:
Rudina Hajdari, Taulant Balla, Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Ulsi Manja, Korab Lita,
Ermonela Felaj (Valikaj), Alban Zeneli, Arben Elezi, Klodiana Spahiu, Halil Jakimi, Admira
Jorgji (anetare zevendesuese), Ilda Zhulali, Olsi Dado (anëtar zëvendësues), Nejla Peka
(anëtare zëvendësuese), Zana Vokopola, Kol Nikollaj, Bashkim Sykja (anetar zevendesues),
Krisela Haçkaj, Albana Dhimitri, Edison Hoxha, Suela Kusi Drita, Dafina Peçi, Erida Skëndaj,
Besnik Dervishi, Pranvera Strakosha, Erisa Proko (anëtare zëvendësuese).
-
2
Mungojnë:
Ralf Gjoni, Enver Roshi, Niko Peleshi, Fatjona Dhimitri, Milva Ekonomi, Senida Mesi,
Odeta Barbullushi, Gjergji Vurmo, Albert Rakipi, Klodjan Seferaj, Gledis Gjipali, Arben
Shkodra, Erlir Puto, Ines Muçostepa, Emira Paçrami, Gjergji Luca, Robert Gajda, Edmond
Cane, Eralda Methasani Çani, Ilva Tare, dhe Claudia Vollmer.
Të ftuar:
Rovena Voda – Zëvendësministre e Brendshme
Merita Xhafaj – Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Dajna Sorensen – Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë
Nina Guga – Zëvendësministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve
Lenka Vitkova – Drejtuese e Seksionit për Shtetin e së Drejtës dhe Mirëqeverisjen në
Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri
Aurelien Juliard – Përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri
Alma Jani – Drejtuese e Zyrës së IOM-it në Shqipëri
Genci Pjetri – Specialist i Politikave të Migracionit në Zyrën e IOM-it në Shqipëri
Florenc Qosja – Përfaqësues i GIZ-it në Shqipëri.
-
3
HAPET MBLEDHJA
Rudina Hajdari – Mirëdita të gjithëve!
Shumë faleminderit që keni ardhur sot në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për
Integrimin Europian! Sot, në fakt, kemi një temë tejet të rëndësishme për sa i përket integrimit
të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e cila prek vërtet shumë shqiptarë dhe realitetin tonë sot.
Ndaj ne e menduam të udhës ta trajtojmë këtë problem, siç është ai i migracionit të paligjshëm
të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, një fenomen i cili dihet tashmë dhe është
në rritje. Pikërisht kjo është tema e cila do të shtjellohet në këtë takim, e para, për ta evidentuar
si problem dhe, e dyta, për të parë ndryshimet që ka pësuar ndër vite, pse jo, për të sjellë edhe
këndvështrimet e ndryshme nga përfaqësuesit e sindikatave dhe të shoqërisë civile apo edhe të
organizatave përkatëse në lidhje me këtë çështje. Pra, ta trajtojmë si fenomen pse ndodh.
Hallka e dytë do të jetë për mënyrën se si qeveria sot e ka trajtuar këtë problem dhe
çfarë ka ndër mend të bëjë pikërisht për këtë fenomen, pra një lloj llogaridhënieje në lidhje me
këtë temë.
Në fund do të kemi një prezantim ose një këndvështrim të disa organizatave të shoqërisë
civile dhe të organizatave të huaja, të cilat do të na thonë se si mundemi ne ta trajtojmë, pra si
të kemi disa zgjidhje në lidhje me këtë problem në mënyrë pragmatiste dhe si t’i riintegrojmë
në shoqëri personat e kthyer (emigrantët e paligjshëm), që shkojnë drejt këtyre vendeve dhe
kthehen në Shqipëri për t’u riintegruar, pra si mundemi ne që jo vetëm t’i riintegrojmë këta
individë, por edhe si ta parandalojmë këtë si fenomen në vitet e ardhshme dhe në muajt e
ardhshëm.
Siç e dini fare mirë, sot kemi një axhendë konkrete se çfarë do të bëjmë.
E para, kemi një raport që Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian e adopton
pothuajse çdo vit dhe ku çdo përfaqësues, që është pjesë e këtij organizmi, ka mundësinë të
komentojë dhe të japë sugjerimet e tij lidhur me raportin.
Kështu që, pikë së pari, do të doja që të gjithë ju, që e keni këtë raport mbi tryezë, ta
shikoni. Pavarësisht se raporti ju ka ardhur edhe me e-mail, besoj se e keni pasur mundësinë të
jepni komentet tuaja në lidhje me raportin për veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Integrimit
Europian për vitin e kaluar.
Kemi marrë disa komente nga Komiteti i Helsinkit në lidhje me raportin vjetor të
Këshillit, të cilat besoj se janë reflektuar. Ne jemi shumë falënderues ndaj Komitetit të
-
4
Helsinkit, që vazhdon të japë kontributin e tij në lidhje me këtë Këshill dhe këtë organizëm,
pikërisht për ta përmirësuar më tej rolin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian.
Pa humbur kohë, do të doja ta adaptojmë këtë raport në mënyrë që t’i kalojë seancës
plenare, për të vijuar më tej me tematikën e ditës lidhur me emigracionin dhe parandalimin e
largimit të punëtorëve dhe të profesionistëve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të Bashkimit
Europian, si dhe të shohim këndvështrimet e ndryshme në lidhje me këtë temë tepër të
rëndësishme.
Nëse jeni dakord, nëse keni komente për raportin vjetor të Këshillit, ky është momenti
për t’i ndarë me ne. Nuk e di nëse prezent kemi një përfaqësues i Komitetit të Helsinkit, i cili
mund të komentojë mbi raportin ose nëse ka diçka për të shtuar. Ky është momenti kur mund
ta bëni propozimin tuaj. Nëse jo, unë e konsideroj këtë raport të miratuar.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Besoj se raporti është votuar nga të gjithë anëtarët. Kështu, quhet i miratuar nga të gjithë
anëtarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian.
Dua tani të hap diskutimin rreth temës që kemi zgjedhur për sot, një temë tepër e
rëndësishme, siç e thashë, që prek emigracionin dhe disa nga propozimet që do të duhet t’i
adoptojmë si vend në mënyrë që ta parandalojmë këtë fenomen muajt në vijim.
Do të doja, në fakt, ta prekja pak këtë temë, nëse më lejohet, për të bërë një pasqyrë se
çfarë ka ndodhur pikërisht vitin e kaluar. Kemi pasur një raport në muajin dhjetor të vitit 2019
(që është publikuar) nga Zyra Mbështetëse Europiane e Azilit, ku pasqyrohen trendet e
azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Patjetër që brenda Bashkimit Europian ky fenomen
është i përhapur dhe dihet, por ajo që, në fakt, vë në dukje raporti është tejet shqetësuese:
Shqipëria renditet ndër vendet, si: Pakistani, Iraku, Turqia, Nigeria, Irani apo edhe Kolumbia,
të cilat quhen vende problematike, që kanë një luftë ose një konflikt të thellë brenda vendit të
tyre. Në fakt, kjo nuk po ndodh në Shqipëri, ne nuk jemi një vend që po përjeton një luftë,
përkundrazi, jemi një vend që pretendojmë të hyjmë në Bashkimin Europian.
Fakti që ne renditemi në këtë lloj pozicionesh, në këto lloj renditjesh, pra me këto vende,
tregon se ky fenomen është vërtet shqetësues.
Ajo çfarë thuhet në këtë raport është se të paktën vetëm në muajin tetor të vitit 2019
kemi pasur një shifër prej 2000 personash që kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit
Europian, theksoj këtu vendet, si: Gjermania dhe Franca apo ndoshta Holanda, por këto janë
dy nga vendet më kryesore. Kujtoj këtu që Franca është një nga vendet skeptike dhe që ka
refuzuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, si dhe ka evidentuar pikërisht këtë problem në
-
5
lidhje me moshapjen e negociatave me vendin tonë. Kësisoj, ndaj tyre duhet të jemi shumë
konkretë në mënyrën se si do ta zgjidhim këtë fenomen.
Nisur nga fakti që tetorin e vitit 2019, pra nga viti 2018 deri në vitin 2019, kemi pasur
një rritje, pra vetëm në një muaj, bëhet fjalë për 2000 persona vetëm në një muaj, ky është një
numër i konsiderueshëm, duke marrë parasysh edhe faktin nëse pastaj evidenton dhe numëron
aplikimet që përsëriten, ky numër rritet edhe më shumë.
Po të bëjmë një matematikë të thjeshtë, ne do të vërejmë se gjatë periudhës
dhjetëmujore të vitit 2019, pra nga janari deri në tetor, ka pasur mbi 20 000 aplikime për azil
në këto vende të Bashkimit Europian.
Po të shikojmë raportin e vitit 2018, ky numër ka qenë diku te 15 000 aplikues, gjë që
do të thotë se trendi është në rritje. Pra, nga viti 2018 në vitin 2019 ka pasur një trend rritës prej
16% të shtetasve shqiptarë drejt këtyre vendeve për të kërkuar azil. Të mos harrojmë këtu çfarë
kanë bërë këto vende: shumica e tyre i kanë refuzuar. Pra, nga mbi 20 000 aplikues, mund të
them se diku te 98% e tyre janë refuzuar. Shifrat janë konkrete. Mund të shikoni edhe raportin
që sapo përmenda, i cili është lehtësisht i aksesueshëm në internet. Ky raport tregon qartë se
numri i azilkërkuesve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, në vitin 2019 është rritur
me 16%. Jo vetëm kaq, por Shqipëria ka një numër azilkërkuesish më të lartë sesa vendet e
rajonit, gati 3,4 herë më shumë sesa Serbia, po ashtu, shumë më shumë të lartë sesa Mali i Zi
dhe sesa vendet e tjera të rajonit. Kjo do të thotë se ne renditemi mes vendeve alarmante në
lidhje me azilkërkuesit në vendet e Bashkimit Europian, problem i cili duhet me patjetër të
frenohet.
Vitet e fundit vëmë re edhe tendencën në rritje të largimit të profesionistëve nga fusha
e shëndetësisë, e teknologjisë së informacionit, e inxhinierisë, si dhe të studentëve të
sapodiplomuar që nuk gjejnë punë në Shqipëri, por shkojnë në vendet e tjera. Kjo, në fakt,
është shqetësuese, sidomos për impaktin social-ekonomik që i shkakton një vendi. Kështu,
mendoj se po largohen njerëz që kanë një status të caktuar në një vend dhe kanë një jetë
mesatare, pra janë profesionistë, janë njerëz që kanë vërtet një rol të rëndësishëm në shoqëri,
në mbarëvajtjen dhe në zhvillimin e saj. Fakti që këta njerëz dhe të kësaj kategorie po largohen
nga Shqipëria është vërtet shqetësues.
Nuk dua ta vazhdoj më tej fjalimin tim, pasi dua t’u jap mundësinë edhe përfaqësuesve
të organizatave të marrin fjalën apo edhe nënkryetarit të Këshillit Kombëtar për Integrimin
Europian, zotit Balla, i cili, jam e sigurt, do të ketë disa fjalë lidhur me këtë temë. Por ne e dimë
-
6
fare mirë që integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një interes kombëtar dhe nuk
i përket një çështjeje të brendshme politike apo partiake.
Ne duhet t’i lëmë këto ndasi, maxhorancë – opozitë, dhe duhet ta trajtojmë këtë problem
seriozisht, duke gjetur mënyrat e duhura për ta zgjidhur këtë fenomen, pasi është vërtet një
fenomen shumë i rëndësishëm dhe, në fakt, tregon qartë se shumë njerëz po largohen. Fakti që
trendi është në rritje tregon se shpresa për vendin tonë ka rënë.
Fjalën e ka zoti Balla, për të vijuar me diskutimet nga pjesëmarrësit lidhur me temën
në rendin e ditës.
Taulant Balla – Përshëndetje të gjithëve!
Faleminderit, zonja Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian!
Pa dyshim që kjo është një çështje dhe një tematikë e rëndësishme, që lidhet
drejtpërdrejt me detyrat e shtëpisë që ka Shqipëria dhe, kur flasim për Shqipërinë, flasim për
përgjegjësitë e secilit prej nesh, qofshin ato të qeverisë, të Kuvendit, të Këshillit Kombëtar për
Integrimin Europian apo edhe të partnerëve të shoqërisë civile për të adresuar dhe për të
bashkëvepruar në ndërgjegjësimin e një pjese të caktuar të popullsisë sonë, që ende nuk e ka
kuptuar që azili në vendet e Bashkimit Europian nuk i ndihmon as ata, as Shqipërinë, sepse kjo
e fundit nuk konsiderohet më prej kohësh si një vend nga i cili mund të jesh grup i caktuar
vulnerabël për t’u trajtuar me azil.
Edhe në shifrat që parashtroi kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,
zonja Hajdari, duket qartë që vetëm më pak se 2% e atyre që kërkojnë azil në vende të caktuara
të Bashkimit Europian, e përfitojnë atë dhe, kryesisht, ose pjesa më e madhe janë vetëm në
Francë. Kjo lidhet edhe me një vakuum të papërditësuar me atë që kanë bërë vendet, si
Gjermania, në legjislacionin e tyre për trajtimin e emigrantëve që kërkojnë azil.
Në këtë kontekst, është i mirëpritur fakti që Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian jo
vetëm sot, por edhe në vijim gjatë këtij viti të mblidhet për t’i diskutuar këto çështje që shkojnë
përtej thjesht plotësimit të kritereve kuadër që ne kemi në rrugën tonë të anëtarësimit në
Bashkimin Europian, për shkak se edhe kriteret... Në fakt, do të doja ta ndaja me ju edhe faktin
që metodologjia e vlerësimit nga partnerët tanë do të ndryshojë. Në datën 29, pra vetëm pas
pak ditësh, Komisioni Europian do të publikojë metodologjinë e re të vlerësimit dhe të
monitorimit të zbatimit të detyrave të shtëpisë nga vendet kandidate në kuadër të vlerësimit
qoftë të ecurisë së procesit të parahapjes së negociatave, qoftë edhe të procesit tjetër që pason,
ku unë jam besimplotë që gjatë këtij viti edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut do të fillojnë
bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.
-
7
Lidhur me metodologjinë e re, që pritet të publikohet javën e ardhshme, vetë Komisioni
Europian ka rikonfirmuar se, paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë
e re të ndryshuar, Komisioni Europian i qëndron rekomandimit se bisedimet për anëtarësim me
Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut duhet të çelen sa më parë. Rekomandimi për hapjen
e bisedimeve për anëtarësim mbetet një konstante e pandryshuar qoftë nga Komisioni
Europian, qoftë nga Parlamenti Europian, madje besoj që edhe brenda 27 vendeve anëtare të
Bashkimit Europian pas datës 31 janar të prevalojë dhe të ketë një konsensus të plotë lidhur me
bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për t’u kthyer tek tematika që kemi përzgjedhur për këtë takim të Këshillit të Integrimit,
dua të theksoj që pikërisht kjo tematikë kërkon një sinergji mbarëkombëtare dhe një
bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk do të doja t’i cekja masat e marra nga
qeveria apo të diskutoja për Strategjinë e Emigracionit të Parregullt, sepse kemi plot
përfaqësues të qeverisë sot që do të flasin me detaje, madje për të qenë korrekt me termin, do
të raportojnë para Kuvendit lidhur me këto çështje, ndaj sot dua të flas për nevojën për të
shkurajuar sadopak të mundemi rënien në batakun e një lajmi të rremë: shqiptarët sot largohen
shumë më shumë sesa pesë apo dhjetë vjet më parë.
Raportimet dhe studimet për trendet demografike për vendin tonë në raport me vendet
e rajonit të Ballkanit janë, në fakt, paksa më optimiste sesa lajmi i rremë. Por kjo nuk duhet të
na pengojë për të qenë të angazhuar në marrjen e masave për ta ndaluar, me aq sa të mundemi,
largimin e qytetarëve tanë nga Shqipëria. Nëse analizojmë fenomenin e emigracionit, ky i
fundit është një faktor konstant për vendin tonë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më
gjerë. Për sa kohë dallimet në të ardhurat për frymë dhe standardet e jetesës ndërmjet vendeve
të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Europës Perëndimore do të vazhdojnë të jenë
në këto nivele, njerëzit do të kenë arsye për të emigruar.
Së fundi, në Portugali gjatë fushatës zgjedhore të zhvilluar dy muaj më parë, një prej
diskutimeve kryesore të dy partive politike, qoftë të socialistëve, qoftë të socialdemokratëve
në opozitë, ishte beteja për të rikthyer në Portugali portugezët nga emigracioni në vendet e tjera
të zhvilluara të Europës. Kështu që ky është një diskutim dhe një debat që zhvillohet në një
kohë të gjatë edhe brenda vetë Bashkimit Europian.
Në linjë për sa po thosha, do të doja të sillja në vëmendje rastin e Kroacisë, e cila më 1
korrik të vitit 2013 filloi rrugën e saj si anëtare e Bashkimit Europian. Kjo nënkupton arritjen
e standardeve në fushën e demokracisë e të ekonomisë që ne synojmë të arrijmë. Megjithatë,
është një fakt i pakundërshtueshëm që nga Kroacia, pas anëtarësimit për periudhën 2013-2016,
-
8
janë larguar më shumë se çerek milioni kroatë, të cilët vendosën të mos jetonin më në Kroaci,
por të zgjidhnin një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për një standard më të lartë
jetese. Prandaj është e qartë që flukset migratore për vendet tona, në veçanti të Ballkanit
Perëndimor, do të vazhdojnë të jenë një realitet i pandalshëm. Por ajo, për të cilën duhet të
punojmë të gjithë së bashku, është të dekurajojmë sa të mundemi arsyet e emigrimit dhe ndër
to duhet të bashkërendojmë një strategji kundër çdolloj forme të kërkimit të azilit të paligjshëm
në secilin prej vendeve.
Rudina, me të drejtë, theksoi Francën, sepse e vetmja arsye pse ende përdoret nga ky
vend i rëndësishëm i Bashkimit Europian, kur bie fjala për kriteret e papërmbushura ose për
shqetësimet që vijnë nga Shqipëria, është një numër i lartë, sipas tyre, i azilkërkuesve shqiptarë,
por që i raportuar në numrin tërësor të azilkërkuesve në Francë është tejet më i vogël ose fare
i papërfillshëm në numrin total të azilkërkuesve. Megjithatë, kjo është një detyrë shtëpie, të
cilën ne duhet ta adresojmë.
Gjatë kësaj jave pata mundësinë të isha i ftuar nga Ambasada Gjermane dhe nga
Projekti i Bashkëpunimit Gjerman në një prej projekteve të riintegrimit të shqiptarëve të
rikthyer në Shqipëri, të cilat janë një hap i shkëlqyer që duhen shtrirë jo vetëm në 12 qarqet e
vendit, por unë mendoj se këto projekte duhen shtrirë në të 61 bashkitë e vendit. Madje, në
bashkëpunimin me shoqërinë civile, ku pjesa më e madhe e aktorëve relevantë të shoqërisë
civile janë këtu sot, ne duhet të kemi mundësinë që qendra të tilla sociale dhe riintegrimi i tyre
jo vetëm në aspektin social, po edhe në aspektin e forcës së punës, duhet të jetë një prej sfidave
tona të përbashkëta.
Është me rëndësi të theksojmë një aspekt që lidhet me fenomenin e emigracionit, i cili
po kthehet, në fakt, në shqetësim. Nëse në dy dekadat e para rajoni paraqiste, flas për rajonin e
Ballkanit në përgjithësi, përgjithësisht karakteristika klasike demografike të vendeve të varfra,
ku emigracioni masiv kompensohej me norma të larta lindshmërie, ajo që po vërehet me
shqetësim në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por në Shqipëri dhe në Kosovë, ku ne
jemi më të informuar lidhur me të dhënat demografike, është se vendi ynë dhe Kosova nuk
bëjnë fare përjashtim. Është fakt që në vitet e fundit po shfaqen karakteristika demografike të
vendeve të pasura, si: rënia e lindshmërisë dhe një popullsi me tendencë plakjeje, ku mosha
mesatare po i afrohet asaj të vendeve të Europës Perëndimore. Instituti i Statistikave e vërteton
këtë fenomen, ku në katër vjetët e fundit vërehet një përgjysmim i asaj që përkufizohet si shtesa
natyrore. Domethënë, diferenca ndërmjet numrit të lindjeve dhe numrit të përgjithshëm të
vdekjeve vazhdon të jetë një shifër në ulje. Ndërsa emigrimi për periudhën 2014-2018 paraqet
-
9
një ulje të lehtë, krahasuar me katërvjeçarin e mëparshëm 2010-2014. Për këtë qëllim, qeveria
dhe të gjithë aktorët duhet të punojnë me hartimin dhe me zbatimin e politikave të mirëfillta
për të ndalur uljen drastike demografike të popullsisë, si një emergjencë kombëtare që mund të
zbusë efektet që mund të ketë nesër në ekonomi një fakt i tillë.
Shumë faleminderit dhe punë të mbarë këtij diskutimi të hapur sot!
Rudina Hajdari – Faleminderit, zoti Balla, për fjalimin e mbajtur!
Së pari, dua të sqaroj diçka për publikun: nuk është faji juaj që e braktisni këtë vend,
sepse qeveria në këtë rast vërtet duhet të ketë një qasje më shumë si mea culpa sesa t’ua kthejë
të gjithë barrën qytetarëve shqiptarë për arsyet pse ata ikin dhe ta kthejnë në një trend
shmangien e përgjegjësive të veta lidhur me këtë fenomen.
Ndoshta është një koment i shkurtër dhe nuk do të doja që ta kthenim në një debat
politik, por është vërtet problem shqetësues me të cilin duhet të merremi bashkërisht për
indiciet: pse shqiptarët sot largohen, duke preferuar të ikin nga Shqipëria drejt vendeve të
Bashkimit Europian; pse pikërisht kjo shtresë e mesme, pra njerëz që kanë një jetë mesatare në
Shqipëri, kanë mundësi të jetojnë, pasi janë profesionistë: infermierë, doktorë, avokatë e të
tjerë... Është me të vërtetë një problem shqetësues lidhur me impaktin që kjo gjë ka në
shoqërinë tonë për zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë.
Nëse ne vërtet duhet të marrim një përqasje produktive, besoj se duhet të jemi sa më të
hapur dhe të pranojmë përgjegjësitë tona, e para, si klasë politike, sepse edhe politika nuk ka
qenë një faktor stabilizues në Shqipëri, që e ka ndihmuar këtë fenomen, përkundrazi, e ka
zhvilluar edhe më shumë. Trendi dhe raportet janë të qarta, e zeza mbi të bardhë, se ka pasur
një rritje në trend dhe, absolutisht, nuk e sheshon faktin që, meqenëse po ndodh edhe në vendet
e tjera, pra në qoftë se krahasohemi me Kroacinë apo me vendet e tjera.
Duhet marrë parasysh për publikun që çdo shtet ka demografinë e tij dhe Kroacia ka
një demografi më të madhe, ka një popullsi më të madhe sesa Shqipëria. Kështu që patjetër do
të ketë edhe një numër më të madh, por, gjithsesi, duhen marrë parasysh edhe shumë faktorë
të tjerë në momentin kur bëhet kjo lloj analize. Pra, të kemi një qasje paksa më të niveluar dhe
të mos bëjmë krahasime të tilla pa qenë të qartë me publikun.
Besoj se është e qartë që ky fenomen është një plagë në shoqërinë tonë sot. Çdo ditë ne
dëgjojmë njerëz që duan të largohen nga Shqipëria dhe kjo është vërtet një fatkeqësi shumë e
madhe. Patjetër që nuk është një fenomen i ri, por është një fenomen në rritje.
Do të doja që në diskutim t’ua japim fjalën edhe përfaqësuesve të qeverisë. Prezentë
kemi zonjën Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme, zonjën Xhafaj, drejtoreshë e
-
10
Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zonjën Guga,
zëvendësministre e Arsimit, si dhe përfaqësuesen e delegacionit të Bashkimit Europian në
Shqipëri, zonjën Lenka Vitkova, e cila do të flasë lidhur me zbatimin e Strategjisë së
Emigracionit, se çfarë kanë bërë ata deri sot në lidhje me këtë fenomen dhe çfarë kanë ndër
mend të bëjnë muajt në vijim, duke pasur parasysh se është një problem prej vendeve skeptike,
të cilat po bllokojnë procesin tonë të hapjes së negociatave.
Pa humbur kohë, dua t’ia jap fjalën fillimisht këtij paneli, për të vijuar më pas me një
panel tjetër, i cili do të trajtojë temën e impaktit të largimit të punëtorëve të kualifikuar, pra
kemi përfaqësues nga Konfederata e Sindikatave, zotin Kolë Nikolla, kryetari i kësaj
konfederate.
Kemi edhe zotin Sykja nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Në pjesën e tretë do të flasim me disa nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët kanë
prezantuar projekte të ndryshme ne fushën e emigracionit dhe propozime konkrete për
parandalimin e largimit të punëtorëve të kualifikuar dhe profesionistë, si dhe integrimin e
personave të rikthyer.
Për të folur mbi këtë temë, ne kemi zonjën Alma Jani, drejtoreshë e zyrës së Organizatës
Ndërkombëtare të Emigracionit, po ashtu kemi edhe zotin Florenc Qosja nga GIZ-i, një
organizatë e mirënjohur gjermane.
Urdhëroni, zonja Voda!
Rovena Voda – Faleminderit për ftesën!
E nderuar zonja Hajdari, kryetare e Këshillit Kombëtar,
I nderuar zoti Balla, nënkryetar i komisionit,
Të nderuar pjesëmarrës,
Unë ndaj të njëjtin qëndrim, por do të nisem nga fjala kyç që përmendi zoti Balla, kur
tha se kjo është një çështje e të gjithëve. Pra, kjo nuk është vetëm një çështje e qeverisë, nuk
është një çështje vetëm e parlamentit, por është një çështje e të gjithëve, sepse migracioni është
një fenomen social, por si shumë fenomene të tjera lidhet edhe me sigurinë.
Ministria e Brendshme, institucioni që unë përfaqësoj, luan një rol kyç në menaxhimin
dhe kontrollin e lëvizjes së shtetasve shqiptar jashtë territorit të vendeve të BE-së.
Për sa i përket migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë për periudhën 2015-2018
lëvizjet migratore janë drejtuar kryesisht drejt vendeve të BE-së dhe kanë si karakteristikë
keqpërdorimin e së drejtës së lëvizjes së lirë në zonën “Shengen” dhe kërkimin e azilit në këto
-
11
vende për motive ekonomike. Sidoqoftë kjo prirje migratore ka shënuar rënie gjatë periudhës
2015-1018.
Një prirje tjetër që vërehet është ajo e migrimit të të miturve të pashoqëruar, kryesisht
drejt Italisë, Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar e të tjera. Sidoqoftë, numri i këtyre të
miturve, sidomos i atyre që kërkojnë azil në vendet e BE-së, ka ardhur duke rënë në periudhën
2015-2018, nga 1065 kërkesa për azil në vitin 2015, në 485 për vitin 2018. Pavarësisht kësaj,
përballja me këtë fenomen mbetet një sfidë për të gjithë ne.
Nga shifrat e vitit 2019, të cilave u referohemi duke u mbështetur edhe te EUROSTAT-
it, që është një faqe zyrtare tepër e besueshme, për të cilën askush nuk mund të ngrejë dyshime,
për momentin, duke futur edhe muajin tetor, del se rritja deri tani (nuk është 16% siç e përmendi
zonja kryetare) është 10% dhe lajmet e mira që vijnë janë se për muajin nëntor dhe dhjetor ka
rënie sërish të numrin të azilkërkuesve dhe unë shpresoj që kur të kemi një shifër totale për
vitin 2019, të kemi ndonjë përqindje akoma më të vogël. Sigurisht që kjo është e rëndësishme,
sepse në fund të fundit tregon të gjitha përpjekjet tona për ta menaxhuar në një farë mënyre
këtë fenomen. Vëmendja e qeverisë nuk ka munguar. Duke filluar që nga viti 2018, edhe pse
shënon vitin me rënien më të madhe të numrit të azilkërkuesve shqiptarë, pas vitit 2015, sepse
u kthye në një trend.
Për këtë shkak unë dua të rikthehem pak në histori, për të kujtuar lëvizjen e madhe
migratore nga vendet e treta drejt Europës, duke krijuar edhe një lloj trendi edhe për të gjithë
ata qytetarë shqiptarë, të cilët menduan se azilkërkimi do të ishte rruga më e lehtë për të
ndërtuar një jetë jashtë Shqipërisë.
Ministria e Brendshme, si ministria përgjegjëse për çështjet e migracionit dhe azilit, i
propozoi qeverisë, Kryeministrit, të nxirrte një urdhër për të ngritur një grup pune për të
miratuar dhe për të draftuar strategjinë kombëtare të qeverisjes së migracionit.
Të them të vërtetën, u treguam pak ambiciozë me fjalën “qeverisje migracioni”, sepse
zakonisht, kur flasim për migracionin, ne flasim për menaxhim të këtij fenomeni, pra
menaxhim të migracionit, por ne donim të shkonim përtej, falë edhe ndihmës dhe konsultës që
na kanë dhënë organizatat ndërkombëtare që kanë punuar ngushtësisht me ne. Këtu kemi edhe
IOM-im, Organizatën e Kombeve të Bashkuara që merret me çështjet e migracionit, me të cilin
punojmë shumë ngushtë.
Sigurisht, urdhri i Kryeministrit doli, u ngrit grupi ndërinstitucional i punës dhe në
qershor të vitit 2019, me VKM u miratua strategjia kombëtare dhe plani i veprimit 2019-2022
(pra, kjo është një strategji e re) për qeverisjen e migracionit.
-
12
Pas botimit në Fletoren Zyrtare, kjo VKM ka hyrë në fuqi dhe jemi në fazat e para të
implementimit, duke qenë ambiciozë, jo vetëm se kemi një strategji apo një plan veprimi të
shkruar në letër, por që ne kemi filluar punën për ngritjen e sekretariatit teknik, i cili tashmë
është ngritur, duke caktuar pikat e kontaktit, personat përgjegjës në çd; ministri ku ne do të
shkëmbejmë të dhëna mujore lidhur me aktivitetet për të cilat ato janë përgjegjës dhe jemi në
fazën e konstituimit e një komiteti. Për herë të parë, për sa i përket pjesës së monitorimit të
kësaj strategjie, pra ku Ministria e Brendshme është lider, do të kemi një komitet që në një
nivel më të lartë do të monitorojë këtë strategji. Ky komitet drejtohet nga zëvendësministri i
Brendshëm, që mbulon çështjet e migracionit dhe në përbërje ka zëvendësministra të të gjitha
ministrive të linjës, të Arsimit, të Shëndetësisë, të Mirëqenies Sociale, Ekonomisë dhe
Financave e të tjera.
Ky komitet në fund të çdo viti, duke parë edhe trendin e migracionit, por edhe realizimin
e aktiviteteve dhe masave përgjegjëse të çdo institucioni, do të mundet pastaj, nëse ka vend për
të bërë sugjerime, t’i sugjerojë Këshillit të Ministrave, ndryshime në strategji apo plan veprimi,
si dhe propozime për akte ligjore apo akte nënligjore, të cilat çojnë në uljen e numrit të
largimeve në mënyrë të parregullt të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të BE-së, por edhe
menaxhimit të strategjisë së orientimit të njerëzve drejt një migracioni të rregullt. Kjo është
shumë e rëndësishme, migracioni i rregullt, se nuk mund ta ndalojmë si fenomen, pra duhet të
krijojmë bazën e një migracioni të rregullt.
Për sa i përket Ministrisë së Brendshme, ajo ka fushë veprimi forcimin e kontrollit
kufitar në pikët e kalimit kufitar, por edhe në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe në
portet kryesore, kryesisht të Durrësit dhe të Vlorës.
Kontrollet e Policisë Kufitare dhe të Migracionit janë shtuar vitet e fundit dhe kjo është
e pasqyruar edhe me në shifra. Kemi shumë shtetas shqiptarë, të cilët janë kthyer në kufi, ju
është mohuar e drejta e lëvizjes së lirë drejtë vendeve të BE-së, masa këto tepër të forta, por që
shkojnë në linjë, më lejon të them, sepse shpeshherë të tërë jemi në një linjë të hollë ndarjeje
midis forcimit të kontrollit kufitar, por edhe respektimit të lëvizjes së lirë. Pra, ajo çfarë duam
dhe kemi si qëllim është forcimi i kontrollit kufitar, respektim të kritereve të lëvizjes në zonën
“Shengen”, por edhe respektim i të drejtave të njeriut. Ky ka qenë fokusi i Ministrisë së
Brendshme dhe i Policisë së Shtetit.
Numri i shtetasve shqiptarë të kthyer, që nuk kanë plotësuar dokumentacionin për të
udhëtuar drejt vendeve të BE-së, në fakt ka qenë në rritje deri në vitin 2018. Ka pasur një ulje
të kthimit të tyre në vitin 2019, kryesisht për shtetasit e rritur, por ka pasur rritje për sa i përket
-
13
të të miturve të pashoqëruar. Pra, fokusi ka qenë për të ndaluar të miturit e pashoqëruar jashtë
territorit të RSH-së.
Policia Kufitare dhe e Migracionit, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë, edhe me
misionin mbështetës të BE-së, PAMECA, por edhe të asistuar nga oficerë kontakti të ambasade
të vendeve tona partnere që mbulojnë çështjet e kufirit, kanë marrë trajnime të shumta, pra
duke u trajnuar me kurrikula më të fundit të policive kufitare dhe të migracionit, kryesit të
FRONTEX-it, në lidhje edhe me kontrollet që kryhen në kufi.
Duhet përmendur që është një vlerë e shtuar implementimi dhe hyrja në fuqi e
marrëveshjes me FRONTEX-in, agjencisë europiane për monitorimin e kufirit tokësor dhe
detar.
Kjo ka qenë një nga arritje më të mëdha të Shqipërisë, e theksuar kjo edhe në
progresraportin e fundit, bashkë me strategjinë kombëtare për qeverisjen e migracionit.
Shqipëria është vendi i parë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që jo vetëm e ka miratuar këtë
marrëveshje, por edhe e ka implementuar atë. Sot ne kemi misione të FRONTEX-it që punojnë
bashkë me oficerët tanë të kufirit dhe migracionit në pikat e kalimit kufitar.
Kjo është një vlerë e shtuar për sa i përket kapaciteteve njerëzore dhe logjistike,
sigurisht edhe përfitim i trajnimit të oficerëve tanë në punë, duke punuar bashkë me oficerët e
FRONTEX-it.
Zbatimi i planit të masave ka qenë një fokus tjetër i Policisë së Shtetit:
- parandalimi i fenomenit të azilkërkimit të shtetasve shqiptarë në vendet e “Shengenit”
të BE-së për vitin 2019 (pra ka një plan të dedikuar);
- forcimi i kontrollit të shtetasve shqiptarë;
- kontrolli i detajuar për minorenët;
- zbatimi i dy planeve të veprimit për adresimin e çështjes së minoreneve shqiptarë të
pashoqëruar në Itali dhe çështjes së azilkërkuesve shqiptarë kryesisht në Francë;
- rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit;
- intensifikimi i operacioneve të rikthimit të shtetasve shqiptarë në bashkëpunim me
FRONTEX-in, me ekspertë shqiptarë;
- bashkëpunim intensiv dhe shkëmbim informacioni me autoritetet homologe për
kufirin dhe migracionin të vendeve fqinje, Mali i Zi, Kosovë, Maqedonia e Veriut, gjithashtu
edhe me dy vendet anëtare të BE-së, Greqi dhe Itali.
Më lejoni të them që në kuadër të përmbushjes së detyrimeve tona dhe të strategjisë
kombëtare për migracionin, për parandalimin e këtij fenomeni janë marrë masa të reja shtesë,
-
14
ku përmendim urdhrin e ministrit të Brendshëm, të datës 20 dhjetor 2019 “Për forcimin e
kontrollit të shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin shtetëror, si dhe urdhrin e ministrit të
Brendshëm, nr. 640, datë 20.12.2019 “Për përcaktimin e rregullave të veçanta të kalimit të
shtetasve shqiptarë të mitur në kufi”.
Sigurisht, bashkëpunimi shumë i ngushtë me vendet e BE-së, të cilat kryesisht e kanë
një lloj problematike lëvizjen jo të rregullt të shtetasve shqiptarë drejt tyre, ka qenë një
bashkëpunim shumë i ngushtë dhe intensiv, duke nisur që nga nivelet më të larta, nivel
ministrash, por edhe në nivel drejtorësh të përgjithshëm të policisë, por edhe të drejtorëve të
departamenteve të kufirit dhe migracionit.
Bashkëpunimi me Gjermaninë ka qenë tejet intensiv. Kemi një ulje të numrit të
azilkërkuesve në Gjermani në krahasim më vite më parë. Me Francën kemi ende disa
problematika, por pa dashur absolutisht të justifikoj apo të justifikohem përpara jush, Franca
është një nga vendet që ka një legjislacion miqësor lidhur me çështjet e azilkërkimit dhe ajo që
ne kemi kërkuar nga ata është ndarja e informacionit dhe e të qenurit transparent me ne. Ata
kanë disa rregulla dhe janë pak skeptikë në ndarjen e informacionit të detajuar apo shkëmbimit
të informacionit për shkak se një pjesë e menaxhimit të kësaj situate menaxhohet edhe nga
institucione të tjera që nuk janë shtetërore, siç është OFRA, që në fakt është një institucion që
lidhet me drejtat e njeriut dhe ka rregullat e veta specifike dhe janë pak hermetikë. Ajo çfarë
duam ne është transparenca.
Të gjitha vendet e BE-së kanë rritur e numrin e operacioneve për të kthyer shtetas
shqiptarë, që nuk i përmbushin kërkesat për azil. Kjo vlen për të dekurajuar të gjithë ata qytetarë
shqiptarë, që harxhojnë edhe paratë e tyre shpeshherë për të udhëtuar drejt këtyre vendeve, në
një farë mënyrë duke rrezikuar në një rrugë pa krye, sepse kemi një rritje me 10% të numrit të
azilkërkuesve, por kemi një ulje me 27% të numrit të riatdhesimeve. Pra, këto dy shifra mua
nuk më përputhen dhe kjo është një sfidë e përbashkët edhe për ne, por edhe për këto vende.
Ne kemi punuar fort për sa u përket fushatave të ndërgjegjësimit. Njerëzit kanë nevojë
për informacion dhe ne, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe IOM-in, kemi
bërë dy fushata shumë të mira për parandalimin e migracionit me titullin “Zgjidh mundësinë
dhe jo migracionin e parregullt”. Këto fushata kanë pasur impaktin e tyre pozitiv, kryesisht te
grupet vulnerabël.
Faleminderit!
Rudina Hajdari – Faleminderit, zonja Voda!
-
15
Duke qenë se e kemi kohën e limituar, do të doja që çdo folës në panel t’i përmbahet
kohës prej 10 minutash dhe mos ta kalojnë këtë limit kohor.
Zonja Xhafaj është këtu si përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të kisha
dëshirë që ajo të na fliste rreth çështjes së largimit të mjekëve nga Shqipëria. Po të shohim një
raport të fundit që i përket pikërisht largimit të mjekëve nga Shqipëria, një raport i mbështetur
nga fondacioni “Friedrich Ebert” në vitin 2018, ai tregon se numri i mjekëve për 1000 banorë
në Shqipëri është më i ulëti në rajon (për 1000 banorë ne kemi 1,2 mjekë). Mjekët shqiptarë
kanë një barrë shumë të madhe në lidhje me pacientët që ata trajtojnë.
Fakti që shumë mjekë dhe infermierë po largohen nga Shqipëria është shumë
shqetësues.
Në këtë raport theksohen arsyet pse mjekët po largohen nga vendi, dhe shtytësit
kryesorë është mungesa e serioziteti në punë, kushtet e punës si dhe mbështetja e ulët
financiare.
Për këto dhe çështje të tjera kam dëshirë që t’ia jepja fjalën zonjës Xhafaj.
Merita Xhafaj - Faleminderit!
Të nderuar deputetë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju kërkoj ndjesë, sepse kam ardhur në vend të zëvendësministres së Shëndetësisë,
zonjës Kospiri, dhe në pamundësi të pranisë së doktoreshë Rakacolli, dhe në këto rrethana unë
nuk kam pasur pyetje specifike paraprakisht. Megjithatë, në zbatim të prioriteteve të qeverisë
shqiptare, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka marrë një sërë masash në drejtim
të plotësimit të objektivit “d” të strategjisë së migracionit, i cili është i lidhur me promovimin
dhe mbrojtjen e të drejtave të imigrantëve dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Është pikërisht ky objektiv për të cilin ne kemi raportuar. Sikurse edhe zonja Voda e
theksoi, kjo strategji është miratuar me VKM-në nr. 400, në qershor të vitit 2019. Ne po
raportojmë për një periudhë 6-mujore, për punën që është bërë nga të gjitha strukturat dhe
institucionet e shtetit shqiptar.
Janë marrë një sërë masash nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në
drejtim të plotësimit dhe të integrimit social të të gjithë njerëzve dhe në mënyrë të veçantë të
atyre që vijnë nga grupet vulnerabël.
Një nga këto është reforma e ndihmës ekonomike, jo vetëm si reformë në drejtim të
dixhitalizimit dhe të transparencës së sistemimit, por në të njëjtën kohë edhe nëpërmjet një
marrëveshjeje me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe të Formimit Profesional për të
-
16
siguruar që gjatë vitit 2019 rreth 2852 persona që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike,
t’u krijohet mundësia dhe të integrohen në tregun e punës. Për të njëjtën arsye, për integrimin
e njerëzve vulnerabël në tregun e punës, gjatë vitit të kaluar, qeveria shqiptare nëpërmjet
Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur ndërmarrjet sociale. Këto
ndërmarrje janë një mekanizëm, i cili mundëson punësimin e të gjithë atyre që vijnë nga
shtresat vulnerabël dhe që është e pamundur të punësohen në tregun e punës për arsye të
ndryshme. Është dhënë statusi i ndërmarrjes sociale për 6 subjekte të tilla, OJF, dhe vazhdon
procesi për financimin e ndërmarrjes sociale për tre vitet në vazhdim.
Njëkohësisht është ngritur mekanizmi financiar i fondit social nëpërmjet të cilit të gjitha
bashkitë që kanë hartuar plane sociale në nivel lokal, mbështeten financiarisht nga buxheti i
shtetit. Kjo mbështetje financiare konsiston në ngritjen e shërbimeve sociale të munguara në
ato bashki në të cilat akoma nuk ka shërbime sociale për shtresat në nevojë.
Për këtë arsye fondi social i akorduar është rreth 90 milionë lekë dhe do të vazhdojë të
disbursohet për bashkitë, të cilat do të aplikojnë në tre vjetët e para. Aktualisht është disbursuar
fondi për 14 bashki, të cilat kanë qenë fituese në aplikimin e tyre.
Do të vija në fokus, gjithashtu, fëmijët. Sikurse u përmend edhe nga zonja Voda, që nga
momenti i miratimit të strategjisë, ne kemi pasur 33 fëmijë të kthyer, kryesisht nga Gjermania
dhe Suedia, si dhe janë edhe 78 fëmijë për të cilët po ndiqet procesi i vlerësimit për rikthimin
e tyre në vendin e origjinës. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale
ka propozuar dhe është miratuar VKM-ja “Për procedurat dhe rregullat e kthimit dhe
riatdhesimit të fëmijës”. Zbatimi i këtij vendimi dhe i këtyre procedurave kanë bërë të mundur
që të pajisen me dokumente dhe të riatdhesohen edhe fëmijë të cilët nuk kanë qenë të shoqëruar
nga prindërit.
Një nga elementet e tjerë që ka ndikuar në zhvillimet demografike dhe në lëvizjet e
qytetarëve ka qenë edhe nisma e Kryeministrit për vendosjen e bonusit të bebes. Kjo ka bërë
që edhe ata fëmijë, të cilët kanë lindur jashtë territorit të Shqipërisë të kthehen dhe të
regjistrohen në Shqipëri për arsye se u ka lindur e drejta për përfitimin e bonusit të bebes për
40 mijë lekë të reja për fëmijën e parë, 80 mijë lekë të reja për fëmijën e dytë dhe 120 lekë të
reja për fëmijën e tretë.
Kontingjenti që është më i prirur për të emigruar jeton në zonat rurale. Për këtë arsye
janë dhënë mbështetje të shumta dhe në mënyrë të veçantë ngritja e shërbimeve për viktimat e
dhunës në familje, mundësia e fuqizimit të grave brenda familjes, mundësia e përfitimit të
ndihmës ekonomike nga gratë dhe jo vetëm nga burri si kryefamiljar, si dhe masa të tjera që
-
17
qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka marrë në
drejtim të fuqizimit të familjes. E njëjta gjë është bërë edhe me zbatimin e planit të veprimit
për fëmijët në shfrytëzim ekonomik dhe fëmijët në situatë rruge.
Në drejtim të mbulimit shëndetësor universal, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes
Sociale, sikurse e keni parë edhe vetë, ka hequr përdorimin e kartës së shëndetit dhe çdo qytetar,
nëpërmjet paraqitjes së kartës së identitetit përfiton shërbim shëndetësor falas, pavarësisht nëse
ka paguar apo jo kontributin për sigurimin shëndetësor.
Në të njëjtën kohë janë krijuar paketa shëndetësore dhe janë fuqizuar paketat
shëndetësore, të cilat janë në drejtim të disa specialiteteve të veçanta, si hemodinamika apo
dializa.
Ka pasur disa studime dhe raporte, të cilat bazohen në disa intervista. Duhet të jemi
shumë koshientë që nuk është vetëm Shqipëria, por ka edhe vende shumë të zhvilluara të
Europës në të cilat mjekët lëvizin. Në lëvizje e madhe e mjekëve ka ndodhur në Greqi,
menjëherë pas ndryshimeve dhe situatës së krizës. E njëjta gjë ka ndodhur me mjekët në Itali,
të cilat kanë shkuar në Angli dhe po të shohim numrin është shumë më i madh se numri i
mjekëve tanë që paraqitet në këto raporte.
Unë mendoj se tanë që janë hapur dyert dhe lëvizja është e lirë, kjo është një arritje për
vendin tonë, sepse secili ka mundësi të punojë atje ku ka dëshirë dhe ku i intereson.
Qeveria shqiptarë ka marrë një sërë masash dhe unë mund të them, jo vetëm mendimin
tim personal, por të të gjithë mjekëve, se për herë të parë mbrohet figura e mjekut, e cila është
cenuar dhe jo pak nga pacientë me probleme apo qytetarë të papërgjegjshëm dhe mbrojtja e
figurës së mjekut ka sjellë integritetin, rritjen e personalitetit dhe të reputacionit në vendin e
punës, bazuar në profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë me të cilën ata punojnë.
Nga ana tjetër, ne kemi bërë një sërë mbështetjesh dhe incentivash dhe përsëri qeveria
shqiptare ka miratuar vendimin për bonusit e mjekëve specializantë, të cilët do të shkojnë në
ato vende ku ka nevojë për specialistë të veçantë (bonusi është 250 mijë lekë të reja). Aktualisht
janë 23 mjekë të cilët paguhem me bonus dhe punojnë në zonat rurale.
E njëjta gjë ndodh edhe me specializimet. Ka pasur një kohë të gjatë që u bllokuan
specializimet, kurse këto dy vitet e fundit u hapën sërish. Në vitin 2029 janë rreth 236 mjekë
specializantë, të cilët përfunduan specializimet dhe janë shpërndarë nëpër të gjitha zonat apo
rajonet, ku mungojnë mjekët specializantë sipas nevojave dhe kërkesave. Kjo nuk do të thotë
se janë plotësuar të gjitha nevojat. Natyrisht, ne jemi në fazën e përmirësimit dhe investimit në
sektorin e shëndetësisë.
-
18
Në qoftë se do të shikoni investimet në sektorin e shëndetësisë, ato janë të lidhura direkt
me përmirësimin dhe fuqizimin e sistemit dhe me mbulimin universal shëndetësor dhe janë
shumë të dukshme investimet në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës, në drejtim të
modernizimit të pajisjeve dhe teknologjisë shëndetësore, në drejtim të sjelljes së
medikamenteve dhe paketave në ndihmë të qytetarëve, por edhe në drejtim të fuqizimit të
kapaciteteve. Përgatitja e specializantëve është një nga drejtimet kryesore, për të përgatitur
specialistë të rinj në fushën e shëndetësisë, në të gjithë sektorët ku ka nevojë. Konkretisht, ne
e kemi të plotësuar të gjithë numrin e mjekëve dhe infermierëve. Është gjë shumë pozitive, që
kanë filluar të futen sistemet digjitale edhe në sektorin shëndetësor, qoftë në shërbimin
shëndetësor, qoftë në sistemet e referimit, duke shkurtuar dhe hequr këtu masën e korrupsionit,
duke e reduktuar në maksimum atë në këtë sektor, si dhe duke përmirësuar në mënyrë të
ndjeshme imazhin e shërbimit shëndetësor.
Faleminderit!
Rudina Hajdari – Faleminderit, zonja Xhafaj, për prezantimin tuaj në lidhje me këtë
temë.
Në fakt, do të doja t’i përmbaheshim temës dhe të mos kalonim në tema të tjera, sepse
kemi një hark kohor goxha të shkurtër. Tani do të doja t’ia jepja fjalën zonjës zëvendësministre
të Financave, zonjës Sorensen, për të na folur në lidhje me politikat që ka ndërmarrë kjo ministri
sa i takon punësimit. Papunësia në Shqipëri është një fenomen i ditur tashmë. Kemi një nivel
papunësie goxha të lartë, gjë që është një tjetër arsye që i bën shqiptarët të ikin nga Shqipëria,
sepse nuk ka mundësi punësimi, sidomos për të rinjtë, mes të cilëve papunësia është goxha e
lartë.
Do të doja të dija nëse kjo ministri ka ndërmarrë hapa konkrete në lidhje me frenimin e
largimit të shqiptarëve, në veçanti për ata pak persona të cilët janë rikthyer nga emigracioni.
Pra, nëse kanë ndërmarrë hapa konkrete në lidhje me këtë fenomen, në lidhje me politikën e
punësimit të këtyre personave.
Zonja Dajna Sorensen, fjala është për ju!
Dajna Sorensen – Përshëndetje!
Faleminderit, kryetare!
Kënaqësi që ndodhem sot këtu.
Faktikisht, do të doja ta filloja me një statistikë të përgjithshme të INSTAT-it, në lidhje
me të anketuarit mes personave që largohen, si dhe arsyeve pse ata emigrojnë. Faktikisht, vetëm
-
19
4, 9 % e tyre thonë se emigrojnë ngaqë nuk kanë punë, pra ngaqë janë të papunë. Ama 84 % e
tyre thonë se kanë nevojë për punë më të mira, për kushte pune më të mira.
Unë mendoj se fija e përbashkët që na lidh, fija e përbashkët e të gjithë parafolësve,
është fakti se ne bashkëndajmë një përgjegjësi për sigurimin e kushteve, të cilat përbëjnë një
element shtesë, që qytetarët të qëndrojnë në Shqipëri. Në veçanti bashkëndajmë një përgjegjësi
me sektorin privat, për të garantuar kushte më të mira pune, dhe elementi i dytë, shumë i
rëndësishëm: paga më të denja për punonjësit.
Normalisht, patjetër që do të flas për politikat e punësimit, por do të doja ta nënvizoja
këtë element shumë të rëndësishëm, i cili bën diferencë mjaft të madhe për të gjithë ata që
kontemplojnë pjesën e migrimit.
Tani, për sa u përket disa elementeve dhe politikave që ne kemi ndjekur, do të doja të
nënvizoja edhe një shifër tjetër; nga 33 mijë vende pune, që u krijuan në periudhën nga viti
2018 deri në mesin e 2019-ës në Shqipëri, 22 mijë vende pune ishin për të rinjtë. Në terma
nominalë, kjo do të thotë se ekonomia jonë po gjeneron mjaftueshëm punësim për të rinjtë.
Megjithatë, cilësia e vendeve të punës që po krijohen është e polarizuar. Po krijohen vende
pune që kërkojnë kualifikime shumë të larta, sikurse po krijohen dhe vende pune që nuk
kërkojnë kualifikime shumë të larta, ndërkohë që niveli i aftësive është i ndërmjetëm.
Përgjegjësia që na lind neve, në veçanti neve si ministri përgjegjëse në lidhje me pjesën
e arsimit profesional dhe të punësimit të këtyre individëve, është të garantojmë mundësi për
punësim e për kualifikim të vazhdueshëm të qytetarëve shqiptarë të të gjitha moshave. Kjo
është një përgjegjësi që ne e bashkëndajmë edhe me Ministrinë e Arsimit, për të garantuar një
sistem, i cili i jep individit mundësinë të hyjë e të dalë sa herë t’i lindë nevoja në sistemin
arsimor, qoftë ky arsim i përgjithshëm, qoftë profesional, qoftë i lartë, që të ketë mundësi të
rritet profesionalisht dhe të përditësojë aftësitë e tij.
Në këtë këndvështrim, unë mendoj se sistemi ynë është ende i ngurtë, dhe ka shumë
gjëra që ne mund të ndërmarrim, me qëllim që ta ndryshojmë atë.
Sa u përket politikave nxitëse në vetvete, do të doja të nënvizoja disa elementë. Në
radhë të parë, ne rishikuam strategjinë kombëtare për punësim dhe aftësi, duke u mëshuar
shumë këtyre elementeve. Kjo strategji u miratua në tetor të 2019-ës. Kemi një plan specifik
veprimi, ku fokusi primar është përqendruar tek të rinjtë.
Do të doja t’ju jepja disa shifra të 2019-ës, për sa i përket nxitjes së punësimit të të
rinjve. Nga 28 mijë e 511 punëkërkues të papunë, të cilët u punësuan në Shqipëri nëpërmjet
zyrave të punës, gjatë periudhës janar-nëntor, sepse shifrat i kam deri në nëntor, nga këta 28
-
20
mijë e 511 persona, 13 mijë 249 ishin të rinj. Pra, 46 % e atyre që zyrat e punës kanë
ndërmjetësuar në punësim, janë të rinj.
Këtë dua ta vë përballë faktit që, nëse shohim numrin e të rinjve të regjistruar pranë
zyrave të punës, ai numër është relativisht i ulët. Ne kemi pranë zyrave të punës shumë më pak
të rinj nga ç’duhet të kemi realisht. këtu na lind neve detyra që t’i atraktojmë më afër zyrave të
punës këta të rinj e të reja. Kemi shumë punë për të bërë, që t’i afrojmë dhe t’u mundësojmë
atyre punësim. Megjithatë, në fokusin tonë po i japim prioritet pikërisht kësaj grupmoshe.
Ky ishte ndërmjetësimi në punësim.
Për sa i përket politikave aktive të punësimit, këtu kemi dy elementë shumë të
rëndësishëm. Ne kemi ndryshuar totalisht, rrënjësisht programet e nxitjes së punësimit. Janë
miratuar vetëm javën e kaluar, me vendim të Këshillit të Ministrave. Këtu ka disa risi.
Në radhë të parë, i kemi dhënë prioritet të rinjve në të gjitha programet e nxitjes së
punësimit. Së dyti, u kemi mundësuar, sidomos të rinjve vulnerabël, disa shërbime shtesë. Jo
të gjithë të rinjtë janë njëlloj. Të jesh i ri, je më i disavantazhuar në tregun e punës, se sa dikush
që ka një eksperiencë pune, por ama të jesh i ri rom është shumë më e vështirë në tregun e
punës. Të jesh i ri rom, por të jesh edhe femër, është akoma më e vështirë për t’u integruar në
tregun e punës. Për këtë, bazuar në vulnerabilitetin e qytetarëve, ne kemi konceptuar paketa
shtesë, të cilat do t’i ndihmojnë ata për t’u integruar në tregun e punës. Dy mesazhet kryesore
që kemi marrë nga qytetarët, sidomos nga zonjat, janë: i para garantimi i transportit, i dyti
shërbimi i përkujdesjes së fëmijëve.
Me kalimin e programeve të reja, me miratimin e programeve të reja javën e kaluar, ne
kemi parashikuar një trajtim financiar për këto dy kategori, që ata të marrin bonus falë
vulnerabilitetit të tyre.
Sa i përket zbatimit të programit të nxitjes së punësimit në 2019-ën, në total, në nivel
vendi, nga paketat aktive të nxitjes së punësimit, kanë përfituar 4161 individë, nga të cilët,
grupmoshës 15-29 vjeç i përkasin 56 % e tyre, ose 2310 individë. Pra, edhe në programet e
nxitjes së punësimit, ne u kemi dhënë prioritet të rinjve.
Në gamën e programeve, në 2020-ën, për herë të parë do të zbatojmë edhe një program
vetëpunësimi. Pse e kemi futur këtë si program? E kemi futur sepse tradicionalisht, programet
nxitjes së punësimit kanë targetuar vetëm fashat më vulnerabël të shoqërisë. Megjithatë, ne
duhet të krijojmë mundësi punësimi edhe për ata individë, të cilët duan të hapin biznesin e tyre,
e që kanë mundësi për një gjë të tillë. Për herë të parë, në 2020-ën do të kemi pikërisht një
program për vetëpunësimin e të rinjve.
-
21
Zonja Hajdari bëri një pyetje edhe në lidhje me çfarë po bëjmë ne, aktualisht, për të
asistuar emigrantët e kthyer në Shqipëri.
Në fund të nëntorit të 2019-ës kemi pasur 567 qytetarë, individë të kthyer, të cilët janë
regjistruar dhe kanë marrë shërbime punësimi. Regjistrimi pranë zyrave të punës është
vullnetar, kështu që, jo domosdoshmërisht të gjithë ata që rikthehen, vijnë pranë zyrave të
punës.
Nga 567 persona që kemi pasur të regjistruar, 58 prej tyre janë punësuar gjatë periudhës
janar-nëntor 2019. Domethënë, një e katërta e tyre janë asistuar në mënyrë të drejtpërdrejtë,
për t’u integruar në tregun e punës. Kjo është përveç shërbimeve standarde që ata marrin,
këshillim, informim për tregun e punës, dhe mund të vazhdojnë edhe vetë, në mënyrë të
drejtpërdrejtë, për t’u integruar në tregun e punës.
Do të flas edhe për një kategori tjetër, shumë shkurt, sa u përket gjithë atyre të rinjve e
të rejave që janë të integruar në sistemin e arsimit profesional, në shkollat profesionale. Këtu
kemi futur disa stimuj, të cilët janë të rëndësishëm që t’u japim atyre një incentivë ekstra për
të qëndruar në Shqipëri. Kjo ka të bëjë më shumë me bursat që ofrojmë. Ne u ofrojmë bursa
disa fashave të shoqërisë, që kanë të bëjnë me kritere ekonomike, por jo vetëm. Ofrojmë bursa
për të rinj e të reja që vijnë nga zonat rurale, nga zonat verilindore të Shqipërisë. Gjithashtu,
vitin e kaluar, për herë të parë kemi vendosur edhe bursa për vajzat që janë duke ndjekur
profesione që s’janë tipike për femra, si një incentivë për të diversifikuar edhe gamën e fushave
me të cilat të rinjtë e të rejat do të integrohen në tregun e punës.
Sa u përket kualifikimeve profesionale, në qendrat e formimit profesional kanë ndjekur
trajnimet, deri në nëntor, 25 mijë e 400 qytetarë, nga të cilët 19 mijë e 296 janë punëkërkues të
papunë, dhe prej këtyre janë të rinj 15 mijë e 260. Domethënë, 60 % e atyre që kanë përfituar
shërbime trajnimi pranë qendrave të formimit profesional, janë kryesisht të rinj.
Na del si përgjegjësi dhe e kemi detyrim të ofrojmë edhe kurse të avancuara, që të mos
targetojmë vetëm ato me nivele të ulëta aftësish, por mbi të gjitha ata me nivele të larta.
Këto ishin disa shifra dhe të dhëna nga ana ime. Unë mund të kaloj edhe në nivel
politikash, vendime të Këshillit të Ministrave, por nuk po hyj në këto detaje...
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Rudina Hajdari – Faleminderit për fjalën tuaj, zonja zëvendësministre!
Ju e theksuat në fjalën tuaj, se shumë prej politikave që keni ndjekur në lidhje me rritjen
e punësimit, kanë të bëjnë me zyrat e punësimit. Besoj se shpeshherë, shumë qytetarë kanë
hasur probleme me këto zyra, sepse në momentin që u janë ofruar këto shërbime, nuk kanë
-
22
marrë përgjigje. Zyrat e punësimit nuk mund të jenë e vetmja mënyrë apo i vetmi mekanizëm,
për të pasur një indicie në punësimin e kategorive të ndryshme shoqërore dhe të të rinjve
shqiptarë, të cilët janë të vetëdijshëm se këto zyra nuk funksionojnë ashtu siç duhet. Kjo është
edhe arsyeja pse kemi një numër të vogël s ai përket regjistrimit të tyre pranë këtyre zyrave.
Gjithsesi, do të doja ta kalonim këtë temë, meqenëse zonja Sorensen e preku pak
çështjen e të rinjve.
Kemi këtu edhe zëvendësministren e Ministrisë së Arsimit, e cila mbase do të na flasë
për politikat arsimore, në lidhje me lehtësimin e procedurave për studentët, të cilët studiojnë
jashtë, por që më vonë kthehen në Shqipëri, që të dimë nëse kjo ministri ka ndërmarrë hapat e
nevojshëm për të reduktuar pengesat në njohjen e diplomave e të kualifikimeve për ata studentë
që vijnë nga vendet e tjera. Ata kthehen në Shqipëri, por hasin shumë vështirësi, si në njësimin
e diplomave, si në punësim, por edhe sfera të tjera, të cilat e bëjnë shumë të vështirë integrimin
e studentëve që kanë studiuar jashtë dhe duan të japin një kontribut në vendin e tyre. Jo vetëm
kaq. Mendoj se do të ishte e nevojshme që zonja Guga të na jepte edhe një sqarim më të
hollësishëm në lidhje me cilësinë e arsimit në Shqipëri, sepse cilësia e arsimit në Shqipëri ka
rënë, dhe për studentët është indicie pikërisht kjo gjë, pasia ta duan një arsim më cilësor, arsye
për të cilën preferojnë të shkojnë në vende të tjera.
Pra, duam të dimë nëse ka një qasje të re në këtë ministri, në lidhje me rritjen e cilësisë
së arsimit të të gjitha niveleve, sepse nuk kemi degradim vetëm në nivele e larta të arsimit, por
në të gjitha nivelet e arsimit, si në infrastrukturë, si në personel, si dhe në shumë aspekte të
tjera.
Kjo, në fakt, siç e keni parë edhe ju vetë, është kthyer në problem kohët e fundit.
Fjala për ju, zonja Guga! Ju lutem t’i përmbaheni temës dhe na flisni për hapat konkrete
që keni ndërmarrë në lidhje me këtë çështje.
Faleminderit!
Nina Guga – Faleminderit, zonja kryetare!
Përshëndetje të gjithë pjesëmarrësve!
Sigurisht, edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është pjesë e zbatimit të kësaj
strategjie, e cila ka të bëjë me migracionin dhe me një plan veprimi konkret.
Në politikat tona arsimore, bazuar edhe në strategjinë arsimore, sigurisht që kjo zë një
vend të rëndësishëm, pasi është pjesë e të gjitha planeve tona, që fillojnë çdo vit shkollor, për
të zbatuar një strategji të tillë, e cila përfshihet brenda të gjitha strategjive të tjera të politikave
tona arsimore.
-
23
Sigurisht, kjo temë e rëndësishme prek sistemin tonë arsimor, e për këtë është ngritur
një plan veprimi që, sikurse u tha këtu, është një plan veprimi që përfshin periudhën 19-22, në
lidhje me të cilin edhe Ministria e Arsimit ka planet e veta të detajuara, në zbatim të kësaj
strategjie.
Fillimisht hartohen plane, të cilat kanë të bëjnë së pari me njohjen e të gjitha
institucioneve me këtë lloj strategjie dhe plan-zbatimin e saj. Duke filluar nga të gjitha
drejtoritë rajonale arsimore të arsimit parauniversitar, zyra arsimore vendore të arsimit
parauniversitar, të cilat shkojnë deri në nivel shkolle.
Evidentohen të gjitha rastet që kanë të bëjnë me nxënës që i takojnë sistemit, po flas
për sistemin parauniversitar në këtë moment, të cilët janë rikthyer nga migracioni, apo një pjese
të kontingjentit të azilkërkuesve, që kanë ardhur të arsimohen në vendin tonë.
Nisur nga kjo që thashë, që fillimisht plani i veprimit nis me njohjen e të gjitha
institucioneve, të cilat do të jenë zbatuese të kësaj strategjie. Ajo që dua të theksoj, është fakti
se të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar, duke filluar që nga parashkollorët e deri te
nxënësit e sistemit të mesëm të lartë, në çdo moment të vitit që të jenë rikthyer, ata sistemohen
dhe integrohen në sistemin arsimor. Kjo do të thotë se të gjitha zyrat arsimore vendore, pasi
ballafaqohen dhe vihen në kontakt me nxënësit e rikthyer, u kërkojnë atyre një dokumentacion
përkatës, sipas të cilit bëjnë ekuivalentimin dhe rikthimin e tyre në sistemin përkatës arsimor.
Në vitin e kaluar akademik, 2018 -2019 janë rikthyer 1 mijë nxënës nga emigracioni,
të cilët u regjistruan dhe ndoqën normalisht sistemin e arsimit parauniversitar. Në këtë vit
akademik që jemi, viti 2019-2020, rreth 980 janë kthyer nga emigracioni, dhe tani ndjekin
arsimin parauniversitar, sipas këtyre niveleve të shkollimit.
Arsimi bazë: 854, nga të cilët 742 janë në nivelin publik, ndërsa 112 janë në sistemin
privat. Arsimi fillor: 505, nga të cilët në sistem publik janë 453, ndërsa në sistem privat 52.
Arsimi i mesëm i ulët: 349, nga të cilët, në publik janë 289, ndërsa në privat 60. Arsimi i mesëm
i gjimnazeve të orientuara: 126, nga të cilët 102 janë në sistemin publik, ndërsa 24 në sistemin
privat. Gjimnaze me kohë të plotë: 112, nga të cilët 88 janë në sistemin publik, ndërsa 24 në
privat. Gjimnaze me kohë të pjesshme: 3, nga të cilët të tre janë në publik. Gjimnaze të
orientuara: 11 gjithsej, të gjithë në sistemin publik. Pra, kjo ishte një lloj statistike e atyre çfarë
zyrat arsimore vendore identifikojnë. Këtë numër ua përcjellin të gjitha shkollave, të cilat
ngrenë një plan veprimi për trajtimin dhe integrimin e këtyre nxënësve në shkollë.
Ku konsistojnë këto plane veprimi? E para, në ndihmën që u japin për vijimësimin e
gjuhës amtare, gjuhës shqipe. Po ashtu, plane edukative për ato lëndë, për të cilat ata kanë
-
24
nevoja më shumë. Pra, si të thuash, ndërtohen orë të tilla suplementare, ndihma konkrete, qoftë
edhe në kohë të ndryshme, jashtë orarit mësimor, që këta nxënës të integrohen në lidhje me të
gjitha nevojat e vështirësitë që u paraqiten.
Sigurisht, shërbimi psikosocial është tepër i rëndësishëm, sepse u vjen në ndihmë të
gjithë fëmijëve dhe është i pranishëm për t’i asistuar gjatë gjithë veprimtarisë shkollore.
Janë orët që ju përmenda si orë...
Rudina Hajdari – Ndjesë që po ju ndërpres, zonja Guga, por duhet t’u përmbahemi
temës. Ndoshta do të mund të kemi një tjetër prezantim në lidhje me këtë temë që po diskutoni,
por sot jemi duke folur për emigracionin. Si mendoni ju, cilat janë hapat konkrete që ka
ndërmarrë kjo ministri, qoftë për lehtësimin e njësimit të diplomave për personat që rikthehen
në Shqipëri, qoftë për të parandaluar fenomenin e largimit të studentëve, qoftë për studentët që
kërkojnë punë.
Ju lutem, t’u përmbahemi këtyre temave, sepse kemi edhe folës të tjerë, të cilët kanë
dëshirë të marrin fjalën, për të folur pikërisht për këtë temë.
Ndjesë edhe një herë për ndërhyrjen.
Nina Guga – Patjetër që ka në vëmendje edhe pjesën tjetër të të rinjve, ose të
studentëve që studiojnë jashtë shtetit apo kthehen përsëri.
Në dijeninë time, një pjesë e mirë e nxënësve, qofshin ata që nga shkolla e mesme
fitojnë bursa studimi në universitete të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, me të drejtën që
këta të rinj të rikthehen për të kontribuar në vendin e tyre, sipas shkollimit që kanë marrë në
vendet jashtë Shqipërisë, patjetër që ka një dakordësi midis këtyre studentëve që ikin dhe
marrin bursa për t’u rikthyer në Shqipëri. Njëkohësisht, Ministria e Arsimit favorizon dhe
inkurajon studentët shumë të mirë të ekselencës, të cilëve u akordon bursa ekselence dhe me
bursa të tilla ata mund të vazhdojnë studime të tjera pasuniversitare, specializime dhe
doktoratura me kushtin që ata të rikthehen në Shqipëri dhe të japin kontributin e tyre. Në
dijeninë time ka dhe një politikë të tillë që ata të cilët nuk kthehen dhe vazhdojnë qëndrimet
e tyre jashtë Shqipërisë u nënshtrohen edhe njëfarë detyrimi rikthyes ndaj vendit që ka
akorduar bursa të tilla.
Për sa i përket ekuivalentimit të diplomave në Ministrinë e Arsimit ka një drejtori
përkatëse, e cila analizon çdo rast mbi dokumentacionin, i verifikon ato me universitetet nga
vijnë dhe në bazë të një procedure ligjore bën të gjithë verifikimin e mundshëm dhe njohjen
e diplomave përkatëse për këta studentë.
Rudina Hajdari - Faleminderit, zonja Guga!
-
25
Për sqarim, ju kujtoj se e kam bërë vetë këtë proces dhe ka një tarifë goxha të lartë
të bësh njehsimin e një diplome dhe shumë studentë që vijnë, kanë për të ndjekur një procedurë
të gjatë. Noterizmi i gjitha këtyre dokumenteve ka një tarifë tjetër, vetëm njesimi i diplomës
i kushton shumë një studenti, pa u futur ende në punë.
Zonja Guga, ky mund të ishte një sugjerim për ju, dakord nëse do të bëni verifikimet
e ndryshme, por të ketë edhe një barrë më të ulët financiare për këta studentë, të cilët duan të
vërtetojnë thjesht se kanë një diplomë dhe kanë dëshirë të punësohen në Shqipëri. Ky është
një propozim konkret në lidhje me këtë temë.
Do të kalojmë te zonja Vitkova, e cila është përfaqësuese e delegacionit të BE-së për
të ndarë me ne këndvështrimin e BE-së në lidhje me këtë çështje.
Lenka Vitkova – (Diskutim në anglisht)
Rudina Hajdari - Faleminderit, zonja Vitkova për fjalën tuaj!
Dua të theksoj se është e vërtetë që trendi është rritës, kemi një trend negativ dhe
emigracioni shqiptar është rritur me gati 15-16 % nga viti i kaluar. Ne duhet ta studiojmë mirë
dhe të shikojmë faktorët shtytës, siç e thatë edhe ju dhe jo vetëm ta racionalizojmë këtë çështje
duke thënë: “Ndodh edhe në vendet e tjera”. Kjo qasje e qeverisë duhet të ndryshohet dhe
duhet të shihet me kujdes, se cilët janë faktorët shtytës siç u përmend edhe nga zonja
Vitkova, përfaqësuese e Delegacionit të BE-së, e cila u shpreh se nuk ka të bëjë thjesht me
çështjet e arsimit, të papunësisë, por ka të bëjë edhe me perceptimin se si ky vend zbaton
shtetin e së drejtës apo çështjet e korrupsionit që janë faktorë shumë të rëndësishëm për sa i
përket faktorëve shtytës të shqiptarëve për t’u larguar nga Shqipëria.
Duke qenë se Këshilli Kombëtar ka për synim të jetë sa më shumë gjithëpërfshirës,
përpos anëtarëve të qeverisë dhe të Delegacionit të BE-, kemi ftuar edhe përfaqësues të tjerë,
të cilët do të flasin pikërisht për impaktin që ka emigracioni ndaj atyre personave që kanë
të bëjnë jo thjesht me shtresën vulnerabël, por të një shtresë tjetër profesionale, e cila po
largohet nga Shqipëria. Për të folur për këtë dhe për çështje të tjera për këtë temë, kemi zotin
Kol Nikolla, i cili është kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Zoti Nikolla fjala është për ju.
Kol Nikolla - E nderuar zonja Kryetare, Hajdari!
Të nderuar anëtarë të këtij Këshilli,
Do të flas pak në aspektin sindikal dhe sigurisht që besoj se nuk do të jetë shumë në
vijën e qeverisë. Nuk do të përqendrohem te strategjia, për të cilën folën parafolësit, përveç
zonjës Vitkova, një strategji e cila ka 6 muaj që është botuar në Fletoren Zyrtare. U pranua
-
26
këtu se janë ngritur komisionet teknike, por ende nuk ka produkte. Rezervoj të drejtën për të
diskutuar për këtë problem.
Unë do të vazhdoj në linjën e zonjës Vitkova dhe në linjën e një opozitari të mirëfilltë
social, ekonomik dhe shoqëror, jo të një opozitari politik.
Fenomeni i largimit të punonjësve të kualifikuar për të punuar në Perëndim jo vetëm
në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor po kthehet në një fenomen të
zakonshëm. Sigurisht që secili vend përpiqet të japë zgjidhjen e tij kombëtare. Me keqardhje
konstatojmë se vendi ynë vazhdon të mbetet në fund të listës ballkanike edhe për parandalimin
apo zgjidhjen e këtij fenomeni. Kriza ekonomike, financiare botërore e viteve 2008-2013 në
vendet e pazhvilluara apo ato në zhvillim e sipër si vendi ynë, jo vetëm që krijoi pasoja
ekonomike, por ajo u thellua më tej si një krizë institucionale për qeverisjen dhe një krizë
besimi dhe kulturore për shoqërinë. Sot sipas sondazhit të “Gallup”-it janë mbi 30 % e
qytetarëve shqiptar që duan të lënë vendin. Kjo nuk është vetëm një krizë punësimi, siç
justifikohet rëndomë, por është një krizë kulturore dhe besimi që lidhet me hapësirat
demokratike, me liritë e cunguara, me politikën konfliktuale, me ekonominë, me cilësinë e
shërbimeve dhe të qeverisjes së vendit.
Një nga faktorët që po e nxit emigrimin veçanërisht të punonjësve të kualifikuar këto
vitet e fundit është edhe rritja ekonomike e disa vendeve të BE-së, ku normat e ulëta të
papunësisë krijojnë gjithnjë dhe më shumë kërkesa për forca të tjera pune. Kjo lidhet direkt me
largimin e shqiptarëve këto vite në vende si: Gjermania, Franca, Anglia, Belgjika e të tjera.
Më përpara se të flasim për impaktin e këtij fenomeni ne duhet t’i japim përgjigje
pyetjes: “Përse largohen njerëzit nga vendi ynë?!”. Mbi këtë përgjigje duhet të adresojmë
problemet dhe t’i fusim ato në rrugën e zgjidhjes.
Ne jemi të shqetësuar për faktin se politikbërësit dhe vendimmarrësit në vendin tonë
nuk po marrin asnjë vendim strategjik në lidhje me minimizimin e emigrimit të shqiptarëve.
Institucionet shtetërore duhet të pranojnë si fillim të vërtetën e pakëndshme të këtij fenomeni,
si dhe numrin real të të larguarve. Pastaj ne duhet të ngremë debatin dhe të mos e fshehim
realitetin. Ky realitet duhet ekspozuar, pranuar, njohur dhe pastaj duhet të zgjidhet. Për
zgjidhjen e këtij realiteti krahas shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare një zë i
fuqishëm duhet të ishte edhe Ministria e Diasporës, e cila duhet të komunikojë dhe të
koordinojë strategji dhe veprime konkrete me organet e tjera qeverisëse. Pavarësisht
përmirësimit krahasues me të kaluarën problemet e tregut të punës, të pagave, të shpërblimeve,
të sigurisë dhe të shëndetit në punë, të dinjitetit e të tjerë, ende vazhdojnë të jenë shqetësuese
-
27
për shoqërinë tonë në tërësi, veçanërisht për punonjësit e kualifikuar, punonjësit e mirarsimuar
apo punonjësit e profesioneve të rregulluara me ligj, si ato të sektorit shëndetësor, të
shërbimeve e të tjera.
Tentativat për të kryer reforma të ndryshme në ekonomi apo në administratë, të cilat
shpesh janë lënë përgjysmë apo kanë dështuar, si dhe rritja jo e kënaqshme e buxhetit për
shërbimin publik si: në shëndetësi, në arsim, për mbrojtjen sociale vazhdojnë të jenë
joinkurajuese për punonjësit që paguhen më pak se çdo punëtor i rajonit dhe i Europës në tërësi.
Ne jemi vendi me pagën minimale më të ulët në rajon dhe një vend, ku ende nuk kemi
përcaktuar qartë për një kohë afatmesme dhe afatgjatë në mënyrë strategjike prioritetet e
zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Ne sindikatat vazhdojmë të besojmë se Shqipëria nuk
ndërtohet me “Call-center” dhe me fasoneri. Ne vazhdojmë të jemi ndër vendet e pakta
aspirante për në BE që akoma nuk pranojmë të njohim minimumin jetik, i cili është bazik për
çështjet ekonomike të qytetarëve. Largimi i punëtorëve jashtë vendit krijon një impakt negativ
me efekte zinxhir për të gjithë ekonominë, zhvillimin dhe përparimin e vendit, pasi largohen
punonjësit që janë më të aftët dhe më të arsimuarit. Arsyet e largimit janë kryesisht ekonomike,
por dëshira e tyre për t’u larguar dominohet edhe nga kërkesa e tyre sociale dhe shoqërore që
lidhet me statusin e tyre në shoqërinë tonë. Ky status përcaktohet nga kualifikimi, trajnimi
profesional, hapësira dhe liria e tyre në publik, në media, në institucionet e shërbimeve
qeverisëse, si dhe nga kushte shumë më të mira të punës dhe të pagës në vendet pritëse. Vendet
pritëse sigurisht që kanë favorin e ekonomisë së stabilizuar, por janë edhe nuhatëse, inteligjente
duke i paraprirë thithjes së punonjësve të kualifikuar nëpërmjet liberalizimit dhe azhurnimit të
legjislacionit të tyre në mënyrë të shpejtë dhe praktike, pa burokracira.
Mjafton të përmend këtu qeverinë gjermane, e cila po tregohet shumë dorëlëshuar,
veçanërisht në profesionin e shërbimit shëndetësor. Ajo financon çdo vit mbi 9 milionë euro
për arsimimin e infermierëve jashtë Gjermanisë në vendet origjinës nga i thith ata. Krahas
kësaj ajo ka filluar të ofrojë oferta shumë joshëse duke rimbursuar pagën 400 euro në muaj për
çdo infermier që harxhon kohën e punës për të mësuar gjermanisht. Të njëjtat kritere ajo përdor
edhe për mjekët, farmacistët, dentistët, fizioterapistët e të tjerë.
Largimi i profesionistëve apo i punonjësve të kualifikuar po sjell dëme të
pariparueshme në efektivitetin dhe produktivitetin e institucioneve apo kompanive në zonat
urbane, pasi këtu gjenden më lehtë punonjës me kritere të tilla për të emigruar. Kjo ka bërë që
ne të kemi probleme me tregun e punës në tërësi duke krijuar një “papunësi strukturore”, ku
vendet e punës nuk përputhen me kualifikimin e krahut të punës. Tashmë kompanitë shqiptare
-
28
të prodhimit dhe të shërbimeve po tkurrin veprimtarinë e tyre për mungesë të krahut të punës
të kualifikuar. Po përkeqësohen shërbimet shëndetësore dhe shoqërore, pasi aktualisht kemi
numrin më të ulët të mjekëve apo të infermierëve për banorë: 1.2 mjek për 1000 banorë.
Largimi i punonjësve të kualifikuar jep një impakt negativ në shërbimet publike, sociale
dhe shëndetësore, pasi stafet aktuale po plaken dhe perspektiva e zëvendësimit të tyre është
jopremtuese me largimin e të rinjve të kualifikuar. Vetëm në sistemin e shëndetësisë shumë
vende vakante janë plotësuar me pensionistë apo me dy punësime. Kjo e ul cilësinë e shërbimit
dhe e kthen në formalitet statistikor shërbimin jetik shëndetësor për popullatën.
Impakt negativ jep edhe mosrritja sa dhe si duhet e pagave, të cilat gjatë këtyre viteve
kane mbetur pothuajse në vend numëro. Në sektorin publik dhe atë shtetëror profesioni më pak
i paguar është ai shëndetësor, krahasuar me arsimin dhe administratën publike. Lëre pastaj
sistemin e drejtësisë që flitet për disa herë paga më të ulëta. Eficienca e përdorimit të fondeve
publike po jep një impakt negativ, pasi ajo është cenuar nga dhënia pa kriter e koncesioneve
dhe e PPP-ve, të cilat thithin fonde kritike në vlerë të lartë dhe në kohë të gjatë, fonde të cilat
mund të përdoreshin për një reformë...
Rudina Hajdari - Zoti Nikolla, ndjesë që po ndërhyj, por ju lutem duhet t’i
përmbahemi temës. Disa ju i prekët. Keni vetëm 1 minutë kohë. Më pas fjalën e ka zoti Sykaj.
Kol Nikolla - Nëse koha është kufizuar do të ndaloj vetëm në disa shifra për sa i
përket sektorit shëndetësor.
Ne mendojmë se punonjësit shqiptarë aktualisht emigrojnë: për t’u punësuar dhe për
t’u paguar më mirë, për të përmirësuar standardin e jetesës, për të shkolluar dhe për të edukuar
fëmijët dhe për të garantuar një të ardhme të sigurt për familjet e tyre.
Dua të sjell në vëmendje se një mjek specialist paguhet në Shqipëri me 527 euro në
muaj, ndërsa në shërbimin parësor 408 euro në muaj. Që nga viti 2016 e deri tani pagat në
sektorin e shëndetësisë janë rritur me 17%. Pagat në sektorin publik të mjekësisë janë 13% nën
mesataren e pagave të administratës shtetërore për vitin 2018 në shëndetësi paga është 54 mijë
058 lekë, kurse në sektorin shtetëror është 61 mijë e 023 lekë, ndërsa krahasuar me arsimin
publik e ka 61 mijë e 450 lekë, ose 12% më të lartë se shëndetësia. Një mjek në Shqipëri
paguhet mesatarisht me 425 euro në muaj, kurse 2 orë më larg, në Malin e Zi, paguhet me 820
euro në muaj. Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria si të vetmen zgjidhje
për të penguar emigrimin po përdorin rritjen e pagës. Sot në Kosovë një mjek paguhet me 1
mijë e 200 euro në muaj, kurse një infermier 550 euro në muaj. Besoj se këto shifra tregojnë
-
29
qartë se pse largohen infermierët dhe mjekët dhe shqiptarë të tjerë. Unë kisha edhe për
profesione të tjera, por për efekt kohe....
Rudina Hajdari – Faleminderit, zoti Nikollaj për fjalën tuaj!
Ju lutem, të mos kemi ndërhyrje nga folësit e tjerë, sepse ju dëgjuam më vëmendje dhe
secili ka këndvështrimin e tij, kështu që të respektojmë fjalën e secilit!
Do të doja t’ia jepja fjalën zotit Bashkim Sykja, këshilltar pranë Dhomës së Tregtisë
dhe Industrisë. Zoti Sykja, unë kam një tjetër raport të publikuar në datën 13 janar 2020 nga
Instituti Shqiptar i SME-së dhe thotë që 61% të ndërmarrjeve sot në Shqipëri kanë pësuar një
ulje të numrit të punonjësve, duke pasur shumë punonjës të larguar për arsye emigrimi. A është
e vërtetë kjo? Çfarë mund të na thoni, në këndvështrimin tuaj, për këtë fenomen?
Fjala për ju, zoti Syjka.
Bashkim Sykja – Faleminderit për ftesën dhe për këtë temë që është mjaft e ndjeshme,
për faktin se nuk është një emigracion, një fenomen social, por mbi të gjitha është një impakt
ekonomik i jashtëzakonshëm, aq më shumë po t’i adresohemi sektorit privat, që ju me të drejtë
e përmendni! Për rastin e Shqipërisë, sektori privat është kontribuuesi më i madh në vend për
rritjen ekonomike të vendit, në PBB, mbi 85% dhe po ashtu mbi 85% në punësim. Kjo do të
thotë se kohët e fundit, nga kontaktet që mbajmë me anëtarësinë e dhomës, me informacionet
që marrim prej tyre dhe nevojat që ato paraqesin për këshillim dhe për të negociuar në strukturat
përgjegjëse të qeverisë, po ngrenë një shqetësim, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Kjo rëndom po ndodh në disa sektorë konkret. E para, në industrinë fason, e cila për në është
një industri mjaft domethënëse nga pikëpamja e punësimit dhe për kontributin e saj në eksport,
kështu që ne e kemi shumë në evidencë dhe, si Dhomë Tregtie interesohemi jashtë mase për
to. Përveç efektit të kursit të këmbimit në euro ato ankojnë se u ikin njerëz nga profesione të
ndryshme në fushën e fasonve.
E dyta është në sektorin e agroindustrisë, të cilët po ndjejnë fenomenin e largimit nga
puna për faktin se, në përgjithësi, ata që janë me arsim të lartë, specialitete të inxhinierëve,
inxhinierë mekanikë, inxhinierë elektrikë, inxhinierë teknologë, nisur nga fakti se agroindustria
është zhvilluar vitet e fundit dhe janë investuar miliona euro, shohin që kjo makineri dhe
pajisjet e reja (që janë në ciklin e prodhimit të tyre), kanë nevojë për mirëmbajtje, riparime dhe
rregullime. Këta ekspertë po i mungojnë kësaj industrie.
Në sektorin e turizmit resortet turistike, në veçanti strukturat hoteliere dhe restorantet
ankohen për ikje të fuqisë punëtore.
-
30
Edhe nga call center-at kemi informacionin që njerëzit po largohen, një fenomen ky që,
në këndvështrimin tonë, për sa kohë nuk kemi statistika të qarta pse mungon kjo fuqi punëtore
e kualifikuar ngremë pyetjen: vallë për efekte emigracioni, apo për mungesë të ofertës në treg
për punonjësit e kualifikuar? Ne realisht nuk kemi statistika dhe kemi vështirësi të gjejmë
statistika për këtë punë. Fakti është që bizneset, sipërmarrjet po ankojnë për mungesën e fuqisë
punëtore të kualifikuar.
Nuk dua të zgjatem dhe të bëj moral! Çfarë duhet të bëjmë më mirë? Natyrisht deri tani
qeveria ka bërë përpjekjet e saj, ka strategji, ka programe dhe struktura përgjegjëse, që merren
me këtë punë, për të mos harrojmë se investimi në dije në burimet njerëzore është investimi më
i rëndësishëm për çdo sipërmarrje private, sepse është investimi më i shpejtë që e rikthen atë
në konkurrueshmëri, në produktivitet, në cilësi të prodhimit dhe në inovacion. Prandaj ne duhet
të përqendrojmë të gjitha forcat. Ne nuk vëmë në dyshim që qeveria bashkëpunon me
sipërmarrjen në sektorin privat, por kur kjo dhe emigracioni janë temat e ditës, kur flasim për
burime