UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”
Fakulteti i Filologjisë
Dega Letërsi Shqipe
Poezia e Zef Serembes- temat dhe motivet
Punim diplome
Mentori: Kandidati:
Prof. Ass. Dr. Besim Muhadri Besarta Llolluni
Gjakovë, 2017
2
Përmbajtja
Hyrje .............................................................................................................................................................. 4
Objekti dhe motivimi i temës .................................................................................................................... 4
Qëlimi ........................................................................................................................................................ 4
Metodologjia e punës ............................................................................................................................... 4
Kapitulli i parë ............................................................................................................................................... 5
1.2 Veprimtaria letrare e Zef Serembes .................................................................................................... 6
Kapitulli i dytë ............................................................................................................................................... 8
2.1 Atdheu ................................................................................................................................................. 8
2.2 Vasha ................................................................................................................................................... 9
2.3 Natyra ................................................................................................................................................ 11
Kapitulli i tretë............................................................................................................................................. 14
3.1 Motivi filozofik .................................................................................................................................. 15
3.2 Motivi erotik ...................................................................................................................................... 17
3.3 Motivi patriotik ................................................................................................................................. 20
4. Kapitulli i katërt ....................................................................................................................................... 22
4.1 Folklori ............................................................................................................................................. 22
4.2 Heroi i poezive të Serembes ............................................................................................................. 22
5. Kapitulli i pestë ........................................................................................................................................ 24
5.1 Gjuha ................................................................................................................................................. 24
5.2 Hiperbola, pyetja retorike, anafora .................................................................................................. 25
Përfundimi .................................................................................................................................................. 26
Bibliografia ( Literatura) .............................................................................................................................. 27
3
Zef Serembe
Ndërgjegja e pastër ësht’ përmbi çdo
tempull si e drejta e çdokujt e njëjtë me timen
kush e err’son mendimin me art t’mbrapshtë
bëhet kasnec më fajtori i mashtrimit .
4
Hyrje
Objekti dhe motivimi i temës
Vepra e Serembes është ndër më të ndjeshmet e letërsisë sonë. Krijimtaria letrare e Zef
Serembes përbën njërin ndër kapitujt më interesant të shekullit të kaluar. Për Zef Seremben me të
drejtë është thënë se ishte fatkeq në jetë e fatkeq në krijimin poetik, dhe për shkak të rrethanave
jo të mira botoi pak vepra sa ishte gjalle. Si motive kryesore të kësaj teme janë atdheu si dhe
dashuria e tij si për vendin e vet ashtu edhe për të dashurën e tij. Poezitë e tij zbulojnë gjendjen
shpirtërore, poeti vë në pah kontrastet e forta mbi bazën e të cilave është ndërtuar poezia.
Zhgënjimi,malli vetmia, trishtimi, dëshpërimi etj manifestojnë gjendjen shpirtërore të poetit i cili
këto i shfaq në poezitë e tij.
Qëllimi
Qëllimi i këtij punimi është trajtimi i veprimtarisë letrare të poetit tonë Zef Serembe,
përkatësisht poezisë së tij. Pas kësaj do të shtrohen edhe çështje të tjera lidhur me temat dhe
motivet në poezitë e tij. Me anë të kësaj teme do të synojmë të paraqesim disa analiza të poezive
të tij, dhe do fokusohemi te temat më të dashura të tij, siç janë atdheu dhe dashuria për vajzën e
zemrës. Gjurmimi në thellësi i vargjeve te Serembes do të na japë mundësi që të njohim më mirë
mendimet e poetit, të kuptojmë ndjenjat e tij, filozofinë e tij jetësore si dhe dëshirat e tij.
Metodologjia e punës
Zef Serembe gjatë gjithë kohës është marrë me krijimin e poezive lirike, prandaj këtu do
ti shfaqim disa nga temat e poezive më të njohura lirike të tij. Po ashtu, gjatë këtij punimi duke
përdorur metoda të ndryshme si analitike e krahasuese do t’i analizojmë disa poezi të poetit, do
të mësojmë më shumë për temat dhe motivet në poezitë e këtij autori. Do të përpiqemi të
saktësojmë se çka njihet dhe çka nuk njihet apo është zhdukur nga krijimtaria e Serembes. Kjo
do të na ndihmojë të njohim në mënyrë edhe më intime procesin krijues si dhe vlerat dhe
karakterin e krijimtarisë të poetit, do të shpjegojmë në mënyrë konkrete shkrimet e tij.
5
Kapitulli i parë
Jeta dhe veprimtaria letrare e Zef Serembes
1.1 Jeta
Në jetë do ta pijë deri në fund gotën e helmit sado hijeshia e trupit dhe zgjuarsia e
mendjes i premtonin mirëqenie1.
Zef Serembe lindi më 1844 në fshatin arbëresh Kosmo Albanese ose Strigari një
provincë e Kozencës. Fëmijëria e Zefit ishte mjaft e trishtuar, kaloi në varfëri, me vuajtje e
brenga. Mësimet ai i filloi e i vijoi për një kohë në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit. Këtu ai
kishte për mësues De Radën me të cilin u bë mik. Zefi tregonte mendje të hollë e prirje për poezi.
Poeti i madh arbëresh ndikoi te ai, duke nxitur talentin e duke i nderuar dashurinë për atdheun e
lashtë, për Arbërin, duke i ushqyer ndjenjat e zjarrta për liri.
Një sëmundje e rëndë veshi ia dëmtoi shumë shëndetin e i preku sistemin nervor. Pak nga
varfëria e pak nga shëndeti i lig ai u detyrua të lërë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes
për tu ndihmuar prindërve. Zef Serembe nisi herët që të vjershërojë. Serembe ishte natyrë e
shqetësuar, i pakënaqur, i etur për liri, për dashuri të sinqertë dhe lumturi. Një dashuri e pafat me
një vajzë arbëreshe ia helmoi edhe më shumë jetën, ia shtoi edhe më shumë mërzinë e
melankolinë dhe dëshirën e udhëtimeve të largëta. Vajza kishte emigruar me familjen në Brazil
dhe pas një kohe kishte vdekur. Zefi shkon ta kërkojë por gjen vetëm varrin e saj. Me poezinë e
tij Serembe fitoi admirimin e shumë njerëzve. Ai kishte lidhur miqësi me personalitete të njohura
mes të tjerëve me Jeronim De Radën dhe Dora d’Istrian. Jeta e shfrenuar e aristokracisë
braziliane, korrupsioni i oborrit i ngjallnin neveri poetit, ai e demaskon atë me përbuzje në një
1 Rexhep Qosja “Historia e letërsisë shqipe”, Rilindja, Prishtinë, 1986.
6
leter drejtuar De Radës. Këto ngjarje u bënë shkas që ai të merrte rrugën e kthimit. Udhëtimin e
bëri në këmbë ku edhe i humbi dorëshkrimet, disa thonë se e sulmuan njerëz të panjohur, disa të
tjerë se në një çast dëshpërimi i dogji vetë. Ai u kthye në fshat i pa ngushëlluar, i dëshpëruar nga
fatkeqësitë, i dobët fizikisht, i tronditur shpirtërisht dhe as këtu nuk gjen prehje, prapë nis jetën e
varfër. Jeta e Serembes është më e dhimbshmja e letërsisë shqipe dhe figura e tij ndër më
origjinalet. Vuajtjet ekonomike e fizike bënë që Serembeja të mos gjejë qetësi dhe të bjerë në
pesimizëm e misticizëm.
1.2 Veprimtaria letrare e Zef Serembes
Serembe ishte një poet me talent. Kishte lehtësi të madhe për të improvizuar vjersha dhe
kishte kujtesë të fortë për t’i mbajtur mend. Gjente rast të frymëzohej kudo që ndodhej, në
dasmë, në udhëtime, në vizita tek miqtë etj. Serembe shkroi shumë drama, poezi, e poema por
vetëm një pjesë fare e vogël u ruajt nga miqtë e farefisi. Shumë prej vjershave që ai shumë
shpesh i rishikonte e i ndryshonte humbën gjatë jetës së tij endacake. Sa ishte gjallë ai botoi
vetëm:
“Poesie italiane e canti originali tradotti dall’ albanese" (Poezi italiane e këngë
origjinale të përkthyera nga shqipja) botuar në Kozencë më 1883 në italisht dhe shqip.
" ll reduce soldato, balata lirica"(Kthimi i ushtarit, Baladë lirike) botuar më 1895 në
New York.
“Sonetti vari” (Sonete të ndryshme) botuar në Napoli më 1932.2
Pas vdekjes së Serembes, rrallë u botua ndonjë vjershë e tij deri më 1926, nipi i tij
Kozmo Serembe përmblodhi 39 vjersha të Serembes dhe i botoi ato ne vëllimin “Vjersha” në
Milano. Edhe më vonë pas vdekjes së Serembes, një numër i vjershave të tij, të gjetura në
Bibliotekën Kombëtare të Kopenhagës do të botohen në revistën Nëntori nën kujdesin e
historianit të letërsisë shqipe, Dhimitër S. Shuteriqi. Një poemë u duk edhe në revistën e Zef
Skiroit Abri i Ri me 31 mars 1887. Pjesa më e madhe e rëndësishme e veprës artistike e
shkencore e Zef Serembes ka humbur. Deri më sot konsiderohet e humbur poema “Zoti në
skenën e gjithësisë” prej 120 këngësh, “Historia e Letërsisë Shqipe”, dramat lirike, përkthimi i
2 Zef Serembe, V4, Studime dhe kritikë, Monografi, Rilindja, Prishtinë 1985, f. 45.
7
Psalmeve të Davidit, një vëllim me vjersha origjinale, një histori të Shqipërisë e ndonjë tjetër të
cilat poeti i kishte përmendur në letërkëmbimet me De Radën, Kamardën si dhe me njerëzit e
afërt të familjes.
8
Kapitulli i dytë
Tri dashuritë e Serembes
2.1 Atdheu
Poezitë për atdheun zënë një vend të rëndësishëm në krijimet e Serembes.
Dashuria e pare poetit i lindi nga kujtimet e ruajtura nga të parët që kishte në vendin e vet.
Poezitë që i kushtohen atdheut janë kryesisht poezi romantike me frymë kombëtare e me një
ndjenjë malli të pashuar. Gjendja aspak e mirë e banorëve të fshatit të vet bëri që ti copëtohet
zemra kjo ndikoi që Serembe të këndojë për lirinë e vendit të vet. Poeti Serembe, ishte një shpirt
i shqetësuar dhe dukej se ishte krijuar për të mbajtur barrën e rëndë të vuajtjeve njerëzore.
Dhembja për të ligat që i ndodhnin popullit të tij shtohet çdo herë e më shumë te poeti
Serembe, sepse zemra e tij nuk duronte dot gjendjen e mjerueshme të atdheut të tij. Serembe
kujton me pikëllim të këqijat që e kanë goditur, sheh me zemër të plasur gjendjen e mjeruar të
popullit shqiptar, ai shqetësohet vazhdimisht për fatin e të ardhmen e tij dhe te atdheut të tij.
Në të gjitha krijimet e Serembes malli i pashuar për atdheun e lashtë është njëra nga
arsyet kryesore që poetit i shkakton dhimbje dhe përbën ne poezitë e tij një nga përjetimet më të
thella. Dashurinë për atdhe si dhe dashurinë për vashën i përshkruan të dyja së bashku në
poezinë “Elegji”. Ai shpreh mallin për vashën që i ka vdekur si dhe atdheun e tij të robëruar.
Një numër i poezive të tij atdhetare u janë kushtuar disa figurave historike siç janë: Ali
Pashë Tepelena apo Pjetër Irani si dhe figurave të gjalla si: Elena Gjika dhe Domeniko Mauri.
Vjersha kushtuar Domeniko Maurit është një tingëllimë ku poeti e improvizoi në prani të tij në
vitin 1860. Në poezinë tjetër “Për vdekjen Pjetër Iranit” Serembe përkujton Skënderbeun dhe
Shqipërinë. Pjetër Iranin e përshkruan si një njeri luftëtar por edhe njeri i urtë.
Pak shokë kish si ti dhe asnjeri
S’ndjente zjarrin që pate në krahëruar
9
Askush s’ta shkoi dot në urtësi
Dhe askush nuk pati shpirt aq të zhvilluar.3
Këtu poetin u këndon dy virtyteve kryesore dhe të çmuara të njeriut: trimërinë dhe
urtësinë. Pjetër Irani ishte shpresa e arbëreshëve, një trim i madh dhe vdekja e tij i vjen në moshë
të re duke shkaktuar tek populli një vuajtje të madhe, miqtë e tij nuk kanë me kë të mburren tani,
nuk kanë më gëzim, Irani ishte si një dritë për ata. Të gjithë e nderojnë për të bëmat e tij heroike.
Serembeja është kështu në letërsinë shqipe ndër të parët që ngre haptazi zërin për liri të
Shqipërisë, hedh kushtrimin e luftës së përgjithshme çlirimtare me armë dhe flet me besim për të
ardhmen e lumtur të atdheut të stërgjyshërve të tij. Poeti Serembe dashurinë ndaj atdheut e
shprehu duke bërë thirrje për luftë dhe liri kombëtare.4 Luftën për çlirimin e atdheut të tij ai nuk
e vështronte të shkëputur, por në tërësinë e luftës së të gjithë popujve të shtypur.
2.2 Vasha
Dashuria që Serembe kishte për vajzën që ishte në fshatin e tij si dhe vdekja e saj
bëri që ky poet t’i shkruajë vargjet më të mira kushtuar asaj. Vajza është një dashuri tjetër e
poetit dhe njëherësh dashuria më e madhe e tij. Poeti vajzën e përshkruan që në poezinë e pare
“Kënga e mallit të pare”
Dëgjo vajzë këngën e par
Që ta thot një djalë bujar
……………………………………
Kur e vrejta, kur e pashë
“Sa e bukur” sakaq thashë
Që aherë s’pat pushim
Ky i mjeri shpirti im 5
3 Zef Serembe, V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 245.
4 Zef Serembe, V4, Studime dhe kritikë, Monografi Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 176.
5 Zef Serembe, V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 67.
10
Në fillim poeti shprehet me një zemër të gëzuar, ai gjen vajzën e zemrës së tij, mirëpo në
poezitë e tjera ai shumë rrallë paraqet vargje me përmbajtje të lumtur, më shpesh paraqet vargje
për vdekjen e të dashurës së tij, apo ndonjë çast lumturie të kaluar. Vajzat poeti i paraqet si
simbol i bukurisë e i gëzimit të jetës gjë që poeti e kishte humbur shpejtë.
Vajzës dhe në përgjithësi poeti dashurinë e paraqet te këto poezi:
“Kënga e mallit të pare”, “Një vajze të panjohur që iku”,“Dashuria ime e pare”,“Një
vajze”,“Fytyra e saj”,“Një vashëze” etj.
Fati i poetit në dashuri udhëhoqi shumë pikëpamjet e tij, dashuria e madhe ndikoi në
vizionin e tij jetësor. Serembe ra në dashuri qysh në moshë të re me një bashkëfshatare të tij e
cila u shpërngul në Brazil dhe vdiq atje. Dashuria e tij për atë u bë shtytëse kryesore e
udhëtimeve të tij të gjata e të mundimshme. Serembe shkruan për jetën e për fatin, për femrën e
për mallin e tij të parë, për dashurinë e për vdekjen e saj
E gaz e lot, o vashë, për mua je ti
Vajza për poetin ishte gëzimi e hidhërimi i tij , shpresa e dhimbjet jetësore. Portretin e e
saj të plotë poeti e paraqet tek poezia “Fytyra e saj”
Si vajza ime bukur s’ka asnjë
E prerë e hollë si kumbull drejt më rri
Kur ecën shkon si zogë e mbase më
Zërin e saj e ngre plot harmoni 6
Dashuria për vajzën e tij bën që poeti ta përshkruajë atë duke zgjedhur fjalët më të mira.
Vasha e tij bel hollë dhe e bukur si asnjë tjetër lindi në natyrën fshatare ajo ishte bashkëfshatare e
tij. Vasha e dashuruar është e bukur, punëtore, e shkathët e gazmore. Vasha është më shumë se
dashuri, është femër që me bukurinë e saj të bënë të vuash. Ajo është edhe grua e mbarë dhe e
fortë që të qëndron pranë gjithmonë në secilën gjendje që ndodhesh.
6 Zef serembe, V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë 1985, f. 155.
11
Vajza që Serembe dashuron largohet nga Strigari, sepse kushtet e vështira kishin bërë që
ajo së bashku me familjen e saj të mërgonte në Brazil. Largimin e saj e paraqet te poezitë
“Vashës së largët” si dhe “Një vashëze”
Poeti nuk e shpreh vetëm dashurinë për të mirëpo edhe mallin që ndjen pas vdekjes së saj
rrugëve të botës. Mallin që ndjen për të e shpreh pikërisht në poezinë e titulluar “Malli”
Dhe të shoh si n’at ditë
Kur te shehi bëje dritë7
Në mënyrë imagjinare poeti sheh vajzën kudo që shkon, kudo ku kalon atij i shfaqet
ndonjë kujtim me të, kujton me mall ato kohë të arta që kishte përjetuar me të por tani gjithçka
që atij i kishte mbetur nga e dashura e tij ishte vetëm malli që ende nuk iu kishte shuar nga zemra
si dhe ato kujtime që nuk mund t’i largonte nga mendja.
2.3 Natyra
Një tjetër dashuri e poetit ishte edhe natyra. Poeti Serembe në natyrë gjente prehje
shpirtërore, natyrës ai ia shprehte brengat, hallet, mërzinë si dhe fatkeqësitë që e shoqëronin dhe i
shtoheshin dita e ditës. Serembe në shumë raste edhe tentonte t’i ikte shoqërisë, dhe të qëndronte
i vetëm në natyrë që të mund t’i largonte vuajtjet si dhe të frymëzohej për ndonjë varg apo
ndonjë poezi.
Natyrën ndonjëherë e shihte si njeri të afërt të cilit mund t’ia çante hallet, vuajtjet që
përjetonte si dhe kujtimet që i kishte me të dashurën e familjen. Ndjenjat e tij shpesh herë i
përziheshin me ndjenjat intime që kishte, gjendjen e tij shpirtërore, shpirtin e tij të lënduar ia
paraqiste natyrës përmes vargjeve të ndryshme. Në vargjet e tij poeti na njofton me madhështinë
dhe hyjninë e natyrës. Natyra në Strigarit ishte vendi i tij, atdheu i të parëve, ai e çmon dhe e
cilëson natyrën si diçka që nuk mund ta arrijë çdoherë në jetë.
Poeti u përpoq shpesh t’i ikë shoqërisë, të prehet në vetmi në gjirin e natyrës. Në natyrë
gjendet e bukura, qetësia shpirtëror, madhështia njerëzore si dhe lumturia. Poeti në natyrë e
humbet lëndën e vet shoqërore dhe shndërrohet në një qenie të natyrës.
7 Zef Serembe,V1 ”Vjersha” Rilindja, Prishtinë 1985, f. 73.
12
Zogj të bukur këndojnë me hare
Po zemra do më plasë mua në gji
Këtu poeti vendos natyrën e qetë e të gëzuar si dhe mallin që ndjen për atdheun e tij,
për natyrën e vendit të vet. Zef Serembe natyrën e përshkruan në shumë poezi të tilla janë edhe
poezitë “Tufani” si dhe poezia “Pas të vjelave”
Retë q’ajri nuk i lë
Derdhën pika shiu sot
Rrushi mbaroi trishtim na zë
Vate veshta e nuk na thot
Të ecim fushës përsëri
Plot me shpresë e lumturi8
Vargje të tilla të rrëmbejnë fuqinë e jashtëzakonshme të ndjenjave si dhe lartësinë e
mendimit që e frymëzon poetin përballë natyrës. Poeti tani shfaq natyrën e zymtë, qiellin me re,
gjethet e rëna në tokë, shfaq vetminë që ndjen kur nuk sheh më njerëzit që punojnë, nuk sheh më
vasha që kalojnë andej.
“Tufani” është kjo poezi e ndërtuar me katër strofa me nga dy katrena dhe dy tercina.
Stuhia ushton bashkë me verinë
Tjegullat qajnë e tundin krejt shtëpinë
Pemët vithisen dhe te lumi vinë9
Poeti edhe këtu flet për natyrën e përshkruan me një tufan i cili iu sjell mërzi njerëzve,
vendi disi vetmohet pasi njerëzit rrallë dalin tani nga shtëpia, stuhia u shkakton dëmtime të
mëdha njerëzve, rrufeja duket sikur po i zë të gjithë. Është kjo një paraqitje vjeshtore e natyrës,
me stuhi e rrufe të papërballueshme, poezi që flet për vetminë e njeriut në gjirin e natyrës.
Edhe përkundër dëshirave të mëdha t’i kthehet natyrës, me një dashuri romantike ndaj
saj, në shumë raste poeti edhe i mohon bukuritë e natyrës. Kjo është kushtëzuar nga gjendjet e tij
shpirtërore, nga nisja dhe fazat e fatkeqësisë së tij jetësore.10
Ndjenja e dashurisë për natyrën
8 Zef Serembe, V1 “Vjersha”Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 115.
9 Zef Serembe, V1, “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 189.
10 Serembe, “Më të bukurës në Strigari, Toena, Tiranë, 2000, f. 349.
13
është e lidhur ngushtë me mallin dhe me nostalgjinë. Natyra për poetin ishte e bukur sepse ishte
dheu i të parëve të tij që në çdo rast mundohej t’i përkushtohej.
14
Kapitulli i tretë
Temat dhe motivet në poezitë e Zef Serembes
Zef Serembe gjatë gjithë jetës ishte me marrë me krijimin e poezisë lirike. Poezia e Zef
Serembes përfshin motive të ndryshme si: motive i dhimbjes, i shoqërisë, motive filozofike,
patriotike, erotike si dhe motive të tjera. Ato pak poezi, poema dhe vepra të botuara sa ishte
gjallë por edhe pas vdekjes së tij dëshmuan që herët se ai ishte poet i një cilësie shumë më të
madhe krijuese sesa njihej. Ai lëvroi lirikën me një tematikë të larmishme. Në poezitë e tij
gjegjësisht përshkruhet gëzimi, malli, vdekja, mërzia e tema të tjera. Këto e përbëjnë jetën e
Serembes. Poezitë e Serembes nuk i përshkruan vetëm pesimizmi, në poezitë e tij të para ai
këndon jetës së lumtur që kishte, pa fatkeqësi, ai çdo ditë besonte se e nesërmja do ishte ditë më
e mire. Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe
shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, hero ky i zhgënjyer nga jeta. Përmes vargjeve të tij,
Serembe është gjithmonë i shqetësuar e kërkues.
Poezia e tij e paraqet botën e thellë shpirtërore të poetit. Poezitë e tij përshkruhen nga
dhembja, pikëllimi dhe melankolia, poezi këto që e kanë burimin nga e kaluara e tij si dhe nga
përjetimet e tij personale. Tema të poezisë së tij janë: tema e dashurisë për gruan gruas, tema e
dashurisë për atdheun e të parëve, vetmia, trishtimi, malli, fati si dhe tema të tjera. Ai i këndon
edhe miqësisë, i këndoi fatit të tij të keq dhe u dha hapësirë edhe temave fetare.
Lirikat e tij përfshin poezi për vendlindjen, për miqësinë, për bukuritë e natyrës. Vepra e
Serembes është e lidhur me fshatin e tij ajo shquhet për bukuritë e saj nga edhe frymëzohet në
shumë raste Serembe, shquhet për botëkuptimin dhe frymën e saj. Poezia e tij ishte e lidhur
ngushtë edhe me temat për çlirimin e atdheut. Serembe ishte një poet i ndjenjës, i vetmisë e i
zhgënjimit. Në vargun e tij ndihen disa nga anët më intime të poetëve italianë si: Francesko
Petrarka, Dante Aligieri dhe Xhakomo Leopardi të cilët i kishte lexuar dhe adhuruar.
15
Serembe ishte një poet me aftësi të rrallë improvizimi me një frymëzim të vrullshëm e të
begatshëm. Ai ishte i vetëdijshëm se ishte i pajisur nga natyra me një talent të jashtëzakonshëm,
se kishte ardhur në jetë për të kryer një mision të madh, të nderuar e të ndritur. Serembe
nëpërmjet poezive që shkroi shprehu hapur dhe në mënyrë të sinqertë ato që i ndiente vetë si dhe
reagimin e tij shpirtëror ndaj vuajtjeve që i solli jeta. Ndër figurat stilistike të artit të Serembes
ishin: kontrasti, simboli, epiteti, metafora, krahasimi, anafora etj.
3.1 Motivi filozofik
Një krijimtarinë Serembes zënë vend edhe krijimet me frymë fetare, të cilat shprehin në
vetvete dramën e jetës të poetit, i cili duke mos gjetur shkaqet shoqërore të padrejtësive që e
rrethon bie në pesimizëm e shpesh herë në misticizëm. Këtë motiv poeti e paraqet në formën e
meditimeve për jetën. Poezitë që trajtojnë motivet filozofike, përcaktojnë personalitetin e e tij
poetik, ato burojnë nga jeta e tij e vështirë, e mbushur me pikëllim. Poezia e Serembes në shumë
poezi të tij fiton nota të theksuara meditimi, edhe pse njihen si poezi filozofike ato më tepër
përshkruajnë jetën në tërësi mbi fenomenet e saj të veçanta. Poezitë e tij me tematikë filozofike
janë pasqyrim i shpirtit të tij ai mundohet të shpëtojë nga vuajtjet dhe fatkeqësitë e përditshme.
Poezitë filozofike përfaqësojnë një tip të veçantë, të poezive në të cilat shfaqet kuptimi tragjik i
jetës vetjake. Në poezitë filozofike më së shpeshti ai paraqet gjendjen e tij dhe nuk nguron ta
paraqesë edhe me gjuhë nocionore…i vetmuar dhe i heshtur në këtë Strigar të braktisur me
mendimin që më vret dhe me zemrën plot hidhërime.11
Vetmia është gjendje sociale dhe psikologjike e Zef Serembes që bëhet mbështetja
mendore dhe emocionale e përsiatjeve të tij poetike. Në poezitë filozofike aj më tepër shfaq
vetminë që e karakterizon tërë jetën e tij si dhe fatkeqësitë që i ndodhën gjatë jetës së tij
endacake, përgjithëson fatin e tij, vuajtjet që i sjell jeta. Vetmia e tij është më e plotë dhe më e
sinqertë për arsye se është një gjendje e brendshme e shpirtërore, nga e cila nuk mund ta nxjerrë
askush.12
Dëshpërimi i madh që si solli jeta bëri që Serembe të hyjë në misticizëm. Krijimet e tij
me motive fetare në vetvete janë pasqyrim i dramës së mprehtë që jetoi poeti.
“Një ditë është jeta” është kjo një poezi filozofike që shfaq simbolikisht tri fazat e jetës
së njeriut. Në vargjet e para poeti shfaq rininë
11
Rexhep Qosja “Historia e letërsisë shqipe”, Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 31. 12
Rexhep Qosja “Historia e letërsisë shqipe”, Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 31.
16
Po vërej si Agimi, ja, nga deti ngjitet
Dëgjoj si era mbushet me freski
Vetë titulli i kësaj poezie na lë të kuptojmë se sa e vlefshme është jeta. Jeta në rini për
poetin ishte më e freskët më e gjallë dhe më e bukur ajo kishte kuptim. Pas kësaj vjen periudha e
dytë e jetës dhe vështirësitë në jetë sa vijnë e shtohen, edhe poeti në rini kishte jetën e gëzuar e të
lumtur pasi kishte gjetur edhe të dashurën e tij, mirëpo shpejt kalon në një gjendje të mërzitshme
sepse vajza që dashuronte largohet nga fshati duke e lënë Seremben me një mall që do e
shoqëronte gjithë jetën e tij.
Mërzimi nëpër sheshet mbaron,
do të thotë se koha e mire sosi”
Janë këto disa nga vargjet e kësaj poezie që e përshkruajnë më së miri jetën pas rinisë,
kohë kur jetës i shtohen brengat çdo ditë e më të mëdha, atëherë kur koha më e mire që ishte
duke përjetuar poeti vjen e zbehet çdo ditë e më shumë, mirëpo prapë se prapë edhe kjo fazë e
jetës mund të kalohet disi, është pleqëria ajo që na frikëson, poeti simbolikisht pleqërinë e
karakterizon me mbrëmjen…
Mbrëmja hap dyert e natës e nxin
Gjumi gjinden e zë dhe s’e lëshon
Njerinë fati ashtu në varr përpinë13
Në këtë poezi si dhe në poezitë “Fatit”, “Natë”, “Feja” ai paraqet fatin e vet tragjik si
dhe fatin e njerëzve të tjerë në botë, mirëpo në poezinë e tij më të mire filozofike” Zotit” ai
paraqet qëndrimin e tij ndaj idesë mbi Zotin, për gjithësinë si dhe krijimin e botës. Burimi i pare i
frymëzimit të kësaj poezie është vetë jeta e pafat e poetit, dashuria e tij e pafat, vetmia dhe
ndjenja e të braktisurit nga Zoti dhe nga njeriu. Sipas pikëpamjeve të tij Zoti është “Dritë e
amshuar, Dije, Dashuri”14
. Ai është i plotfuqishëm, prej tij fillon qenia njerëzore. Atëherë kur
s’mban më shpresa se do të mëshirohet dhe do ta kuptojë fjalën e tij, poeti i drejtohet Zotit…
13
Zef Serembe, V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f.235. 14
Zef Serembe, V2 “Poezi italishte dhe këngë origjinale” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 29
17
Vështro o Zot , në fund
Të mjerimeve un’ jam15
Poeti këndon fatin e vet tragjik, jetën e mbushur me vuajtje e tragjedi nga më të
ndryshmet, ai i drejtohet Zotit me fjalët më prekëse… “ a don o Zot që n’ pikëllim të vdes”. Kjo
poezi është e ndërtuar mbi simbole biblike ku pasqyrohet qëndrueshmëria e njeriut përballë
fatkeqësive të jetës. Vuajtjet e tij janë aq të mëdha sa që nuk i mbetet tjetër pos të kërkojë
mëshirë tek Zoti. Serembe përmes vargjeve të kësaj poezie i tregon Zotit për vuajtjet që përjetoi
gjatë gjithë jetës së tij i lutet Zotit që të mos e braktiste në mes të fatkeqësive në këtë tokë të
trishtueshme, por t’ia shëronte plagët e jetës e t’i dhuronte paqe shpirtit tij të plagosur nga
vuajtjet që i solli jeta. Poeti që tërë jetën e kaloi me goditje të pandërprera, me goditje që
përfunduan në mënyrë tragjike, ai asnjëherë nuk pushoi së besuari në Zot. Në asnjë varg nuk
ndihen lëkundje në besimin e poetit ndaj fuqisë së Zotit. Feja për Seremben është një strehë ku
ai kërkon të shpëtojë nga ankthi dhe vuajtja e përditshme. Poezi tjera me karakter filozofik janë
edhe poezitë:”Mendimi i mbrëmjes”, “Përfytyrimi i jetës”, “Kur vjen dhimbja”, “Meditim” etj.
3.2 Motivi erotik
Përshkrimi i ndjenjës së dashurisë zë një vend shumë të gjerë në poezinë e Zef
Serembes. Dashuria përshkruhet nga Serembe si kuptim dhe motiv i ekzistencës pa të cilën njeriu
s’ka pse të jetojë. Më tepër se gjysma e poezive të tij i kushtohen dashurisë së tij të pafat ato janë
ndër poezitë më të bukura në lirikën shqiptare, janë poezi të ndjenjave njerëzore më të pastra,
dashurinë e përshkruan si një forcë të madhe të brendshme të njeriut që e gjallëron atë. Dashuria
për jetën, qëndron në bazë të lirikës dashurore të Serembes. Poeti i këndoi një dashurie qe vetë e
përjetoi dhe e cila dashuri iu shndërrua në një burim hidhërimesh që e shoqëruan tërë jetën. I
dashuruar që në moshë të re me një bashkëfshatare të tij si dhe vdekja e saj në Brazil bën që poeti
të privohet nga gëzimet e lumturia që do duhej t’i takonin. Largimi i vajzës i krijon poetit
shkretëtirën e vetmisë. Vajza që dashuron nuk i sjell lumturi por vetëm pikëllim dhe fatkeqësi të
vazhdueshme në jetë. Pjesa më e madhe e poezive që shkruan mbi temën e dashurisë janë,
pothuajse shprehje e ndjenjave të pa tejkaluara dhe të kujtimeve të pashuara për këtë vajzë.
15
Zef Serembe, V2 “Poezi italishte dhe këngë origjinale” Rilindja, Prishtinë, 1985, f.29
18
Dashuria e humbur do t’i shkaktojë Zef Serembes dhembje të vazhdueshme dhe do ta bëjë njeri
të pikëlluar në jetë, i cili këto pikëllime nuk do të jetë në gjendje t’i përmbajë deri në vdekje.
Poezia dashurore e Serembes pasqyron në mënyrë mjeshtërore gjendjen shpirtërore të njeriut të
dashuruar. Poezitë në të cilat Serembe i këndoi dashurisë janë:
“Kënga e mallit të pare”, “Vashës së largët”,“Më të bukurës që është në
Strigar”,“Këngëtari dhe bilbili”, “Këngë gazmore”,“Serenadë” etj.
Këto dhe poezi të tjera tregojnë se janë këngë të zemrës, por të një zemre të lënduar
rëndë. Pjesa më e madhe e poezive të dashurisë shprehin sinqeritet dhe ndjenja të pastra.
Ndjenja është elementi themelor i këtyre poezive. Dashuria për poetin është një nevojë njerëzore
pa të cilën nuk ka kuptim jeta. Serembe gjithnjë kërkoi dashurinë në çdo vend, ai bëri udhëtime
shumë të gjata në kërkim të dashurisë. Poeti synonte të mbështetej tek dashuria si tek një force
jetëdhënëse, burim lumturie.
Një mendim i tillë pasqyrohet në poezitë që i këndojnë lindjes të dashurisë e që janë:
“Kënga e mallit të pare”, “Këngë malli”,“Këngë gazmore”, “Fytyra e saj”, pastaj janë poezitë
e tjera që e vazhdojnë me përshkrimin e dashurisë së poetit (Serenadë) për të vazhduar me
poezitë që në njëfarë mënyre përshkruajnë ndarjen e të dashuruarve.
Poezia e tij e pare që flet për lindjen e dashurisë është poezia “Kënga e mallit të
pare”. Kjo poezi paraqitet me një rrëfim të natyrshëm, të thjeshtë dhe të lehtë. Në të këndohet
vendi ku për here të pare e sheh vajzën në të cilën dashurohet si dhe i këndon ndjenjat dhe
kujtimet për të, në atë kohë Serembe ishte i gëzuar, ndjente lumturi të madhe, nuk kishte halle.
Një poezi tjetër që flet për dashurinë është e poezia “Këngë gazmore” poeti shprehet me
vargjet…
Si pëllumba pendëbardhë
Fluturojmë anembanë
………………………………..
19
Të zënë dora-dorës
Gjithë helmet i largojmë16
Poeti ëndërron për një të ardhme të përbashkët me vashën që dashuron ku të dy do të
jenë mbështetja e njëri-tjetrit në mes të fatkeqësive të jetës. Çdo fatkeqësi ata do ta përballojnë së
bashku.
Motivi i dashurisë spikat edhe në poezinë “Fytyra e saj” poezia fillon me përshkrimin e
vajzës, aty ai flet me një dashuri të madhe për cilësitë e vajzës, ndër të tjera poeti shprehet
Si vajza ime bukur s’ka asnjë
E prerë e hollë si kumbull drejt më rri
Kur ecën shkon si zog
Zërin e saj e ngre plot harmoni
Tek kjo poezi në mënyrë imagjinare bashkohen dashuria dhe bukuria. Duket se i vetmi
realitet për Seremben është bukuria dhe dashuria e vajzës. Dashuria e tij për vajzën është e
thellë, fisnike që s’pranon asnjë lloj aventure, asnjë lloj sensualizmi. Serembe thekson se
dashuria e tij nuk i ka rrënjët tek bukuria fizike, ajo që i bënte përshtypje Serembes ishte bukuria
e brendshme. Vetë dashuria është një force e brendshme që e gjallëron dhe e zbukuron njeriun.
Një mendim të tillë ka paraqitur tek poezia “Serenadë”
Nuk qe që më rrëmbeu bukuria
Nuk ma fitoi shpirtin begatia
Por zemra jote trurin mua ma z’drodhi
Ma ngrohu gjakun, shpirtin tim ma vodhi17
Janë këto disa nga vargjet e poezisë “Serenadë” ku poeti tregon se nuk është bukuria ajo
që i pëlqeu te vasha por ishte zemra e saj ajo që e bëri për vete shpirtin e poetit. Mbi të gjitha
janë virtytet e larta shpirtërore të vashës që e rrëmbejnë poetin .
16
Zef Serembe, V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 157. 17
Zef Serembe,V1, “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 183
20
“Këngë malli” po ashtu poezi për dashurinë mirëpo që shpreh mallin për të dashurën që
më se kishte. Jeta e tij s’kishte më lumturi, gëzim e hare. Ditët që i kalonin ishin të mërzitshme
për Seremben ato ditë i kalonte në vetmi duke bredhur rrugëve të botës…
Shkoi për jetë si re, shkoi posi erë
Dhe tani fle në një vend që nuk e di18
Poetit i ishin katandisur fatkeqësitë e ndjekin pothuajse në çdo hap që bënte, hidhërimi,
malli, vetmia e kishin kapluar, nuk gjente dot paqe pas vdekjes së të dashurës. Edhe këshillat që
ndokush i jepte atij ia ngjallnin edhe më shumë mallin dhe mërzinë që kishte në zemër.
Në lirikën dashurore të Serembes ndihen gjurmët e poetëve të njohur botërorë të
Petrarkës, të Leopardit, të Dantes, kryesisht lidhur me konceptin e gruas dhe të dashurisë, që
poeti e përpunon sipas mënyrës romantike.
3.3 Motivi patriotik
Krijimtaria letrare e Serembes frymëzohej gjithnjë nga idealet e larta të lirisë dhe të
dinjitetit njerëzor. Në lirikën patriotike të Serembes, ideali i lirisë kombëtare, reflektohet në
shpirtin e heronjve qytetarë në trajtën e disponimit të hareshëm, reflektohet si vetëdije që sjell
frymën heroike dhe i bën heronjtë të gatshëm që për atdheun të sakrifikojnë edhe jetën. Në
poezinë patriotike të Serembes shfaqet hapur e qartë optimizmi i poetit, për çlirimin e Shqipërisë.
Serembe përmes poezive patriotike pasqyroi revoltën e intelektualëve arbëreshë pas bashkimit të
Italisë dhe njëkohësisht pjekurinë më të madhe të lëvizjes çlirimtare të Rilindjes.
Motivin patriotik e gjejmë te këto poezi:
”Për lirinë e Venetisë” ,“Vrull” ,“Zonjës Elena Gjika”,“Ali Tepelenasit”, “Korneut”
“Për vdekjen e Pjetër Iranit”.
Në këto poezi poeti këndoi të kaluarën e lavdishme dhe mjerimin që i solli Shqipërisë,
dëshirat për të ardhmen e saj, si dhe luftën për çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë.
Serembe duke pare gjendjen e vendit s’kishte si të mos shqetësohej për fatin dhe për
ardhmërinë e popullit të vet. Kjo brengë e ky shqetësim, që vijnë nga një patriotizëm i theksuar
18
Zef Serembe, V, “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 193
21
që shprehet në tërë poezitë e këtij lloji dhe krijojnë drama të ndërlikuara në shpirtin e poetit
Përmes poezive me temë patriotike ai sheh se çdo gjë qartë dhe e di se nëpërmjet luftës krijohen
realizimet e mëdha në jetë. Në poezinë “Vrull” ai shprehet se populli i tij ende s’janë ngritur në
atë shkallë siç dëshironte ai të ishin, ai bën thirrje që t’i dilnin në ndihmë atdheut. Është poezi që
ngjall ndjenja dhe emocione për atdheun. Përmes vargjeve të kësaj poezie ai ndër të tjera u
kujton arbëreshëve se nuk janë në vendin e vet, janë në dhe të huaj sepse pushtuesi turk i kishte
lënë pa mëmëdhe. Poezia e tij dha kushtrimin e drejtpërdrejtë për luftë të armatosur kundër
pushtuesit turk, goditi pasivitetin e bashkatdhetarëve duke i bërë jehonë shqetësimit të
arbëreshëve për atdheun e të parëve si dhe dëshirës së tyre për të dhënë kontribut në lëvizjen
kombëtare.
Një tjetër poezi me tematikë patriotike është edhe poezia “Për lirinë e Venetisë” poezia
është shkruar më 1860. Poeti këtu këndon luftën e popullit Italian dhe kujton edhe atdheun e të
parëve të tij, Arbërinë. Poeti në këtë poezi fton arbëreshët në luftë për çlirimin e Venetisë dhe të
Lombardisë nga austriakët. Serembe flet edhe për Garibaldin ai flet fjalët më të mira për të sepse
ai ishte gati të luftonte për lirinë e Shqipërisë. Ai e krahason atë me Skënderbeun dhe arbëreshët
që luftuan me të i quan shpresa të Shqipërisë së robëruar.
22
Kapitulli i katërt
Ndikimi i letërsisë popullore
4.1 Folklori
Poezia e Zef Serembes shquhet për mbështetjen e gjerë në poezinë popullore. Poezia
popullore e Serembes vazhdon një traditë që ekzistonte dhe ishte bërë vijë në letërsinë arbëreshe,
por ndjek kritere të tjera të shfrytëzimit të traditës folklorike, ushqehet në burime të tjera dhe e
realizon në forma të tjera mbështetjen në këtë traditë. Nga poezia popullore Serembe ka marrë
dhe përshkruar dukuri themelore të jetës si p.sh: njeriun, natyrën e atdheun. Serembe në poezitë e
tij mbështetet në këngët popullore të dashurisë të arbëreshëve të Kalabrisë. Për traditën poetike
popullore Zef Serembe do të interesohet gjatë gjithë jetës.
Mbështetja e tij në folklor është më pak e dukshme sepse ai nuk e merr gjithmonë vargun
popullor , por më tepër, ide, motive e figura. Këngët popullore ai i ka përshtatur edhe mënyrën e
ndërtimit të figurave e të vargjeve. Serembe ka ditur të shfrytëzojë ato elemente të formës, dhe
ato motive që i përgjigjeshin drejtimit ideor të krijimtarisë së tij.
Poeti mbështetet në folklor më tepër në mënyrë formale, duke shfrytëzuar motivet,
situatat, figuracionin dhe metrikën e poezisë popullore arbëreshe. Përvoja poetike popullore e
shprehur në vargjet e Serembes është një përvojë e vënë në shërbimin e përpjekjeve për një
shprehje të natyrshme, të thjeshtë, të qartë e emocionale ashtu siç është në poezinë popullore.
4.2 Heroi i poezive të Serembes
Poezia e Serembes solli në letërsinë arbëreshe një tip të ri të heroit. Heroi i lirikave të
Serembes është ndër heronjtë më të ndjeshëm dhe njëherë më i vuajturi i letërsisë arbëreshe, këtij
heroi jeta i solli fatkeqësi nga më të ndryshmet, ai u privua nga dashuria e vajzës që dashuronte
dhe atdheut të vet. Në fillim ai paraqitet një hero me jetë të lumtur, jetë të mbushur me gëzime,
me kalimin e kohës ai më shumë shfaqet si hero i lodhur nga mundimet që i shkakton jeta. Ai e
paraqiti figurën e heroit qytetar jo si një figurë historike, por si një figure aktuale dhe krijoi tipin
23
e heroit kryengritës, të njeriut rebel, të pakënaqur me realitetin. Heroi i Serembes është një hero
i shkëputur nga rrethanat shoqërore, është një hero tragjik që nuk gjen rrugëdalje në luftën e vet
të vetmuar. Heroi lirik i poezisë së tij është njeriu cili kudo që shkon ruan tiparet e veta dhe të
vendit të vet. Heroi i poezive të Serembes është në gjendje të përballojë çfarëdo rreziku që i
kanoset, ai humbet gjithçka por nuk dorëzohet, bie në pesimizëm por prapë tenton t’i plotësojë
idealet dhe ëndrrat që kishte. Ky hero paraqitet në shumë raste i pikëlluar e i vuajtur, i rënë në
pesimizëm por prapë ka forcë që të ngrihet dhe tenton që të rimëkëmbet. Heroi lirik i poezive të
Serembes edhe pse i vënë në situata të vështira, shoqërore, fetare,i shfrytëzuar dhe i ndjekur
vazhdimisht, ai nuk bie asnjëherë në gjendje dëshpërimi e pesimizmi të skajshëm sa t’i mohojë
idealet e tij, atdheun, bukuritë dhe begatitë e përsosura të jetës.
24
Kapitulli i pestë
Arti poetik i Zef Serembes
Serembe ishte një poet i lindur, shumë i talentuar e me frymëzim të pasur. Qe
njëkohësisht artist i fjalës. Vepra poetike e tij edhe pse e paktë në numër është e pasur me ide
dhe me vlera të mëdha artistike Në qendër të poezisë së tij është njeriu dhe shqetësimet e tij,
koha kur jetoi poeti dhe ëndërrimi për një të ardhme të gëzuar për atdheun e tij të dashur si dhe
për botën. Krijoi një art të veçantë sepse me mjeshtëri përdori ato fenomene që prekin jetën e
njeriut. Si nën kapituj të artit poetik të Serembes kemi futur gjuhën, variantet si dhe disa nga
figurat që hasim më shumë tek poezitë e Zef Serembes.
5.1 Gjuha
Si shumica e romantikëve të tjerë arbëreshë në mënyrë të veçantë sikundër Jeronim de
Rada apo edhe Zef Skiroi, ashtu edhe Zef Serembe do të interesohet jo vetëm për gjuhën si mjet
krijues poetik, por edhe për gjuhën shqipe, si veçori dalluese kombëtare. Zakonet e gjuha shqipe
janë ruajtur mire e të papërziera deri vonë. Prandaj edhe gjuha e Serembes është më e pastër më
e kuptueshme se shkrimtarëve të tjerë arbëreshë të Kalabrisë.
Në mënyrë të veçantë ai interesohej për çështjet e shkrimit të shqipes. Gjuha e tij është e
qartë dhe mjaft e kuptueshme. Gjuha e Serembes ka pak italianizma që edhe ato u janë
nënshtruar ligjeve të gjuhës arbëreshe, në të gjejmë rrallë ndonjë greqizëm dhe herë-herë ndonjë
ndërtim fraze sipas italishtes. Në shkrimet e tij ai do të përdorë gjithnjë e më shumë fjalë të
dialekteve të Shqipërisë. Serembe ka bërë ndryshime në gjuhën e tij me qëllim që ta pastrojë dhe
ta pasurojë atë. Stili e gjuha e tij shquhen për qartësinë, forcën dhe kuptueshmërinë.
25
5.2 Hiperbola, pyetja retorike, anafora Poezia e Serembes shquhet për një variacion të madh strofash, metrash dhe rimash.
Poezitë e tij janë plot me epitete, hiperbola, krahasime e metafora të hijshme. Hiperbola paraqitet
te vargjet e poezisë “Kënga e mallit të pare” ku ndër të tjera poeti shprehet me fjalët
Kur te sheshi ajo shkonte
Tërë sheshi dritë lëshonte19
Sheshi dritë nuk bënë, është vajza ajo që me bukurinë e saj i jep dritë sheshit.
Pyetja retorike paraqitet tek poezia “Zotit”
A donë o Zot që n’ pikëllim të vdes?20
Ai e di që Zoti nuk mund t’i kthejë përgjigje mirëpo në formë retorike ai i parashtron
pyetje.
Pyetjen retorike Serembe ia ka parashtruar edhe Shën Mërisë së Virgjër pikërisht te kjo
poezi ai i drejtohet me këto fjalë:
Tani ç’të bëj, o Mëmë tek kjo jetë?21
Figura e anaforës është e njohur te poezitë e Serembes kjo figurë është paraqitur te poezia
“Malli”
Shoh katundin e larguar
Shoh katundin, mallin tënd22
Anafora është e paraqitur edhe te poezia “Një djaloshi që më dërgoi përshëndetje me disa
filiza lulesh”
Do ta zbuloj gënjeshtrën dhe, i patrembur
Do ta dëftej un’ rrugën tënde t’ drejtë23
Figura të tjera të njohura në poezitë e Serembes janë edhe epiteti, simboli, kontrasti, etj.
19
Zef Serembe V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 65 20
Zef Serembe V2 “Poezi italishte dhe këngë origjinale” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 29 21
Zef Serembe V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 223 22
Zef Serembe V1 “Vjersha” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 73 23
Zef Serembe V2 “Poezi italishte dhe këngë origjinale” Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 23
26
Përfundimi
Jeta e vështirë e poetit, fatkeqësitë në jetë dhe në krijimtari e shumë faktorë të tjerë bënë
qe Serembe të shkruajë ndër poezitë më të mira në lirikën shqiptare Serembe ishte njëri ndër
përfaqësuesit më të shquar të romantizmit shqiptar. Vepra e Serembes sintetizoi një periudhë të
tërë: periudhën e hovit të madh të lëvizjes kombëtare. Thelbin e krijimtarisë së Serembes e
përbën revolta prej njeriu të thjeshtë të popullit të shtypjes kombëtare apo shoqërore. Serembe
solli nota të reja në poezinë arbëreshe të të shekullit të kaluar, si në ndjesi e ide, ashtu edhe në
shprehje.
Zef Serembe i këndoi luftës për liri të popullit shqiptar, ai ka meritën që i pari hodhi
haptazi kushtrimin për luftë dhe për çlirimin e popullit të vet. Poeti ynë i mbeti besnik gjer në
fund idealit të tij fisnik dhe nuk rreshti kurrë së menduari për fatin e atdheut të lashtë. Në poezinë
e Serembes mbizotëron tema e dashurisë, ai gjithashtu flet për vdekjen, jetën, dashurinë, gjuhën
e atdheun duke bërë kështu që poezitë e tij të lexohen me ëndje edhe sot.
Zef Serembe e pasuroi shumë prozodinë shqipe. Ai është i pari që punoi me mjeshtëri
artistike të vërtetë elegjinë, tingëllimin e oden, Variantet e ndryshme të poezive si dhe figurat e
ndryshme që përdori në poezitë e tij i bëjnë ato më të figurshme dhe më të gjalla. Me ato pak
krijime poetike mbetet një ndër autorët më të lexuar shqiptar. Jeta e tij e vuajtur bëri që Serembe
të mbetet në letërsinë tone si poeti më i vuajtur.
27
Bibliografia ( Literatura)
Aliu, Ali, “Magjia e fjalës”, Dukagjini, Pejë, 2003
Qosja, Rexhep, “Historia e letërsisë shqipe”, Rilindja, Prishtinë, 1986
Krasniqi, Milazim, “Studime mbi letërsinë”, Vepra 5, Logos-A, Shkup
Historia e letërsisë shqipe, Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Krahinës socialiste
Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1971
Serembe, Zef, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1985
Serembe, Zef, Vepra 2, Rilindja, Prishtinë, 1985
Serembe, Zef, Vepra 4, Rilindja, Prishtinë, 1985
Xhiku, Ali, “Romantizmi arbëresh”, Rilindja, Prishtinë, 1982