republika e shqipËrisË kuvendi - parlament.al · kontraktuese, veçanërisht në rastet e...
TRANSCRIPT
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 06.03.2018, ora 10:00
Drejton mbledhjen:
Erion Braçe – kryetar i Komisionit
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit;
2. Projektligji “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës
“BOT”(ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës,
miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe
shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring””).
Marrin pjesë:
Erion Braçe, Blerina Gjylameti, Ervin Bushati, Evis Kushi, Ilir Xhakolli, Arben
Pëllumbi, Roland Xhelilaj, Xhevit Bushaj, Reme Lala, Fatbardha Kadiu, Nadire Meçorapaj,
Agron Shehaj, Dashamir Shehi, Përparim Spahiu, Ismet Beqiraj.
Mungojnë:
Jorida Tabaku, Anastas Angjeli, Antoneta Dhima, Edmond Spaho, Edmond Haxhinasto.
Të ftuar:
Damian Gjiknuri- Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Enis Aliko- Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Arben Dhima –Drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
Enea Karakaçi- Drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
Dardan Malaj- Këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
2
Ilia Gjermani- Përgjegjës Sektori në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
Irfan Tarelli- Drejtor i Përgjithshëm i Politikave te Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe
Zhvillimit Rural në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Arben Mukaj- Përgjegjës i Sektorit të programeve dhe Administrimit të Ujitjes dhe
Kullimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ledion Lako- Drejtor i Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës në Ministrinë e
Kulturës
3
HAPET MBLEDHJA
Erion Braçe –Përshëndetje të gjithëve!
Fillojmë mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.
Sot në rendin e ditës së punës së këtij komisioni për herë të dytë është përcaktuar
projektligji “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës “BOT”(ndërtim,
shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës, miratuar me
ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë
koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”.
Siç kam njoftuar edhe në mbledhjen e kaluar, relatori i këtij komisioni, lidhur me këtë
projektligj, është zoti Roland Xhelili.
Tani do të doja t’ju bëja me dije se në mënyrë të përsëritur është kërkuar që pranë këtij
komisioni të jetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ditën e djeshme sekretaria e këtij
komisioni ka marrë njoftimin që ministri do të jetë sot në komision në orën 10:00 për të dhënë
shpjegime dhe mbrojtur projektligjin e qeverisë, së bashku me disa drejtues të tjerë, një pjesë e
kërkuar edhe nga komisioni, lidhur me problematikën që paraqet ndërtimi i këtij porti në atë zonë
ose pretendimet rreth këtij ndërtimi në këtë zonë. Më rezulton se ministri përsëri nuk është
paraqitur para këtij komisioni. Siç e thashë edhe në mbledhjen e kaluar, paraqitja para këtij
komisioni nuk është fakultative për asnjë nga ministrat. Është ky komision që përcakton rregullat
e paraqitjes para tij, ashtu siç Kushtetuta dhe Rregullorja e këtij Kuvendi e kërkojnë të
domosdoshme paraqitjen e ministrit para komisioneve për të mbrojtur projektligjet e ardhura nga
qeveria dhe të nënshkruar prej tyre.
Për mua është tërësisht e patolerueshme që Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë
refuzon të paraqitet para këtij komisioni për çfarëdolloj arsyeje. Ky komision ka pasur gjithë
mundësinë ta organizojë mbledhjen edhe në varësi të axhendës së ministrave respektivë, u ka
krijuar të gjithë mundësinë secilit prej ministrave që të paktën në harkun e këtyre 5 vjetëve të
vijnë para këtij komisioni, të prezantojnë jo vetëm projektligjin, por të edhe më gjerë se kaq,
opinionet e tyre pa u cenuar asnjë sekondë në prezantimet dhe debatet e tyre me anëtarë të këtij
komisioni për çështje të rëndësishme që janë diskutuar këtu. Kështu që është e paarsyeshme dhe
e pa tolerueshme sjellja e ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës në këtë komision.
Vendosni ju si duhet të vazhdojë kjo mbledhje.
4
Dashamir Shehi- Zoti Kryetar, meqenëse u bë hera e dytë, unë them ta mbyllim këtë
punë. Zëvendësministri ka ardhur, kanë ardhur edhe shumë teknikë, t’i japim drejtim kësaj
çështjeje. Unë jam për ta vazhduar mbledhjen dhe për t’i dhënë zgjidhje. Nëse Rregullorja e
pranon që edhe me zëvendësministrin mund të bëhet takimi, ta bëjmë dhe ta përfundojmë këtë
punë.
Erion Braçe- Si të dëshironi ju.
Dashamir Shehi- Unë dëshiroj të vazhdojmë.
Erion Braçe- Unë nuk e kam fare problem prezencën ose jo të ministrave të kësaj
qeverie në komision. Problemi është që ka disa rregulla dhe precedentë të krijuar pikërisht në
këtë komision.
Arben Pëllumbi- Unë mendoj se mesazhin që kishim për t’ua dhënë përfaqësuesve të
pranishëm ministrisë ua dhamë, qoftë në mbledhjen e kaluar, qoftë sot, dhe jam dakord me
propozimin e zotit Shehi që të vazhdojmë mbledhjen. Nëse duhet t’i japim mesazh tjetër, t’ia
japim me një rrugë dhe formë tjetër.
Erion Braçe: Atëherë vazhdojmë mbledhjen, keni fjalën.
Enis Aliko – Mirëdita! Faleminderit që pranuat të na dëgjoni! Më vjen keq për incidentin
që u krijua për mosqenien e ministrit, i cili për arsye të tjera edhe kësaj radhe nuk e pati të
mundur që të vinte.
Erion Braçe- Jo, zotëri, nuk ka asnjë arsye tjetër që del mbi parlamentin. Vazhdoni me
shpjegimin e projektligjit që keni paraqitur.
Enis Aliko – Ky projektligj është një shtesë kontrate për koncesionin e formës BOT të
nënshkruar në datën 21.07.2015, të miratuar nga Kuvendi, me ligjin nr. 104/2015, për ndërtimin,
shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të një lloji MBM në Porto Romano në Durrës,
nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti
MBM”.
“Porti MBM” ka paraqitur kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për
ndryshimin e kontratës koncesionare, e cila ka për qëllim garantimin e funksionimit të linjës
principale teknologjike të paraqitur në kontratën fillestare. Ndryshimet e propozuara nuk kanë si
qëllim ndryshimin e kushteve të tjera thelbësore të kontratës koncesionare, por kanë si qëllim
vetëm përmirësimin e kushteve teknologjike.
5
Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ngrit një grup pune, i cili, pasi shqyrtoi
kërkesën e shoqërisë koncesionare, gjeti të argumentuar kërkesën e shoqërisë, që kërkon
ndryshimin e elementeve të veçanta të strukturës së objekteve të përfshira në këtë projekt, për
shkak të ndryshimeve të situatës reale në terren.
Ky projektligj është në përputhje të plotë me politikat e Këshillit të Ministrave për
zhvillimin e kapaciteteve depozituese portuale, rritjen e transparencës dhe të bashkëpunimit me
biznesin.
Ky projektligj nuk ishte i parashikuar në programin e përgjithshëm analitik të
projektligjeve që do të paraqiteshin për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2018.
Shkurtimisht, kërkesa e shoqërisë koncesionare bazohet në faktin që në fazën përgatitore
për shtrirjen e dy tubave në det është vënë re që niveli i tabanit të detit është shumë i
ndryshueshëm nga aluvionet që vijnë nga hidrovori i Porto Romanos, i cili derdhet në krah të
tubacioneve, nga aluvionet që grumbullohen në anën jugore të argjinaturës së Porto Romanos që
do të kishte distancë aksiale 50 metër, si dhe nga aluvionet që sjellin rrymat detare.
Sipas relacionit teknik të paraqitur nga shoqëria, kjo gjendje e bën linjën e tubave të
paqëndrueshme dhe të rrezikuar nga dallgët e detit. Shoqëria argumenton se e gjendur përballë
këtij fakti, në konsultime edhe me studio prestigjioze në Europë, të specializuara në këtë fushë,
është mundur t’i bëhet një shtesë projektit për kalimin e kësaj zone me tubacione mbi një
argjinaturë artificiale. Po ashtu shoqëria, në relacionin teknik dhe në të gjitha në komunikimet e
saj ka mbajtur qëndrimin se shtesa ka si qëllim të vetëm garantimin e funksionit të linjës
principale teknologjike, të paraqitur në kontratën fillestare, dhe nga kushtet e parashikuara
teknike që lidhen me marrjen e masave për mbrojtjen nga dinamika e shumëllojtë e fundit të detit
në këtë zonë. Shoqëria thekson se në kërkesën e saj nuk propozohet të ndryshohen kushtet e tjera
të kontratës koncesionare.
Qëllimi i vetëm i këtij propozimi, sipas shoqërisë koncesionare, është fakti që të gjitha
masat teknike të provuara nga ana e tyre në procesin e implementimit të projektit, kanë treguar se
nuk garantojnë zbatimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të linjës teknologjike. Po ashtu për të
garantuar një qëndrueshmëri të argjinaturës dhe strukturës së tubacioneve ajrore në këtë
argjinaturë, shoqëria, në bazë të studimeve, ka konkluduar se është i nevojshëm një mjet tjetër
mbrojtës, një dallgëthyes, me të njëjtin profil tërthor e shpatull, në vendin më të afërt të kodrës
përballë, në anën jugore të linjës.
6
Sipas mendimit edhe të projektuesit kjo argjinaturë garanton teknikisht linjën
teknologjike mbi tokë të portit të hapur MBM.
Për sa më sipër, adresimi i kërkesës së shoqërisë koncesionare për ndryshimin e kontratës
koncesionare parashikohet në ligjin e posaçëm të koncesioneve dhe partneritetit publik nr.
125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.
Në nenin 31 të këtij ligji, ndryshimi i kontratës së koncesionit të partneritetit publik
privat, parashikohet që kontratat e parashikuara me këtë ligj mund të ndryshohen duke i shtuar
kontratës një aneks, me kusht që kjo mundësi të parashikohet në dokumentacionin e tenderit
edhe në kontratë. Ndryshimet në kontratë të bëhen nga autoriteti kontraktues dhe koncesionari
partner privat. Ndryshimet në kontratë mund të bëhen me iniciativën e të dyja palëve
kontraktuese, veçanërisht në rastet e mëposhtme. Së pari, kur rrezikohet siguria kombëtare dhe
mbrojtja e vendit, mjedisi natyra dhe shëndeti i njerëzve.
Së dyti, kur humbet objekti i kontratës ose kur ekziston një pamundësi objektive për
përdorimin e tij në rastin e forcës madhore.
Së treti, gjatë ndryshimit të kuadrit ligjor.
Së katërti, dhe në raste të tjera, të cilat çojnë në ndryshimin e situatës reale ose ligjore
për përdorimin e objektit, ofrimin e shërbimeve ose në realizimin e kontratës.
Nga vlerësimi i kuadrit ligjor të këtij koncesioni si edhe të propozimi të bërë nga
shoqëria koncesionare u gjet e argumentuar kërkesa e shoqërisë, që kërkon ndryshimin
elementeve të veçanta të strukturës së objekteve të përfshira në këtë projekt për shkak të
ndryshimeve të situatës reale, të cilat kërkojnë ndryshime me qëllim realizimin e këtij projekti.
Në këtë mënyrë do të mundësohet përdorimi i plotë i objektit të kontratës dhe ofrimi i
shërbimit të dhënies me koncesion.
Grupi i punës konstatoi se ndryshimet e propozuara nuk ndërrojnë kushtet thelbësore të
kësaj kontrate që janë të përcaktuara në dispozitat e kontratës koncesionare dhe që kanë shërbyer
si bazë për garën koncesionare dhe përzgjedhjen e koncesionarit fitues.
Ndryshimi i propozuar nuk ndikon në pranimin e ngarkim-shkarkimit të mjeteve
lundruese, që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20 mijë tonë dhe as në nivelin e
zhytjes së anijeve që transportojnë hidrokarbure me zhytje mbi 8 metra.
Ndryshimet e propozuara në tërësi janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe
legjislacionin në fuqi për koncesionet. Në bazë të germës “ç” të pikës 2 të nenit 31 të ligjit nr.
7
125/2013, parashikohet mundësia e ndryshimit të kontratave koncesionare me marrëveshje
ndërmjet palëve, në rast se ata përballen me raste që çojnë në ndryshimin e situatës reale për
përdorimin e objektit ose realizimit të kontratës.
Shtesa e kontratës është e përbërë nga pjesa përshkruese, përmban gjithsej 5 nene dhe
është e shoqëruar me anekse. Neni 1 i marrëveshjes përbën reflektimin e ndryshimit i nevojshëm
në vlerën e investimit, pas miratimit të ndryshimeve të projektit.
Neni 2 bën ndryshimin e aneksit 1 me aneksin 1-1. Në këtë aneks përfshihen ndryshimet
e nevojshme në skemën e projektit të koncesionit.
Neni 3 bën detajimin e tabelës së investimit të përfshirë në ankesin 3 të kontratës
fillestare.
Në nenin 4 parashikohet që koncesionari dhe shoqëria koncesionare gjatë ndërtimit dhe
operimit të koncesionit do të zbatojë legjislacionin në fuqi për peshkimin dhe atë mjedisor, si dhe
çdo detyrim dhe angazhim tjetër të marrë përsipër në kontratën koncesionare fillestare.
Në nenin 5 janë dispozitat që lidhen me numrin e kopjeve të kontratës.
Kjo është me pak fjalë përmbledhja e ndryshimit që propozohet.
Erjon Braçe – zoti Xhelili.
Roland Xhelili- Në vazhdim të paraqitjes së zëvendësministrit, unë si relator dua të
theksoj se ky projektligj është propozuar nga Këshilli i Ministrave në përputhje me nenin 78 të
Kushtetutës, nenin 68 të Rregullores së Kuvendit dhe ligjit nr.125 /2013 “Për koncesionet dhe
partneritetin publik privat”, të ndryshuar.
Komisioni e shqyrton këtë projektligj në cilësinë komisionit përgjegjës, bazuar në nenet
32 dhe 38 të Rregullores së Kuvendit.
Projektligji, i miratuar në parim me vendim të Këshillit të Ministrave nr.45, datë
31.01.2018 ka për qëllim miratimin e shtesës së kontratës koncesionare të formës BOT, për
ndërtim shfrytëzim dhe transferim të një porti të llojit MBM në Porto Romano në Durrës, të
nënshkruar më 21 korrik të vitit 2015 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe
shoqërisë koncesionare “Porti MBM” dhe miratuar me ligjin nr. 104/2015.
Kontrata e miratuar në fund të vitit 2015 parashikon dhënien me koncesion të formës
BOT dhe realizimin në një periudhë 6-mujore të portit offshore të ankorimit MBM, me thellësi
zhytjeje 18-20 metra në Porto Romano, që do të pranojë ankorimin e mjeteve lundruese, që
transportojnë hidrokarburet të madhësive mbi 20 mijë tonë. Koncesioni që ka ardhur si një
8
propozim i pa kërkuar i kompanisë “Adriatik Petrolium” parashikohet të jepet për një periudhë
35-vjeçare dhe të ardhurat e koncesionarit do të përbëhen nga pagesat e përfituara nga shërbimet
e ofruara në përputhje me objektin e koncesionit.
Ndërsa tarifa e koncesionit siç përcaktohet në nenin 13 të kontratës, propozohet të ishte
2% e xhiros vjetore që koncesionari do të grumbullonte nga tarifat e aplikuara, duke përjashtuar
TVSH-në. Vlera që koncesionari parashikonte të investonte këtë koncesion, referuar nenit 16 të
kontratës, arrinte në shumën 10 milionë e 200 mijë dollarë. Ndërsa projektligji që sot po
shqyrtojmë kërkon miratimin e një shtese në kontratën e koncesionit me qëllim garantimin e
funksionimit të linjës principale teknologjike të paraqitur në kontratën fillestare. Konkretisht,
referuar kërkesës së bërë nga shoqëria koncesionare në shkresën numër protokolli 1761, datë
10.11.2017 parashikohet të rritet vlera e investimit sipas nevojës së ndryshimit të elementeve të
veçanta të strukturës së objekteve të përfshira në fazën e përgatitjes së terrenit. Vlera e rishikuar
do të rritet me 4 milionë e 300 mijë dollarë, duke rritur vlerën totale 14 milionë e 500 mijë
dollarë, e cila do të shpërndahet sipas zërave të mëposhtëm: studim zhvillim paraprak me vlerën
153 mijë dollarë, është e njëjtë me kontratën fillestare, faza përgatitore e terrenit me vlerë 6
milionë e 930 mijë dollarë nga 2 milionë e 630 mijë dollarë të parashikuar në kontratën fillestare
ku bëhet edhe ndryshimi përkatës. Faza e ndërtim, zhvillimit, materiale, pajisje mjete makinerie,
kosto pune me vlerë 7 milionë e 138 mijë dollarë, e njëjtë me kontratën fillestare dhe faza e
ndërtim zhvillimit me vlerë 306 mijë dollarë e njëjtë me kontratën fillestare.
Për këtë arsye me shtesën e kontratës që qeveria na ka paraqitur kërkon amendimin e
nenit 16 të anekseve 1 dhe 3 të kontratës koncesionare vetëm sa i takon reflektimit të vlerës së re
të investimeve duke mos pasur si qëllim ndryshimin e kushteve të tjera të kontratës. Megjithatë,
duke qenë se në kontratën koncesionare nuk janë përcaktuar tarifat që do të aplikohen nga
koncesionari si edhe duke iu referuar rekomandimeve të dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës me
vendimin nr.383, datë 17.11.2015 që para fillimit të zbatimit të projektit koncesionit institucionet
përgjegjëse duhet të miratojnë metodologjinë e përcaktimit të tarifave për shërbimet portuale, të
ofruara nga shoqëria koncesionare “Porti MBM”, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos
dhe bëhen publike dhe transparente.
Me këtë rast në vazhdim do të bëj një pyetje: a do të sjellë ndryshim të vlerës në
njehsimin e rritjes së tarifave që do të aplikojë më pas shoqëria?
9
Në përfundim të fjalës, duke pasur parasysh që ky ndryshim do të bëjë të mundur
zgjidhjen e problematikave teknike që lidhen me realizimin e një nga koncesioneve më të
rëndësishme për ekonominë shqiptare, i propozoj komisionit miratimin e projektligjit.
Faleminderit!
Erion Braçe- Faleminderit , zoti Xhelili!
A keni pyetje?
Po, përgjigjuni pyetjes që bëri zoti Xhelili.
Enea Karakaçi- Në bazë të nenit 4 të kontratës koncesionare, është parashikuar që
shoqëria koncesionare gjatë ndërtimit dhe operimit të koncesionit do të zbatojë legjislacionin në
fuqi për peshkimin, si dhe çdo angazhim tjetër të marrë përsipër në kontratë.
Pra, në nenin 4 është kërkuar, ndërmjet të tjerave, që shoqëria koncesionare gjatë
ndërtimit dhe operimit të koncesionit do të zbatojë legjislacionin në fuqi për peshkimin dhe
menaxhimin mjedisor dhe, përveç këtyre, është parashikuar që ai të angazhohet për të plotësuar
çdo detyrim që e ka marrë përsipër në kontratën koncensionare. Si e tillë, koncesionari dhe
shoqëria koncesionare gjatë aplikimit që kanë bërë në ministri kanë kërkuar vetëm reflektimin e
këtij ndryshimi të linjës teknologjike në operimin e koncesionit dhe nuk kanë kërkuar asnjë
ndryshim tjetër të kontratës koncesionare dhe është angazhuar që do të marrë përsipër çdo
detyrim dhe angazhim tjetër në kontratën koncesionare bazë.
Erion Braçe – Zoti këshilltar, pyetja që bëri relatori kishte të bënte me tjetër gjë. Relatori
ju pyeti: a do të ketë ndryshim të tarifave që do të aplikojë koncesionari pas ndërtimit të këtij
porti?
Enea Karakaçi – Pikërisht për këtë...
Erion Braçe – Për shkak të shtimit të investimit, apo jo?
Enea Karakaçi – Pikërisht këtë u mundova t’ju thosha në kuptimin, sepse duke qenë në
kontratë që...
Erion Braçe – Jo, kjo nuk ka lidhje me ligjin për peshkimin.
Enea Karakaçi – Jo, e kisha për pjesën e dytë të fjalisë të nenit 4. Në pjesën e dytë të
fjalisë së nenit 4, përcaktohet që koncesionari dhe shoqëria koncesionare angazhohen që të
marrin përsipër çdo detyrim dhe angazhim tjetër të kontratës koncesionare bazë. Si e tillë, ai ka
kërkuar vetëm këtë ndryshim që ka të bëjë me linjën principale dhe çdo angazhim dhe detyrim
tjetër i marr përsipër nuk ndryshohet me anë të kësaj kontrate.
10
Në nenin 4 ne e kemi parashikuar këtë gjë, pra në kuptimin që nuk ka asnjë ndryshim
tjetër, përveç atyre që janë parashikuar në këto pika të kontratës.
Erion Braçe – Zoti këshilltar, a mund t’ju pyes se në cilin nen të kontratës janë
parashikuar tarifat?
Enea Karakaçi – Në aneksin 3 janë parashikuar...
Erion Braçe – A mund të na e tregoni pak këtë aneksin?
Enea Karakaçi – Unë kam kontratën bazë...
Erion Braçe – Faleminderit!
A ka pyetje të tjera?
Po, zonja Kushi.
Evis Kushi – Faleminderit, kryetar!
Unë kam 3-4 pyetje. Kontrata është nënshkruar në 21.07.2015 dhe propozimi për
ndryshime ka ardhur në 10.12.2017, pas rreth më shumë se 2 vjetësh. A nuk është konstatuar më
parë nevoja për këto ndryshime? A është bërë ndonjë studim paraprakisht për dinamikën e
shumëllojtë të fundit të detit çka e ka bërë të nevojshme këtë propozim për ndryshime, apo ka
qenë e pamundur të parashikoheshin situata të tilla? Pra, ideja është nëse ka qenë e mundur që
kjo situatë të parashikohej që në nënshkrimin e kontratës, apo kjo ka qenë e pamundur?
Së dyti, në relacion thuhet, por e dëgjova edhe sot gjatë fjalës së zëvendësministrit, që
shoqëria për këto ndryshime ka konsultuar studio prestigjioze në Europë. Ju i keni emrat e këtyre
studiove? A janë vërtet studio prestigjioze, të besueshme thjesht për të pasur më shumë garanci
për vazhdimësinë e këtij projekti?
Së treti, te ligji për koncesionet, në nenin 31, pika 1, thuhet: “Kontratat mund të
ndryshohen, duke i shtuar kontratës një aneks me kusht që kjo mundësi të parashikohet në
dokumentacionin e tenderit dhe në kontratë”. Ju, në fakt, thatë diçka, por nuk e kam dëgjuar mirë
dhe nuk jam e qartë. Pra, a është parashikuar në dokumentacionin e tenderit dhe në kontratë një
ndryshim i tillë i mundshëm?
Pyetja e fundit: këto ndryshime që ne do të miratojmë a garantojmë zbatimin me sukses
të projektit? Ne kemi eksperienca të mëparshme, të cilat për shkak të mungesës së një studimi të
mirëstudiuar gjithmonë në kontrata shtohen para, bëhen ndryshime dhe projekti nuk mbaron
kurrë. Po i referohem sidomos rastit të rrugës Elbasan-Tiranë, i cili po zgjatet pambarimisht
11
pikërisht për këtë arsye, mungesës së një studimi të mirëfilltë dhe serioz që në fillim të projektit.
Pra, me këto ndryshime garantohet kjo gjë apo prapë mund të lind nevoja për ndryshime të reja?
Faleminderit!
Erion Braçe – Urdhëroni.
Enea Karakaçi – Për sa i përket pyetjes që ka të bëjë me studimin përkatës edhe në
relacion është përcaktuar, pavarësisht se ligji është miratuar në vitin 2015, në përputhje me
legjislacionin shqiptar vetëm në muajin prill të 2017-ës është miratuar leja përfundimtare e
ndërtimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit. Studimet e thelluara që janë bërë kanë qenë
nga një studio, e cila, me aq sa unë di, është edhe në relacionin “Altea Gjeostudio 2000”, që
është referuar nga ana e koncesionarit.
Gjithashtu, për sa i përket mundësisë së ndryshimit të kësaj kontrate koncesionare, të
gjitha kontratat koncesionare janë të ndryshueshme për sa kohë që parashikohet në nenin 31 të
ligjit specifik të koncesioneve. Pikërisht edhe në relacion jemi shprehur se jemi bazuar në nenin
31, kur zbatimi i projektit koncesionar dhe objekti i kontratës koncesionare është i pamundur të
vijohet më tej. Kjo ka qenë edhe kërkesa e bërë nga shoqëria koncesionare, e cila ka referuar që
për shkak të studimeve të thelluara gjatë punimeve, të cilat ishin duke u kryer në terren, është
verifikuar dhe konstatuar se ishte e pamundur që linja principale të funksiononte sipas skemës
fillestare të projektit dhe si e tillë ajo ka bërë kërkesën përkatëse që ka të bëjë vetëm me një pjesë
të linjës teknologjike specifike.
Pra, nuk ndryshon asnjë nga kushtet thelbësore të kontratës që janë të parashikuara në
nenin 4 ose 5, që kanë të bëjnë me thellësinë përkatëse dhe me nivelin e tonazhit të ngarkimeve
dhe shkarkimeve. Sigurisht, me anë të shtesave të kontratës kjo është kërkuar në kuptimin që të
reflektoheshin nevojat e shoqërisë koncesionare dhe po ashtu të vendoseshin detyrime dhe kushte
që koncesionari të vijonte me punën përkatëse, duke marrë përsipër çdo detyrim dhe angazhim
tjetër gjatë kontratës koncesionare.
Erion Braçe – Zonja Kushi, keni ndonjë gjë?
Evis Kushi – Jo.
Erion Braçe - Faleminderit!
Po, zonja Kadiu.
Fatbardha Kadiu – Zoti këshilltar i Ministrisë së Infrastrukturës,
12
Edhe nga relatori dëgjova se në nënshkrimin e kontratës që është bërë në fund të vitit
2015-të investimet duhet të mbaronin brenda 6-mujorit, që do të thotë 6 muajt e parë të vitit
2016. Kompania prestigjioze europiane “Altea Gjeostudio” këtë lloj fenomeni e vuri re gjatë
ndërtimit të portit apo pasi ishte ndërtuar ky port?
Enea Karakaçi – Në fakt, sipas kontratës koncesionare afati për ndërtimin është 18 muaj
nga marrja e lejes dhe afati fillon në prill të 2017-ës, kur është marrë leja përfundimtare e
ndërtimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit.
Fatbardha Kadiu - Kam edhe një pyetje tjetër, ju lutem!
A ndryshon sipërfaqja që merr në shfrytëzim ky operator me këtë shtesë kontrate?
Ilia Gjermani – Unë jam Ilia Gjermani, shef i Sektorit të Hidrokarbureve në Ministrinë
e Infrastrukturës dhe Energjisë. Esenca e këtij ndryshimi qëndron në atë se pika e marrjes së
ndërtimit të sistemit të pompimit dhe të sistemeve të menaxhimit, që është në tokë, do të jetë po
aq dhe po në atë vend me koordinata, do të jetë rreth 3 mijë e ca metra katrorë...
(Diskutime pa mikrofon)
Pika fillestare nga ku fillon ky port, që është pak më në jug se hidrovori i Durrësit, nuk do
të ndryshojë, por do të jetë ajo e përcaktuar në kontratën fillestare dhe pika përfundimtare, ku do
të alokohen bovat, do të jetë po ajo. Ndryshimi që propozohet për shkaqe të studimeve që janë
kryer nga një studio, pasi kjo studio ka kryer 4 shpime në zonën e 800 metrave të para të bregut
të detit, ka arritur në përfundimin se tubacionet që do të vendoseshin te zona e bovave janë të
paqëndrueshme në atë zonë dhe për këtë arsye u propozua një zgjidhje tjetër teknike. Zgjidhja
tjetër teknike konsiston në ndërtimin e një argjinature, ku trapezi do të jetë 8 metra në pjesën e
ngushtë të saj, ku do të montohen tubat nga toka deri në 770 metra në det dhe nga 770 metra deri
në 2400 e ca metra ku janë të alokuara bovat, do të futen nën det. Ndryshimet e tjera rrjedhin si
rezultat i këtij ndryshimi bazë.
Pra, kjo do të thotë se sipërfaqja në tokë nuk ndryshon.
Fatbardha Kadiu – Sipërfaqja ujore a ka ndryshim? Pyetja është e thjeshtë: a ndryshon
apo jo sipërfaqja që ky operator merr në përdorim? Po ose jo.
Ilia Gjermani – Unë u përpoqa ta shpjegoja, tubacionet nga ku do të bëhet i gjithë
manipulimi, anijet, pompat e vendosura në bregun e detit do të shkojnë në një mënyrë tjetër, ky
është ndryshimi.
13
Fatbardha Kadiu – Nga përgjigjja juaj indirekte kuptoj që do të ketë ndryshim të
sipërfaqes.
Dua t’i drejtoj një pyetje zëvendësministrit, pa dashur të hyj në detajet e projektit. Ju e
keni vlerësuar projektin pozitivisht, pyetja ime është: si është e mundur që kompania i ka
realizuar këto ndërtime, shtesa, quajini si të doni ju, pa marr miratimin zyrtar nga Kuvendi?
Faleminderit!
Enis Aliko – Koncesionari ka marrë leje në KKT për këto ndryshime.
Fatbardha Kadiu – Kjo do të thotë?
Enis Aliko – Këshilli Kombëtar i Territorit...
(Diskutime pa mikrofon)
Erion Braçe – Zoti Shehi, ndizeni mikrofonin.
Dashamir Shehi – Siç e thashë edhe radhën tjetër, si teknikë të mirë, në qoftë se jeni dhe
besoj se jeni, duhet të filloni të na e shpjegoni me hartë që ta kishim pak a shumë të qartë, që ne
të mos e vrisnim shumë mendjen, pasi jo të gjithë këtu janë teknikë që merren me këto punë. Ai
djali flet gjithë kohën për formula koncesionari, ne nuk jemi duke diskutuar letrat, por projektin,
sepse projektin jemi duke ndryshuar dhe jo formulën koncesionare. Pra, nga 800 metra poshtë po
hipim me një skarpatë sipër, këtë duhej të na shpjegonte zotëria. Pra, duhet vënë një valëthyese
nga krahu tjetër sepse mbushet gryka e portit për efekt të hidrovorit.
Pyetja që unë kam: a do ta mbrojë hidrovorin kjo kompani? A keni vënë ndonjë rresht
këtu brenda koncesionarit? Kjo u bë grykë, u bë valëthyes këtej dhe nga ana tjetër është bankina
e portit të vjetër, kjo është teknikisht. Kush do ta mbrojë shtratin, grykën e hidrovorit? Brenda
kësaj kontrate a ka ndonjë marrëveshje? A do të rrijë atje ndonjë gjysmë ekskavator në ujë, në
det, siç rrinë dragat? Kush do ta thellojë këtë? Ky është halli që ne kemi. Edhe herën e kaluar
është diskutuar se çfarë do të bëhet pasi të ndryshojë projekti. Tani nga gryka hidrovorit kemi
dalë me kavalet 800 metra gjithsej dhe 100 metra i gjerë. Kush do ta mbrojë këtë se nga prurjet e
hidrovorit është mbushur? Këtu fillon një prej problemeve. Teknikisht a ka ndonjë të na e thotë
se si do të bëhet kjo punë? Pse i kemi thirrur përfaqësuesit e bujqësisë këtu, për këtë punë besoj,
për kullimin, shtratin e kullimit e të tjera. Çfarë do të bëhet me këtë punë dhe kjo është pyetja e
parë ku fillon...
Erion Braçe – Zoti Shehi, a ta marrim përgjigjen?
Dashamir Shehi – Po.
14
Erion Braçe - Urdhëroni, zoti Tarelli.
Irfan Tarelli – Faleminderit, zoti kryetar!
Për sa i përket funksionimit të hidrovorit të Porto Romanos, është një hidrovor, i cili
funksion prej 50 vjetësh dhe është i rëndësishëm për kullimin e tokës bujqësore, por tashmë edhe
të një zonë të madhe urbane për qytetin e Durrësit. Pra, funksionimi i tij është i domosdoshëm
edhe për periudhën në vijim, pavarësisht implikimeve eventuale që mund të ketë ose jo ndërhyrja
në këtë projekt.
Hidrovori, prej 2 vjetësh është transferuar në administrim e bashkisë dhe në praktikën
normale të funksionimit, jam duke folur nga eksperienca e viteve të mëparshme, kur është
administruar nga Ministria e Bujqësisë, aluvionet që hidrovori derdhte në det ose edhe efektet e
rrymave detare, nuk jemi në gjendje të flasim me sasira ekzakte, sepse janë procese dinamike,
por janë administruar nga prania e një apo dy ekskavatorëve, të cilët në raste kur kishte aluvione,
që bëheshin problem në grykëderdhjen e hidrovorit, shpërndaheshin dhe situata ka funksionuar
normalisht deri ditën që jemi duke folur.
Për sa u përket efekteve të mundshme, për ndryshimin e projektit, ne e kemi të vështirë të
flasim me materialet që kemi në dispozicion nëse do të ketë efekt përkeqësues apo efekt pozitiv.
Me ato që kemi në dispozicion një përcaktim të tillë kategorik nuk e themi dot, por ajo që
shohim të reflektuar në kontratë, ku kemi bërë edhe një ndërhyrje për peshkimin, ku kemi vënë si
kusht kur materiali na është dërguar për mendim, është se çdo ndërhyrje duhet të garantojë
mbrojtjen ndaj ndotjeve. Kjo sepse resurset peshkore ose potencialisht peshkime të mundshme
duhet të garantohen nëpërmjet ndërhyrjes dhe është vënë detyrimi për koncesionarin, si gjatë
ndërtimit, edhe operimit, si dhe klauzola tjetër që çdo ndërhyrje në respekt të legjislacionit për
mjedisin të trajtohet nga koncesionari.
(Diskutime pa mikrofon)
Gjithsesi, në gjykimin tonë, administratori i hidrovorit, që në rastin konkret është bashkia,
së bashku me koncesionarin duhet të jenë në marrëdhënie të vazhdueshme për parashikuar ose
për të adresuar çdo situatë eventuale.
Ky është sqarimi nga ana jonë.
(Diskutime pa mikrofon)
15
Ilia Gjermani – Sipas studimit të dytë, të cilin e kishim në dispozicion në momentin që u
bënë këto ndryshime, kjo lloj ndërhyrjeje, si dhe ndërtimi i dallgëthyesit të dytë ndikon
pozitivisht për sa i përket çështjes së ruajtjes së thellësisë së zonës atje. E para.
E dyta, duke e trajtuar shqetësimin në mënyrë integrale është futur një nen, neni 4, i cili e
detyron koncesionarin të zbatojë legjislacionin në fuqi për mjedisin dhe peshkimin. Kjo do të
thotë që koncesionari do të marr leje mjedisore dhe leja mjedisore do ta detyrojë atë të ruajë
gjendjen aktuale. Pra, kjo klauzolë e nenit 4 e ka siguruar aktivitetin e pontilit në kuptimin
juridik.
(Diskutime pa mikrofon)
Specifik është...
(Diskutime pa mikrofon)
Dashamir Shehi – Ekskavatorin atje që e për ka detyrim...
(Diskutime pa mikrofon)
... edhe nga ana juridike edhe si administrim të pasurisë. Çfarë është koncesionari? Ajo që
nga ju është njohur si e përbashkët, ia japim ta përdorë të gjithin privati, ky është koncepti në
ligj. Aty ka qenë një port që ka pasur një regjim monopol, tani kemi dy porte. Mendoj që forma e
dhënies së koncesionarit ka këtë vlerë që të thyejë një monopol të një porti të caktuar në një zonë
të caktuar të Shqipërisë. Kjo është parashikuar në formulën koncesionare dhe ka qenë në
konsideratë që në fillim. Dhënia e koncesionit hap një zonë tregtare koncesionare të lirë, që nesër
të mund bëhet edhe një i tretë apo i katërt në qoftë se është nevoja, se zona, si të thuash, u bë pis,
u bë me naftë, u industrializua që të jetë e hapur, apo ka nene atje që e bllokojnë që u bë një port
e të mos bëhen dy apo të tjerë? Si është menduar ligjërisht atje, ka të tilla?
Irfan Tarrelli – Në kushtet e kontratës të portit MBM nuk ka kushte të tilla eksluziviteti
dhe, në fakt, pavarësisht se ky është një projekt i miratuar në vitin 2015, le të themi se këto
argumente janë dhënë që në vitin 2015 dhe në relacionin përkatës të po këtij viti, pikërisht ky ka
qenë diversifikimi i shërbimeve në atë zonë.
Fatbardha Kadiu - Faleminderit!
Së pari, falënderoj ekspertin nga Ministria e Bujqësisë, i cili e bëri të qartë mendimin kur
tha që nuk jemi të sigurt nëse hidrovori do të ketë mirëfunksionim apo keqfunksionim pas kësaj
ndërhyrjeje! Ju thatë që e keni marrë përsipër mirëfunksionimin e tij, madje kemi bërë edhe një
ndryshim në nenin 4 të kontratës. Po citoj fjalë për fjalë këtë nen: “Koncesionari dhe shoqëria
16
koncesionare gjatë ndërtimit dhe operimit të koncesionit do të zbatojnë legjislacionin në fuqi për
peshkimin dhe atë mjedisor si dhe çdo detyrim dhe angazhim tjetër të marrë përsipër në
kontratën koncesionare”.
Në kontratën e parë koncesionare nuk ka asgjë të shkruar për hidrovorin, për
mirëfunksionimin apo keqfunksionimin e tij, gjë që do t’ua lemë ekspertëve të flasin. Shqetësimi
që kemi për hidrovorin është nëse kjo kompani do të marrë përsipër çdo lloj përgjegjësie që lind,
gjë e cila nuk është e shprehur në kontratë. Pra, ose do ta ndryshojmë këtë nen, ose kjo nuk
reflekton situatën reale të hidrovorit.
Enea Karakaçi - Kur është bashkërenduar shtesa e kontratës koncesionare nga ana e
Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përveçse detyrimit ligjor, është pasur kujdes që të
bashkërendohet me të gjitha ministritë që ruajnë ose kanë objekt të tyre pikërisht këto shqetësime
që u cituan edhe nga ana jua.
Reflektimi i nenit 4 që lexuat është reflektim i komenteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe
Ministrisë së Mjedisit. Në vlerësimin që kemi bërë, çështjet mjedisore lidhen me funksionimin e
hidrovorit, sepse ne themi legjislacioni në fuqi për mjedisin, pra është i gjithë kuadri ligjor.
Komenti i Ministrisë së Bujqësisë ka qenë për një nen specifik të ligjit të peshkimit dhe kemi
thënë pikërisht legjislacioni për peshkimin për anulimin gjithëpërfshirës të gjithë legjislacionit që
përfshin atë fushë, edhe për mjedisin edhe për peshkimin.
Fatbardha Kadiu - Mund të më thoni konkretisht çfarë shprehet për hidrovorin te
legjislacioni mjedisor?
Arben Dhima – Përshëndetje!
Lidhur me pyetjen për çështjen mjedisore, kam përshtypjen se projektet e të gjitha
veprimtarive industriale ekonomike në Republikën e Shqipërisë, si për çështjet e ruajtjes së
nivelit të ndotjes, po ashtu të ruajtjes së florës dhe faunës në çfarëdolloj mjedisi, si i tillë,
legjislacioni për mjedisin mundohet të ruajë gjendjen aktuale ose minimale të ndikimeve që
mund të kenë veprimtaritë ekonomike në ambientin ku parashikohen të ndërtohen dhe zbatohen.
Siç e sqaroi edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, hidrovori është një aktivitet që
tashmë është nënfunksion i pushtetit vendor për sa i përket pjesës së shkarkimeve në det të
alubioneve, por, nga ana tjetër, çfarëdolloj veprimtarie që ndodh në ekosistemin e detit, ndikon
edhe në veprimtarinë e drejtpërdrejt të operatorit. Pra, është në interes të të dyja palëve, si të
pushtetit vendor për zbatimin me rigorozitet të këtij shërbimi, po ashtu edhe të vetë operatorit për
17
mbajtjen dhe ruajtjen e thellësisë në të gjithë këtë ambient, sepse përndryshe do të ndikonte edhe
në veprimtarinë e tij të përditshme. Pikërisht, një nga argumentet e paraqitura, ndërtimi i këtij
dallgëthyesi, ruan të paprekur, pa pasur rryma, të cilat duhet të krijonin akumulime të mëtejshëm,
ose ngritje të nivelit të fundit të detit, çka është shprehur edhe në relacionin që ka paraqitur
shërbimi gjeologjik shqiptar në analizat që i ka bërë propozimit të ardhur nga koncesionari, por e
ka argumentuar që kjo teknologji ose kjo lloj mbrojtjeje është e pranueshme dhe nuk sjell
përkeqësim të pritshëm të shkarkimeve, përkundrazi, sjell stabilitet të rrjedhjes drejt detit. Ky ka
qenë mendimi teknik i organit të specializuar dhe, për më tepër, edhe në studimet që ka paraqitur
“Altea Gjeo Studio” në studimin e fundit që ka shoqëruar propozimin e fundit të koncesionarit,
ka mbështetur pikërisht këtë fakt duke argumentuar se në fazën paraprake kur është bërë
propozimi fillestar në vitin 2015, studimet që janë përdorur, për të cilat është angazhuar
nënkoncesionari, kanë qenë studime të disponueshme në atë kohë, pra kompania ka përdorur
gjithë gjeneratorët. Ndërkohë, në vitin 2017, përveç literaturës dhe njohurive që ka azhornuar, ka
bërë edhe sondime të drejtpërdrejta në tavanin e detit, ka bërë analiza nëpërmjet karrotimeve,
analiza të fundit të detit dhe ka mbështetur këtë lloj propozimi teknik të ngritjes së argjinaturës.
Për sa i përket pyetjes suaj lidhur me mirëfunksionimin e hidrovorit në vlerësim edhe të
grupit të punës, por edhe nga reflektimet e mendimeve të ministrive dhe organeve të tjera, nuk
kemi pasur një kundërshti ose një opinion negativ për mosçuarjen më tej të këtij propozimi në
Këshillin e Ministrave.
Faleminderit!
Fatbardha Kadiu – Për ta vazhduar, së pari, një pjesë nga ju na thotë që ndërtimi i këtij
dallgëthyesi do të ketë funksion pozitiv, ndërkohë që eksperti e shprehu hapur që nuk jemi në
gjendje me kaq informacion sa kemi t’ju themi nëse do të ketë ndikim negativ apo pozitiv.
Mendoj se do të ishte shumë e drejtë dhe shumë më e ndershme, që ose të pranojmë që ky
do të ketë një mirëfunksionim dhe të mos e marrim përsipër ta bëjmë këtë shtesë kontrate, ose të
themi që, po, mund të ketë probabilitet keqfunksionimi dhe duhet që kompania të marrë përsipër
detyrimisht çdo lloj pasoje që vjen nga keqfunksionimi i këtij hidrovori.
Së dyti, kam një pyetje për përfaqësuesin e ministrisë së Kulturës, zotin Lako: ndërtimi i
këtij dallgëthyesi është shumë afër, asnjë metër larg në distancë nga monumenti i kulturës nr. 29
në inventarin e Ministrisë së Kulturës. A ka bërë kjo ministri një vlerësim, një leje apo një
18
autorizim për ndërtimin e këtij dallgëthyesi në distancë me këtë monument kulture të shpallur
nga Ministria e Kulturës?
Faleminderit!
Ledion Lako – Monumenti i portës i kategorisë së parë është shpallur në vitin 1948,
gjithashtu, është rishpallur në vitin 1971. Ka pasur një ndërhyrje restaurimi në vitet ’70 dhe,
gjithashtu, në vitin 2017 kemi bërë një ndërhyrje konservuese rrethuese me një parmak,
vendosjen e flamurit kombëtar dhe punëve të tjera që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e
monumentit.
Porti MBM ka bërë kërkesë në vitin 2016 pranë Ministrisë së Kulturës në Këshillin
Kombëtar të Arkeologjisë për t’u pajisur me leje pranë institucionit të Ministrisë së Kulturës
duke qenë se kemi të bëjmë me monumentin e kulturës, por jo vetëm, edhe me zonën, e cila do të
kishte gjetje arkeologjike si zona në tokë, ashtu edhe ajo në det. Është vënë detyrë nga Këshilli
Kombëtar i Arkeologjisë që të lidhin kontratë me individë të licencuar që të kontrollojnë zonën,
si me tavanin e detit, ashtu edhe në tokë. Kanë qenë dy ekspertë me grupet e tyre të mëdha, që
kanë bërë vëzhgimin arkeologjik, si në terren, ashtu edhe nën ujë dhe nga të dyja vëzhgimet ka
dalë se nuk ka gjetje arkeologjike si në tokë nga ana e individit të licencuar, ashtu edhe për sa u
përket zhytjeve që kanë bërë specialistët e Institutit të Arkeologjisë , që janë edhe individë të
licencuar. Nga kjo ka rezultuar që nuk ka gjetje arkeologjike në tabanin e detit.
Mbas këtyre raporteve, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka vendosur që të japë lejen për
zhvillimin e mëtejshëm të portit dhe, mbas kësaj, leja ka shkuar në Këshillin Kombëtar të
Restaurimeve ku shikohet pjesa e ndërtimit të godinave për zyra, të cilat janë pjesë mbështetëse e
portit, që do të ndërtohen 150 metra larg murit të portës.
Për sa i përket rrugës, kemi të bëjmë me një rrugë, e cila ka qenë ekzistuese. Ajo ka qenë
ngjitur me murin e portës dhe ka shërbyer si për sa u përket reparteve ushtarake, që kanë qenë në
majë të kodrës, po ashtu edhe në krahë të murit. Aty kanë hyrë mjete të rënda gjatë periudhës së
komunizmit, por edhe mbas kësaj periudhe. Janë ndërtuar shtëpi të ndryshme në majë të kodrës
dhe rreth kodrës së Porto Romanos. Kjo rrugë ka shërbyer gjithashtu për komunitetin, por jo
vetëm. Aty kemi të bëjmë edhe me një kanal kullues. Ky kanal pastrohet herë pas here, madje në
vitin 2017 është pastruar dhe baltën që kanë nxjerrë e kanë hedhur afër murit. Parmakun ne kemi
vendosur pikërisht, sepse kishim të bënim me një rrugë ekzistuese, që është përdorur nga mjetet
e tonazhit të rëndë dhe duke vënë këtë largësi të murit të parmakut, i kemi bërë të ditur si
19
personat, të cilët punojnë për hapjen e kanaleve, ashtu edhe qytetarëve të ndryshëm, që kemi të
bëjmë me një monument të rëndësisë kulturore ku nuk do të lejohet të hyjnë as kafshët e
ndryshme, të cilat i vinin përreth murit.
Pra, kemi të bëjmë me një rrugë ekzistuese, këtë e vërteton edhe një urë, e cila është mbi
kanalin kullues, që lidh rrugën kryesore për në Porto Romano me rrugën që lidh komunitetin.
Kjo urë është 7 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë, e ndërtuar në periudhën e komunizmit me
beton, e cila është projektuar pikërisht për makina të tonazhit të rëndë.
Fatbardha Kadiu – Domethënë, aktualisht, Ministria e Kulturës i ka dhënë leje ndërtimit
të dallgëthyesit pranë murit?
Ledion Lako – Nuk po them këtë. Aktualisht, Ministria e Kulturës ka dhënë leje për
projektin fillestar.
Fatbardha Kadiu – Aktualisht, a ka leje për këtë shtesë kontrate që kemi ndërtimin e një
dallgëthyesi shumë afër me monumentin e kulturës?
Ledion Lako – Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve
do të vendosin për vazhdimësinë e këtij projekti.
Fatbardha Kadiu – Atëherë, duhet t’i drejtohem zëvendësministrit: kjo kompani, pasi ka
shprehur kërkesën e saj, a ka bashkëngjitur edhe këto lejet që nevojiten nga institucionet e tjera?
Faleminderit!
Enis Aliko – Kjo procedurë është shqyrtuar në KKRT, ku janë paraqitur të gjitha
dokumentet e kërkuara nga Këshilli dhe është miratuar.
Erion Braçe - Më fal, se nuk e kuptuam!
Zonja pyeti zotërinë a ka leje nga Ministria e Kulturës dhe veçanërisht nga Sektori i
Arkeologjisë për këtë çështje, apo jo.
Zotëria thotë jo. Ju thoni po.
Enis Aliko – Ne themi që është miratuar në KKRT dhe dokumentet janë dorëzuar atje.
Ne nuk i dimë!
Erion Braçe - Dakord. Faleminderit!
E kuptova!
Ismet Beqiraj - Ky projektligj lidhet me ndryshimet në aspektin jo vetëm të projektit
shtesë, e cila shoqërohet edhe me ndryshime të efektit financiar.
20
Në relacionin e Këshillit të Ministrave thuhet: “Në fazën përgatitore për shtrirjen e dytë të
bastioneve në det”, ndërsa te shpjeguesi i termave teknikë të projektit, te germa “b” thuhet:
“Tubacionet për sektorin “A” dhe “B” do të jenë tre”. Atëherë, do të jenë dy tubacione apo tri,
përfundimisht? Kjo është pyetja e parë.
Në vazhdim të kësaj pyetjeje, ky port do të bëhet kryesisht për përpunimin e importit dhe
eksportit të nënprodukteve të naftës bruto. A e përballojnë dy ose tri tubacionet, sipas relacionit,
që ju do t’i sqaroni, duke pasur parasysh që këtu janë produkte të gazta, (jo, produkti gaz nuk
është parashikuar në relacion, pra GLN-ja), së dyti, produkte të bardha, produkte të errëta, nafta
bruto dhe bitumi?
Pyetja tjetër ka të bëjë me shtesën e projektit për kalimin e kësaj zone me tubacione mbi
një argjinaturë artificiale. Çfarë është argjinatura artificiale?
Pyetja e tretë, lidhet me argjinaturën artificiale, teknikisht mund të na i shpjegoni, se
duhet të ketë një shpjegim?
Pyetja e katërt, është përsëri teknike: porti i vjetër krijon funksione jo vetëm për
transportimin e produkteve të bardha, por edhe të gazit të lëngshëm të naftës, që sot Shqipëria
furnizohet tërësisht nga tregu i jashtëm nga importi në GLN. Në këtë projekt unë nuk e shikoj.
Dhe e fundit, ky ndryshimi shtesë projekti, sikurse thashë, në radhë të parë është
ndryshim teknik dhe pastaj financiar, është shoqëruar me shtesë studimi për vlerësimin dhe
ndikimin në mjedis?
(Mungesë audio)
Enis Aliko –Duke iu referuar pyetjes së parë për numrin e tubacioneve, në kontratën
fillestare janë parashikuar dy tubacione. Koncesionari nuk ka kërkuar shtesë për numrin e
tubacioneve, prandaj do të mbeten dy.
(Diskutim pa mikrofon)
E keni fjalën për tre tubacione çeliku të veshur etj...
Ismet Beqiraj - Te germa “b” flitet për pozicionin gjeografik: “Tubacionet për sektorin
“A” dhe “B” do të jenë tre me diametër 323,9 milimetër”, ndërkohë që relacioni i Këshillit të
Ministrave thotë dy. Do të jenë tri apo dy?
Enis Aliko - Janë 3. E konfirmoj.
Erion Braçe - ...ish-ministri do t’ia bëjë me shkrim Kryeministrit që ta korrigjojë.
Urdhëroni!
21
Ilia Gjermani – Referuar pyetjeve të deputetit, të cilat lidheshin me llojet e
nënprodukteve që do të përpunohen nga ky konflikt, këto janë gjithë gama e nënprodukteve, me
përjashtim të produkteve të gazta. Kjo është e shprehur. Pra, nga benzina deri te nafta bruto. Dhe
për tubacionet që lidhen me produktet e zeza bitumi dhe nafta bruto, do të ndërtohet i tillë që të
jetë në përputhje me kushtet dhe normat teknike. Pra, do të thotë që duhet të jenë me parametra
të tillë që të ruhet temperatura e tyre, në mënyrë që të mundësohet lëvizja e fluidit në të.
Ismet Beqiraj – Nuk të pyeta kot, por dhe ajo që kolegu Shehi tha për monopolin, në
qoftë se ka monopol, ka te gazi i lëngshëm në Shqipëri. Në qoftë se këtij porti nuk i japin edhe
akses që të ndërtojnë linjën e shkarkimit GLN-së, monopoli është këmbëkryq në Shqipëri. Ky
është shqetësimi im. Unë nuk pyeta kot.
Ilia Gjermani – Në dijeninë time gazi i lëngshëm në Shqipëri ka disa rrugë që furnizon
tregun shqiptar. Nuk është vetëm një rrugë. Është Porto Romano, është porti i Vlorës, është
transporti hekurudhor dhe transporti rrugor. Në të gjitha këto mundësi furnizohet tregu shqiptar
me gaz të lëngshëm të naftës. Sot Shqipëria konsumon rreth 90 mijë ton gaz të lëngshëm të
naftës, nga i cili më pak se 40% lëvrohet nga porti i Durrësit, rreth 40% nga porti i Vlorës, PIA,
dhe pjesa tjetër në rrugët tokësore. Përveç kësaj Shqipëria nga viti 2016, viti 2017 e këtej është
vend ku rieksportojmë GLN-në kryesisht në Kosovë, Maqedoni dhe në Greqinë e Veriut. Këto
janë të dhënat statistikore.
Erion Braçe – Zotëria pyeti, ky porti që po ndërtohet a do ta ketë aksesin e importit të
gazit të lëngshëm apo jo? Kaq. Për pjesën tjetër ka autoritet shteti. Ju mund të keni të gjitha
statistikat e botës, por problemi është që shteti ka një autoritet që merret me konkurrencën. Dhe
atë do t’jua them unë në fund. Zotëria pyeti për këtë. Ky port përmes këtij koncesioni a e merr të
drejtën për këtë apo jo? Kaq.
Ilia Gjermani - Unë mendoj se e dhashë përgjigjen duke thënë jo.
Erion Braçe – Jo. Nuk e ka ky. Faleminderit!
A ka pyetje të tjera? Po.
(Flet një deputet pa mikrofon.)
Ilia Gjermani – Argjinatura është poshtë, është me gurë të përmasave të mëdha dhe atje
ku do të montohen tubat do të shtrohet me beton... Pra, jo argjinaturë e përbërë nga argjili, por
argjinaturë në kuptimin teknik të kësaj fjale.
Erion Braçe – Po. Lejet mjedisore, thotë zotëria.
22
Enea Karakaci – Objekti, në vazhdën e lejeve, le të themi, që ka marrë, nga momenti i
miratimit të kontratës koncesionare, sigurisht ishte edhe leja mjedisore në kuptimin e kontrollit.
Pastaj, nëse është e nevojshme që të përcaktohet dhe të ndryshohet leja mjedisore, ne prandaj e
kemi dërguar për mendim edhe në Ministrinë e Mjedisit e cila është shprehur se me kontratat
koncesionare gjatë operimit të ndërtimit të tij të zbatohen kushtet mjedisore në fuqi. Pas marrjes
së ndryshimit të kontratës potencialisht, hapat e mëtejshëm sigurisht që janë kalimi në KKT i të
gjithë projektit ku plotësohet me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm me lejet përkatëse, lejet
shtetërore që kërkohen. Nëse vlerësohet që do të duhet të ndryshim dhe shtesë e vlerësimit të
ndikimit në mjedis, subjekti do ta dorëzojë aty shtesën përkatëse të vlerësimit të ndikimit në
mjedis, nëse është e nevojshme dhe vlerësohet si e tillë nga strukturat përkatëse mjedisore.
Ismet Beqiraj – Më ngacmoi kjo që tha juristi: “në qoftë se është e nevojshme”. Vetëm
këtë nuk e kuptoj. Sa herë që bëhet ndryshimi i një projekti, qoftë edhe sikur të ndryshosh një
dritare në lokal, bashkëshoqërohet me raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Përderisa ky
projektligj vjen për të kaluar në komision, këto, në konceptin tim, duhet të ishin mbyllur. Është
bërë dhe ky ndryshim shtesë. Është një ndryshim madhor, se ti po ndryshon argjinaturën
artificiale dhe aty do të bësh studim në një rast për shkak të dinamikës detare. Ndodh në rast
ekstrem apo kur të na shkatërrohet ndonjë tubacion që të mbytet bregdeti me naftë atëherë do të
mendohemi. Kjo vendoset paraprakisht, dhe mos të thuhet jo në qoftë se.
Erion Braçe – Po, zonja Gjylameti.
Blerina Gjylameti - Faleminderit!
Duke parë se rrjedha e diskutimeve të pyetje-përgjigjeve mori rrjedhë ndryshe nga
objekti i këtij komisioni unë do të vlerësoja përgjigjet e dhëna. Gjithashtu, edhe për pyetjet qe
kanë kolegët apo për pyetjet që do të ngre unë do ta vlerësoja që të kemi edhe informacion
shtesë. Ndërkohë këtu ne jemi Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, nuk jemi komisioni që
merret me vlerësimin e mjedisit edhe pse mund të kemi kërkesë për informacion. E njëjta gjë
vlen dhe kur bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me peshkimin. Besoj se ka një komision
tjetër që është përgjegjës dhe që duhet të detajojë të gjithë informacionin. Unë mendoj se
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, ne, duhej të kishim në vëmendjen tonë një studim të
mirëfilltë që i është bërë këtij koncesioni në momentin kur është lidhur. Dhe ndërkohë tani të
vazhdojmë në këtë drejtim sikundër është ai i ndryshimeve, ose fillimi i operimit të këtij
koncesioni, ndryshimet që mund të sjellë në tregun e hidrokarbureve, se si ndikon kjo në çmimin
23
e hidrokarbureve që është një shqetësim që së bashku me kolegët e opozitës e kemi ngritur herë
pas here dhe se si kjo ndryshon në atë që sot është një situatë pothuajse monopoli për sa i përket
Porto Romanos. Dhe më shumë se sa diskutojmë së bashku çështje që i kemi fare mirë të
bashkëlidhura në relacion kundër është dhe fakti, këtë e kam edhe për kolegët e mi, edhe të
krahut këtej. Te neni 4, pavarësisht se nuk kemi kontratën përpara, kontrata është lidhur para 2
vjetësh dhe e sqaron fare qartë. Koncesionari dhe shoqëria koncesionare gjatë ndërtimit dhe
operimit të koncesionit do të zbatojë legjislacionin në fuqi për peshkimin dhe aspektin mjedisor,
si dhe çdo element tjetër që i lindin nga detyrimet e lidhjes së kontratës. Ndaj pyetja ime për
përfaqësuesit e ministrisë është:
A është bërë një studim i mirëfilltë se si do të ndikojë ky fillim koncesioni ose operimi i
këtij koncesioni në tregun e hidrokarbureve?
Si ndikon dhe çfarë mund të ndodhë në situatën e monopolit që është krijuar tashmë?
Nga ana tjetër, dhe pse është e thënë që ndryshimi i një prej elementëve të kontratës së
koncesionit nuk ndryshon në pranimin e ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese do të duhet që
nga ana juaj të kemi disa materiale shtesë që edhe ne të jemi më të informuar për çfarë ndodh
realisht. Dhe duke qenë se herën tjetër u ngritën disa pikëpyetje shumë të mëdha nga ana e
kolegëve të opozitës për faktin se si ndikon... E dëgjova nga përfaqësuesi i Ministrisë së
Kulturës, ku do të doja të ishin pak më të qartë, se si ndikon kjo për sa i përket monumenteve të
kulturës.
Faleminderit!
Erion Braçe – Zonja Gjylameti, ky është komision përgjegjës, që do të thotë nuk është
komision thjesht i fushës së ekonomisë dhe financave që të merret thjesht dhe vetëm me tarifën e
koncesionit, vlerën e koncesionit, e të tjera me radhë. Për sa kohë që është komision përgjegjës
do të merret me gjithçka.
Po.
Blerina Gjylameti – Zoti kryetar, po ju përgjigjem meqë m’u drejtuat. Jam më se e qartë
se çfarë është ky komision dhe besoj nuk kam nevojë të më shpjegojë dikush, sepse lexoj dhe e
kam fare të qartë. Ky është komision përgjegjës. Do të duhet të marrim relacione nga komisionet
e tjera që janë për dhënie mendimi, që e kanë të fushës së tyre pjesën e mjedisit, pse si ndikon në
bujqësi e të gjitha elementet e tjera. Prandaj mendoj që në këtë komision duhet që fokusi i
diskutimeve tona të jetë se çfarë ndikimi do të ketë ky në tregun e hidrokarbureve, se si do të
24
ndryshojë situata e monopolit që është krijuar. Vonesa që kemi në këtë moment, për sa i përket
operimit apo fillimit të operimit të këtij koncesioni, se sa ndikon në pjesën e çmimit në fund,
është një element që na intereson të gjithëve.
Nga ana tjetër, zoti kryetar, për sa kohë jemi një komision që në fushën e tij të
përgjegjësisë ka, dhe relatojnë këtu, Autoritetin e Konkurrencës e me radhë, do të duhet që në
këtë aspekt ne të kemi një vëmendje të shtuar shumë më tepër sesa te elementët mjedisorë që na
vijnë me relacionet përkatëse.
Faleminderit!
Erion Braçe –Zonja Gjylameti, ashtu si dhe unë, ju jeni një anëtare e këtij komisioni dhe
nuk keni absolutisht asnjë lloj të drejte të kufizoni interesin e secilit prej deputetëve në këtë sallë
lidhur me çështjen në fjalë. Kaq.
Po.
Enis Aliko– Për pjesën e studimit ekonomik, të impaktit ekonomik të këtij porti, dua të
them se kjo është marrë në shqyrtim që kur është lidhur kontrata koncesionare në 2015-n. Fakti
që është lidhur kjo kontratë koncesionare është bërë pikërisht për këtë punë, pra, për të
mundësuar uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri. Aktualisht në port anijet që mund të
ankorohen dhe të shkarkojnë janë të tonazhit 18 mijë tonë deri në 20 mijë tonë. Anije më të
mëdha nuk mund të vijnë. Në këtë port të ri që do të ndërtohet do të mund të vijnë, të ankorohen,
dhe të shkarkojnë anije me tonazh shumë më të madh. Mund të jenë dhe anije 50 mijë tonëshe.
Rrjedhimisht me mjete më të mëdha transporti ulet dhe çmimi i karburanteve. Këto gjëra janë
parë që në kontratën e parë. Kjo do të sjellë një përmirësim të strukturës së çmimeve në Shqipëri.
Blerina Gjylameti – Dakord.
Unë e vazhdova pyetjen kur thashë vonesa e fillimit të operimit. Çfarë ndikimi ka?
Pyetjen tjetër e kisha për përfaqësuesin e ministrisë.
Arben Dhima – Besoj se është e kuptueshme që çfarëdolloj vonese në fillimin e operimit
do të ruajë status quo-në e këtij tregu sot. Pra, me fillimin e punës së një operatori të ri, i cili
potencialisht do të mund të fusë në treg produktet me kosto më të lirë, do të sjellë jo vetëm një
rritje të sasisë, pra rritet oferta, por, nga ana tjetër, dhe të çmimit për njësi të vetëproduktit.
Kështu që me fillimin sa më shpejt të operimi të këtij porti, do të kemi një përmirësim të tregut.
Pra, një ulje të çmimeve.
25
Ledion Lako - Për sa i përket murit, projekti, si ngritja e godinës, e cila është 150 metra
larg murit, nuk e dëmton murin. Për sa i përket gjendjes aktuale nuk ka dëmtime të murit të
portës për shkak sepse aty kemi të bëjmë me një rrugë ekzistuese. Ministria e Kulturës ka
dërguar specialistët përkatës të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik edhe në bashkëpunim me
GRPP-në Durrës në datën 26 pas shumë inspektimesh kanë bërë edhe një inspektim të fundit
bashkërisht. Të gjithë informacionin e mbledhur e kanë dërguar në mbledhjen e radhës të
Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Erion Braçe – Po, zoti Bushati.
Ervin Bushati - Faleminderit!
Dhe mua më intrigoi pjesa e rënies së çmimit. Në qoftë se i hyjmë kësaj llogarie, dua të
di: firma që po merr koncesione, sa përqind të tregut ka në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri?
Po ata që janë pronarë? Që të bëjmë një llogari. Në qoftë se ka 90% të tregut, apo 80%, apo 20%,
apo 10% llogaria dhe ndryshon. Mund të marr një përgjigje edhe për këtë pyetje?
Erion Braçe – Nuk ka lidhje kjo me këtë pjesë. Dhe ai besoj unë nuk është i kënaqur me
përgjigjen.
A ka pyetje të tjera?
(Flet një deputet pa mikrofon.)
(Mungesë audio)
Erion Braçe – A ka ndonjë diskutim tjetër?
Për ta mbyllur dua të them dhe unë dy fjalë.
Së pari, mbi të gjitha është jo thjesht interes privat. Për këtë arsye investohet edhe
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Për interesin publik që ka ndërtimi i një vepre. Natyrisht që
është interes publik i lidhur me një interes publik akoma më të madh. Pra, thyerja e monopolit që
është vendosur pikërisht nga koncesioni tjetër që operon në zonën e Porto Romanos, nga mënyra
e përdorimit të atij koncesioni, pastaj edhe në sektorë të caktuar të tregut të hidrokarbureve në
vend, veçanërisht në tregun e gazit, dhe nuk jeni as ju, as unë ata që vërtetojnë ose jo situatën
monopol në një treg të caktuar. Këtë gjë e bën Autoriteti i Konkurrencës, që e ka gjykuar këtë
pjesë si monopol të pastër, ka dhënë sugjerime, ka lënë edhe detyrat, të cilat nuk janë marrë
parasysh, duke lënë vend për ngjarje tragjike, sepse ka pasur tentativa në treg, duke ndërhyrë në
rrugë kriminale.
26
Dua t’ju referoj raportin e Autoritetit të Konkurrencës së datës 17.11.2015 lidhur me këtë
koncension për të cilin po diskutojmë sot, ku thuhet qartë: “Përpara fillimit të zbatimit të
projektit të koncesionit ministria duhet të miratojë metodologjinë e përcaktimit të tarifave dhe
shërbimet portale të ofruara nga shoqëria koncensionare “Porti MBM”. Mua më rezulton se
ministria juaj nuk e ka bërë ende këtë gjë. Kjo është një detyrë e lënë nga Autoriteti i
Konkurrencës përpara fillimit të zbatimit të projektit, me qëllim që interesi publik, i lidhur me
thyerjen e atij monopoli, të mos degradojë në një duopol në atë territor të caktuar. Ka lënë edhe
një detyrë tjetër më të rëndësishme. “Brenda një periudhe sa më optimale, të përcaktojë
metodologjinë e përgjithshme të përcaktimit të tarifave për çdo koncesion me procedurë të një
propozimi të pakërkuar” – thotë Autoriteti Konkurrencës. Edhe kjo më rezulton një detyrë e
pakryer nga ministra ku ju bëni pjesë, ashtu siç më rezulton e pakryer dhe e papërfillur, madje e
refuzuar, detyra e fundit që ju ka lënë dhe që buron nga ligji i konkurrencës, që për çdo akt të
tillë, kontratë koncensionare, t’i drejtoheni paraprakisht Autoritetit të Konkurrencës për të marrë
mendimin, sepse në fund fare interesi publik në të tilla vepra është i lidhur ngushtësisht me
interesin e qytetarit, atë që ai merr si mall dhe si shërbim dhe me çfarë çmimi e merr si mall dhe
si shërbim.
E gjithë kjo do të jetë në relacionin e komisionit, ashtu siç do të jenë të përfshira në
relacionin e komisionit të gjitha shqetësimet e tjera të ngritura nga deputetët: Kadiu, Shehi,
Gjylameti, Beqiraj, si dhe nga relatori i komisionit, që kanë të bëjnë, mbi të gjitha, me
funksionimin e plotë me fuqi maksimale i papenguar i hidrovorit të Durrësit dhe më pas me
interesin e shtuar për problemet që lidhen drejtpërdrejtë me pasurinë arkeologjike në atë territor.
Kështu që, zoti Xhelilaj, çdo gjë do të jetë e pasqyruar në relacionin e komisionit që do t’i
paraqitet Kuvendit, pastaj se çfarë bëjnë institucionet ekzekutive është puna e tyre. Ne kemi për
detyrë t’i shkruajmë dhe, natyrisht, t’i verifikojmë ato që shkruajmë.
Hedhim në votim në parim projektligjin “Për miratimin e shtesës së kontratës së
koncesionit të formës “BOT”(ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në
Porto-Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës
dhe Energjisë dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM””.
Kush është pro? Kundër? Abstenim?
Miratohet.
Neni 1. Kush është pro? Kundër? Abstenim?
27
Miratohet.
Neni 2. Kush është pro? Kundër? Abstenim?
Miratohet.
Hedhim në votim projektligjin në tërësi.
Kush është pro? Kundër? Abstenim?
Miratohet.
Faleminderit!
MBYLLET MBLEDHJA