republika e shqipËrisË kuvendi · 2018-04-30 · për sa i përket pyetjes së parë, nëse...

23
1 REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI Komisioni për Ekonominë dhe Financat PROCESVERBAL Tiranë, më 03.04.2018, ora 10:00 Drejton mbledhjen: Erion Braçe kryetar i Komisionit Rendi i ditës: 1. Miratimi i procesverbalit. 2. Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes “Për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Europës Qendrore”” (Komision përgjegjës.) 3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Europian për programin Interreg V-B Mesdhe (MED), 2014-2020”. 4. Projektligji “Për statistikat zyrtare” Marrin pjesë: Erion Braçe, Anastas Angjeli, Blerina Gjylameti, Antoneta Dhima, Evis Kushi, Ilir Xhakolli, Arben Pëllumbi, Roland Xhelilaj, Xhevit Bushaj, Edmond Haxhinasto dhe Reme Lala. Mungojnë: Ervin Bushati, Jorida Tabaku, Edmond Spaho, Fatbardha Kadiu, Nadire Meçorapaj, Agron Shehaj, Dashamir Shehi dhe Përparim Spahiu. Të ftuar: Gazmend Barbullushi - Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme Armand Skapi Drejtor i Drejtorisë së Traktateve dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme

Upload: others

Post on 19-Feb-2020

12 views

Category:

Documents


0 download

TRANSCRIPT

1

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

PROCESVERBAL

Tiranë, më 03.04.2018, ora 10:00

Drejton mbledhjen:

Erion Braçe – kryetar i Komisionit

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbalit.

2. Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes “Për

amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Europës Qendrore”” (Komision

përgjegjës.)

3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës

së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Europian për programin Interreg V-B

Mesdhe (MED), 2014-2020”.

4. Projektligji “Për statistikat zyrtare”

Marrin pjesë:

Erion Braçe, Anastas Angjeli, Blerina Gjylameti, Antoneta Dhima, Evis Kushi, Ilir

Xhakolli, Arben Pëllumbi, Roland Xhelilaj, Xhevit Bushaj, Edmond Haxhinasto dhe Reme

Lala.

Mungojnë:

Ervin Bushati, Jorida Tabaku, Edmond Spaho, Fatbardha Kadiu, Nadire Meçorapaj,

Agron Shehaj, Dashamir Shehi dhe Përparim Spahiu.

Të ftuar:

Gazmend Barbullushi - Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë për Europën dhe Punët

e Jashtme

Armand Skapi – Drejtor i Drejtorisë së Traktateve dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare

në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme

2

Gentian Xhaxhiu – përgjegjës sektori në Drejtorinë e Integrimit në Ministrinë për

Europën dhe Punët e Jashtme

Albana Shkurta – Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë

Ilir Halilaj – Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Thanas Bello – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Gavril Lasku – këshilltar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë

Zamira Xhepa – specialiste në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë

Altin Bozgo - përfaqësues i Drejtorisë Doganore.

Helena Duro – përfaqësuese e Drejtorisë Doganore.

Delina Ibrahimaj – Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT-it

Maldi Dema – koordinator për Sistemin Kombëtar Statistikor

Elsa Dhuli – koordinatore për Cilësinë Statistikore

Alban Çela – Drejtor i Drejtorisë se Statistikave të Bujqësisë dhe Mjedisit

Ledia Thomo – Drejtoreshë e Drejtorisë se Statistikave Sociale

Klajd Shuka – Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse

Elona Sevrani – Drejtoreshë e Llogarive Kombëtare

Ervin Shameti – Drejtor i Drejtorisë së Statistikave Rajonale

Altin Xhikneli – përgjegjës i Sektorit të Publikimeve

3

HAPET MBLEDHJA

Erion Braçe – Mirëmëngjes të gjithëve!

Fillojmë mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit.

Sot në rendin e ditës së punës së komisionit janë tri çështje.

Së pari, projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes “Për

amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Europës Qendrore””

Së dyti, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës

së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Europian për programin Interreg V-B

Mesdhe (MED), 2014-2020”.

Së treti, miratimi nen për nen dhe në tërësi i projektligjit “Për statistikat zyrtare”.

Fillojmë me projektligjin “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes “Për

amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Europës Qendrore””.

Relator i komisionit për këtë projektligj është zoti Arben Pëllumbi. Për të mbrojtur

projektligjin ndodhet në Komisionin e Ekonomisë zonja Albana Shkurta, zëvendësministre e

Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Zonja Shkurta, keni fjalën për të bërë prezantimin tuaj dhe më pas do të flasë relatori i

komisionit.

Albana Shkurta – Faleminderit!

Të nderuar deputetë,

Vendet anëtare të marrëveshjes CEFTA, në përputhje me direktivat politike të

procesit të Berlinit dhe në përgjigje të nevojës për thellimin e mëtejshëm të integrimit tregtar

në rajon, kanë negociuar protokollin shtesë 5, i cili synon krijimin e sinergjive midis vendeve

të rajonit për lehtësimin e tregtisë. Ky protokoll, pas ratifikimit të tij nga vendet anëtare, do të

jetë pjesë integrale e marrëveshjes CEFTA. Protokolli përmban dispozita që mbështeten në

detyrime dhe angazhime të marra në kuadër të marrëveshjes së lehtësimit të tregtisë me

Organizatën Botërore të Tregtisë, ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, specifikisht kërkesa

për thjeshtësime dhe lehtësime të mëtejshme të procedurave të import-eksportit.

Gjithashtu, protokolli vendos një kuadër të ri detyrimesh për moskrijimin e pengesave

të panevojshme në tregti. Negocimi i protokollit është një përgjigje e kërkesave të

vazhdueshme nga biznesi për krijimin e lehtësirave dhe eliminimin e barrierave të

panevojshme në tregti.

Po ashtu, protokolli do të krijojë një garanci shtesë për eksportuesit shqiptarë në

tregtinë me vendet e rajonit dhe lehtësimin e mëtejshëm të procedurave. Protokolli

4

mbështetet në dispozitat kryesore të marrëveshjes së lehtësimit të tregtisë me Organizatën

Botërore të Tregtisë dhe në disa raste parashikon edhe angazhime shtesë vetëm për lehtësimin

e tregtisë me vendet e rajonit.

Protokolli shtesë 5 u miratua nga të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s më 26 maj të

vitit 2017. Protokolli synon thjeshtësimin e inspektimeve, reduktimin e formaliteteve të

import-eksportit, shkëmbimin elektronik të të dhënave, njohjen reciproke të testeve

laboratorike dhe programit të operatorëve ekonomikë të miratuar, zbatimin efektiv të

kontrollit të riskut. Protokolli i shtrin efektet e tij edhe tek të gjitha agjencitë e tjera që

veprojnë në kufi dhe kjo është vlera e shtuar thelbësore, e cila është e mbështetur në

filozofinë e lehtësimit të tregtisë.

Më konkretisht, disa nga rezultatet e prekshme, që derivojnë nga protokolli për vitin,

2018 janë: transparencë për tarifat dhe pagesat në kufi; përgatitja e një liste unike për tarifat,

arsyet, ku dhe si do të bëhet pagesa; unifikimi i orëve dhe ditëve të punës, procedurave dhe

formaliteteve ne kufi; krijimi i mjediseve të përbashkëta për kontrollin në kufi; nënshkrimi i

memorandumeve ndërmjet vendeve CEFTA për njohjen reciproke të dokumentacionit,

Autoriteti Doganor plus Agjencia Kombëtare e Ushqimit; caktimi i një koordinatori kombëtar

për procedurat tranzit, që do të adresojë të gjitha pyetjet dhe propozimet nga vendet e tjera

për operacionet e transitit; procedura të përshpejtuara që lejojnë dorëzimin e dokumenteve të

importit dhe shoqëruese për të filluar procesin e tyre para se mallrat të arrijnë në kufi; të

adoptojë procedura për pagesat elektronike, për tarifat e importit dhe eksportit, taksat dhe

detyrimet; të adoptojë procedura për import-eksport, që lejojnë lëshimin e mallrave para

përcaktimit të detyrimeve të taksave dhe tarifave doganore ose me mbërritjen e mallrave në

doganë.

Zbatimi i këtij protokolli do të mbështetet në pjesën më të madhe të masave nga BE-ja

nëpërmjet projektit “SiV”, që është shkëmbimi sistematik elektronik i të dhënave kryesisht në

nivel rajonal midis agjencive që veprojnë në kufi.

Gjithashtu, zbatimi i protokollit mbështetet edhe nga programi i Bankës Botërore

nëpërmjet zbatimit të planit rajonal të veprimit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit,

koordinuar nga zyrat rajonale të Bankës Botërore dhe miratuar në Samitin e Parisit.

Në nivel kombëtar zbatimi i protokollit do të mbështetet nga USAID-i dhe IFC-ja me

projekte që janë tashmë në proces. USAID-i mbështet Komitetin Kombëtar për Lehtësimin e

Tregtisë dhe IFC-ja mbështet futjen e sistemit të menaxhimit të riskut në AKU.

Protokolli është negociuar në tri raunde dhe përpara secilit raund grupi negociator ka

dalë me një pozicion të unifikuar.

5

Për t’i paraprirë zbatimit efektiv të protokollit, deri tani janë marrë disa masa, të cilat

janë pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Samitit të Parisit, si: krijimi i Komitetit

Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë; udhëzimi për zhdoganimin lokal; miratimi i dokumentit

për politikën e menaxhimit të riskut, firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit

Kombëtar të Ushqimit në maj të vitit 2016; marrëveshja e bashkëpunimit midis agjencive që

veprojnë në kufi, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit,

Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe

Industrial dhe AKSHI-t. Marrëveshja është diskutuar gjerësisht me të gjitha institucionet, si

dhe me AKSHI-n, që është një nga institucionet palë për të garantuar përfshirjen e

institucionit, pjesë e protokollit shtesë 5, në sistemin e shkëmbimit elektronik kombëtar, që

është pjesë e projektit aktual të drejtuar nga AKSHI për këtë qëllim.

Për të garantuar zbatimin e këtij protokolli, komiteti i përbashkët në CEFTA do të

miratojë dispozitat zbatuese, si dhe planin konkret të masave. Në kushtet kur protokolli shtesë

5 mbështetet në marrëveshjen e lehtësimit të tregtisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, të

cilën Shqipëria e ka pranuar që nga data 10 maj e vitit 2016, kuadri ligjor në fuqi garanton

pjesën më të madhe të dispozitave të këtij protokolli. Për aspekte të veçanta, si njohja

reciproke e programeve të operatorëve ekonomikë të autorizuar, testeve laboratorike apo

inspektimeve, palët e CEFTA-s do të angazhohen në firmosjen e marrëveshjeve për njohjen

reciproke sipas fushave.

Shqipëria luan rolin e vendit depozitues të marrëveshjeve të ratifikuara. Deri tani 3

vende e kanë ratifikuar këtë marrëveshje: Mali i Zi, Maqedonia dhe Moldavia.

Erion Braçe – Faleminderit, zonjë!

Fjalën e ka relatori i komisionit për projektligjin.

Arben Pëllumbi – Faleminderit, zoti kryetar!

Faleminderit, zonja zëvendësministre, për parashtrimin që bëtë!

Ne si Komision i Ekonomisë jemi komision përgjegjës dhe projektligji që paraqitet

vjen para nesh në përputhje me të gjitha procedurat parlamentare dhe i mbështetur në nenet e

Kushtetutës.

Projektligji ka dy nene dhe nga teknika legjislative është në rregull.

Zëvendësministrja pothuajse i tha të gjitha pikat e marrëveshjes së protokollit shtesë

5. Unë do të doja të ndalesha për të dhënë një shpjegim të shkurtër se çfarë përfaqëson

CEFTA. Është një marrëveshje e tregtisë së lirë, filluar me vendet e Europës Qendrore në

vitin 1992 midis Polonisë, Hungarisë dhe Çekosllovakisë, që më pas u shtri edhe në vende të

6

tjera, ku aderuan pothuajse vendet e Europës Lindore, ku bëjmë pjesë edhe ne. Ne e kemi

ratifikuar këtë marrëveshje në vitin 2006.

Qëllimi i marrëveshjes është të përgatisë vendet për të hyrë në Bashkimin Europian

dhe duhet theksuar se në momentet kur një vend anëtar i CEFTA-s bëhet anëtar i Bashkimit

Europian, automatikisht anëtarësia në këtë marrëveshje bie.

Zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit është bërë nëpërmjet këtij protokolli, i cili

është ratifikuar nga ne dhe sot vjen për t’u ratifikuar në parlament, për të marrë fuqi ligjore.

Aktualisht janë 6 vende anëtare, ku jemi ne, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Kroacia,

Moldavia dhe Serbia. Siç e thatë edhe ju, është ratifikuar nga disa prej këtyre vendeve. Ne

jemi vendi i katërt dhe më duken se duhen 2/3-at që kjo të marrë fuqi ligjore dhe të veprojë.

(Më korrigjoni nëse gaboj.)

Risia e marrëveshjes është se rritet shumë bashkëpunimi në shkëmbimet ndërkufitare,

përveçse lehtësohen procedurat administrative dhe doganore për shkëmbimet e

informacioneve për produkte bujqësore dhe ushqimore, që është shumë e nevojshme.

Në këtë kuadër, duke pasur parasysh se marrëveshja nuk ka efekte financiare në

buxhetin e shtetit, unë i propozoj komisionit dhe kolegëve ta votojmë.

Faleminderit!

Erion Braçe – Faleminderit, zoti Pëllumbi!

Keni pyetje për këtë marrëveshje?

Urdhëroni, zoti Haxhinasto!

Edmond Haxhinasto – Faleminderit, zoti kryetar!

Faleminderit, zonja zëvendësministre!

Është shumë pozitive të flasim për ato që janë quajtur “barrierat jofizike” në procesin

e Berlinit, që janë kosto shumë e madhe për biznesin tonë dhe për integrimin ekonomik

rajonal. Mjafton një shifër që kostot e shkëmbimeve në kufi, duke përfshirë kohën dhe kostot

e shërbimeve, për të thënë se janë 7 herë më të larta se të Bashkimit Europian, që është një

problem shumë i madh. Trajtimi i këtyre çështjeve nga protokolli juaj është shumë pozitiv.

Duke pasur parasysh nivelin e lartë të kostove, pyetjet e mia janë:

E para, keni bërë një llogaritje se sa mund të ulet koha e përpunimit në kufi me këtë

protokoll dhe sa zbriten kostot, duke qenë se fusni edhe elementet e komunikimit elektronik?

Keni bërë një vlerësim?

E dyta, gjithmonë duke iu referuar protokollit, çfarë hapësirash kemi ne dhe a keni

bërë ju një vlerësim paraprak për kuadrin në përgjithësi të mbrojtjes së prodhuesve vendas?

7

Keni bërë ju një studim para se të firmosni protokollin se çfarë natyre mallrash, çfarë natyre

prodhimesh duam të ruajmë ne në strukturën ekonomike që kemi?

E treta, me protokollin e ri që keni firmosur, duke qenë se pashë disa elemente të tij,

çfarë elementesh shtesë keni për të verifikuar dhe kontrolluar cilësinë e ushqimeve që futen

në vend?

Faleminderit!

Erion Braçe – Urdhëroni!

Albana Shkurta – Faleminderit për pyetjet!

Për sa i përket pyetjes së parë, nëse është bërë një studim për impaktin apo efektet që

do të ketë aplikimi i protokollit 5. Objekti i këtij studimi nga Banka Botërore, nëpërmjet një

programi të dedikuar, është lehtësimi dhe thjeshtimi i procedurave të transportit dhe

konektiviteti në vendet e Ballkanit Perëndimor.

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

Pikërisht.

Gjatë kohës që vendet po shikojnë ose po ndjekin procesin e ratifikimit të këtij

protokolli, Banka Botërore është duke bërë analizat dhe matjen e kohës, e kostove dhe të të

gjithave. Në fakt, janë duke punuar paralelisht. Para një muaji kam pasur edhe një sërë

takimesh dhe konsultimesh në Tiranë, me përfaqësues jo vetëm nga ministria, por edhe nga

dogana, për të mbledhur këto të dhëna, për të parë fluksin e mjeteve në kufi, kohën e

qëndrimit dhe për të kontifikuar impaktin që do të ketë kjo marrëveshje.

Për pyetjen e dytë, për sa i përket mbrojtjes së prodhuesve vendas, objekti i protokollit

5 nuk ka të bëjë me llojin e produkteve që importohen apo eksportohen, por me produktet që

tashmë janë pjesë normale e rrjedhës së tregtisë ose transaksioneve të biznesit. Për to bëhet

fjalë që, nëse më parë do t’i duhej të dorëzonte në kufi një sërë dokumentesh ose të bënte

procedurën në dy pika doganore të veçanta, tashmë nëpërmjet bashkëpunimit që do të kenë

vendet, pasi të jetë ratifikuar me të gjitha këto vende, flitet për konceptin e single window,

dogana me një dritare të vetme, flitet për unifikimin e orareve të punës, me qëllim që një

ngarkesë, që duhet të bëjë procedurat për kalimin në doganë, duhet të ketë të gjithë

infrastrukturën e nevojshme nga të dyja pikat doganore, që të bëhet sa më shpejt, por ky

protokoll nuk e prek llojin e produkteve që do të importohen apo eksportohen.

Për sa i përket cilësisë së ushqimeve, gjithashtu nuk është pjesë e këtij protokolli.

Domethënë, AKU-ja apo organet e çdo vendi do të vazhdojnë të kryejnë procedurat si më

parë. Bëhet fjalë për të unifikuar shkëmbimin e të dhënave, për të krijuar profilet e riskut të

përbashkëta. Për shembull, ka një marrëveshje ndërmjet AKU-së dhe doganës për të kryer

8

pikërisht këtë gjë, me qëllim lehtësimin e procedurave, por jo mënyrën se si kryhen këto

procedura.

Erion Braçe – Ka pyetje apo përgjigje të tjera?

Ka diskutime?

Kalojmë në votimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të

marrëveshjes “Për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Europës

Qendrore””. Kush është pro? Kush është kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.

Miratohet.

Neni 1. Kush është pro? Kush është kundër? Nuk ka. Abstenim?

Miratohet.

Neni 2. Kush është pro? Kush është kundër? Nuk ka. Abstenim?

Miratohet.

Votojmë projektligjin në tërësi. Kush është pro? Kush është kundër? Nuk ka.

Abstenim? Nuk ka.

Miratohet.

9

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

PROCESVERBAL

Tiranë, më 03.04.2018, ora 10:00

Drejton mbledhjen:

Erion Braçe – kryetar i Komisionit

Rendi i ditës:

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së

Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg V-B

Mesdhe (MED), 2014-2020”.

Marrin pjesë:

Erion Braçe, Anastas Angjeli, Blerina Gjylameti, Antoneta Dhima, Evis Kushi, Ilir

Xhakolli, Arben Pëllumbi, Roland Xhelilaj, Xhevit Bushaj, Edmond Haxhinasto dhe Reme

Lala.

Mungojnë:

Ervin Bushati, Jorida Tabaku, Edmond Spaho, Fatbardha Kadiu, Nadire Meçorapaj,

Agron Shehaj, Dashamir Shehi dhe Përparim Spahiu.

Të ftuar:

Gazmend Barbullushi- sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë për Europën dhe Punët e

Jashtme.

Armand Skapi – drejtor në Drejtorinë e Traktateve dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare

në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gentian Xhaxhiu – përgjegjës sektori në Drejtorinë e Integrimit në Ministrinë për

Europën dhe Punët e Jashtme.

10

Erion Braçe – Vazhdojmë me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së

financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit

Europian, për programin Interreg V-B Mesdhe (MED), 2014-2020”.

Relatore e komisionit për këtë projektligj është zonja Evis Kushi. Për të prezantuar

projektligjin ndodhet në Komisionin e Ekonomisë zoti Gazmend Barbullushi, sekretar i

Përgjithshëm në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Fjalën për të prezantuar projektligjin e ka zoti Barbullushi. Më pas do të vazhdojë

relatorja.

Gazmend Barbullushi – Faleminderit, i nderuar zoti kryetar!

Të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë të këtij komisioni, sot kemi nderin të

paraqesim këtë projektligj përpara jush. Ashtu siç edhe ju më prezantuat, unë jam sekretari i

Përgjithshëm i Ministrisë për Europën dhe Punët e jashtme. Me mua këtu janë drejtori i

Drejtorisë Juridike dhe Çështjeve Ndërkombëtare, Armand Skapi dhe përgjegjësi i Sektorit

për Bashkëpunimin Territorial në drejtorinë e IPA-s, zoti Gentian Xhaxhiu.

Qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi i marrëveshjes së financimit, ndërmjet

Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Europian, për programin

Interreg V-B Mesdhe (MED), 2014-2020.

Kjo marrëveshje është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me vendimin

nr.414, datë 10.5.2017, “Për miratimin në parim të marrëveshjes së financimit, ndërmjet

Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Europian, për programin

Interreg V-B Mesdhe”. Pas miratimit në parim, marrëveshja u nënshkrua nga ministri për

Çështjet e Integrimit të asaj kohe në datën 30.05.2017, në cilësinë e koordinatorit të IPA-s,

dhe është pasuar nënshkrimi nga pala franceze. Ky program financohet nga një grant i

Bashkimit Europian nëpërmjet Fondit Europian për Zhvillimin Rajonal dhe Instrumentit të

Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) dhe ka një buxhet total, për të gjitha vendet

pjesëmarrëse, prej 275, 9 milionë euro, nga të cilat 11 milionë euro janë nga Instrumenti

Asistencës. Vendi ynë do të përfitojë kryesisht nga fondet IPA, të cilat do të ndahen midis

tri vendeve në rajon, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Është parashikuar një

fond prej 11 milionë eurosh, nga të cilat 9,4 milionë janë kontribut i BE-së dhe 1,6 milionë

janë bashkëfinancim kombëtar. Vendet pjesëmarrëse nga Bashkimi Europian në këtë program

janë dhjetë: Qipro, Franca, Greqia, Italia, Malta, Portugalia, Sllovenia, Spanja, Mbretëria e

Bashkuar dhe Kroacia, kurse nga vendet kandidate për në BE janë: Shqipëria, Bosnjë-

Hercegovina dhe Mali i Zi. Ky program synon të gjenerojë projekte në katër drejtime

prioritare:

11

1. Promovimin e kapaciteteve inovative të Mesdheut për zhvillimin e rritjes

inteligjente dhe të qëndrueshme.

2. Nxitjen e strategjive me karbon të ulët dhe eficiencën e energjisë. Pra, kryesisht

prioritet i lidhur me mbrojtjen e mjedisit.

3. Mbrojtja dhe promovimi i burimeve natyrore dhe kulturore.

4. Përmirësimi i qeverisjes në rajonin e Mesdheut.

Aktualisht, programi MED ka lançuar dy thirrje për projekt-propozime, nga ku

rezulton se në 23 nga projektet fituese ka pjesëmarrje të partnerëve shqiptare, kryesisht nga

institucionet publike. Ky numër është më i lartë krahasuar me projektet fituese, ku ka pasur

prezencë edhe të dy partnerëve të tjerë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Pra, qartazi,

aplikantët shqiptarë kanë shfaqur interes në marzh më të lartë suksesi në këtë program.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje financiare do të mundësojë zbatimin e përbashkët të

projekteve në të ardhmen midis vendeve pjesëmarrëse, duke u mundësuar, në këtë mënyrë,

aktorëve rajonalë dhe vendorë nga të gjitha vendet, të shkëmbejnë jo vetëm njohuritë dhe

përvojat, por edhe të prodhojnë rezultate të dukshme dhe një efekt të matshëm për sektorin

socio-ekonomik-mjedisor dhe politikat publike. Po e mbyll këtu prezantimin e kërkesës sonë

për këtë projektligj.

Erion Braçe – Faleminderit!

Fjalën e ka relatorja, zonja Kushi.

Evis Kushi – Faleminderit, kryetar!

Me ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë,

Republikës së Francës dhe Komisionit Europian, do të krijohet mundësia e zbatimit të

programit transkombëtar MED, i cili ka si qëllim kryesor të tij kontributin në zhvillimin

afatgjatë të zonës së Mesdheut dhe forcimin e bashkëpunimit transkombëtar ndërmjet

rajoneve dhe vendeve pjesëmarrëse.

Ky program merr në konsideratë përvojën e periudhës 2007 – 2013, duke u

konsideruar si një nga instrumentet për zbatimin e politikës së kohezionit të Bashkimit

Europian. Nëpërmjet kësaj politike, Bashkimi Europian ndjek zhvillimin harmonik të Unionit

duke forcuar kohezionin e tij ekonomik, social dhe territorial në mënyrë që të stimulojë

rritjen në rajonet e Bashkimit Europian dhe në vendet pjesëmarrëse.

Programi do të gjenerojë projekte në mbështetje të 4 akseve prioritare si më poshtë:

1. Promovimin e kapaciteteve inovative të Mesdheut për zhvillimin e rritjes

inteligjente dhe të qëndrueshme.

2. Nxitjen e strategjive me karbon të ulët dhe eficiencën e energjisë.

12

3. Mbrojtjen dhe promovimin e burimeve natyrore dhe kulturore.

4. Përmirësimin e qeverisjes.

Programi bashkëfinancohet nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal dhe buxheti

total i tij vetëm për periudhën 2014 – 2020 është 224,332,525 euro. Ai përfshin 57 rajone nga

10 vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe 3 vende kandidate. Vendi ynë do të

përfitojë nga fondet IPA, të cilat do të ndahen midis tre vendeve përfituese: Shqipërisë, Malit

të Zi dhe Bosnjë- Hercegovinës. Shuma totale për të tria vendet, për periudhën 2014-2020,

është parashikuar të jetë 11 006 806 euro. Marrëveshja e financimit ka një kohëzgjatje prej 12

vjetësh.

Duke qenë se pjesëmarrja e përfituesve nga vendi ynë në këtë program do të jetë jo

vetëm një mundësi mjaft e mirë për të zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit me partnerët e tjerë të

huaj, por edhe një përvojë për zbatimin me sukses në të ardhmen të projekteve të financuara

nga Fondi Rajonal i Zhvillimit i Bashkimit Europian, i propozoj komisionit miratimin e

projektligjit. Faleminderit!

Erion Braçe – Faleminderit!

Ka pyetje nga kolegët deputetë? Nuk ka. Diskutime ka? Nuk ka.

Atëherë, vazhdojmë me votimin në parim të projektligjit “Për ratifikimin e

marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe

Komisionit Europian, për programin Interreg V-B Mesdhe (MED), 2014-2020”.

Pro? Kundër? Abstenim? Nuk ka. Miratohet.

Neni 1.

Pro? Kundër? Abstenim? Nuk ka. Miratohet.

Neni2.

Pro? Kundër? Abstenim? Nuk ka. Miratohet.

Në tërësi.

Pro? Kundër? Abstenim? Nuk ka. Miratohet.

Faleminderit, zoti Barbullushi!

13

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

PROCESVERBAL

Tiranë, më 03.04.2018, ora 10:00

Drejton mbledhjen:

Erion Braçe – kryetar i Komisionit

Rendi i ditës:

Projektligji “Për statistikat zyrtare”.

Marrin pjesë:

Erion Braçe, Anastas Angjeli, Blerina Gjylameti, Antoneta Dhima, Evis Kushi, Ilir

Xhakolli, Arben Pëllumbi, Roland Xhelilaj, Xhevit Bushaj, Edmond Haxhinasto dhe Reme

Lala.

Mungojnë:

Ervin Bushati, Jorida Tabaku, Edmond Spaho, Fatbardha Kadiu, Nadire Meçorapaj,

Agron Shehaj, Dashamir Shehi dhe Përparim Spahiu.

Të ftuar:

Delina Ibrahimaj – drejtore e Përgjithshme e INSTAT-it.

Maldi Dema – koordinator për Sistemin Kombëtar Statistikor

Elsa Dhuli – koordinatore për Cilësinë Statistikore

Alban Çela – Drejtor i Drejtorisë se Statistikave të Bujqësisë dhe Mjedisit

Ledia Thomo – Drejtoreshë e Drejtorisë se Statistikave Sociale

Klajd Shuka – Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse

Elona Sevrani – Drejtoreshë e Llogarive Kombëtare

Ervin Shameti – Drejtor i Drejtorisë së Statistikave Rajonale

Altin Xhikneli – përgjegjës i Sektorit të Publikimeve

14

Erion Braçe – Vazhdojmë me pikën e fundit të rendit të ditës, vazhdimin e

shqyrtimit nen për nen dhe votimin në tërësi të projektligjit “Për statistikat zyrtare”.

Kemi mbetur te neni 20.

Ka ardhur drejtoresha e INSTAT-it?

Po, urdhëroni!

Vazhdojmë me nenin 21. Ka ndonjë shqetësim për nenin 21 nga kolegët deputetë?

Urdhëroni, zoti Haxhinasto!

Edmond Haxhinasto – Duke qenë se gjatë gjithë diskutimit të këtij projektligji

problemi kryesor i ngritur nga opozita ka qenë besueshmëria e këtij institucioni, unë mendoj

se një hap minimal për të rritur këtë besueshmëri do të ishte përbërja e Këshillit të

Statistikave. Për këtë, konkretisht, sugjeroj që përfaqësuesi i Kuvendit në këtë këshill të jetë

gjithmonë përfaqësues i opozitës dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë. Nuk besoj se ka

ndonjë dhimbje të madhe për ta bërë këtë punë. Bile, kjo gjë të jetë konsensuale, pa pasur

nevojë të diskutohet dhe votohet.

Gjithashtu, të kemi një përcaktim pak më të qartë për sa u takon përdoruesve

kryesorë të statistikave zyrtare, sepse mënyra si është vendosur në ligj është shumë evazive.

Ndoshta për arsye të interesave të caktuara mund të mos jenë përfaqësues vërtetë të atyre

që përdorin statistikat zyrtare. Po kështu, të jemi më të qartë për përfaqësuesit e botës

akademike.

Ndonëse këshilli ka funksion konsultativ, mendoj se, të paktën në këtë hallkë të

vendimmarrjes dhe monitorimit të Institutit të Statistikave, mund të tregohemi pak më të

hapur dhe më fleksibël për t’i lënë pak më shumë vend opozitës, pasi gjithçka dominohet

nga ekzekutivi, që është pjesë e maxhorancës.

Ky është sugjerimi im.

Erion Braçe – Faleminderit, zoti Haxhinasto!

Në fakt, unë kam një propozim komplet tjetër. Për sa kohë që Instituti i Statistikave

vendoset nën varësinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe ky komision do të

marrë autoritetin e plotë jo vetëm për të zgjedhur drejtorin e Institutit të Statistikave, por

edhe për të miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme, që lidhen drejtpërdrejt me

statistikat, ashtu siç do të mirëpres raportin e veprimtarisë dhe funksionimit të Këshillit

të Statistikave, propozimi im është që Kuvendi i Republikës të mos ketë asnjë anëtar në

Këshillin e Statistikave. I mjafton gjithë pushteti që merr nga ky ligj në raport me Institutin

e Statistikave. Më kolegjial sesa një komision i përhershëm parlamentar i Kuvendit nuk

mund jetë asnjë përfaqësues, qoftë i opozitës, qoftë i maxhorancës.

15

Kështu që, propozimi im është për ta hequr këtë anëtar nga përbërja e Këshillit të

Statistikave. Për më tepër, Kuvendi është një institucion i qartë politik dhe për mua, politika

në Institutin e Statistikave nuk duhet të ketë vend. Propozimi im është që vendin e anëtarit

në Këshillin e Statistikave duhet ta zërë një përfaqësues i organeve të pushtetit vendor, kjo

në përmbushje të gjitha detyrimeve që pushteti vendor ka në raport me prodhimin e

statistikave, por edhe si një nga përdoruesit kryesor të këtyre statistikave.

Për sa i përket definimit më të qartë të përfaqësuesve të këtyre institucioneve, që

parashikohen në nenin 3 nga germa “b” deri te germa “f”, drejtoreshë, cili është opinioni

juaj?

Delina Ibrahimaj – Ne jemi dakord me përfaqësuesin e pushtetit vendor.

Erion Braçe – Jo, jo, po flas për definimin e përfaqësuesve të institucioneve të

tjera, përfshirë botën akademike e të tjera. Si do të rregullohet kjo?

Delina Ibrahimaj – Bota akademike ka qenë gjithmonë e përfshirë në Këshillin e

Statistikave, madje, kryetari i këshillit ka qenë historikisht përfaqësues i botës akademike.

Erion Braçe – Si përzgjidhet përfaqësuesi?

Delina Ibrahimaj – Rregullat dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve nga bota

akademike do të rregullohen me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

Erion Braçe – Sot, si zgjidhet përfaqësuesi i botës akademike?

Delina Ibrahimaj – Në bazë të CV-së, rekrutimi bëhet gjithmonë nga Këshilli i

Ministrave.

Erion Braçe – Kush e propozon?

Delina Ibrahimaj – Aktualisht e propozon Këshillin i Ministrave.

Erion Braçe – Zonjë, edhe një herë, nga bota akademike kush propozon për filan

anëtar apo vjen kushdo nga bota akademike dhe paraqet CV?

Delina Ibrahimaj – Mund të aplikojë në bazë të kritereve të përcaktuara në bazë të

Këshillit të Ministrave, mund të aplikojë çdo akademik. Megjithatë, sipas propozimit të

ndryshimit, këta akademikë propozohen nga INSTAT-i. Pra, anëtarët e Këshillit të

Statistikave, për sa u përket përfaqësuesve të botës akademike, të propozohen nga INSTAT-i.

Erion Braçe – Po, urdhëroni!

Delina Ibrahimaj – Të propozohen nga INSTAT-i.

Erion Braçe – Si të propozohen nga INSTAT-i? Nuk e kuptoj.

Delina Ibrahimaj – Pra, INSTAT-i të propozojë anëtarët e botës akademike...

Erion Braçe – Jo, jo. Ju nuk mund të propozoni vetë anëtarët e këshillit. Ose

institucionet i propozojnë vetë përfaqësuesit e tyre, ose ashtu siç është.

16

Jo, Kuvendi nuk do të përfshihet më në këtë histori. Kuvendi nuk ka më punë.

Kuvendi e ka marrë detyrën e tij. I vijnë më shumë se 3 kandidatë për të përzgjedhur

drejtorin. Në momentin kur Kuvendi bindet, voton për njërin. Në momentin kur nuk bindet,

nuk voton asnjërin dhe normalisht fillon procedura nga e para. Kuvendi e ka fokusin te

drejtori i INSTAT-it.

Atëherë, ka dy rrugë: ose institucionet vetë të propozojnë, ose mbetet e lirë, që

gjithkush nga bota akademike të paraqesë interesin e tij për të qenë anëtar i këshillit të

INSTAT-it dhe normalisht...

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Qeveria.

Delina Ibrahimaj – Dakord.

Pra, ju propozoni që të jetë Këshilli i Ministrave që...?

Erion Braçe – Unë propozoj që procedura të mbetet siç është sot dhe të përcaktohet

me vendim të Këshillit të Ministrave.

Delina Ibrahimaj – Dakord.

Erion Braçe – Propozimi im është që anëtari i Kuvendit të mos jetë dhe të

zëvendësohet me një anëtar të organeve të pushtetit vendor, konkretisht të përcaktuar nga

Shoqata Kombëtare e Organeve të Pushtetit Vendor.

Dakord?

Mbajini shënim! Duhet bërë reflektimi këtu.

Ka ndonjë gjë tjetër për nenin 21?

E hedhim në votimin nenin 21.

Kush është pro? Kundër nuk ka.

Miratohet.

Kalojmë te neni 22.

Ka ndonjë shqetësim për nenin 22? Jo.

E hedhim në votim nenin 22.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 23, “Roli dhe detyrat e Këshillit të Statistikave”.

Ka vërejtje për këtë nen? Jo .

E hedhim në votim nenin 23.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

17

Neni 24, “Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën”.

Ka vërejtje?

E hedhim në votim nenin 24.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 25, “Agjencitë statistikore dhe institucionet e tjera publike”.

Ka vërejtje?

E hedhim në votim nenin 25.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet..

Neni 26.

Ky nen është konsultuar me Bankën e Shqipërisë?

Delina Ibrahimaj – Është konsultuar dhe dakordësuar.

Erion Braçe - Dakord.

Ka vërejtje?

E hedhim në votim nenin 26.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Kalojmë te neni 27, “Qendra e trajnimit statistikor”.

Ka vërejtje?

E hedhim në votim nenin 27.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 28, “Programet mësimore”.

Ka ndonjë vërejtje?

E hedhim në votim nenin 28.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 29, “Të drejtat dhe detyrimet e njësive statistikore”.

E hedhim në votim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 30, “Mbledhja e të dhënave”.

Ka vërejtje?

18

E hedhim në votim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 31, “Konfidencialiteti”.

Te neni 31, në pikën 4 të projektligjit, Komisioni i Integrimit ka një sugjerim:

“Identifikim i tërthortë do të thotë identifikim i një njësie statistikore nëpërmjet çfarëdolloj

mjeti tjetër, përveç atij të identifikimit të drejtpërdrejtë. Për të përcaktuar nëse një njësi

statistikore është tërthorazi e identifikueshme, do të merren parasysh të gjitha masat e

arsyeshme për identifikimin e njësisë statistikore në fjalë. Për mbrojtjen identifikimit

përfshihen në total të paktën tri njësi dhe pjesa e një njësie nuk duhet të kalojë 85% të totalit”.

Jeni dakord?

Ka ndonjë gjë tjetër lidhur me nenin 31?

E hedhim në votim nenin 31.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Kalojmë te neni 32, “Ruajtja e të dhënave të mbledhura”.

Ka vërejtje? Jo.

E hedhim në votim nenin 32.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 33, “E drejta e hyrjes dhe e përdorimit të të dhënave administrative”.

Ka vërejtje lidhur me këtë nen? Jo.

E hedhim në votim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Kalojmë te neni 34.

Komisioni i Integrimit ka një vërejtje: “Statistikat zyrtare shpërndahen duke

respektuar parimet statistikore, të përcaktuara në nenin 4 të ligjit, në veçanti, duke mbrojtur

konfidencialitetit statistikor, si dhe duke siguruar akses të barabartë për të gjithë përdoruesit,

siç kërkohet nga parimi i paanshmërisë”.

Ju, keni gjë? Jo.

E hedhim në votim nenin 34 me këtë ndryshim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

19

Neni 35, “Shërbimet statistikore”.

Ka ndonjë vërejtje?

E hedhim në votim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 36, “Tarifat për shërbimet statistikore që kryen INSTAT-i ndaj të tretëve”.

Nuk ka vërejtje.

E hedhim në votim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 37, “Ofrimi i shërbimeve të grumbullimit të të dhënave”.

Ka vërejtje për nenin 37?

E hedhim në votim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 38.

Ka vërejtje?

I jepet fuqi ekzekutive gjobës së vendosur nga INSTAT-i, me qëllim që të procedohet

ndaj çdo subjekti që pengon nxjerrjen e të dhënave statistikore.

Nuk ka vërejtje.

E hedhim në votim.

Kush është...?

Po, urdhëroni!

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Të lutem, hape mikrofonin, se nuk dëgjojmë!

Delina Ibrahimaj – Për të harmonizuar afatet e ankimit administrativ dhe gjyqësor

me afatet e Kodit të Procedurave Administrative, si dhe me ligjin për funksionimin e

gjykatave administrative, ne sugjerojmë që pika 3 të riformulohet si në vijim: “Kundër

vendimit të gjobës mund të bëhet ankimim te drejtori i Përgjithshëm ose drejtuesi i Agjencisë

Statistikore, brenda 30 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të gjobës, i cili duhet të

përgjigjet brenda 60 ditëve. Kundër vendimit të drejtorit të Përgjithshëm apo drejtuesit të

Agjencisë Statistikore, kur ai nuk përgjigjet, personi i interesuar mund t’i drejtohet gjykatës

brenda 45 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të gjobës ose nga data e përfundimit të afatit

në rast mospërgjigjeje nga titullari i institucionit.

20

Erion Braçe – Dakord.

Jam i qartë.

Ka ndonjë vërejtje tjetër lidhur me këtë? Jo.

E hedhim në votim nenin 38.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 39.

Ka vërejtje? Jo.

E hedhim në votim nenin 39.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 39 garanton qëndrueshmërinë e Institutit të Statistikave.

Neni 40, “Dispozitat e fundit”.

Ka vërejtje?

Po, urdhëroni!

Delina Ibrahimaj – Me qëllim që të parandalojmë konfliktin që lind me detyrimet e

ligjit për të drejtën e informimit, në lidhje me transmetimin e të dhënave konfidenciale

statistikore, që mblidhen nga njësitë statistikore, pra individë të ndërmarrjes familje,

sugjerohet ndryshimi që në fund të pikës 1 të shtohen fjalët “ose për ruajtjen e

konfidencialitetit të të dhënave të mbledhura, vetëm për qëllime statistikore”.

Erion Braçe – Dakord.

Ka ndonjë vërejte lidhur me këtë? Jo.

E hedhim në votim nenin 40.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Neni 41.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Para se ta votojmë në tërësi projektligjin, kemi lënë dy gjëra nga debati që u zhvillua

seancën që shkoi.

Po, urdhëroni!

Delina Ibrahimaj - Në shtojcën 1 të projektligjit, pas fjalës “popullsia”, të shtohen

fjalët “me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri dhe jashtë saj”.

Erion Brace – Te cili nen?

21

Delina Ibrahimaj – Në shtojcën 1...

Erion Brace – Dakord.

Besoj se e ka kërkuar ministri për Diasporën, apo jo?

Delina Ibrahimaj – Po.

Erion Brace – E kuptova.

Jemi dakord me këtë shtesë te shtojca?

Dakord.

Faleminderit!

Kemi lënë dy gjëra, që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucionit, që kishin edhe

sensibilitetin apo ndjeshmërinë e opozitës.

Së pari, bëhej fjalë për dërgimin e projektplanit vjetor të statistikave te Këshilli i

Ministrave. Diskutuam se ky projektplan i dërgohet Këshillit të Ministrave thjesht dhe vetëm

për të përmbushur qëllimet e tij, në raport me Institutin e Statistikave dhe, së dyti, i vjen

Kuvendit për miratim, pra Këshilli i Ministrave bën transporton.

Atëherë, riformulimi në nenin 9 do të jetë ky: “Projektplani vjetor i statistikave, pasi

është prezantuar dhe ka marrë mendimin nga Këshilli i Statistikave, miratohet nga INSTAT-i

dhe i njoftohet Këshillit të Ministrave, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore që ai ka

lidhur me prodhimin e statistikave dhe për dërgimin e tij për miratim Kuvendit”.

Përmbushim edhe kërkesën patetike të zotit Spaho, apo jo?

Ka ndonjë vërejtje lidhur me këtë formulim? Jo.

E hedhim në votim?

Po...

Anastas Angjeli – Unë nuk isha kur e ka diskutuar zoti Spaho, apo kush e ka pasur

parasysh dhe çfarë ka pasur parasysh me këtë.

Një gjë duhet të kemi parasysh: Instituti i Statistikave nuk merr dot iniciativë

ligjvënëse (është si puna e Bankës së Shqipërisë), kështu që është i detyruar të këtë

komunikim me Këshillin e Ministrave. Opozita mund të thotë çfarë të dojë, por ne duhet të

jemi të kujdesshëm këtu. Edhe Banka e Shqipërisë, për shembull, është institucion i pavarur,

varet nga Kuvendi, por nuk bën dot një ndryshim në ligjin për Bankën e Shqipërisë, në qoftë

se nuk ia çon Këshillit të Ministrave. Jo formalisht, por ia çon se është i detyruar nga

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Opozita mund të thotë çfarë të dojë, ne mund të themi çfarë të duam, por rregullat

janë rregulla dhe ligjet janë ligje. Kushtetuta thotë se një institucion i pavarur, që nuk ka

iniciativë ligjvënëse, e ushtron të drejtën e vet ligjvënëse nëpërmjet Këshillit të Ministrave.

22

Mbaroi! Kështu që në qoftë se ai sjell një plan që ne do ta miratojmë, atëherë duhet ta kalojë

në Këshillin e Ministrave. Ka mbaruar kjo punë! Opozita mund të dalë dhe të bëje edhe

demonstratë. E kupton? Nuk ka lidhje! Është një gjë kushtetuese.

Më falni që nuk kam qenë radhën e parë dhe nuk e kam dëgjuar si e kanë thënë ata,

por e vërteta është kështu!

Ta rregullojmë. Jam dakord me ndryshimin, por të kihet parasysh ky moment.

Erion Braçe – Patjetër!

Edhe formulimi i mëparshëm, natyrisht, ishte pothuajse në të tilla konture, por meqë

kërkohej saktësimi se përse shkon plani vjetor i statistikave në Këshillin e Ministrave, ne e

kemi bërë këtë saktësim, është diskutuar dhe ka marrë edhe miratimin.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Patjetër, patjetër! Pa vendim nuk mund ta përcjellë.

E hedhim në votim riformulimin e nenit 9 të projektligjit, pika 4.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Problemi tjetër që kishim, ishte procedura publike për përzgjedhjen e kryetarit, apo

jo?

Atëherë, formulimi që vjen për nenin 16, pika 3, është ky: “Procedura publike e

përzgjedhjes së kandidatëve kryhet nga Këshilli i Ministrave. Mënyra e kryerjes së kësaj

procedure, afatet e njoftimit dhe kriteret për vlerësimin e kandidatëve, përcaktohen me

vendim të Këshillit të Ministrave dhe bëhen publike. Pas kryerjes së procedurës, rezultatet e

së cilës duhet të jenë publike, Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit jo më pak se tri

kandidatura të përzgjedhura (që të mos krijohet ndonjë shqetësim, këtu mund të vijnë

3,4,5,6,7,8,9,10,12 kandidatura, por gjithnjë jo më pak se 3), duke i shoqëruar me të gjithë

dokumentacionin administrativ të procesit. Në rast se kandidaturat e propozuara nuk

miratohen nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave është i detyruar të ripërsërisë procedurën, me

qëllim propozimin e kandidaturave të tjera”. Pra, i jepen të gjitha atributet Kuvendit, në atë

përcaktim që ka marrë, për të emëruar drejtorin e Institutit të Statistikave.

Ka vërejtje?

E votojmë edhe pikën 3 të nenit 16.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Kemi edhe një propozim të fundit. Bëhet fjalë përsëri për nenin 16. Shtohet pika 7 me

këtë përmbajtje: “Në rastin e shkarkimit të drejtorit të Përgjithshëm, sipas pikës 6 të këtij

23

neni, detyrat e tij mbulohen nga zëvendëskryetari i bordit drejtues, i caktuar sipas pikës 4 të

nenit 18 të këtij ligji, deri në emërimin e drejtorit të ri të Përgjithshëm”, me qëllim që të mos

krijohet një vakancë, që thuajse asfikson institutin e Statistikave.

Ka vërejtje për këtë pikë? Jo.

Atëherë, e hedhim në votim.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Ndryshimet e tjera, janë ndryshime që janë reflektuar në tërësi që gjatë seancës së

parë të diskutimit në këtë komisioni.

E votojmë në tërësi me këto ndryshime ligjin “Për statistikat zyrtare”.

Kush është pro? Kundër? Abstenim?

Miratohet.

Zonja drejtoreshë, bashkë me relatoren e komisionit, bashkë me stafin e komisionit,

do të reflektoni të gjitha ndryshimet që i janë bërë këtij projektligji në seancë, në relacionin e

komisionit. Kjo gjë duhet bërë sot, me qëllim që dokumenti të jetë i gatshëm që nesër për

seancën plenare.

Faleminderit!

Mbledhja mbyllet këtu.

MBYLLET MBLEDHJA