kuvendi - parlament.al fileeuropian apo rreziqeve të sigurisë që rajoni ka sot, të cilat na...
TRANSCRIPT
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian
Dokument Parlamentar
PROCESVERBAL
Datë 21.07.2015, ora 16:00
Drejton mbledhjen:
Majlinda Bregu – kryetare e Këshillit
Rendi i ditës:
1. Informim nga ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ditmir Bushati, lidhur
me qëndrimet e Shqipërisë në kuadër të Samitit të Vjenës të vitit 2015 për
Ballkanin Perëndimor.
2. Informim nga ministrja e Integrimit Europian, zonja Klajda Gjosha, për
Progresraportin e vitit 2015 për Shqipërinë.
Marrin pjesë:
Anëtarët e Këshillit, zonja Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së,
përfaqësues të delegacionit të OSBE-së dhe të BE-së.
I ftuar:
Ditmir Bushati – ministër i Punëve të Jashtme.
2
HAPET MBLEDHJA
Majlinda Bregu – Unë them të fillojmë, pasi takimi ishte lajmëruar për
në orën 16:00 dhe në orën 17:00 e pak ne duhet të jemi të gjithë në seancën
plenare. Në 17:00 në orarin zyrtar, por sigurisht që do të fillojë si gjithmonë me
dhjetë minuta vonesë.
Kush do të vijë nga stafi, është i lutur të ulet, të zërë vend, sigurisht, nëse
nuk e ka zënë vapa më keq rrugës.
Mirëdita të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në takimin e parë të punës së
Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian pas takimit të parë hapës, pra atij
inaugurues të Këshillit Kombëtar!
Sot e kemi thirrur këtë takim në përmbushje të funksionit të Këshillit
Kombëtar të Integrimit Europian për të diskutuar, për të dëgjuar dhe kryesisht
për t’u informuar nga ministri i Jashtëm dhe ministrja e Integrimit Europian për
çështje të cilat janë sot në axhendën që u është depozituar të gjithëve.
I falënderoj edhe një herë të dy ministrat që kanë mbërritur sot në këtë
takim, të paktën sa për të qenë të gjithë dhe për të kuptuar gjuhën me të cilën do
të zhvillohet ky takim sot! Besoj se për këdo është e qartë që Këshilli Kombëtar
i Integrimit Europian është një forum konsultativ, që do të thotë se diskutimet,
debatet dhe marrja e fjalës ndjek një rregull të caktuar, ndryshe nga debatet që
zhvillojmë zakonisht në komisionet tona parlamentare.
Ky takim i radhës i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian vjen pas dy
vizitave shumë të rëndësishme në Shqipëri kohët e fundit, atë të Kancelares
gjermane Merkel dhe të kreut të Parlamentit Europian Shulc. Mesazhet e të
gjithëve kanë qenë shumë të qarta duke konfirmuar dy qëndrime: angazhimin e
rinovuar nga kancelaria Merkel dhe të Gjermanisë nëpërmjet Procesit të Berlinit
për t’i dhënë formë të qartë rrugës integruese të Ballkanit Perëndimor në
Bashkimin Europian dhe duke konfirmuar nga të dy zyrtarët e lartë se për të
shkuar drejt Bashkimit Europian nuk ka rrugë tjetër veç plotësimit të reformave
3
dhe detyrimeve së brendshmi që ka çdo vend. Çdo rrugë tjetër e tërthortë, e
lakueshme është veçse një rrugë qorre.
Personalisht nuk e di se sa strategjia e re për të mbështetur Ballkanin
Perëndimor me investime të qarta dhe duke e fuqizuar rajonin me projekte
konkrete e nxit qeverinë më shumë për të qenë proeuropiane në reforma dhe jo
vetëm në deklarata. Megjithatë, përtej zallamahisë së krizave të Bashkimit
Europian apo rreziqeve të sigurisë që rajoni ka sot, të cilat na prekin edhe pse
nuk jemi aktorë direkt në to, besoj se ajo për të cilën jemi të gjithë të interesuar
është të zgjidhim dhe të kuptojmë nivelin e adresimit të prioriteteve që ne kemi
përpara, për të cilat do të dëgjojmë më pas edhe informimin e ministres Gjosha.
Çdo moskoordinim, mungesë vizioni, shkelje e standardeve europiane e
dëmton procesin më shumë se asgjë tjetër dhe, në rast se me ndasi kokëforta, siç
ndodh zakonisht kur ne jemi shumë të zotë, apo me hile pa fre, me shitblerje
votash, me korrupsion politik, me kriminelë të emëruar ose me kriminelë me
pushtet politik, do të ketë gjasa që të jenë gjithmonë prezente si fenomene në
këtë rrugë tonën drejt integrimit në Bashkimin Europian, atëherë mund të ketë
vetëm shkarje teposhtë të standardeve dhe të integrimit, sepse, për të
përmbushur edhe atë mision tonin, po sigurisht atë mision që e ka e gjithë
shoqëria shqiptare, nuk mjafton vetëm dashuri europiane, por duhen reforma
europiane.
Besoj se në këtë frymë të dy ministrat, edhe zoti Bushati, edhe zonja
Gjosha, nuk besoj se kanë ndonjë gjë për të kundërshtuar, por duke qenë se në
fund të muajit gusht zhvillohet Konferenca e Vjenës, si takimi i dytë i
rëndësishëm pas asaj të Berlinit, zoti Bushati është thirrur për të na informuar
për qëndrimet e Shqipërisë në Samitin e Vjenës për Ballkanin Perëndimor.
Për procedim të kësaj seance, pasi zoti Bushati të marrë fjalën, do t’ju
lutesha që, në rast se keni pyetje, t’i depozitoni që tani pranë sekretarisë dhe më
pas do të vijojmë me pyetje dhe do t’ia japim fjalën edhe ministres Gjosha. Në
4
rast se do të keni pyetje, që mendoni se i prekin të dy ministrat, mund t’i bëni në
fund pas prezantimit edhe të ministres Gjosha.
Faleminderit!
Fjala për ju, zoti Bushati.
Ditmir Bushati – Faleminderit, zonja kryetare!
Të nderuar kolegë,
Të nderuar drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të shoqërisë
civile dhe botës së biznesit,
Unë do të doja që të fokusohesha në mënyrë të shkurtër rreth pritshmërive
dhe rrugës sonë për në Konferencën e Vjenës, pasi një material më të
përgjithshëm dhe më të detajuar, gjithashtu, edhe mbi axhendën paraprake të
Konferencës së Vjenës e kemi depozituar tashmë pranë këtij Këshilli.
Meqenëse është edhe mbledhja e parë e punës së këtij Këshilli, më lejoni
t’ju uroj suksese, sidomos kryetarit dhe nënkryetarit! Nga ana tjetër, dëshiroj që
të shpreh edhe një herë tjetër gatishmërinë e institucionit që përfaqësoj për të
bashkëpunuar në një mbarëvajtje sa më të mirë të punës së këtij Këshilli, pse jo
të ndihmojmë edhe të gjithë së bashku, pavarësisht nga këndvështrimet politike
dhe nga pozicionet politike, për një bashkërendim më të mirë dhe sinkronizim
më të mirë të qëndrimeve që kanë lidhje kryesisht me procesin e integrimit
europian duke qenë se është një objektiv i përbashkët kombëtar.
Konferenca e Vjenës, që zhvillohet në fund të muajit gusht, vjen si hapi i
dytë pas Konferencës së Berlinit apo procesit që nisi vitin e kaluar në Berlin, që
ne kemi dëshiruar ta konsiderojmë si të tillë, për t’i dhënë trajtën e një
ristrukturimi në disa segmente të caktuara, por edhe për të krijuar idenë e
vazhdimësisë.
Siç dihet, vitin e kaluar Konferenca e Berlinit mbylli punimet në tri tryeza
dhe hartoi një dokument ku u listuan disa prioritete dhe disa çështje, për të cilat
vendet pjesëmarrëse të procesit të Berlinit do të duhej që të bashkëpunonin me
njëri-tjetrin sikundër dhe, kur flas për vendet pjesëmarrëse të procesit të
5
Berlinit, nuk kam parasysh vetëm vendet që aspirojnë anëtarësimin në
Bashkimin Europian, por edhe vendet nismëtare të këtij procesi.
Gjatë kësaj periudhe, përveç zbatimit të një pjese të mirë të detyrave të
lëna nga Konferenca e Berlinit, është punuar edhe nën koordinimin e
autoriteteve austriake për ta konceptuar Konferencën e Vjenës në tre
komponentë kryesorë: në çështjet e bashkëpunimit politik, në çështjet e
bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile, duke qenë se
do të ketë një segment më të posaçëm kësaj radhe me shoqërinë civile dhe me
përfaqësues të biznesit, çka është risi në raport me Konferencën e Berlinit.
Është me rëndësi, gjithashtu, të nënvizojmë faktin që procesi i Berlinit
nuk zëvendëson procesin e integrimit europian, etapat, standardet apo atë që
kryetarja e këtij Këshilli e konsideroi rrugë tjetër përveç rrugës që është shtruar
tashmë dhe e kodifikuar tek Aquis-ja e Bashkimit Europian, por është një
mundësi e mirë, në radhë të parë, për të rivitalizuar procesin e anëtarësimit në
Bashkimin Europian dhe, në radhë të dytë, është një mundësi e mirë, sidomos
në kuptimin gjeopolitik, për t’u dhënë një kundërpërgjigje përpjekjeve të
aktorëve të tretë për të qenë më prezentë në rajon dhe gjithashtu asaj vëmendjeje
deri diku sporadike që kishte Bashkimi Europian për procesin e integrimit
europian në këtë kënd të Europës, bazuar mbi disa sfida dhe kriza me të cilat po
përballej kryesisht në Lindje, por së fundmi edhe në Jugun e vet.
Ndër detyrat kryesore të lëna nga vendi organizator në Konferencën e
Berlinit do të doja të veçoja: a) ndërlidhjen, pra konceptin e ndërlidhshmërisë,
sidomos për sa i përket transportit dhe energjisë, b) konceptin e bashkëpunimit
rinor, i bazuar në modelin franko-gjerman të pasluftës së Dytë Botërore, një
koncept i cili në thelb kishte ripajtimin ndërmjet Francës dhe Gjermanisë dhe
shtrirjen e ripajtimit nëpërmjet programeve të bashkëpunimit rinor.
Gjatë këtij viti ne kemi pasur kontakte të vazhdueshme si me Zyrën në
Francë, ashtu edhe në Gjermani, me vizitat që kanë zhvilluar në Shqipëri dhe në
Serbi për ta marrë këtë model dhe për ta shtruar në rajonin tonë në një kontekst
6
të caktuar, i cili nuk ka dhe nuk limitohet thjesht te çështjet e ripajtimit, por
shkon më tej, te programet e mobilitetit, te programet e shkëmbimit, te kërkimi
dhe, ç’është më e rëndësishmja, nuk është thjesht dhe vetëm një bashkëpunim
rinor shqiptaro-serb apo i instiguar nga Shqipëria dhe Serbia, por është një
program i cili do t’u vendoset në tryezë të gjitha vendeve pjesëmarrësve të
procesit të Berlinit, që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Grupi i tretë i çështjeve, që ne do të diskutojmë në Konferencën e Vjenës,
ka të bëjë me problematikat dypalëshe, të cilat janë mjaft prezente dhe sfiduese
në rajonin tonë dhe në disa raste janë konsideruar si pengesë e ecurisë së
vendeve në procesin e integrimit europian.
Pala austriake është në bashkëpunim me një grup studiuesish, të cilët do
të na vënë në dispozicion një studim të tyre së bashku me gjetjet në lidhje me
sesi mund të bashkëpunojmë dhe cilët mund të jenë aktorët që mund të
përfshihen për të kapërcyer gamën e problemeve dypalëshe që ekzistojnë sot për
sot në rajonin tonë.
Vitin e kaluar, unë për këtë gjë kam bërë edhe një diskutim në
Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme, ne iu qasëm Konferencës së
Berlinit duke prezantuar një concept note ose një working document, siç duam
ne ta quajmë, që ishte një punë e Shqipërisë se si e shihte mënyrën si mund të
zhvillohej më tej në etapa dhe në komponentë procesi i Berlinit, ku natyrisht ne
u fokusuam te projektet infrastrukturore dhe në veçanti tek “autostrada blu” ose
e njohur ndryshe si autostrada Adriatiko-Joniane, tek infrastruktura
hekurudhore, te pikat e kalimit portal dhe te ndërlidhja dixhitale.
Së dyti, prezantuam, gjithashtu, konceptin tonë për infrastrukturën
energjetike dhe sigurinë energjetike të Europës Juglindore, që, në fakt, sot është
kthyer instrumentale edhe për vetë Bashkimin Europian për diversifikimin e
burimeve energjetike.
7
Së treti, prezantuam mbështetjen për SME-të dhe financimin e kapitalit
njerëzor dhe edukimit dhe, së katërti, identifikuam si prioritet sektorin e turizmit
dhe bashkëpunimin që mund të kenë vendet që janë pjesë e këtij procesi.
Gjatë dymbëdhjetëmuajshit të parë, ndonëse nuk kemi arritur ende në
finale, në rrafshin e bashkëpunimit rajonal, ne mund të themi që shkojmë në një
situatë më të përmirësuar në Vjenë krahasuar me Berlinin. Kemi një
normalizim, pse jo, mund ta quajmë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet
Shqipërisë dhe Serbisë falë këtij procesi, ku kemi edhe këmbimin e parë në
historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore në nivelin më të lartë të vizitave.
Së dyti, jemi përpjekur edhe gjatë kryesisë shqiptare të procesit të
Europës Juglindore që të sinkronizojmë sa më mirë të jetë e mundur disa nisma
rajonale, sepse duhet ta pranojmë që ka edhe një lloj fragmentimi të një pjese të
mirë të nismave rajonale. Ne kemi tentuar që, pavarësisht kryesimit të nismave
që mund të mos kishin të njëjtën fushë veprimi me procesin e Berlinit, të
kanalizonim ose të vendosnim në qendër të vëmendjes elementet e procesit të
Berlinit dhe t’i sinkronizonim përvojat në këtë mënyrë sa më shumë të ishte e
mundur.
Së treti, e them me kënaqësi që për herë të parë ne kemi themelimin e
Fondit për Ballkanin Perëndimor, i cili do të pasqyrojë praktikën e Fondit të
vendeve të Vishegradit. Fondi i Ballkanit Perëndimor do të jetë me seli në
Tiranë dhe gjithashtu drejtor i parë i këtij Fondi do të jetë një diplomat shqiptar.
E gjithë përpjekja jonë për Fondin e Ballkanit Perëndimor ka qenë gjithashtu
për të përfshirë në të edhe komponentin e bashkëpunimit rinor dhe për të
konkretizuar një pjesë të mirë të axhendës së Berlinit dhe të Vjenës, pra edhe
nëpërmjet këtij Fondi.
Për sa i përket ndërlidhshmërisë dhe punës, që është bërë në drejtim të
transportit dhe energjisë, është bërë një punë voluminoze nga të gjitha vendet
pjesëmarrëse: disa tryeza në nivel ministrash të Jashtëm, transporti, ekonomie
dhe deri tek takimi i 21 prillit në nivelin e kryeministrave të vendeve të rajonit
8
për të përcaktuar, në radhë të parë, hartën sesi do të sigurohet vazhdimësia e
korridoreve infrastrukturore europiane në këtë pjesë të Europës, që nuk është
ende anëtare e Bashkimit Europian, pra si do të realizohet lidhshmëria në
kuptimin fizik të fjalës ndërmjet Bashkimit Europian dhe pjesës tjetër, si dhe
sesi ky proces do t’i shërbejë në një të ardhme, shpresojmë jo shumë të largët,
vetë Bashkimit Europian të lidhet me veten e tij, sepse, kur flasim, për
shembull, për infrastrukturën dhe kur flasim sidomos për autostradën Adriatiko-
Joniane, ne nuk kemi parasysh thjesht lidhjen e Kroacisë me Shqipërinë, por
kemi parasysh, në fakt, lidhjen e vetë Sllovenisë, vend anëtar i Bashkimit
Europian, me Greqinë në finale, vend anëtar i Bashkimit Europian.
Mund t’ju them se, siç e keni në materialin bashkëngjitur, është rënë
dakord për hartën e projekteve prioritare. Është rënë dakord për investimet
kryesore që do të duhet të bëhen, për një metodologji që të gjitha vendet e
rajonit të flasin me të njëjtën gjuhë, për mënyrën se si do të duhet që të
përthithen fondet në të ardhmen, të cilat, për hir të së vërtetës, nuk janë ende në
tryezën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe nga kolegë ministra, ish-
ministra apo edhe deputetë dihet shumë mirë që një nga sëmundjet, një nga
dobësitë tona nuk është mungesa e fondeve, por mënyra sesi ne u qasemi
fondeve dhe kapaciteteve tona absorbuese. Mund të them që në projektet
infrastrukturore, për sa i përket Shqipërisë, janë të listuara investimet për portin
e Durrësit, segmentet rrugore Veri-Jug, si pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane,
për segmentin hekurudhor Durrës-Han i Hotit dhe për aeroportin “Nënë
Tereza”.
E njëjta punë është bërë edhe për sa i përket ndërlidhjes në
nënkomponentin e dytë, që është ndërlidhja energjetike. Të gjitha energjitë tona
janë fokusuar te degëzimi i TAP-it, tek IAP-i, së pari, për t’i dhënë një
mbështetje politike dhe për t’u konsideruar një projekt me interes komunitar, jo
thjesht nga Traktati i Energjisë, por edhe nga vetë Bashkimi Europian për t’u
listuar nga ato projekte që mund të financohet.
9
Pikë së pari gëzon një mbështetje politike dhe ka një studim fizibiliteti në
dispozicion, të financuar nga Western Balkans Investment Framework, por nga
qëndrimi i palëve të interesuara për këtë projekt dhe institucionit të Komisionit
Europian për momentin nuk konsiderohet i maturuar për të gëzuar mbështetje në
Konferencën e Vjenës.
Me gjasë, nga Vjena do të shkojmë në Konferencën e Parisit, ku sidomos
çështjet e energjisë dhe të sigurisë energjetike, si dhe platforma sesi do të
ndërveprojë në mënyrë më të strukturuar Bashkimi Europian me vendet që do të
aderojnë një ditë në të, do të jetë pjesë kryesore e diskutimeve.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, për sa i përket nevojës për një
paketë zhvillimore dhe kornizë financiare për të mbështetur vendet e Ballkanit
Perëndimor, kjo ka qenë një çështje, e cila nuk mendoj se përbën sekret në qoftë
se mund ta ndanim këtu pjesën e diskutimit edhe në vizitën e Kancelares Merkel
në Tiranë, ku ne kemi parashtruar nevojën për ndryshimin e qasjes në raport me
Ballkanin Perëndimor. Në qoftë se do të shohim sot për sot mënyrën sesi vendet
që janë anëtarësuar rishtazi aksesojnë fondet në vende joanëtare, raporti është
një me pesë, një me gjashtë dhe, në qoftë se ne do të vazhdojmë me këtë raport,
nuk do të zvogëlojmë dot hendekun që ekziston mes mesatares së Bashkimit
Europian dhe mesatares së rajonit tonë as për një periudhë ndoshta 50-vjeçare.
Prandaj është shumë e rëndësishme që në vendet e Ballkanit Perëndimor krahas
detyrave të shtëpisë, krahas të gjitha angazhimeve që kemi ndërmarrë për të
jetësuar projektet që unë përmenda, Bashkimi Europian dhe ne shpresojmë që të
flasim me një zë në Vjenë. Janë të gjitha gjasat dhe i gjithë koordinimi mes
vendeve anëtare të kësaj nisme që do të flasim me një gjuhë, që ne do të na
duhet që të kemi një paketë zhvillimi në formën e një kornize financiare ose të
një strukture të re garancish nga ana e Bashkimit Europian për vendet e
Ballkanit Perëndimor për të mundësuar zbatimin e këtyre projekteve dhe të
tjerave.
10
Së fundi, te bashkëpunimi rinor, kërkoj ndjesë për kohën, është me interes
të ndaj me ju faktin që në takimin e ministrave të Jashtëm të SEECP-së, i
mbajtur në Tiranë në fund të majit të këtij viti, vendet e Ballkanit Perëndimor,
që janë pjesë e nismës së Berlinit, kanë mandatuar Shqipërinë dhe Serbinë për të
punuar për planin e veprimit për bashkëpunimin rinor, i cili, siç e thashë edhe në
fillim, do të jetë i aplikueshëm dhe do t’i shtrijë efektet e veta në të gjitha vendet
e Ballkanit Perëndimor dhe nuk do të fokusohet thjesht dhe vetëm te modeli që
përmendëm franko-gjerman.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Ministër!
Sigurisht që rëndësia e procesit të Berlinit dhe Konferencës së Vjenës,
këtë radhë si një mundësi e mirë për krijimin e dinamikave të reja të
bashkëpunimit në rajon, është për t’u përshëndetur, madje unë besoj se edhe ky
takim e konfirmon se ne kemi një zë dhe një qëndrim në procesin e integrimit.
Besoj të paktën se e vlerësoni faktin që ka një opozitë e cila është
bashkëpunuese dhe jo bllokuese, por edhe kontribuon për të pasur një zë për
proceset madhore të Shqipërisë, madje meqenëse ju kërkuat që të ketë sa më
shumë kontribut edhe për të zhvilluar një paketë financiare, për të cilën mendoj
që për projektet të cilat ju i përmendët do të keni një miratim besoj në Këshillin
Kombëtar të Investimeve...
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Apo janë miratuar tashmë?
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Janë miratuar.
Kjo do të thotë që këtë informacion, edhe sikur ne ta zhvillojmë
mbledhjen e Këshillit në bazë të axhendave më rrallë, do të duhet që ta kemi,
sepse ky është qëllimi primar i funksionimit të këtij forumi. Pra, të ketë një
informacion dhe një qëndrim konsultativ.
11
Duke marr shkas nga ajo që thatë ju, më lejoni që t’ju bëj me dije për një
iniciativë në cilësinë e kryetares së këtij Këshilli, të cilën do ta zyrtarizojmë në
Konferencën Rajonale, që do të zhvillohet në Tiranë nga fundi i muajit shtator,
për përfshirjen e parlamenteve në procesin e Berlinit.
Ka pasur një takim para jo më shumë se dhjetë ditësh, në mos gabohem,
në Berlin, ku ka pasur edhe përfaqësues nga Shqipëria, të Akademisë së
Shkencave dhe të medies për të diskutuar për ide dhe forma të reja
bashkëpunimi për t’i dhënë hov procesit të Berlinit. Ndaj nuk besoj se edhe ju
do të keni ndonjë gjë kundër. Sigurisht, detyrimi për të plotësuar reformat i
mbetet qeverisë, por, për sa kohë parlamentet kanë një rol kryesor në këtë
proces dhe axhenda e integrimit europian është mbarëkombëtare, besoj se do të
ishte me interes për të gjithë rajonin edhe gjetja e formave të reja të
bashkëpunimit parlamentar.
Duke ju falënderuar për prezantimin, pra për informacionin, në rast se ka
pyetje nga anëtarët e Këshillit, ndonjë diskutim a koment, do t’ju kujtoja edhe
një herë kohën!
Do t’ju lutesha që të limitoheshit dhe t’i qëndronit të paktën një
dyminutëshi ndërhyrjeje dhe jo më shumë, për të vijuar më pas me ministren
Gjosha lidhur me plotësimin e pesë prioriteteve dhe udhërrëfyesin!
Po, zonja Vokshi.
Albana Vokshi – Kam një pyetje për ministrin në lidhje me azilkërkuesit.
A ka qeveria një strategji për të ndalur trendin në rritje të azilkërkuesve, çështje
kjo dhe problematikë e cila nuk i shpëtoi as axhendës së ngjeshur të kancelares
Merkel në Shqipëri? Numrat janë në rritje çdo muaj, shifrat janë të frikshme,
madje edhe në muajin maj janë më shumë se 5000 azilkërkues nga Shqipëria
duke zënë vendin e dytë nga të gjitha vendet.
Në lidhje me këtë, po një strategji të riintegrimit të të kthyerve, në rast se
do të kthehen nga vendet ku kanë kërkuar azil, a ka qeveria? Kam dëgjuar një
raport nga ministria përkatëse jo më larg se para një jave dhe, për strategji të
12
riintegrimit të tyre, ata quanin dy njerëz që i kishin lënë në dogana që i prisnin
kur ktheheshin, i jepnin disa letra në dorë dhe i kthenin në qytetin nga i cili ata
ishin nisur, pra i origjinës. Kjo është strategjia e ri-integrimit në realitet, apo
keni diçka më shumë që përfshin punësimin, arsimimin e të tjera?
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Para se t’ia jap fjalën zotit Bushati për përgjigjen,
fjalën e ka zoti Balla për procedurë.
Taulant Balla – Faleminderit, zonja kryetare!
Sigurisht që edhe si nënkryetar do t’i kërkoja zotit Bushati që të japë
informacion sa më të saktë për këtë çështje, por do të doja që t’u kujtoja të
gjithë të pranishmëve rolin që ka ky Këshill.
Nëse duam që të bëjmë një seancë parlamentare edhe në Këshill, nuk
besoj se kemi gjetur vendin e duhur për ta bërë këtë.
Për çështjen në fjalë, ne si Këshill, por edhe në komisionet përkatëse të
Kuvendit, mund të thërrasim ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, po
të doni ju edhe Kryeministrin në një seancë parlamentare. Domethënë, zoti
Bushati informoi Këshillin për qëndrimin e Shqipërisë në Samitin e Vjenës dhe
për procesin e nisur në Berlin në tërësi. Tani, nëse ne do ta kthejmë këtë forum
kaq të rëndësishëm në një betejë pyetje-përgjigjesh për çështje, sigurisht të
rëndësishme, për të cilat e vlerësoj edhe vëmendjen që i kushton zonja Vokshi
qoftë këtu, qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk besoj se jemi në formatin e
duhur në vendin e duhur për këtë çështje.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Balla!
Në fakt...
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Të lutem!
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Faleminderit!
13
Në fakt, jo më kot e parashtrova në fillim të takimit se si dhe çfarë
parashikon rregullorja për funksionimin e këtij Këshilli dhe, sigurisht, nuk dua
që të bëjmë këtu replika të komisioneve parlamentare dhe as të ringjallim
debatin e seancës plenare, por çështja e azilkërkuesve dhe kërkesa për një
strategji nga ana e qeverisë, për marrje informacioni nëse ka një strategji apo se
cilat janë hallkat për një problem, i cili sa vjen dhe po bëhet më shqetësues, pasi
shifrat janë më shqetësuese nga muaji në muaj, është ngritur nga unë në
mbledhjen e parë të këtij Këshilli. Prandaj, le të themi edhe si kërkesë
informacioni, e cila tashmë vjen prej datës 8 maj, në mos gabohem se ka qenë
mbledhja e parë e këtij Këshilli, nuk besoj se edhe ministri ka ndonjë problem
apo druhet për t’i dhënë një përgjigje, sikurse realisht nuk besoj se procesi i
azilkërkuesve apo strategjitë e ri-integrimit i takojnë vetëm Ministrisë së
Brendshme. Ministria e Brendshme merret me kontrollin e kufijve, por nuk do
të thotë se kjo ministri është e vetmja përgjegjëse për këtë fenomen.
Atëherë, ju lutem, zoti Bushati, përgjigjen!
Në rast se ka pyetje të tjera për ministrin Bushati, do t’ju lutesha që t’i
depozitonit, sepse do të na duhen edhe për efekt të procesverbalit dhe të
minutave të këtij takimi.
Ditmir Bushati – Faleminderit, zonja kryetare!
Në fakt, për hir të së vërtetës, unë mendova që ishte ogur i mirë që po
respektonim procedurën dhe çështjet të cilat ishin objekt diskutimi të kësaj
mbledhjeje. Mendoj që kjo do të kishte qenë më e frytshme edhe për të
vendosur një praktikë europiane për maksimizimin e kohës, çka, për hir të së
vërtetës, nuk kemi qenë të aftë deri sot për ta vendosur në parlament, por...
Majlinda Bregu – Do ta vendosim edhe ne.
Ditmir Bushati – Meqenëse opozita është e shqetësuar për këtë çështje,
dhe unë e mirëkuptoj shqetësimin qytetar, si dhe nga ana tjetër falënderoj edhe
kryetaren e Këshillit për mbështetjen që jep, për inkurajimin dhe nxitjen që i
bën qeverisë, ekzekutivit, autoriteteve ligjzbatuese për të punuar në shumë
14
fronte për ta përballuar këtë fenomen dhe mes procedurës, objektit të kësaj
mbledhjeje dhe interesit publik që pasqyrohet nga opozita në këtë mbledhje,
natyrisht unë do të zgjedh këtë të dytën, sepse përfaqësoj edhe një parti liberale,
socialdemokrate dhe progresiste!
Në këtë drejtim, mund t’ju them, së pari, se ky nuk është një fenomen
shqiptar, është një fenomen më i gjerë se kaq, i cili merr në konsideratë jo
thjesht vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe procedurat, legjislacionin dhe
praktikën e brendshme që kanë disa prej vendeve anëtare të Bashkimit
Europian, në rastin në fjalë, Gjermaninë, dhe regjimin ligjor që ka Gjermania
përkundrejt vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor për sa i përket
cilësimit legjislativ për vendet me origjinë të sigurt. Pra, kemi një çështje që
duket formale, por që, në fakt, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me statusin e
vendeve që janë prekur më shumë nga ky fenomen, pra që ka të bëjë me
origjinën ose jo të sigurt.
Ka diskutime me palën gjermane, sikundër ka interes nga kjo palë për të
njohur opinionin e qeverisë shqiptare, opinionin e përfaqësuesve të qeverisë
shqiptare dhe të institucioneve shqiptare për këtë çështje.
Ka vende të tjera të rajonit që kanë një klasifikim të tillë dhe “një
klasifikim i tillë” do të thotë shkurtim drastik i procedurave kur autoritetet në
fjalë do të përballen me kërkesën për azil. Do të thotë jo thjesht shkurtim
procedurash, por gjithashtu edhe mospërfitim të të gjithë alokacionit financiar
që çdo aplikant për azil merr, siç është rasti i Gjermanisë, për shembull, deri në
momentin që kërkesa e tij shqyrtohet nga autoritetet gjermane. Kjo është një
çështje që në dukje ka të bëjë me ligjin dhe me kualifikimin e vendeve me
origjinë të sigurt ose jo, por, në fakt, ngërthen edhe filozofinë që kanë vende të
ndryshme të Bashkimit Europian për sa i përket të drejtës për azil.
Së dyti, është bashkëpunimi i Gjermanisë dhe i Shqipërisë në këtë
drejtim.
15
Ju falënderoj që na sollët në vëmendje vizitën e kancelares. Për hir të së
vërtetës, kjo është një çështje që unë gjithashtu e kam diskutuar me kolegun
Shtajnmajer në Gjermani, pra nuk është një çështje e diskutuar në mënyrë
rudimentare, por mund t’ju kujtoj gjithashtu edhe qëndrimin publik të
kancelares për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet ministrit të Brendshëm të
Shqipërisë dhe ministrit të Brendshëm të Gjermanisë në këtë drejtim, në
patrullimin e përbashkët të pikave të kalimit kufitar dhe në vendosjen e një
bashkëpunimi edhe më rigoroz, sidomos në pikat e kalimit tonë kufitar në Jug të
vendit, për shkak të indicieve që vijnë se një pjesë e personave të cilët
përfundojnë me kërkesa për azil në Greqi shfrytëzojnë pikat e kalimit në Jug
dhe, në fakt, nuk janë qytetarë rezidentë në Shqipëri.
Së treti, është shumë e vërtetë që është një çështje që ka të bëjë edhe me
një bashkërendim më të mirë të organeve të qeverisjes qendrore, të qeverisjes
vendore dhe organizmave të specializuar në këtë drejtim. Disa prej partnerëve
ndërkombëtarë kanë qenë mjaft bashkëpunues dhe ndihma e tyre ka qenë
instrumentale në këtë drejtim.
Së katërti, është edhe elementi kriminal dhe i përhapjes së thashethemit,
por që, në fakt, pas thashethemit, sipas informacioneve që vijnë nga shërbime të
specializuara qoftë këto të ekzekutivit, ligjzbatuese apo inteligjente, fshihen
persona të cilët kanë nga pas një axhendë kriminale ose axhendë fitimprurëse që
instigojnë qytetarë shqiptarë për të marrë rrugët dhe, në rastin në fjalë, për të
përfunduar më pas me kërkesa për azil në Gjermani.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit për përgjigjen, zoti Bushati!
Në fakt, unë i bashkohem propozimit të zotit Balla. Do të ishte mirë që ne
të kishim një seancë të plotë parlamentare, një interpelancë pse jo me
Kryeministrin për të diskutuar mbi çështjen dhe shqetësimin e madh të rritjes së
numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, e cila nuk më duket aksidentale gjatë
këtyre muajve.
16
Po, zoti Bumçi.
Aldo Bumçi – Faleminderit, zonja kryetare!
Unë kam një pyetje për zotin ministër: sa ndryshon lista e projekteve që
do të dorëzohet në Vjenë nga ato të Berlinit vitin e kaluar? Sa janë gjasat që
këto projekte të financohen kur vetë kancelarja Merkel përmendi vetëm
shkëmbimet rinore si një projekt rajonal? Pra, sa ndryshojnë projektet e
dorëzuara këtë vit nga të vjetshmet dhe sa janë gjasat për financim?
Ditmir Bushati – Ndoshta nuk isha unë i qartë në parashtrimin që bëra.
Vitin e kaluar nuk ka pasur listë projektesh. E thashë, Shqipëria ka qenë i vetmi
vend që i ka paraprirë konferencës me një working document ose concept note,
ku rreshtova katër shtylla. Ky ka qenë ballafaqimi i vizionit tonë ose i
pritshmërive tona për atë se çfarë do të vinte pas Berlinit, ndërkohë që teksa
shkojmë në Vjenë, ne nuk shkojmë me listë projektesh individuale, pra që secili
vend sjell listën e vet të projekteve dhe krijohen rivalitete, sepse në Berlin u ra
dakord që të përdoren disa kritere në lidhje me projektet që përfshijnë më shumë
se një apo dy vende.
Për sa i përket Berlinit, mund t’ju theksoj edhe një herë tjetër portin e
Durrësit, segmentet rrugore Veri-Jug dhe Milot-Morinë, që janë pjesë e
autostradës Adriatiko-Joniane, segmenti hekurudhor Durrës-Hani i Hotit dhe
aeroporti “Nënë Tereza”. Kjo nuk është lista e projekteve të Shqipërisë, sepse
Komisioni Europian ka përpunuar dhe më pas adoptuar një metodologji për
infrastrukturën dhe ndërlidhshmërinë e rajonit, po edhe në ndërlidhshmërinë e
rajonit fizikisht në Bashkimin Europian. Pra, janë dy procese që ndihmojnë
procesin final.
Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet, qoftë këto edhe të karakterit
politik dhe sensitiv, pasi disa prej projekteve infrastrukturore kalonin në shtete,
të cilat sot për sot nuk e njohin njëri-tjetrin, dhe u miratua harta sesi do të jetë
vazhdimësia e korridoreve infrastrukturore europiane në këtë rajon.
17
Nga miratimi i hartës, ne kemi shkuar te listimi i projekteve, pra është një
proces përbashkues. Nuk është se kësaj radhe Shqipëria shkon me projektet e
veta, Serbia me të vetat, Mali i Zi me të vetat, Maqedonia, Bosnja, Kosova e
kështu me radhë.
Për sa u përket projekteve të infrastrukturës, këto projekte kanë një lloj
dakordësimi deri në nivelin e kryeministrave dhe ne presim që të kemi zyrtarisht
në Konferencën e Vjenës gjithashtu mbështetjen finale për këto projekte.
Më pas përmenda ndërlidhjen energjetike.
Duke iu referuar kancelares Merkel, mund të them sërish që në
diskutimin dypalësh, edhe për shkak të historisë së saj personale, si një qytetare
gjermane e rritur në Lindje të Gjermanisë dhe në lindje të Europës, kam vënë re
shqetësimin dhe sensin e lartë të përgjegjësisë për të ngushtuar hendekun që
ekziston midis Jugut dhe Veriut të Europës dhe për t’i kyçur vendet e Ballkanit
Perëndimor në të gjitha këto procese të cilat janë jo lehtë të zbatueshme.
Në prezantimin tim fola gjithashtu edhe për IAP-in, për insistimin tonë
për memorandumin e bashkëpunimit që kemi firmosur me palën kroate dhe
malazeze, si dhe për ndërlidhjen që do të duhet të financohet dhe të zbatohet në
këtë drejtim. E thashë, nuk ka ende një vendim për këtë çështje dhe gjasat janë
të vogla që të ketë një vendim për IAP-in, si një projekt me interes për
komunitetin europian, sepse për momentin ka statusin e interesit të Traktatit të
Energjisë, por lufta dhe përpjekjet tona do të vazhdojnë edhe për Konferencën e
Parisit, duke qenë se indiciet janë që kjo konferencë do të fokusohet shumë te
projektet energjetike të rajonit, te bashkëpunimi rinor dhe në rolin më
protagonist të Shqipërisë dhe të Serbisë në këtë drejtim.
Më pas, ajo që ka mbetur për ne, zonja kryetare, e pandryshueshme dhe
që e shohim ende të pamaterializuar, ndonëse ka një sens të lartë reflektimi nga
shërbimet e specializuara të Komisionit Europian, dhe këtë e them edhe nga
takimet e Kryeministrit me Presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klod
Junker, është nevoja për një paketë zhvillimi në formën e një kornize financiare.
18
Pra, në qoftë se “plani Junker” sot për sot është plan vetëm për 28 vendet e
Bashkimit Europian, nevoja për të filluar dhe për ta shtrirë planin Junker edhe
në pjesën tjetër që pritet që në një të ardhme, shpresojmë të gjithë jo fort të
largët, të bëhet pjesë e BE-së.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit për përsëritjen e mesazhit të parë, zoti
Bushati, për projektet e identifikuara!
Unë nuk besoj se ju jeni anëtar i Këshillit Kombëtar të Investimeve, por
ministrja Gjosha mund të na sqarojë ndoshta edhe për lidhjen e fondeve të IPA-
s dhe se sa prej këtyre fondeve do të lidhen me Fondin e Investimeve për
Ballkanin Perëndimor. Në fund të fundit, ju e dini pastaj se keni eksperiencë të
vjetër tashmë në politikë, zoti Bushati, se do të kalojnë propozime të cilat nesër
do të kalojnë në parlament për t’u miratuar.
Atëherë, zonja Gjosha, në materialin që Ministria e Integrimit ka
paraqitur, për të cilin besoj se janë në dijeni të gjithë anëtarët e Këshillit,
sigurisht kushdo që ka pasur dëshirë për ta lexuar, ju raportoni për plotësimin e
udhërrëfyesit të pesë prioriteteve në nivelin e zbatueshmërisë 90% të plotësimit
të detyrimeve.
Kur kemi qenë bashkë në Këshillin e Stabilizim-Asociimit në Bruksel në
muajin maj, niveli i zbatueshmërisë së detyrimeve të planit të veprimit për pesë
prioritetet ishte 70%. Pra, ky ka qenë raportimi juaj, çka do të thotë që me gjithë
periudhën e zgjedhjeve, nga muaji maj deri në korrik, ju i keni plotësuar edhe
20% të detyrimeve. Kjo do të thotë se në fillim të tetorit ne i kemi plotësuar
100% të detyrimeve dhe unë e para do të isha shumë e lumtur me të gjithë ju
bashkë që në progresraportin e tetorit të merrnim propozimin për hapjen e
negociatave, në rast se do t’i qëndronim këtij niveli të lartë zbatueshmërie të
detyrimeve nga ana e qeverisë shqiptare.
Larg qoftë të mos ndodhë, në fakt, se, po të mos ndodhë, ose nuk është i
vërtetë 90%-shi, ose nuk ka kuptuar asgjë pala europiane dhe Komisioni
19
Europian. Megjithatë, unë do të doja të dëgjoja nga ju prezantimin shkurt për
pesë prioritetet, përveç asaj që ne të gjithë e kemi lexuar tashmë.
Ju kujtoj kohën, megjithëse ju kemi ngrënë hakun, sepse zoti Bushati ju
ka parakaluar dhe ju ka ngrënë kohën më shumë sesa duhej, por në fakt pati
edhe pyetje, si dhe ka dëshirë të shpjegojë pak më gjatë. Megjithatë, nuk po ju
ha unë kohë më shumë.
Fjala për ju, zonja Ministre!
Klajda Gjosha – Faleminderit, zonja kryetare!
Në fakt, do të kisha dashur të kisha edhe unë kohën e plotë, pasi kam
bindjen që, përveç procesit të Berlinit, shumë i rëndësishëm është edhe procesi i
pesë prioriteteve, madje ndonjëherë edhe me një rëndësi më madhore për vetë
qytetarët e këtij vendi. Kështu që po e nis me atë çka ju thatë, se ka një plotësim
prej 90% të realizimit të pikave kyçe apo të masave që ne po ndërmarrim për
pesë prioritetet. Në fakt, nuk ka asgjë as për t’u çuditur dhe as për të buzëqeshur
në këtë proces, sepse Shqipëria monitorohet ngushtë nga vetë Bashkimi
Europian, nga Komisioni Europian, i cili në mënyrë periodike vlerëson dhe
monitoron të gjithë procesin e Shqipërisë. Ne do të kemi shumë shpejt
vlerësimin e radhës me progresraportin i cili do të publikohet në tetor.
Patjetër që pjesa më e madhe e masave të udhërrëfyesit janë plotësuar,
sepse tashmë ky udhërrëfyes është hartuar që në janar të vitit 2014, pra ne kemi
pasur një kohë të gjatë për të punuar mbi të gjitha masat që ka udhërrëfyesi, por
njëkohësisht pjesa tjetër e mbetur i përket pikërisht atij prioriteti kyç për vendin,
siç është reforma në drejtësi. Ne do të presim deri në përfundimin e reformës
dhe, ashtu siç edhe kemi premtuar, po punohet në mënyrë intensive për ta
përfunduar atë brenda vjeshtës së këtij viti.
Me miratimin e reformës në drejtësi do të shikojmë edhe zbatimin e parë
apo implementimin e parë të reformës për ta raportuar atë më pas edhe në
Komisionin Europian dhe të shpresojmë se kjo do të marrë ndonjë vlerësim
pozitiv për to.
20
Kjo mbledhje patjetër që vjen në një moment tejet të rëndësishëm, sepse
vjen pas ardhjes së kancelares Merkel dhe të Presidentit të Parlamentit
Europian, zotit Shulc. Edhe pse kemi marrë realisht vlerësime tejet pozitive për
të gjithë punën e bërë, për të gjitha reformat që ka ndërmarrë vendi, më lejoni të
them se këto mesazhe për ne vijnë si një përgjegjësi edhe më e madhe për të
vazhduar përpara, sepse ne nuk do të ndalemi këtu; kemi një sfidë të radhës, që
është hapja e negociatave dhe puna që na pret është shumë e madhe, por mbi të
gjitha kemi, dhe unë këtu e konfirmoj edhe një herë, vullnetin e qeverisë në
ndërmarrjen e reformave dhe në zbatimin e plotë të tyre, por njëkohësisht edhe
në ruajtjen e një klime konstruktive politike në vend, sepse edhe kjo është e një
rëndësie të veçantë për procesin e integrimit.
Për sa i përket udhërrëfyesit, më lejoni të ndalem shkurt tek arritjet më
kryesore, të cilat do të prezantohen edhe në progresraportin e radhës në muajin
tetor dhe më konkretisht, për sa i përket reformës në administratën publike,
është bërë i mundur plotësimi i kuadrit ligjor, i ligjit “Për nëpunësin civil”,
aprovimi i strategjisë së administratës publike, ngritja dhe forcimi i institucionit
të Komisionerit të Shërbimit Civil, amendimi i ligjit “Për gjykatat
administrative” dhe, së fundmi, vendimi i fundit i qeverisë për ngritjen apo për
ristrukturimin e strukturës së integrimit dhe ngritjen e strukturës së Rrjetit të
Legjislacionit.
Për ne zbatimi dhe monitorimi i këtyre ligjeve dhe vendimeve mbetet
thelbësor në mbarëvajtjen e punës së administratës publike dhe gjatë gjithë
kohës jemi në monitorim për këto.
Kemi krijimin e Komitetit të Posaçëm Parlamentar për Sistemin
Gjyqësor, dhe kjo është pikë e prioritetit numër 2, i cili shënon fillimin e një
procesi shumë të rëndësishëm për reformën e gjyqësorit në Shqipëri. Drafti i
parë i kësaj reforme është diskutuar dhe është i finalizuar me të gjitha palët e
interesit. Ka përfunduar fazën e parë të reformës, atë të identifikimit të nevojave
dhe ndërhyrjeve.
21
Vlerësimi i gjykatësve, reduktimi i numrit të çështjeve të Gjykatës së
Lartë, vendosja e sanksioneve për avokatët që vonojnë seancat gjyqësore e të
tjera janë sfida që do të adresohen pikërisht në kuadrin e reformës së
përgjithshme në gjyqësor.
Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, është forcuar bashkëpunimi
midis agjencive të luftës kundër korrupsionit, është miratuar strategjia
antikorrupsion, ILDKP-ja ka rritur numrin e denoncimeve për mosdeklarim
pasurie dhe po ndiqen rast pas rasti. Sistemi online i denoncimit të rasteve të
korrupsionit ka çuar në referimin e disa prej ankesave në prokurori dhe të gjitha
këto raste sërish janë në ndjekje. Sigurisht që vazhdimi i luftës kundër
korrupsionit në të gjitha nivelet dhe krijimi i një historiku të hetimeve, të
ndjekjeve dhe dënimeve të rasteve të korrupsionit është edhe sfidë e këtij
prioriteti, gjë e cila nuk përfundon vetëm me udhërrëfyesin e pesë prioriteteve,
por kërkon një implementim dhe shtrihet në kohë jo vetëm pas hapjes së
negociatave, por edhe në Shqipërinë e anëtarësuar të së nesërmes në Bashkimin
Europian.
Kemi reformat ligjore për përmirësimin e aspekteve funksionale dhe
organizative të Policisë së Shtetit. Vazhdimi i luftës kundër kultivimit dhe
trafikimit të drogës, miratimi i strategjisë kundër trafikimit të qenieve njerëzore,
pastrimit të parave dhe ligjit antimafia, forcimi i bashkëpunimit me agjencitë
ndërkombëtare të forcimit të ligjit janë hapa të padiskutueshëm përpara në
luftën kundër krimit të organizuar.
Sfidë mbetet forcimi i hetimeve proaktive, hetimeve financiare dhe
ndjekjeve penale që çojnë në dënime në të gjitha nivelet.
Në fushën e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, përparimet janë
shënuar në miratimin e akteve ligjore për parandalimin e torturës dhe të
keqtrajtimit në sistemin e burgjeve, si dhe përfshirjes dhe aksesibilitetit të
personave me aftësi të kufizuar. Janë ngritur streha për viktimat e dhunës në
familje, për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe LGBT-të. Është
22
krijuar një sistem online për monitorimin dhe raportimin e rasteve të dhunës
seksuale, si dhe është adoptuar rezoluta për të drejtat e fëmijëve. Vetëm së
fundmi kemi ndërmarrë edhe reformën për pronën, një çështje madhore, në fakt,
pasi Shqipëria me të vërtetë ka munguar për të raportuar për çështjen e pronës
dhe ka qenë në kundërshtim edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit prej
shumë vitesh tashmë. Kështu që ligji “Për kthimin dhe kompensimin e
pronave”, është prezantuar dhe puna që do të bëhet, është një risi dhe realisht
është për t’u përgëzuar, madje ne kemi marrë edhe përgëzimet e para nga vetë
Komisioni Europian.
Për sa i përket punës që po bëhet për hapjen e negociatave dhe se çfarë po
bën qeveria, pra për t’u bërë gati për negociatat për anëtarësim, mund të themi
se është një punë e vazhdueshme dhe, përveç përmbushjes së të gjitha masave jo
vetëm të udhërrëfyesit, por edhe më tej, implementimit të tyre me korrektësi, i
cili do të shtrihet në kohë, është një punë shumë e madhe që po bëhet edhe me
ristrukturimin e rrjetit të integrimit që shtrihet, pra nuk është vetëm pjesë e
Ministrisë së Integrimit Europian, por e të gjitha ministrive, pasi ne duam
realisht të krijojmë një ajkë njerëzish ekselentë, profesionistë, me ekspertizë të
mirëfilltë për të qenë pjesë e administratës publike dhe për të qenë negociatorët
e ardhshëm të vendit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i marrë vetëm pak javë më parë, ka për
bazë pikërisht këtë, të përthithë trurin e Shqipërisë dhe për ta bërë atë pjesë të
administratës publike, duke u ofruar atyre një vlerësim periodik çdo tre muaj
dhe duke u ofruar edhe një bonus për të parë, pra në bazë të rezultateve dhe të
meritës së pozicionit të punës që ata kanë ndërmarrë.
Është bërë një punë shumë e madhe për përgatitjen dhe inicimin së fundi
të rishikimit të grupeve ndërinstitucionale të punës, të cilët monitorojnë në
mënyrë periodike procesin.
Kemi gjithashtu partneritetin tonë të ngushtë me Komisionin Europian, i
cili, nëpërmjet EU Integration Facility apo zërit të financuar “lehtësimi i
23
procesit të integrimit”, na vjen realisht në mbështetje të plotë me ekspertizën më
të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në të gjithë procesin, në
ngritjen e kapaciteteve, në përfundimin e reformave, në financimin e të gjitha
fushave ku realisht vendi ka nevojë.
Shumë shpejt do të kemi edhe ngritjen e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë
Civile. Këtë do ta quaja edhe një risi, sepse realisht ata nuk duhet të jenë pjesë
vetëm e procesit të integrimit, por e të gjithë nivelit të vendimmarrjes që ka
vendi. Të shpresojmë se do të rezultojë i suksesshëm si çdo gjë tjetër, në fakt,
mbi të cilën kemi punuar deri tani.
Duke qenë se fola shkurt për të mos marrë edhe më shumë nga koha juaj,
sepse e di që tashmë koha është tejkaluar, më lejoni të shpreh edhe një herë
angazhimin maksimal që institucioni që unë përfaqësoj, Ministria e Integrimit
Europian, do të ketë në proces. Jam shumë e hapur për bashkëpunim dhe
shpresoj që Këshilli i Integrimit Europian të jetë partneri më i madh, që, në fakt,
ministria, por edhe vetë qeveria ka në procesin e integrimit. Kështu që unë
shpresoj realisht në këshillat tuaja sa më të mira të procesit dhe në ardhjen e
ndihmës suaj, sidomos deri në etapën e hapjes së negociatave, por edhe më tej.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zonja Ministre!
Komplimente! Jeni më e shkathët sesa ministri i Jashtëm dhe e keni
përdorur kohën tuaj për prezantimin e pesë prioriteteve në mënyrë brilante: pesë
minuta. Me sa duket ngaqë nuk ka mbetur edhe shumë për të bërë, prandaj e
keni përdorur në mënyrë efikase.
Klajda Gjosha – Jo, në fakt, unë mund të flas edhe gjithë ditën, por...
Majlinda Bregu – Ndërkohë, do t’ju lutesha që në rast se ka ndërhyrje
dhe pyetje nga anëtarët e Këshillit...
(Diskutime në sallë.)
Përpara se të hap diskutimet, zonja Vokshi dhe zoti Peza, sikur të na
dëgjonit do të ishte shumë më mirë, kam një çështje, e cila përsëri mund të
24
quhej si procedurë, por unë dua ta ritheksoj. Këshilli Kombëtar i Integrimit
Europian është ngritur si strukturë në bazë të një ligji të ri, në të cilin iniciatorë
kemi qenë unë, zoti Balla dhe zonja Tabaku, si dhe zonja Kejdi Mehmetaj më
pas, pra përfaqësues të të gjitha forcave politike. Ligji ka të bëjë me forcimin
e rolit kontrollues të parlamentit në procesin e integrimit dhe një nga detyrimet
e tij është edhe detyrimi, meqenëse është pjesë e punës së këtij Këshilli, për të
konsultuar Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian për të gjitha vendimet,
projektligjet, iniciativat, të cilat qeveria ndërmerr dhe që prekin procesin e
integrimit. Sigurisht nuk bëhen vetëm për çështje që bëhen pjesë e debatit
politik ndërmjet maxhorancës dhe opozitës, por edhe për iniciativa të tjera që
mund të prekin shoqërinë civile, biznesin, akademikët, pra universitetet e të
tjera me radhë.
Një nga çështjet, të cilën ju e përmendët në fjalën tuaj dhe që dua ta
përmend edhe unë, për t’jua sjellë në vëmendje, është vendimi nr. 578 i
Këshillit të Ministrave. Tashmë është bërë publik fakti i një vendimi, sipas të
cilit nëpunësit në Njësitë e Integrimit Europian, të ngarkuar me hartimin e
legjislacionit europian, do të kenë një bonus ose pagesë shtesë në muaj, e cila
llogaritet në masën e 100 mijë lekëve/muaj mbi pagën e tyre aktuale, çka do të
thotë diku te 740 euro. Sigurisht, është për t’u vlerësuar fakti që qeveria ka në
vëmendje për të përgatitur, për të trajnuar dhe për të ndjekur atë që quhet
retention policy, pra për të mbajtur njerëzit më të mirë të administratës publike,
ata të cilët shpeshherë tregu i organizatave ndërkombëtare ose ai privat i tërheq
edhe për arsye të pagës, pra të efektit financiar; paguhen më shumë dhe
largohen nga administrata. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe dhe vendimi është për
t’u përshëndetur. Megjithatë, ajo çka unë e shoh si problem dhe për të cilën ju e
keni detyrim ligjor, tashmë me ligjin e ri për t’u konsultuar edhe me Këshillin
Kombëtar të Integrimit Europian, është mënyra sesi kjo qasje do të ndikojë në
administratën publike.
25
Në rast se ky do të ishte një diskutim dhe do të ishit konsultuar më parë,
unë po them mendimin tim, por besoj që është mendimi edhe po aq i
delegacionit të BE-së në Tiranë apo i SIGMA-s, e keni diskutuar së fundmi në
takimin që keni pasur për administratën publike, që kjo VKM nuk do të krijojë
premisën për të krijuar atë trupë të mirë të njerëzve të administratës që merren
me procesin, pra nga njëra anë do të arrinit në njëfarë mënyre të mbanit disa
njerëz të mirë në punë dhe në administratë, por, nga ana tjetër, nuk shtrihet, nuk
ka efekte për të gjithë ata që merren me procesin e integrimit.
Për shembull, unë nuk e di se çfarë do të thotë nesër Autoriteti i
Konkurrencës, që është lider, për shembull, për kapitullin nr.8
(politikat e konkurrencës) apo çfarë do të thonë nesër ata që kanë për të
përafruar legjislacion ose çfarë do të thotë Drejtoria e Tatimeve apo Drejtoria e
Doganave.
Më lejoni t’ju them një arsye tjetër pse duhet të ishit konsultuar dhe jo
vetëm me Këshillin Kombëtar të Integrimit, por edhe me praktikat më të mira:
kjo skemë nuk ka funksionuar as në vendet e tjera të cilat kanë kaluar në këtë
proces. Për shembull, në Kroaci, pagesa për ata, të cilët kanë qenë pjesë e
grupeve negociatore, pra kur janë hapur negociatat, ka qenë 500 euro në vit
bonus. A mendoni se në kushtet në të cilat është sot Shqipëria e ka luksin për të
përballuar një shumë prej 740 eurosh në muaj për 200 shtesë mbi pagën për
punonjësit e administratës publike? Është 1 milion lekë, që do të thotë...
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Mbi pagën.
Bëjeni llogarinë se sa mbi pagën. Kjo do të thotë 8500 euro në vit për
secilin nga këto punonjës të administratës dhe, e përsëris, nuk krijon një bazë të
mirë, sepse nuk e keni shtrirë as në stafet e ministrive të ngushta që do të
merren me legjislacionin. Kam përshtypjen se do të krijojë një problematikë më
të madhe.
Vendimin e keni marrë dhe e keni miratuar tashmë me VKM.
26
Jua solla këtë çështje në vëmendje për t’ju rikujtuar se e keni detyrim
ligjor për t’u konsultuar edhe me Këshillin Kombëtar të Integrimit për çdo
iniciativë si kjo që prek administratën publike, ndërkohë që pas ndërrimit të
qeverisë vetëm turn over-i i administratës publike gjatë kësaj kohe ka qenë mbi
40%. Pra, sikur të ishin ruajtur ato kapacitete, për të cilat kishin investuar edhe
taksapaguesit europianë, ndoshta sot do të kishit pasur një trupë edhe më të mirë
dhe do të kishte qenë edhe më e lehtë për të identifikuar atë që unë e kam
shqetësim, bashkë e kemi diskutuar, identifikimin e atyre që nesër do të jenë
grupi i negociatorëve shqiptarë.
Ka pyetje? Komente?
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Po e mbyll këtu me këtë çështje, por do t’jua jap fjalën edhe juve për
komente, por besoj ta kuptoni që ju kam sjellë në vëmendje detyrimin që keni
për të informuar dhe për t’u konsultuar me Këshillin Kombëtar të Integrimit
Europian për çdo vendim që do të merrni qoftë si VKM ose projektligj që
afekton procesin e integrimit.
Para se t’ia jap fjalën ministres, a ka pyetje për çështje të tjera ose për
këtë çështje?
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Atëherë, mbledhim pyetjet dhe pastaj, zonja Ministre, mund t’ju
përgjigjeni me radhë.
Fjalën e ka zoti Bylykbashi, zoti Halimi dhe pastaj zoti Balla.
Oerd Bylykbashi – Faleminderit, zonja kryetare!
E ndoqa me vëmendje prezantimin e ministres, por kam edhe materialin
përpara. Edhe mua më bëri vërtet përshtypje niveli 90% i plotësimit të
udhërrëfyesit. Në fakt, para pak ditësh dëgjova Kryeministrin që u shpreh se në
vjeshtë ne i plotësojmë këto pesë detyrime që kemi. E prita me një lloj surprize
atë deklaratë, por, me sa duket, bazohet te këto lloj informimesh.
27
Janë plotësuar 90% e detyrimeve nga pesë prioritetet dhe, me sa duket, në
vjeshtë do të marrim propozimin për hapjen e negociatave, që është lajm shumë
i mirë. Unë shpresoj që të jetë diçka e tillë, madje para pak ditësh unë kam
shprehur në mënyrë retorike idenë nëse ishte e mundur të kemi edhe një hapje të
kufizuar të negociatave. Do ta them në fund këtë, por dua t’i marr pak këto
tematikat. Për shembull, reforma në administratën publike sigurisht që paraqitet
në mënyrë triumfale, ndërkohë që i dimë të gjithë dëmet që i shkaktoi
administratës publike, duke filluar nga akti normativ antikushtetues dhe zbatimi
pastaj në mënyrë selektive i ligjit, duke bërë atë që është sot dhe që e dimë. Kjo
konfirmohet qoftë nga burime të ILDKP-së apo nga të dhëna të tjera, ku numri i
atyre që bëjnë deklarimin për herë të parë i korrespondon pak a shumë numrit të
atyre që janë larguar nga shërbimi civil.
Majlinda Bregu – Zoti Bylykbashi, nuk dua t’ju ndërpres, vetëm po ju
kujtoj dyminutëshin e kohës.
Oerd Bylykbashi – Po, shkurt.
Në aspektin e administratës publike, ne kemi të dhëna shumë më
shqetësuese sesa kjo. Kemi rastin e konstatimeve që kanë bërë të gjithë, por mbi
të gjitha raportin paraprak të OSBE-ODIHR-it që flet për presione në
administratë, qartazi kjo e konkretizuar edhe me të dhëna të tjera, ku
Kryeministri ushtron presion të drejtpërdrejtë duke dhënë urdhra si duhet të
operojë administrata në proces zgjedhor apo edhe kjo e fundit fare, që ishte
diçka inovative, sesi mund të financohen partitë politike nga taksapaguesit
shqiptarë nëpërmjet pagave të administratës publike.
Në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, nuk e di se ku e gjeni ju që e
llogarisni 90%-shin në lidhje me këtë, cila është kuota e pavarësisë së
gjyqësorit? Di të them se çfarë është bërë deri tani, madje edhe në materialin që
paraqisni, ndryshimet që janë bërë nuk i lidhni me reformën në drejtësi,
ndërkohë që kanë qenë të gjitha tentativa për të kapur personat në gjyqësor, jo
për të garantuar pavarësinë e tij.
28
Më tej, do të vazhdoja me luftën kundër korrupsionit. Ju na folët për
strategji, për plan veprimi e të tjera, ndërkohë që vetëm tani vonë na raportohet
një evazion fiskal prej rreth 150 milionë dollarësh në dogana. Tenderimi i
drejtpërdrejtë është bërë në rregull dhe ai i hapur është përjashtim nga rregulli, e
për rrjedhojë provat përditë e më tepër janë për para të përfituara në mënyrë
skandaloze dhe të kundërligjshme për këtë gjë.
Jo më kot ne kemi konstatime dhe me siguri do të ketë edhe
rekomandime në lidhje me shitblerjen e votës në procesin zgjedhor, sepse kjo
nuk blihet me para xhepi, qoftë edhe korrupsioni, por blihet me para të cilat
dalin nga korrupsioni qeveritar.
Në rastin e luftës kundër krimit ju listoni një seri arritjesh, por me sa
duket Shqipëria, për fat të keq, u rikthye nga viti 2012, që nuk ishte më vend
tranzit për drogat e forta, tashmë është në hartën e rrugëve të tranzitit të drogave
të forta drejt Bashkimit Europian, ashtu siç edhe është kthyer e gjithë Shqipëria
është një vend në të cilin mbillet kanabis sativa, pa përmendur në fund edhe atë
që është detyrimi i përgjithshëm yni, për të arritur drejt kriminalizimit të
politikës, ndërkohë që të gjitha përpjekjet u bënë që asgjë të mos ndodhte para
zgjedhjeve të 21 qershorit.
Kalova me shpejtësi te disa nga këto pika që ju thoni se i keni çuar në
nivelet 90%, ndërkohë që unë besoj se, duke u nisur sidomos nga çështja e
luftës kundër korrupsionit, pra korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy nga
furnizuesit kryesorë të asaj që do ta quaja korrupsioni politik dhe korrupsioni
politik, nuk ka asnjë objektiv tjetër përveçse blerjes së pushtetit. Për rrjedhojë,
evazioni fiskal me këto shifra, abuzimi me paranë publike nëpërmjet tenderësh
të drejtpërdrejtë apo trafiqesh galopante, madje edhe para pak ditësh Italia e
konsideroni Shqipërinë një vend tashmë trafiku drogash të forta, jo më vetëm të
kanabis sativës, ne jemi përpara një problemi shumë të madh që unë nuk e di
sesi ne mund të konsiderojmë 90% të plotësuar. Nuk e di sesa e ka dokumentuar
në të njëjtën formë Bashkimi Europian, por, në fakt, pyetja ime është: përtej asaj
29
që do ta quaja paper trail (prova në letra), siç e keni çuar ju në Bashkimin
Europian, ajo që më intereson mua është track record për luftën kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar. Çfarë masash keni marrë ju për të
dokumentuar dhe për të bindur Bashkimin Europian se lufta kundër korrupsionit
qoftë edhe në nivelet më të larta, në nivele ministrash, apo lufta kundër krimit të
organizuar, përfshirë ata që ishin baronët e drogës, të cilët ju konsideroni se i
keni luftuar, por ndërkohë janë të gjithë të lirë, pra, çfarë provash dhe track
records i keni paraqitur Bashkimit Europian për t’ia mbushur mendjen që ne i
kemi plotësuar 90% detyrimet e për rrjedhojë me shpresë në tetor të na hapin
negociatat dhe kështu të shpëtojnë zgjedhjet e vitit 2017?
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit!
(Deputeti Braho ndërhyn pa mikrofon.)
Zoti Braho, nuk e di në rast se keni evidentuar gjatë kësaj mbledhjeje prej
një ore ndonjë ton sharës apo ndonjë fjalë që ju duket sharëse, por ky Këshill
dhe çdo anëtar i këtij Këshilli ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij. Qeveria ka
të drejtën ta marrë parasysh ose jo, sepse ky Këshill nuk është detyrues, është
konsultativ, por kjo nuk i heq të drejtën askujt që të shprehet dhe të thotë
mendimin e tij.
Fjalën e ka zonja Zhulali.
Ilda Zhulali – Faleminderit, zonja kryetare, edhe për rikthimin e
vëmendjes te çështjet e integrimit europian, për të cilat partnerët tanë nuk
reshtën së thëni që janë dhe duhet të jenë prioritet i prioriteteve, edhe duke na
mbledhur në një ditë me 40 gradë celsius për të na rikujtuar sesa i vështirë dhe i
dhimbshëm mund të jetë procesi i integrimit!
Duke vlerësuar edhe prezencën e ministrave, mendoj që të dyja temat për
diskutim sot janë shumë të rëndësishme dhe si të tilla duan më shumë vëmendje,
kohë dhe seriozitet në trajtimin e tyre.
30
Duke vlerësuar materialin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Jashtme,
unë mendoj që ky material mund të shërbejë shumë mirë si material për të vjelë
pak më shumë ide dhe reflektim edhe nga aktorë të tjerë që nuk i përkasin
ekzekutivit, se çfarë mund të bëhet në kuadër të procesit të Berlinit, ku nuk
përfshihet vetëm qeveria shqiptare, ku pritet të përfshihen, siç është thënë edhe
nga zonja Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë, edhe aktorë të shoqërisë civile të
cilët i kemi sot prezent. Ma do mendja që edhe ato janë të interesuar për të ditur
më shumë sesi dhe cilat janë hapësirat ku ata mund të përfshihen, qoftë edhe
institucione të tjera. Ju përmendët parlamentin, që mund të jetë një ide shumë e
mirë, por unë mund t’ju them që Presidenti i Republikës edhe në aktivitetet ku
ka marrë pjesë, përfshirë Samitin e fundit të Budvës, ka theksuar dhe ka dalë
plotësisht në mbështetje të kësaj axhende. Mendoj se gjëra të tilla, në radhë të
parë, duhet të jenë më të koordinuara me njëri-tjetrin, pasi këto paraqiten
fillimisht si platforma kombëtare dhe pastaj si platforma rajonale. Kështu që unë
mendoj që ndoshta pas takimit të Vjenës, po për këtë temë, meriton që Këshilli
Kombëtar i Integrimit Europian të trajtojë edhe një herë këtë çështje dhe të
rishikojmë mundësitë sesi të gjithë aktorët mund të përfshihemi në mënyrë më
të zgjeruar në këtë proces.
Së dyti, në lidhje edhe me mesazhin që ju thatë dhe e përmendën shumë
fort dhe qartë kancelarja Merkel dhe Presidenti i Parlamentit Europian Shulc,
por edhe asistentsekretarja amerikane e Shtetit, Nuland, në Tiranë prioritetet për
Shqipërinë janë të qarta. Ato janë pesë, nuk dolën dje, nuk dolën para gjashtë
muajsh, kanë disa vite që qëndrojnë aty. Puna është se sa seriozë jemi ne si vend
për t’i trajtuar ato.
Ndër këto, kryesorja, sigurisht për të cilën të gjithë kemi rënë dakord dhe
themi herë pas here, mendoj se është reforma në drejtësi.
Dua t’i sugjeroj këtij Këshilli që në fillim të shtatorit ta nisim mbledhjen
e radhës me një takim të posaçëm dedikuar vetëm reformës në drejtësi.
31
Presidenti i Republikës organizoi në tetor të vitit të kaluar një tryezë
gjithëpërfshirëse, ku ftoi të gjithë aktorët që me përgjegjësinë institucionale të
ndërmerrnin iniciativën e tyre dhe të bënin detyrat e tyre për të hartuar një
strategji kombëtare për reformën në drejtësi.
Me keqardhje kemi konstatuar që ky proces nuk ka ecur as në kahun e
duhur dhe as me ritmin e duhur, por tashmë duket se gjërat kanë filluar të
ndryshojnë. Këto ditë mbaron edhe procesi i konsultimit në qytetet e ndryshme
të Shqipërisë me aktorë të ndryshëm.
E rëndësishme është që kjo strategji kombëtare, kjo paketë e madhe, do të
duhet që të miratohet edhe në Këshillin Kombëtar të Integrimit, por paraprakisht
duhet të diskutohet ma do mendja seriozisht, të marrë edhe mendimin dhe
reflektimet e të gjithë aktorëve që janë të përfaqësuar këtu, si dhe të sigurojë
njëkohësisht edhe certifikimin e aktorëve ndërkombëtarë, siç është edhe
Komisioni i Venecias.
Sugjerimi im është që në takimin e ardhshëm të vendosim si çështje
kryesore dhe të vetme reformën në drejtësi për t’u pasuar me reformat e tjera,
me prioritetet e tjera, sepse mendoj që ky kalim i shpejtë i pesë prioriteteve nuk
është serioz dhe nuk e meriton as procesi dhe as gjithë aktorët e ulur në këtë
tryezë.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit përfaqësueses së kabinetit të Presidentit
të Republikës!
Sigurisht që propozimi juaj do të regjistrohet dhe në mbledhjen e
ardhshme... Besoj që të gjithë jemi të qartë që kryeprioriteti, në rast se do të
donim të caktonim, është pikërisht reforma në drejtësi dhe për sa kohë ky sesion
parlamentar po përfundon dhe ne ende nuk kemi një paketë në dorë, do të ishte
shumë mirë që mbledhjen e ardhshme ta zhvillonim mbi reformën në drejtësi.
Gjithsesi, përpara se të bëjmë axhendën e mbledhjes tjetër, do të biem
dakord dhe do t’ju bëjmë me dije.
32
Fjalën e ka zoti Halimi.
Eduard Halimi – Në fakt, edhe shqetësimi im, zonja kryetare, lidhur me
punën e Këshillit ka të bëjë me sinqeritetin që ne duhet të kemi me partnerët
ndërkombëtarë edhe kur bëjmë raportimin. Besoj se kjo është një detyrë e
rëndësishme e Këshillit, në mënyrë që të jemi të sinqertë me ta, të mos jemi
hipokritë, të mos t’i futim plehrat poshtë tapetit.
Edhe mua ma tërhoqi vëmendjen raportimi për arritjen 90% të plotësimit
të kritereve. Duke u fokusuar pak te drejtësia, dua ta pyes ministren me aq
informacion sa mund të më japë, se ku është progresi 90% ose 70%, ose 10% në
reformën në drejtësi në lëvizjet e deritanishme të maxhorancës, në lëvizjet e
deritanishme të një viti të maxhorancës. Janë tri ligje të miratuara nga
maxhoranca. Dua të di, ku është progresi në miratimin e ligjit “Për Këshillin e
Lartë të Drejtësisë”? Hoqëm tre anëtarë dhe çuam tre militantë të Partisë
Socialiste në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ku është progresi këtu që ne e
raportojmë si progres? U bë më solid Këshilli i Lartë i Drejtësisë? U bë më i
pavarur Këshilli i Lartë i Drejtësisë? U bë gjyqësori më i pakorruptuar? E
ndihmoi më shumë biznesin ndërrimi i karrigeve, ku hoqëm tre dhe vumë tre, se
për këtë u bë ligji? Ku është progresi në këtë?
Ligji tjetër është ai “Për Shkollën e Magjistraturës”. Hoqëm një drejtor,
vumë një tjetër. Ku është progresi këtu? Çfarë progresi synon; u bë më e
pavarur shkolla, sepse e emëroi Kryeministri drejtorin e Shkollës së
Magjistraturës? U bë më i pavarur gjyqësori, sepse u miratua një drejtor tjetër i
Shkollës së Magjistraturës? Kalojmë te ligji tjetër “Për Gjykatën e Lartë”.
Ligji “Për Gjykatën e Lartë” ka një ndryshim. Meqenëse ka konflikt prej
dy vjetësh mes maxhorancës dhe Presidentit, sepse nuk miratohet asnjë nga
kandidaturat që sjell Presidenti, duke bllokuar punën e Gjykatës së Lartë, kemi
bërë një ligj. E keni bërë ju dhe e keni miratuar, sipas të cilit ministri do t’i
propozojë Presidentit emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ku është
progresi këtu? E bën Gjykatën e Lartë më të pavarur, sepse është ministri që do
33
t’i propozojë kandidatin? Ndihmon më shumë biznesin, shoqërinë civile,
qytetarët sepse po e propozoi ministri, ata gjyqtarë do të jenë më të pavarur, më
cilësorë, më të pakorruptuar, më profesionalë? Ky është avantazhi? Ky është
progresi? Pra, gjatë këtij viti ne kemi këtu mbi tavolinë si parlament deri sot
kemi vetëm këto lëvizje, vetëm këto tri ligje: 1, 2, 3. Se çfarë do të vijë më pas,
do ta shohim, por ama kemi vetëm këto të tre. Ku është progresi këtu? Për mua
nuk është progres. Ky është regres, është kthim mbrapsht. Por ju që keni
raportuar dhe thoni: “kemi 90% të plotësimit dhe kemi ecur në rrugën e
Bashkimit Europian”, ku janë këto? Ku është progresi në këto tri ligje?
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Halimi, për ndërhyrjen!
Fjalën e ka zoti Balla dhe pastaj fjala shkon për përgjigjet nga ministrja
dhe zoti Bushati, në rast se do të duan të shtojnë diçka.
Më falni, a ka ndonjë përfaqësues të shoqërisë civile që e do fjalën?
Atëherë, Edith dhe Nikolin, ju rikujtoj gjithsesi edhe kohën, që, në fakt, e
kemi tejkaluar limitin, por, siç e dini, ndonjëherë konsumojmë më shumë fjalë
sesa duhet.
Po, zoti Balla.
Taulant Balla – Të them të drejtën, mua më vjen keq që Këshilli
Kombëtar i Integrimit Europian po kthehet në një këshill të ankesave, për të
mos degjeneruar në një këshill të pleqve që nuk kanë çfarë të bëjnë gjë tjetër...
Tani, kush e ka lexuar ligjin kur është votuar në Kuvendin e Shqipërisë
duhet të mbajë mend vetëm një fjali: “Ky Këshill u krijua për të nxitur
bashkëpunimin midis forcave politike, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë
civile në procesin e integrimit europian”.
Nëse nuk bashkohemi dot edhe në këtë Këshill, atëherë hajde të shpikim
diçka tjetër. Unë e kërkova me ngulm në fillim dhe i kërkoj ndjesë zonjës
Vokshi, se zonja Vokshi me atë ndërhyrje që bëri, mu duk më korrektja po të
dëgjoje diskutimet e mëpasshme, por, nëse kolegët e opozitës e kërkojnë edhe
34
forumin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për konferenca për shtyp,
hajde ta bëjmë konferencë shtypi të Partisë Demokratike edhe këtë forum.
Ndërkohë, unë vlerësoj që Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian duhet
të ketë në qendër të vëmendjes së tij pikërisht një bashkëpunim më të ngushtë të
forcave politike të përfaqësuara këtu për çështjet e diskutuara, madje edhe
institucionet dhe, kur vjen dhe raporton në emër të institucionit, nuk vjen këtu
për t’u qarë, por për të treguar gatishmërinë e institucionit që përfaqëson për të
punuar së bashku në procesin e integrimit europian.
Së dyti, lidhur me atë që u tha këtu si shqetësim pse qeveria ka vendosur
një sistem të ri shpërblimi për ata që punojnë për sa i përket procesit të
integrimit europian, përafrimit të legjislacionit e të tjera, qeveria ka bërë shumë
mirë, madje mund të marrim një vendim që t’u heqim dietat deputetëve dhe me
to të paguajmë lekët për punonjësit që merren me integrimin europian. Dakord?
Këtë gjë nuk e bëjmë dot, ndaj të paktën nuk duhet të shpikim, por të mësojmë
nga eksperiencat e vendeve të tjera. Dhe ka një gjë, e kemi thënë gjithmonë,
madje besoj se do ta thotë në fund zonja Bregu, për një projekt shumë të
rëndësishëm, që lidhet me investimin në burime njerëzore për sa u përket
personave që merren me procesin e integrimit europian, se ne nuk kemi ende një
grup njerëzish të mirëkualifikuar për sa i përket procesit të integrimit, flas në
tërësi.
E po ta harrojmë se mund të mbajmë në administratën publike njerëz
super të kualifikuar me atë sistem shpërblimi që kemi. Asnjëri prej atyre aty, të
paktën dy-tre që njoh unë, të cilët janë të mirëkualifikuar, nuk do të pranonte
kurrë që të punonte si punonjës në administratën publike dhe të merrej me
procesin e integrimit europian me atë sistem pagash.
Paguhen shumë më mirë te shoqëria civile sesa në shtet. E pra, që ata që
marrin përsipër të bëjnë punën e vështirë të procesit, të përkthimit dhe të
përafrimit të legjislacionit, sigurisht edhe duhen shpërblyer. Unë mendoj se kjo
është një gjë shumë korrekte, megjithatë nuk ia heq fare të drejtën zonjës Bregu,
35
si kryetare e këtij Këshilli, që hajde të shohim edhe eksperienca të tjera. Nëse
kjo eksperiencë nuk funksionon, të gjejmë një eksperiencë tjetër më të mirë, por
kur nuk kemi fare, kur nuk kemi bërë asgjë gjithë këto vite dhe bëhet një hap
pozitiv, ai duhet përshëndetur.
E them përsëri, sepse besoj që edhe mbledhja po shkon drejt fundit, nëse
kolegët e opozitës kanë të drejtë të mirinformohen për çështje që lidhen me
integrimin europian, që nuk është Këshilli i Integrimit Europian vendi ku ne të
shpalosim konferencat për shtyp të partisë. Konferencat për shtyp të partisë i
bëjmë nëpër selitë tona. Të paktën këtu të mbajmë një frymë bashkëpunimi me
njëri-tjetrin.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Balla!
Fjalën e ka zonja Harxhi, zoti Jaka dhe zonja ministre.
Edith Harxhi – Ju faleminderit shumë, zonja kryetare!
Dua t’ju them, në radhë të parë, se ndoshta do të kishte qenë më mirë
sikur të ishin dy raportime të ndara ose Këshilli të mblidhej më shpesh se kaq,
edhe për faktin se të dyja raportimet janë me interes të veçantë, të paktën unë
flas nga pozicioni i shoqërisë civile. Me ministren e Integrimit, jam e sigurt
sidomos me pesë prioritetet, do të donim të kalonim edhe më tepër kohë, ashtu
edhe me çështjen e Konferencës së Vjenës.
Ndoshta shumë shpejt mund të thirret një takim i posaçëm i këtij Këshilli
edhe një herë me ministren e Integrimit pikërisht për të diskutuar pesë
prioritetet, sepse duket se është çështja me rëndësi më të veçantë për sa i përket
vendit tonë në këto momente.
E dyta, nuk e di sa kohë mund të ketë në dispozicion ministri i Jashtëm që
të përgjigjet, të paktën shkurtimisht, por për herë të parë shoh një diskutim në
Konferencën e Vjenës në fund të gushtit në lidhje me një panel të përbashkët të
nivelit të lartë me shoqërinë civile.
36
Dua të di ose të kem pak më tepër informacion se kush e organizon, cilat
janë kriteret? Si është përcaktuar? Çfarë do të diskutohet? Këtu thuhet se “do të
ketë një ndërthurje të elementeve politike dhe kulturore”. Nuk e di se çfarë do të
thotë “element i ndërthurur”, të ketë edhe element kulturor? Nuk e di për sa i
përket pozicionit të paktën të këtyre gjashtë përfaqësuesve këtu, të cilët kanë një
lloj fokusi politik ose edhe social për sa i përket shoqërisë civile. Pra, dua të di
si, qysh, çfarë do të ndodhë, kush do të jetë përfaqësues? Kush e ka përgatitur
këtë? Ka qenë një udhëzim i Bashkimit Europian, i Komisionit Europian? Kush
është iniciator dhe çfarë do të ndodhë më tej?
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit juve!
Po, zoti Jaka.
Nikolin Jaka – Faleminderit, zonja kryetare!
E vlerësoj edhe prezencën, edhe ftesën që i keni bërë biznesit për të qenë
pjesë e kësaj tryeze. Realisht është pak me vonesë, por gjithsesi duhet
përshëndetur sinjali pozitiv që është dhënë.
Nga ana tjetër, doja të shikoja realisht një Këshill Kombëtar të Integrimit
më të strukturuar në propozimet dhe në analizat që ne bëjmë, pasi Konferenca e
Berlinit është suporti më i mirë që i jepet Shqipërisë në rrugën e integrimit në
Bashkimin Europian. Konferenca funksionon në mënyrë permanente me grupe
pune dhe Dhomën e Tregtisë, e cila ka krijuar tashmë aleancën e tyre që
përbëhet nga dhomat rajonale dhe ditët e konferencës në Vjenë do të jenë edhe
konferenca ekonomike. Forumi ekonomik i kësaj konference është shumë i
rëndësishëm, sepse do të jenë të gjithë kryeministrat dhe Kancelarja. Nga ana
tjetër, unë mendoj dhe dua të bëj një sugjerim, të paktën për klasën politike dhe
deputetët, që ta shohin siç duhet sinjalin që dhanë zonja Merkel dhe Konferenca
e Berlinit. Bëhet fjalë për projekte të mëdha që kanë një impakt të drejtpërdrejtë
në sipërmarrjen dhe ekonominë e vendit tonë.
37
Unë mendoj që më mirë sesa të kemi një retorikë të deputetëve me njëri-
tjetrin, të kalojnë në zonat e tyre, të japin sinjalin e duhur për popullsinë që
mbështesin dhe përfaqësojnë, që të kualifikohen në nivelet e duhura për të qenë
të përgatitur dhe për të mirëpritur projektet që Bashkimi Europian ose
Konferenca e Berlinit do të suportojnë ekonominë shqiptare.
Ajo që tha zonja Merkel se nuk jemi për pranimin e azilkërkuesve, por
për pranimin e punonjësve të kualifikuar, është një sinjal që duhet të ndezë
sinjalet e të gjithëve ne. Nëse ne do të na ikë edhe ai burim njerëzor i
kualifikuar, me çfarë do të punojë sipërmarrja shqiptare, e cila mbulon 84% të
numrit të punësuarve në tërësi të vendit?
Unë mendoj që duhet të jemi më të orientuar drejt kësaj, më të orientuar
drejt objektivave të qarta, drejt ekonomisë dhe sipërmarrjes. Në qoftë se ne do ta
lëmë pas dore dhe do të merremi me retorikën e njëri-tjetrit apo me analiza dhe
akuza, që unë mendoj se ju keni dhënë sa të doni për t’i trajtuar këto, asgjë nuk
do të bëjmë. Na vjen keq, por sipërmarrja e ka kohën shumë të limituar dhe
njëkohësisht ju siguroj që nuk do të jetë më prezent!
Ju urojmë suksese dhe shpresojmë që të jemi konstruktivë dhe objektivë
në atë që themi dhe që presim!
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Të falënderoj edhe unë për ndërhyrjen dhe për
risjelljen në vëmendje të një shqetësimi, që duhet të jetë një çështje dhe duke
filluar nga vjeshta e këtij viti me një axhendë të Këshillit, do të trajtohet sipas të
gjitha problematikave, pra nuk do të ngelemi vetëm në godinën e parlamentit,
por do të kemi mundësi të takohemi edhe jashtë tij me dhomat e tregtisë dhe të
biznesit për të dëgjuar shqetësimet apo me të gjitha grupet e interesit, me
shoqërinë civile, sepse vetëm kështu do të kemi mundësi edhe ne për të pasuruar
axhendën dhe procesin me problematikat reale.
Fjala për ju, zonja Gjosha, në rast se keni një përgjigje.
Zoti Bushati?
38
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Klajda Gjosha – Më vjen mirë që ju sollët në vëmendje vendimin e
Këshillit të Ministrave për riorganizimin e rrjetit të integrimit dhe ngritjen e
rrjetit të legjislacionit.
Pavarësisht se ju e përmendët si iniciativë të mirë, thatë se kjo do të jetë
një pagë mujore ekstra për çdo punonjës. Në fakt, nëse do ta shohim mirë
vendimin, thotë ndryshe, se “që të gjithë personat që do të pranohen, do të
vlerësohen çdo tre muaj...”, pra në mënyrë periodike “...dhe në bazë të ecurisë
që ata kanë pasur, në bazë të meritës së punës, në bazë të arritjeve që kanë në
pozicionin e punës ata do të vlerësohen me një bonus prej 100 mijë lekësh të
rinj çdo tre muaj”. Kjo do të thotë që ne realisht duam të marrim njerëzit më të
aftë që ka vendi, por edhe jashtë tij. Të gjithë ata shqiptarë që punojnë jashtë
vendit, ne duam t’i përthithim dhe t’i bëjmë pjesë të administratës shtetërore.
Them që këtu nuk ka asgjë të keqe. Kjo është një iniciativë shumë e mirë
për të përthithur, sepse, të mos harrojmë, që organizatat ndërkombëtare, por
edhe tregu i punës i biznesit u ofron atyre realisht shumë më tepër sesa
administrata shtetërore sot dhe mungesa e kapaciteteve në administratën
shtetërore është jashtëzakonisht shumë e theksuar, e përmendur disa herë edhe
nga vetë Komisioni Europian, i cili investon pa fund në ngritjen e kapaciteteve.
Kështu që unë them se kjo iniciativë, që është më e mira e mundshme e këtij
momenti, është një projekt, po themi pilot, sepse një iniciativë e tillë nuk ka
funksionuar asnjëherë më parë në vend, që do të bëhet vetëm për ministritë në
këto momente. Më pas, duke parë edhe suksesin e kësaj iniciative, duam ta
shtrijmë atë edhe tek institucionet e pavarura dhe më tej.
Të shpresojmë që realisht kjo do të funksionojë dhe ne do të kemi
mundësinë të krijojmë një ajkë personash për ta çuar përpara procesin e
integrimit.
Unë pashë shumë skepticizëm edhe kur ju përmendët 90%-shin, edhe kur
flisnit me një kënaqësi shumë të madhe ndoshta edhe për hapje negociatash. Më
39
lejoni t’ju them që kush e njeh mirë procesin e integrimit, kush e njeh mirë sesi
funksionon Komisioni Europian apo edhe vendet anëtare, nuk do të shprehej në
këtë mënyrë, sepse ne nuk jemi të vetmit të cilët i raportojmë Bashkimit
Europian për arritjet. Ne kemi grupe të përbashkëta pune, të cilët përfaqësohen
nga pala shqiptare dhe përfaqësues të Komisionit Europian që ndjekin çdo
etapë, çdo miratim ligji, çdo implementim të ligjeve përkatëse dhe bashkë me ne
thonë nëse ne kemi bërë progres, apo hapa mbrapa.
Edhe unë nuk mund të marr në asnjë moment iniciativën për të ardhur
para jush dhe për të thënë se “ne kemi arritur iks përqindje”. Procesit të
integrimit nuk mund t’i vihet përqindje pune ose përparësie, sepse është një
punë në vazhdimësi, është implementim i përditshëm i të gjitha reformave dhe
nuk do të merrja asnjëherë iniciativën për t’ju gënjyer ju apo për t’ju hedhur hi
syve.
Është diçka, është një vendim i përbashkët që merret me Komisionin
Europian; është një vlerësim i përbashkët që merret me ta. Kështu që nuk do të
lejoja në asnjë moment që procesi i integrimit, në fakt, të kthehej në partiak apo
në vlerësime të njëanshme.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zonja Gjosha!
Unë ju kërkoj ndjesë personalisht se ndoshta nuk e njoh as Komisionin
Europian dhe as mënyrën sesi përgatitet një raport, megjithatë po e marr
përsipër vetë këtë situatë. Ndoshta ligsht e ndien veten edhe Ditmiri, por, ju
lutem, përgjigjen e pyetjes së zonjës Harxhi, sepse, me sa shoh, edhe kolegët
deputetë duan të shkojnë në seancë, pasi kanë për të diskutuar për projektligjin e
arsimit të lartë.
Ditmir Bushati – Faleminderit, zonja kryetare!
Për sa u përket termave të referencës të takimit të sotëm, kam përshtypjen
që ne kemi hedhur një gjysmë hapi para, por është si gjithmonë çështja e gotës,
domethënë mënyra si e shohim: gjysmë plot, apo gjysmë bosh.
40
Kështu që do të ishte mirë që në muajt në vijim dhe në periudhën në
vijim, edhe unë do t’i bashkëngjitesha këtu shqetësimit të kolegëve Balla dhe
Braho, që të kishim një sinkronizim paraprak më të mirë për përgatitjen e kësaj
mbledhjeje, për aq sa ka lidhje edhe me institucionet që përfaqësojmë, në
mënyrë që edhe pjesëmarrësit që vijnë në mbledhje të kenë mundësi të
konsultojnë materialet në një kohë fizike më të arsyeshme dhe më të
përshtatshme, gjë që i krijon mundësi edhe për të ardhur me propozime të
strukturuara që unë mezi i pres, sidomos nga bota e biznesit.
Meqenëse u morën krahasime me Merkelin, normalisht edhe unë shpresoj
shumë që bota e biznesit të ketë si pikë referimi sipërmarrjet gjermane dhe të na
nxisë që të shkojmë drejt një zhvillimi edhe më të qëndrueshëm, edhe më të
mirë.
Për t’iu referuar pyetjes në lidhje me segmentin e shoqërisë civile, mund
t’ju them që organizatorët, pra pala austriake gjatë këtij viti ka zhvilluar tri
aktivitete me në fokus shoqërinë civile dhe rininë në tri kryeqytete: në Sarajevë,
në Beograd dhe në Tiranë. Tematika e çështjeve ka qenë një ndërthurje, ashtu
siç mund ta keni edhe në material, nga çështjet e bashkëpunimit kulturor deri te
çështjet e lirisë së medies dhe bashkëpunimit në fusha të tjera, në krijimin e
prosperitetit të vendeve të punës dhe bashkëpunimit politik.
Në Konferencën e Vjenës, segmenti i shoqërisë civile është përmbyllje e
të gjithë këtij cikli, ku së bashku me ministrin e Jashtëm të Austrisë jam ftuar
nga pala austriake për të përshëndetur hapjen e këtij takimi. Shpresoj që të mos
ketë qenë kriter ajo që ju thatë, se unë i shpjegoj gjërat gjerë e gjatë, por
shpresoj që kriteri të ketë të bëjë edhe me rolin aktiv të Shqipërisë në këtë
drejtim.
Së dyti, do të isha shumë i gatshëm për secilin nga pjesëmarrësit e
shoqërisë civile që janë këtu, por edhe për delegacionin e Komisionit Europian,
që i pashë në një numër goxha të zgjeruar, për çfarëdolloj informacioni shtesë
që mund t’i duhet në lidhje me organizimin dhe me këtë proces, Ministria e
41
Punëve të Jashtme, si bashkorganizatore është në dispozicion të secilit, pra edhe
përtej kësaj mbledhjeje, edhe për çdo lloj seance që do të duhet të organizohet
në këtë drejtim. Kur them “për institucionet ose përfaqësuesit e shoqërisë
civile”, nuk diskutohet që kjo nënkupton të gjitha institucionet e shtetit shqiptar
që janë prezente në këtë tavolinë, sepse në analizë të fundit është për t’u
përshëndetur fakti se, dhe me këtë do ta mbyll, ky Këshill në një mënyrë a një
tjetër, në kuptimin figurativ të fjalës, rrëzon muret mes të gjitha institucioneve,
mes të gjithë aktorëve politikë.
Ne e dimë që nuk ka një mur mes Presidencës dhe opozitës, por është e
rëndësishme që kjo tryezë të na sjellë të gjithëve bashkë, i rrëzon të gjitha muret
e tjera dhe na krijon mundësi jo thjesht për të ballafaquar pikëpamjen se ikën tre
përfaqësues nga KLD-ja dhe erdhën tre të tjerë, por edhe për të skicuar
rrugëdaljen nga ballafaqimi i pikëpamjeve.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Bushati!
Më lejoni të falënderoj në emrin tuaj të dy ministrat, ministrin e Jashtëm
dhe ministren e Integrimit Europian, të cilët u treguan të gatshëm edhe pse
njoftimi për përgatitjen e këtij Këshilli nuk ka marrë siç zakonisht marrin në
mbledhje një muaj kohë, por është organizuar në një kohë të shkurtër, sepse
donim të ishim sa më afër datës së organizimit të Konferencës së Vjenës për të
marrë edhe informacionin e fundit nga Ministria e Jashtme!
Ju falënderoj të gjithëve për durimin, me gjithë të nxehtin e parlamentit,
por ky takim ishte më i freskët sesa takimet e tjera.
Në fund për të qetësuar edhe shpirtrat e trallisur pak të gjithkujt që iu duk
sikur kishte përsëritje të komisioneve parlamentare ose të seancës, në rast se do
të perifrazoja Zhan Monenë, i cili thotë se “Zgjidhjet vijnë si shumatore të
krizave”, do t’u sugjeroja me shumë miqësi dhe dy kolegët ministra t’i marrin
propozimet, debatet dhe komentet si një mundësi për të ofruar dhe për të
ndikuar në një analizë të tyre, pra për të ngacmuar mendimin e tyre për zgjidhje
42
dhe qasje më të mira të përbashkëta gjithëpërfshirëse të konsultuara për procesin
e integrimit.
Unë nuk di se ky Këshill ka mision tjetër përveçse për të diskutuar ide të
cilat jo domosdoshmërish duhet të jenë të njëjta dhe as të mos përfaqësojnë
ndasitë tona politike, por të gjejmë të përbashkëtën për të çuar përpara këtë
proces që është i të gjithëve ne.
Edhe një herë, faleminderit dhe do të njoftoheni për mbledhjen e
ardhshme!
MBYLLET MBLEDHJA